Gjorica, fshati midis ujërave

357

Libri i bashkëautorëve Qemal Osmani dhe Shaqir Skarra “përcjell” dijetarë e patriotë, njerëz të penës e pushkës

“Gjorica, fshati midis Ujërave”, një titull krejt real, që të intrigon në metaforë. Kjo e fundit, pasi lexon librin. Krejt njerëzor se aty ndodhet, aty mes Drinit e Zallit, metaforik, se vetë jeta e këtyre njerëzve ka kaluar nëpër shtigje, të cilat mund hapen vetë, po më së shumti duhet të kërkosh t’i hapësh e ndonjëherë edhe të përplasin. Në Gjoricë, në njerëzit e saj duket se kanë ndodhur të tria. Ka të mira e begati, ka edhe kurbet, ka luftë, ka shehitë. Duke hyrë në këto shtigjet duket se banori i saj ndjehet mirë, se njeriu ndjehet mirë, kur ka bërë diçka të vlefshme. Gjoricasit kanë bërë mjaft jo vetëm për vete, por për gjithë Shqipërinë. Ata ndjehen edhe të lumtur, se njeriu ndjehet i lumtur kur u ka dhënë të tjerëve shansin, mundësinë apo motivin për të qënë mirë. Ndjehen edhe kryelartë (jo për të mos parë rrugën), se i kanë dhënë kombit personalitete të disa fushave. Të gjitha këto i gjen në këtë monografi, të shkruar me dashamirësi nga autori, gazetari, tashmë edhe studiuesi, Shaqir Skarra, së bashku me birin e këtyre anëve, Dr.Qemal Osmani.
Në këtë monografi të ‘hises së gjoricasve’, autorët përcjellin trashëgiminë te pasardhësit, duke bërë thirrje për të qënë vetvetja. Ashtu thjeshtë, bëjnë lidhjen e të shkuarës me të sotmen, me sytë nga e ardhmja.Libri ka jetë, se fundja është jeta ajo që përcakton nivelin e njerëzimit, stadin e tij.Aty ka edhe kujtime, se ndëshkimi më i madh që mund t’i japësh dikujt, është harresa. Duket se këtë kanë patur parasysh autorët, prandaj kanë marrë veç dokumentave edhe kujtime nga vendas e jovendas, por kanë banuar ose kanë lidhje me Gjoricën.
Nuk është e lehtë që këto rrafshe të kujtesës, t’i vesh në shërbim të fakteve historike, por shohim se autorët ia kanë arritur qëllimit, duke përmbushur kështu një kërkesë elementare metodologjike të shkencës për punime të tilla. Nuk është e lehtë, se pa studimin e fakteve dhe të burimeve historike, nuk hartohet një vepër që mëton të jetë e nivelit të monografisë, siç është “Gjorica, fshati midis ujërave”.
Në vitet e fundit po bëhen përpjekje në drejtim të plotësimit të  mangësive të krijuara nga koha, në drejtim të kujtesës sonë kombëtare. Mendoj se është gjëja e duhur dhe mbart vlera trashëgimore, veçanërisht për brezat e ardhshëm.Fundja, ky është mesazhi më i mirë i një intelektuali, që me të dhëna dokumentare, kujtime e shembuj jetësorë të paraqesë vlerat e një visi. Gjorica e meriton një vlerësim të tillë, prandaj autorët kanë merita.
E nisin me Dibrën, me atë Dibër që nuk u pajtua asnjë çast me mungesën e arsyes së pushtuesve, me ata që sulmuan e mbollën jetë njerëzish në këto vise. Fundja, Dibra është më e madhe jo se Gjorica, por shumë e madhe, si nga bëmat, ashtu edhe nga emri i saj në Ballkan e më tej. Pasi bëjnë një ‘udhëtim të lehtë’, por bazë nëpër Dibër, (se ‘ndërtimi i shtëpisë nis nga themelet, e jo nga çatia), hyn në Trojet e Gjoricës. Pikërisht kjo është shoshitur mirë, sigurisht aq sa mund të shoshitet në një monografi.
Në Gjoricë libri ‘përcjell’ dijetarë e patriotë, njerëz të penës e pushkës, ku bie në sy portretizimi me dashamirësi i tyre.Ata nuk janë pak, po me dhjetëra e ndoshta ka edhe më që s’janë evidencuar. Ata janë individë, që ndryshimin e kërkuan nga vetja e pastaj te të tjerët, te shoqëria. ‘Përcjell’ tradita e zakone të njohura e të panjohura në vise të tjera, hyn në etimologji popullore e etnogjenezë, në fise e fshatra, në dituri e arsim, duke na dhënë një pamje pothuajse të plotë të këti visi me vlera kombëtare.
Diku, autorët thonë: “Ne nuk pretendojmë se kemi bërë gjithçka për Gjoricën, por kemi bërë diçka, kemi hedhur gurin e parë në themelet e grehinës së historisë së saj. Të tjerë do vijnë pas nesh e do shkruajnë përsëri, se kurrë nuk shteron historia e Gjoricës. Ndoshta duhej shkruar ndryshe, ndoshta kemi harruar diçka, ngjarje qoftë, histori, personazh qoftë.Ne me sinqeritetin më të madh themi se është thjeshtë një harresë e çastit dhe aspak dashakeqe”.
Ka një krenari për Gjoricën. Ajo është trualli ku dolën inelektualë sa rrallëkund tjetër; Aty dolën mjeshtër të profesioneve të ndryshme, sa pakkund, aty dolën edhe politikanë deri ministra e presidentë. Ka edhe një krenari krejt të veçantë: Siç thonë autorët, nga Gjorica pak familje janë dalë e vendosor në qendra urbane. Veç kushteve natyrore, ndoshta vetë Gjorica ruan brenda saj vlera shpirtërore urbanizmi, qytetarie.
Së fundi, pata fatin që e mora dorëshkrim këtë material dhe e lexova me kënaqësi. Besoj se nga autorët do të kemi dhe botime të tjera.

S'KA KOMENTE