Kur e shohim Lurën – atë mrekulli natyre që të linte pa mend – të masakruar me egërsi shkatrrimtare, e mbysim dhimbjen me një “Oh, bre!” Kurse të parët tanë edhe pse të paditur e analfabetë e ruajtën dhe e mbrojtën atë me fanatizëm për shekuj e shekuj, si një vend ku të shërohej shpirti. Kur shohim se si janë masakruar pyjet e Valkardhës, Zerqanit, Tërnovës, Okshtunit e Selishtës, e na vjen për të qarë, themi: “E po s’ke ç’u bën të fortëve, e kanë mirë me qeverinë”.

Kur shohim si u katandis miniera e kromit në Bulqizë, ku djem të rinj janë vrarë si në luftë, ku ca të ardhura i merr njëri e tjetri, e ca të tjera s’dihet se nga shkojnë, themi: “E, po, kështu e ka ekonomia e tregut” dhe rrudhim supet. Kur shohim se po na mbeten fëmijët analfabetë, themi: “S’ke ç’bën, ku t’i gjesh mësuesit me arsimin përkatës”. Kur shohim e dëgjojmë se si lakohet e përdridhet projekti i Rrugës së Arbërit, për të na thënë më së fundi se nuk paska para për ta realizuar; ndërkohë që sa e sa projekte – të cilët nuk kanë të krahasuar për nga rëndësia me të – janë realizuar e po realizohen deri më sot në Shqipëri. Mirëpo, s’ka para për këtë, kur ka për projekte shumë më të parëndësishme, s’ke ç’i bën kësaj, e s’ke ç’i bën asaj, ç’mbetet të bëjmë? Të zgjasim qafën dhe më? Të mos bëzajmë? Jo! Kjo nuk duhet të ndodhë. Zëri le të vijë duke u bërë gjithnjë e më i fuqishëm. Na u regjën veshët së dëgjuari hajdutët duke bërtitur nga mëngjesi në mëngjes: “Kapini, more, hajdutët, se s’po u lënë gjë në faqe të dheut”; duke dëgjuar vrasësit që ulërasin: “Ndëshkojini more vrasësit se po ju farojnë krejt”; po na qorrohen sytë së pari ibret-mbledhjet e burrave e grave që u kemi dhënë, ose na kanë marrë votën për të na bërë ligje e qeverisur; po na thartohen trutë së dëgjuari, së pari e së lexuari, specialistët që po na “qërojnë” të mirën nga e keqja; na u sterrua shpirti së dëgjuari për dhënien e padrejtësisë nga drejtësia.

Kjo na qenka demokracia me të cilën u zëvendësua diktatura e proletariatit? Jo! Të dashur njerëz. Jo! Kjo nuk është demokracia, ky është sistemi i korrupsionit total. Sistemi, mbështetësit dhe përkrahësit e të cilit janë të “fortët e të gjitha kategorive”. Të fortët që bëjnë ligjin në rrugë, që bëjnë ligjin në administratën shtetërore, të fortët që bëjnë ligjin kudo e kurdo në shoqërinë tonë. Përkrahësit e mëdhenj të këtij sistemi janë edhe përfi tuesit e drejtpërdrejtë ose të tërthortë nga padrejtësitë e çdo lloji. Kjo nuk është demokracia që kërkon e ëndërron qytetari normal. Kjo është DEMOKRATURË – një tip demokrature e gjallë në veprim. Kushtetutë kemi, zgjedhje bëjmë rregullisht, liria e fjalës dhe të drejtat tjera themelore të njeriut janë të garantuara në letër. Megjithatë, mund të shajmë lirisht mbarë e mbrapsht cilindo. Mund të shpifim lirisht çfarë të duam për këdo. Disa mund të shkatërrojnë, të shpërdorojnë a të përvetësojnë lirisht pronën publike ose të tjtrit. Disa mund edhe të vrasin lirisht. Një elite e caktuar politike në pushtet e në opozitë manipulon të gjitha institucionet për të ruajtur privilegjet dhe për të përfi tuar grykësisht të tjera, të tjera e të tjera në pambarim, në kurriz të qytetarit qafëzgjatur, në kurriz të vendit dhe ndonjëherë në të mirë të të huajve.

Megjithatë, demokracia është një prirje historike. Duke punuar pa u lodhur me mençuri, me urtësi, me ndershmëri, me dituri, me mirëkuptim e durim, një ditë do ta kemi. Por unë do të dëshiroja të shtoja edhe nja nja dy fjalë më përtej. DEMOKRACI në këtë vend, do të ketë kur të bëhen zgjedhje të lira, të ndershme e të drejta (jo me mashtrim e presion, me shitje e blerje votash a me vjedhje të tyre). Deri më sot, të tilla zgjedhje ne nuk i patëm. DEMOKRACI në këtë vend do të ketë kur të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të vlerësohen dhe të respektohen për gjithkënd (jo vetëm për “të fortët” e gjithfarëlloji). Këtë vlerësim e respektim deri më sot ne nuk e patëm. DEMOKRACI në këtë vend do të ketë kur të sundojë ligji, para të cilit të gjithë të jenë të barabartë; jo ligji i xhunglës; jo drejtësia e blerë. Këtë sundim të ligjit deri më sot ne nuk e patëm. DEMOKRACI në këtë vend do të ketë kur atë të mos na e bëjnë të huajtë, por ta bëjmë ne vetë. Këtë deri tani ne nuk e bëmë. DEMOKRACI në këtë vend do të ketë kur të heqim dorë nga armiqësimi me natyrën, së cilës kusur s’i kemi lënë pa punuar. DEMOKRACI në këtë vend do të ketë kur të mësojmë t’i peshojmë tjetrit punët e jo fjalët. Këtë veti deri më sot ne nuk e patëm. DEMOKRACI në këtë vend do të ketë kur të mësojmë t’u japim besimin e të mbështesim burra e gra të sprovuara në mençuri, në ndershmëri, besnikë ndaj Shqipërisë dhe zgjedhësve të vet, jo hileqarë por të drejtë, të vendosur e të vetëdishëm për detyrimin e përmbushjes së detyrimeve të ndërsjella dhe që nuk rreken pas pasurimit të tyre të pamerituar. Të tillë deri më sot ne të pakët i patëm. Do të ketë DEMOKRACI në Shqipëri kur shkollat e këtij vendi të nxjerrin njerëz të ditur, specialistë e profesionistë të zot, jo diploma për zbukurim e spekullim. Këto të fundit ne i patëm vërtetë me tepri. Do të ketë DEMOKRACI në Shqipëri kur të ulim kokën e t’i përvishemi punës me këto që na kanë mbetur. Dhe nuk janë shterruar ende të gjitha. Do të ketë DEMOKRACI në Shqipëri kur detyrimet e ndërsjella t’i përmbushim si duhet. Deri më sot këto i kemi përmbushur në mënyrë të përzgjedhur, ose i kemi shpërfillur. Do të ketë DEMOKRACI në Shqipëri kur të mësojmë të merremi vesh me njëri-tjetrin.

Këtë, mjerisht, ne nuk e kemi mësuar ende. Do të ketë DEMOKRACI në Shqipëri kur, më së fundi, të heqim dorë nga fodullëku e mburravecëria, të cilat i kemi pa hesap.

S'KA KOMENTE