Golloborda, djepi i mundjes shqiptare

597

Mundësit popullorë të krahinës së Gollobordës janë shquar jo vetëm në garat e mundjes të zhvilluara me rastin e festave dhe dasmave në fshatrat e krahinës, por edhe në pjesëmarrjet e mundësve më të mirë dhe më të fortë të krahinës në garat jashtë kufijve zyrtarë të Shqipërisë, si në Dibër të Madhe, Strugë, Tetovë, Gostivar e Shkup dhe më herët deri në Selanik e Stamboll.

Pas çlirimit të vendit, aktiviteti i parë zyrtar i Mundjes në Qarkun e Dibrës është zhvilluar në vitin 1954 në Ostren. Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë mundësit më të mirë të Gollobordës, por edhe nga Peshkopia, Shupenza, Bulqiza, Maqellara, Klosi, Burreli etj. Në këtë aktivitet u zgjodh ekipi përfaqësues i Qarkut të Dibrës, të gjithë mundës nga fshatrat e Gollobordës, me trajnerë mundësin e shquar, “Nderi i Mundjes Shqiptare”, Hiqmet Elezi dhe përgjegjës ekipi Shaban Saden nga fshati Tucep. Organizatorë të këtij aktiviteti kanë qenë z.Ismet Bellova, ish inspektor i Fizkulturës së Qarkut Dibër, komentator i shquar sportiv dhe z. Rexhep Rama, Inspektor i sporteve të rënda në Ministrinë e Arsimit. Në vitin 1962 për herë të parë u zhvillua aktiviteti kombëtar i mundjes në Ostren (Lagjen e Gurit), me pjesëmarrjen e mundësve më të shquar nga gjithë Shqipëria. Në finale u ndeshën mundësit e shquar Rrahim Rama nga fshati Radovesh, Dibër me Neshat Alejdinin, përfaqësues i Kukësit, ndeshje që u fitua nga Rrahim Rama.

Krahas vazhdimit të traditës të mundjes në Festa dhe Dasma në Radovesh, Trebisht, Ostren i Madh, Ostren i Vogël, Tucep etj., dashamirës të mundjes popullore nga Golloborda kanë organizuar dy Kupa: Kupën “Haziz Karasani” dhe Kupën “Veli Muça”. Mbahen mend dhe janë transmetuar nga TVSH, TV lokale dhe TV Danez, ndeshjet e zhvilluara në dasmën e djalit të mundësit të shquar të Gollobordës, Ivzi Muça në vitin 1997. Populli kujton me respekt mundësit më të vjetër dhe më të fortë të Gollobordës. Golloborda është djepi i mundjes shqiptare. Mundësit nga Golloborda, krahas përfaqësimit me dinjitet dhe rezultate të larta të ekipit “Korabi”, Dibër kanë furnizuar të gjithë ekipet e mundjes që nga Partizani, Dinamo, 17 Nëntori, Durrësi, Fieri, Elbasani, Berati, Shkodra, Kukësi etj., duke u shpallur kampionë kombëtarë, mjeshtra dhe mjeshtra të merituar të sportit, Nderi i Mundjes Shqiptare, Nderi i Mundjes Dibrane etj., dhe disa prej tyre kanë përfaqësuar dhe nderuar Shqipërinë në aktivitete ndërkombëtare, duke ngritur lart Flamurin Shqiptar. Ky është një nder i madh që këta djem të fortë i kanë bërë Gollobordës, Dibrës dhe Kombit tonë.

Ekspozita Fotografike pasqyron mjaft mirë traditat, vlerat dhe kontributin në vite të mundësve gollobordas dhe më gjerë. Jemi përpjekur të evidentojmë të gjithë mundësit popullorë që kanë zhvilluar ndeshje në festa e dasma, mundësit që kanë konkurruar në aktivitete kombëtare e ndërkombëtare, trajnerët etj. Në emër të SHKMSH, dua të përshëndes organizatorët e krijimit të Shoqatës Sportive “Golloborda” dhe të ekipit të Mundjes. Për herë të parë Golloborda u përfaqësua denjësisht në Kupën e Shqipërisë me mundësit e rinj.

Kupa e Mundjes Tradicionale të Gollobordës do të zhvillohet çdo vit, duke e zgjeruar pjesëmarrjen me mundës nga të gjithë krahinat dhe qytetet në Shqipëri dhe nga trevat shqiptare: Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Diasporë; ndoshta duke e shoqëruar me ekspozita të punëve të traditës në ndërtimtari, qëndistari dhe prodhime bujqësore e blegtorale. Këto ngjarje sportive i shërbejnë edukimit të rinisë me traditat kombëtare, kulturën sportive, larg alkoolit, drogës dhe veseve të këqija; nxisin komunikimin, bashkëpunimin dhe zhvillimin e turizmit kulturor e sportiv.

*Mjeshtër i Merituar i Sportit. Sekretar i Shoqatës Kombëtare të Mundjes Shqiptare.

S'KA KOMENTE