Të pavdekshmit e çdo kombi janë dëshmorët

Dibra dhe Bulqiza, sipas dokumenteve të Arkivit Qendror të Forcave të Armatosura, ka rreth 682 dëshmorë

369

Pothuajse, të gjithë kombet, apo popujt, janë përballur me një apo me disa luftëra, pavarësisht se karakteri i luftërave të tyre mund të ketë qenë i ndryshëm. Disa kombe e popujt janë detyruar nga të tjerët të hyjnë në luftë, se janë kërcënuar me pushtim nga të tjerë kombe apo popuj, se u është kërcënuar toka, atdheu, jeta dhe liria.

Të tjerë komb-shtete janë detyruar të hyjnë në luftë nga qeveritë e tyre, për interesa të ndryshme, luftëra që edhe mund t’u kenë bërë shërbime të mëdha atyre vendeve, pavarësisht se kanë pasur dhe qëllime pushtuese.

Këto luftëra, asnjëherë nuk kanë përfunduar pa të vrarë, sepse, ndryshe nuk do t’iu thoshim luftëra. Këtyre të vrarëve, njerëzimi u ka vënë emrin dëshmor, pavarësisht se kjo fjalë shprehet në forma të ndryshme, sipas gjuhëve të botës, sipas të cilave shprehet në mënyra të ndryshme. Shqiptarët, në të folmen e përditshme i emërtojnë edhe martirë, edhe therorë, edhe shehitë, huazim nga turqishtja.

Por, të gjithë kombet e shtetit, i nderojnë këto dëshmorë. Këta burra e gra, që kanë dhënë jetën në mbrojtje të vatanit të tyre, apo në shërbim të interesave të shteteve të tyre, nderohen prej të gjithëve me veneracionin më të madh, me nderet dhe përkujdesjen më të madhe.

Kjo ndodh se në themelet e çdo shoqërie apo shteti, qëndron gjaku, jeta dhe vepra e dëshmorëve. Sepse, janë pikërisht dëshmorët, qe me jetën e tyre, zakonisht në moshë të re, kanë çimentuar themelet e atyre shteteve, apo të atyre shoqërive. Gjaku i tyre i kuq ka ngjyer fushëbetejat, por ka ngjyer edhe simbolet e disa komb-shteteve. Vërtetë gjaku i tyre ka vaditur tokën, por ai është kthyer në simbol për komb-shtetet, sepse liria e disave, apo privilegjet ekonomike e politike të disa të tjerëve, kanë pasur gjithnjë një çmim të shtrenjtë, gjakun e bijve dhe bijave të atyre komb-shteteve, që kanë rënë në fushën e betejave, në moshën më të mirë, në rininë e tyre, gjithnjë ka kushtuar shtrenjtë, ka pasur një çmim të lartë. Kjo thjeshtë se, pa dëshmorët, të paktën shqiptarët, nuk mund të ishin më të pavarur, nuk do të kishin këtë liri që kanë, nuk do të ishin më zot në shtëpinë, vendin dhe për interesat e tyre.

Prandaj, dëshmorët, në të gjitha kohërat, janë ata që kërkojnë dhe marrin nderimet më të mëdha dhe më të vlerësuara. Janë dëshmorët ata që vërtetë kanë vdekur fizikisht, por që nuk kanë vdekur kurrë. Ata, veçse ndërrojnë jetë; por, ama, kthehen në simbole të vendit të tyre. Dëshmorët tanë kanë shkuar në pavdekësi. Vetëm dëshmorët janë të përjetshmit e kësaj toke.

Unë ndaj mendimin se të gjithë dëshmorët kanë vdekur për një ideal, se të gjithë kanë dhënë jetën e tyre për një qëllim. Ideali i vetëm i të gjithëve dëshmorëve tanë ka qenë dhe mbetet liria e vendit të tyre. Shqiptarët janë mobilizuar në luftë dhe në luftë kanë hyrë vetëm kur është kërcënuar atdheu i tyre – Shqipëria; vetëm kur popuj e shtete të tjera, me ushtri të armatosura rëndë, edhe më mirë se shqiptarët, u janë turrur tokave shqiptare për t’i pushtuar ato. Vetëm atëherë, shqiptarët janë vetëorganizuar dhe kanë rrëmbyer armët për të mbrojtur lirinë e tyre të shtrenjtë, për të mbrojtur tokën tyre amtare e vatanin e tyre.

Unë ndaj mendimin se ideologjia e vetme e dëshmorëve ka qenë e është atdhetarizmi dhe patriotizmi. Shqiptarët kanë shkuar në luftë e në luftë kanë ra për atdheun e tyre, për vendin e tyre; për tokën, trojet e familjen e vetë. Shqiptarët, në të gjithë kohërat, e kanë dhënë jetën për nder- in dhe krenarinë e vendit të tyre, për nderin dhe krenarinë e familjes së vet.

Ideologjizimi i skajshëm i luftërave dhe I vetë dëshmorëve ka ndodhur vetëm në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, kur vendet me regjim komunist i ideoligjizuan edhe dëshmorët, sikur ato paskëshin rënë për “idealet e Partisë” dhe si busull e orientim na paskan pasur “Marksizëm- Leninizmin!” dhe “Partinë!”

Jo, edhe shqiptarët luftuan kundër pushtimit dhe kundër pushtuesve, të cilët asnjëherë nuk kanë qenë shqiptarë. Edhe shqiptarët luftuan kundër pushtuesve konkret, me armë dhe ushtri konkrete. Dhe, luftuan në një kohë kur komunizmi akoma ishte herezi, kur popullsia ishte komplet analfabete. Që të kuptojmë mirë falsitetin e asaj propagande, sikur të gjithë dëshmorët ishin komunistë dhe të gjithë luftuan “për idealet e Partisë” duhet të kujtojmë faktin se deri në vitin 1949 Partia Komuniste Shqiptare ishte në ilegalitet të plotë, se, deri në këtë kohë, në të gjithë krahinat e Shqipërisë, ashtu edhe në Dibër, kishte vetëm 2-3 anëtar të PKSH. E gjithë Dibra e Poshtme, me partizanë e civilë, në atë kohë kishte vetëm 5 anëtar të PKSH dhe e gjithë Dibra e Epërme kishte vetëm 6 anëtarë të PKSH. Këto janë shifra konkrete dhe nuk mund të përgënjeshtrohen. E gjithë propaganda e atij sistemi i ka politizuar aq keq edhe dëshmorët, sa ndokujt i shkon mendja për keq se, dëshmorët vërtetë paskëshin qenë komunistë të rrezikshëm dhe na paskëshin prurë gjithë ato të këqija. Puna, në disa raste shkoi aq keq, aq sa u dhunuan edhe lapidaret, u prishën ose u shëmtuan me shkarravina lapidaret dhe simbolet e tjera kushtuar dëshmorëve.

Jo, dëshmorët sollën vetëm një të mire të madhe: lirinë e vendit tonë! Dëshmorët si bënë keq askujt. Ata, të keqen më të madhe ia bënë vetes së tyre, se e ndërprenë jetën për interesat e popullit dhe, njëkohësisht, dëmin më të madh ua bënë familjeve të tyre, që i lanë në pikëllim e mallëngjim. Për të ardhur në konkluzione të gabuara kanë ndikuar negativisht të gjithë ata shkrimtarë e historianë që shkruan për jetën dhe veprën e dëshmorëve, ata që i kanë filluar e i kanë mbaruar shkrimet për dëshmorët me “Partinë” dhe “idealet e Partisë” dhe i kanë politizuar aq keq ato. Jo, kjo nuk duhej të ndodhte. Ky është shërbimi më i keq që ju është bërë dëshmorëve tanë, të cilët skuqën fushëbetejat vetëm për atdheun e tyre, për lirinë e Shqipërisë dhe të vatanit tonë. Është shërbimi më i keq që u është bërë dëshmorëve. Në mendjet e ndokujt, dëshmorët përfytyrohen si ata që sollën aq e kaq të këqija në këtë vend, që sollën “luftë civile” e sollën dhe “luftë klasore”.

Unë ndaj mendimin se dëshmorët nuk kanë të bëjnë aspak me regjimin komunist që u vendos më vonë, as me gjithë të këqijat,që mund të kenë ardhur më pastaj për shqiptarët. Mund të jenë të tjerë ata që devijuan qëllimin e vërtetë të asaj lufte, luftë e cila ishte nacionalçlirimtare, në tëcilën Shqipëria ishte pjesë e koalicionit të fuqishëm botëror kundër mortajës fashiste-naziste. Dëshmorët as kanë pasur e mbajnë përgjegjësi për atë që ndodhi më vonë.

Prandaj, unë e konsideroj detyrë dhe obligim të nderosh jetën dhe veprën e dëshmorëve. Unë e quaj detyrë dhe obligim të shkruash për jetën dhe veprën atdhetare të tyre. Në këtë kontekst, unë, po paraqes dhe këtë libër, kushtuar heronjve dhe dëshmorëve të Dibrës. Në këtë libër të munguar për të gjithë Dibrën dhe historinë e saj të lavdishme, janë bërë përpjekje dhe kanë gjetur vend të gjithë dëshmorët e Dibrës, të shpallur si të tillë me vendime të posaçme të institucioneve, të cilat ligji i ka ngarkuar me këtë detyrë. Në këtë libër janë përfshirë dëshmorët e të gjitha periudhave historike pavarësisht ngjyresave politike, që u janë dhënë. Dibra dhe Bulqiza, sipas dokumenteve të Arkivit Qendror të Forcave të Armatosura, ka rreth 682 dëshmorë, të ndarë si më poshtë:

  • Deri më 1939 gjithsej 383 dëshmorë
    • -1939-1944 gjithsej 104 dëshmorë
    • -1944 e deri më sot 195 dëshmorë.
  • Deri në vitin 1939 janë të ndarë si më poshtë:
    • -Të rënë në luftë kundër turqve – 58 veta
    • -Të rënë në luftë kundër serbëve e malazezëve në Shkodër e Lezhë 1912-1913 – 25 veta
    • -Të rënë kundër serbëve dhe grekëve në Manastir e në Follorinë – 25 veta
    • -Të rënë në luftë kundër serbëve në Kolesjan 1912 – 12 veta
    • -Të rënë në luftë kundër serbëve ( shkurt–mars 1913-kryengritja e Grykës së Vogël) – 20 veta
    • -Të rënë në luftë kundër serbëve (Kryengritja e Dibrës 1913) – 36 veta
    • -Të rënë në luftë serbëve në Vllanicë – 22 veta
    • -Të rënë në luftë kundër serbëve në Skërtecë – 5 veta
    • -Të rënë shitë në Ceren 1913 – 38 veta
    • -Të internuar në Zhur të Prizrenit, ku edhe kanë vdekur – 29 veta
    • -Të vrarë në masakrën e Lurës nga austrohungarezët – 42 veta
    • -Të vrarë nga bullgarët – 9 veta
    • -Të vrarë në serbët 1915 – 24 veta
    • -Te varë nga serbët, më 1920 – 34 veta

Gjithsej 386 dëshmorë të rënë në luftë kundër pushtuesve deri në vitin 1939.Gjithsej dëshmorë të rënë në periudhën 1939-1944 janë 104 persona. Shkrimet e botuara nga autorë të ndryshëm, dhe në kohë të ndryshme për dëshmorët, që paraqiten në këtë libër janë shkruar pa ndryshime, përveçse janë redaktuar disa terma, të cilat ishin në modën e përdorimit të regjimit komunist, të cilat, mendojnë se sot nuk kanë tingëllim aktual, nuk kanë konotacionin e duhur. Natyrisht, me jetëshkrime personale nuk janë paraqitur të gjithë dëshmorët e Dibrës, ndaj e kemi konsideruar si vëllimin e parë. Shpresojmë që të botojmë dhe vëllime të tjera.

Unë ndaj mendimin se ndaj heronjve dhe dëshmorëve në përgjithësi, dhe të Dibrës në veçanti, duhet treguar respekti dhe nderimi i merituar, sepse ata e meritojnë gjithçka. Dëshmorët dhe heronjtë tanë ne duhet t’i kujtojmë në të gjitha rastet e situatat, për ta duhet të bëjmë vetëm pak respekt dhe kujtesë, sepse ata bënë respektin më të madh dhe sakrifi cën më të madhe për ne.

S'KA KOMENTE