Bashkim Duva, i riu i parë bulqizak që u bë “Inxhinier i shpimit të puseve gjeologjike”

483

Familja “Duva” në Fushë Bulqizë është një nga familjet me tradita patriotike dhe arsimdashëse. Zenel Duva i rritur me shumë vështirësi në një familje patriotike të Fushë-Bulqizës, ishte pjesmarrës në Luftën Nacional Çlirimtare ku dha një kontribut të guximshëm me zgjuarsi të spikatur që dallonte në njohjen e situatave të rrezikshme që kishte lufta në çdo moment dhe në arritjen e suksesit në krye të shokëve të tij luftëtarë. Ai kreu detyra të rëndësishme ku asnjëherë nuk i mungojë guximi e vendosmëria. Pas çlirimit ai u ngarkua me detyra të rimëkëmbjes së fshatit nga pasojat e luftës ku u riparuan shkolla dhe të gjitha urat e dëmtuara. Nisur nga niveli i njohurive që zotënte dhe bukurshkrimin e tij shumë të njohur Zenelin e caktojnë të punojë mësues në shkollën fi llore të fshatit ku u organizua puna me kurset kundër analfabetizmit bashkë me Ferit Allën, Ramiz Petin, Ali Hidën, etj. Për Zenel Duvën krahas me arritjet në plotësimin e detyrave në fshat dhe në ndërmarrjet ku Ai punojë dëshira e tij më e madhe bashkë me bashkëshorten e tij Vahiden ishte që djemtë e tij, Bashkimin, Hajdarin e Petritin që kishin rezultate të larta në mësime ti shkollonte megjithë vështirësitë e mëdha ekonomike të jetesës që kishte familja në ato kohë të vështira për fshatin.

Bashkim Duva, djali i madh i familjes që lindi në Fushë Bulqizë në tetor të vitit 1949, pasi mbaroj me rezultate të larta shkollën unike në fshat ai shkoi në shkollën e mesme për teknikë shpimi në Kuçovë. Në moshën e adoleshencës e të rinisë Ai dallonte në grupin e shokëve në shkollë për sinqeritetin, dashurinë e respektin për të gjithë. Ai ishte këmbëngulës për të arritur rezultate të larta në mësime duke kapërcyer me sukses vështirësitë që përjetonte për të qenurit larg familjes. Sapo u cilësua “teknik shpimi” filloi punën në Ndërmarrjen Gjeologjike në Bulqizë ku punoj një vit. I jepet bursa për të vazhduar studimet e larta në UT, në fakultetin Gjeologji-Miniera që e filloi në vitin 1969 dhe mbaroj më1973, i diplomuar “inxhinier i shpimit të puseve gjeologjike”. Bashkim Duva ishte i riu i parë bulqizak që u bë inxhinier.

Bashkimi emrohet po në këtë vit në NGj të Matit si inxhinier shpimi. Ndërmarrja kishte vetëm 4 vite që ishte krijuar. Përparësi ishin detyrat për realizimin e planit të shpimeve dhe dhe gjetja e rezervave të mineraleve ku i pari ishte kromi. Së bashku me shokët e punës Bashkimi studjonte përvojat më të mira profesionale të drejtuesve të mëparshëm të gjeologjisë si Rustem Çollaku e Jani Alabaku si dhe të gjeologëve Shaban Stermasi, Spiro Bello, Agim Shenjtari, Ramazan Ceni, kjo bëri që objektivat të realizoheshin me sukses. Ndërmarja Gjeologjike e Burrelit, është krijuar në janar 1969. Kjo ndërmarrje në fillimin e saj do të merrej me kërkim-rilevimin gjeologjik e kërkim-zbulimin e mineralit të kromit, bakrit, gurëve dekorative e mineraleve të tjera në rrethin e Matit.

Në korrik 1975 NGJ Mat u bashkua me Ndërmarjen Gjeologjike të Bulqizës, dhe Bashkimi emrohet kryetarë i degës teknike të ndërmarrjes ndërmarrjes së bashkuar me qendër në Bulqizë detyrë të cilën e ka kryer deri në vitin 1980. Gjatë kësaj periudhe ka punuar me Ismail Losha, Isuf Latifi , Irakli Prenti, Bajram Puca, Sali Bushi, Sefedin Qorlazja, Hasan Hajdari, Sefedin Shabani, Jashar Gjokën, etj ku solidariteti njerzor dhe bashkëpunimi profesional ishin në dobi të rritjes së treguesve dhe të kapërcimit të vështirësive. Për një periudhë të shkurtër kohore Bashkimi në vitin 1978 është dërguar për specializim në Suedi ku Ai njohu teknologjitë më të përparuara të sondave të prodhuara atje, që më pas u sollën edhe në vendin tonë. Në janar të vitit 1980 ndahen përsëri ndërmarrjet dhe Bashkimi emërohet k/ degës teknike në Ndërmarrjen Gjeologjike Burrel detyrë të cilën e ka kryer deri në vitin 1983 ku ka kordinuar punët me shokët Vasfi Shahini, Spiro Bella, Rahman Muceku, Shaban Stermasi etj, ku drejtor ishte Jani Alabaku. Bashkimi si k/degës teknike aplikoi me ekipet gjeologjike në Batër, Thekën, Krastë e Cerujë, teknologjitë më të reja të shpimeve duke bërë kërkime edhe në thellësi të mëdha për të siguruar rezerva mineralesh. Ai dha kontributin e tij profesional bashkë me inxhinierë e sondistë me përvojë në zbatimin e teknologjisë së shpimeve të thella 600m,1200m duke përdorur sondat 600-she, në zbatimin e shpimeve vertikale e horizontale mbi sipërfaqe dhe nëntokë. Kishte një komunikim shumë të mirë me personelin inxhiniero-teknik dhe me sondistët. Ai sqaronte me detaje detyrat në çdo rast për të krijuar besueshmërinë se nga organizimi i mire do të kapërceheshin edhe vështirësitë e mëdha që kishte ndërmarrja për furnizimin me materialet e shpimit.

BASHKIM DUVA, DREJTOI ME PROFESIONALIZËM NË DISA VITE NDËRMARRJEN GJEOLOGJIKE TË MATIT.

Në mars 1983, Bashkim Duvës i ngarkohet detyra e drejtorit të Ndërmarrjes Gjeologjike të Matit. Bashkëpunimi me drejtorin e mëparshëm Rustem Çollaku si dhe me gjeologët Shaban Stermasi, Spiro Bello, Agim Shenjtari, Ramazan Ceni, Rahman Muceku, Qemal Myrtja, etj ishte me shumë rëndësi për realizimin e detyrave të ndërmarrjes. Bashkarisht po realizonin arritje të vlerësueshme për kohën kur punonin duke mbajtur afër njëri tjetrin në analizat deri në absurditet për ndonjë rast, kur kërkoheshin me doemos sabotatorë si në ndërmarrjet e naftës në Fier e Berat. Gjatë kësaj periudhe ndarja e përvojave me gjeologët e Bulqizës ishte mjaft efektive në përdorimin e mirëmbajtjen e paisjeve, por edhe në zbulimin e ngjashmërive të shtrirjes së trupave minerarë në zonat afërndenjëse. Në këtë kohë për Bashkimin ishte shumë i rëndësishëm edhe bashkëpunimi me Agim Cejvanin që drejtonte minierën në Krastë dhe me inxhinierët e specialistët e kësaj miniere. Bashkim Duva si drejtues dhe si profesionist dha kontribut me vlera të mëdha në zhvillimin e punimeve të shpimeve gjeologjike në zbatimin e teknologjisë së lartë në proçeset e punëve të gjeologjisë.

Ndërmarrja Gjeologjike e Matit kur drejtohej nga Bashkim Duva përmendel për arritjet teknologjike të shpimeve minerale në ekspeditat në Batër, Martanesh, Lugu i Gjatë, Mat, etj. Në këtë kohë ndërmarrja pati arritje të suksesshme në të gjithë treguesit Gjatë kësaj kohe arriti deri në 47 sonda shpimi të shpërndara nga Thekra deri në Macukull me një volum shpimesh rreth 65000 ml/vit me një fuqi punëtore rreth 1300 veta nga të cilët rreth 120 veta kuadro me arsim të lartë. Gjatë kësaj kohe ka aplikuar me shumë sukses eksperimentimin e shpimeve të thella nga 600 deri në 1200 ml. Mbështetur në këto arritje të suksesshme Bashkimi është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullore të Shqipërisë, dy herë me urdhër pune të klasit të parë. Bashkimi në vitin 1992 deri në vitin 1998 ka punuar si inxhinier shpimi në Ndërmarrjen Gjeologjike në Burrel ku spikat kontributi i tij professional i bashkëpunimit me drejtuesit Zeqir Jauri, Shaban Disha, Bashkim Vata, Zenel Hysa për të përshtatur objektivat e shtërnguar për shkak të pakësimit të fondeve shtetërore dhe ka kontribuar në kryerjen e reformave të thella në ndërmarrje.

PËRVOJA PROFESIONALE SI INXHINIER SHPIMI, BASHKIM DUVËS I SHËRBEU EDHE NË KUSHTET E REJA TË EKONOMISË SË TREGUT.

Bashkim Duva punoi si inxhinier shpimi dhe Drejtor i punimeve gjeologjike në Tiranë pranë Drejtorisë së Përgjithëshme të Shërbimit Gjeologjik Shqiptarë në vitet 1998-2002, ku Ai mbahet mend si specialist e drejtues me përvojë dhe kontribues i suksesshëm bashkë me kolegët në përshtatjen e detyrave të ndërmarrjes me kushtet e ekonomisë së tregut duke zbatuar kritere shkencore dhe ekonomike që gjeologjia të mbijetonte duke zgjidhur detyrat e saj të reja. Në vitin 2008 Bashkimi ju bashkua si inxhinier shpimi projekteve të mëdha të shpimeve në Skavicë ,në luginën e lumit Drin, në portin e Sarandës, në zonën e Devollit, etj. Edhe këtu spikat efekti i përvojës së tij profesionale dhe organizative të shumë viteve, për të zgjidhur me sukses detyrat e reja të kohës për studimin e formacioneve nëntokësore për të parashikuar sigurinë e investimeve që do të bëheshin në këto objekte me rëndësi të veçantë ekonomike.

Në detyrën e inxhinierit projektues e zbatues për ndërmarrjen e ujësjellësit pranë Bashkisë Kamëz, spikat kontributi i tij në përballimin e zhvillimit të vrullshëm të kësaj qëndre të re të banimit nga familjet e ardhura nga e gjithë Shqipëria. Kjo kohë ishte një përvojë e re në marrjen e masave të furnizimit me ujë të pishëm të banorëve krahas ndërtimeve që po shtriheshin në të gjithë pellgun dhe përballej me problemet e mëdha sociale për shkak të nevojave të mëdha për investime të reja të linjave të ujësjellësit si dhe në infrastrukturë e kanalizimeve. Bashkim Duva, ky njeri i palodhur, mëshiroi me punën e tij traditën, kulturën e origjinës së tij të familjes dibrane, pavarësisht vështërsive e ngarkesave të kohës. Ai dhe vëllezërit e tij Hajdari e Petriti u bënë kuadro që dhanë shëmbullin e tyre në sektorë të ndryshëm duke qenë drejtues të suksesshëm dhe familjarë të devotshëm në rritjen e fëmijëve të tyre që gjithashtu po vazhdojnë të çojnë më lart traditën e arritjeve të kësaj familje tashmë të madhe. Bashkimi së bashku me bashkëshorten e tij të Dritën, rritën dhe edukuan tre fëmijë të mrekullueshëm, pasardhës të denjë të familjes Duva: Yllin, Artanin, Sonilën. Gëzimin ia shtuan Bashkimit cicërimat e reja të nipave e mbesave, të cilët i adhuronte e kujdesej në mënyrë të veçantë për mirërritjen e tyre. Familja e tij e shtrenjtë, vëllezërit e tij, shokët, miqtë, gjithë të afërmit ndihen krenar për këtë njeri shembullor në komunikim e marrëdhënje tepër dashamirëse e të sinqerta të shpalosura ditë për ditë dhe me këdo si askush tjetër.

Bashkimi ishte i afërt dhe i dashtur me të gjithë, i përkushtuar deri në minutat e fundit për familjen e tij, si gjënë më të shtrenjtë që ai kishte përpara syve, duke mos e kuptuar atë që po i ndodhte me shëndetin e tij të funksionimit të zemrës kur krejt papritur ai ndërroi jetë më 15 nëntor 2015 shumë para kohe dhe i pa plakur. Sapo kishte dalur në pension dhe akoma mbante lidhje shumë të shpeshta me shokë e miq e tij me të cilët kujtonte përpjekjet e mëdha në përmbushje të detyrave në Bulqizë, Martanesh, Burrel, Tiranë e kudo ku ai punoi me profesionalizëm duke mbajtur komunikim dashamirës e gjithmonë i qeshur e optimist. Çdo njeri do të largohet një ditë nga kjo jetë si e ka dhënë Zoti, por kujtimi për punën dhe qytetarinë e Bashkim Duvës në shoqërinë ku Ai jetoi, do të mbeten të paharruara.

S'KA KOMENTE