Washington, D.C.,

30 Prill 2016

 

– Përshëndetje Ambasador Ryerson!

– Përshëndetje!

– Gëzohem që pata rast t’ju takoj në SHBA.

– Edhe unë gëzohem gjithashtu.

– Z. Ryerson, si e pritët detyrën e Ambasadorit në Shqipëri, duke patur parasysh izolimin e vendit dhe diktaturën e egër gati 50 vjeçare të saj?

– Kur erdha për herë të parë në prill të vitit 1991, dija shumë pak për Shqipërinë. E kisha parë Shqipërinë kur punoja në Beograd, nga ana tjetër e liqenit të Shkodrës, aty ndodhen malet shqiptare. Nuk e kisha idenë që do të vija ndonjëherë në Shqipëri.

– Çfarë detyre mbulonit në atë kohë në Beograd?

– Isha në detyrën e Konsullit të Përgjithshëm të SHBA -së, për katër vjet në Beograd.

– A kishit eksperiencë diplomatike më parë në vendet e lindjes që kishin përjetuar diktaturën komuniste si edhe Shqipëria?

– Po, në Beograd, dhe tri vite në Poznan të Polonisë.

– I nderuar Z. Ryerson, më lejoni t’ju komplimentoj për shqipen tuaj të shkëlqyer!

– Faleminderit!

– Kur dhe ku e filluat të mësonit gjuhën tonë?

– Fillova të mësoj gjuhën shqipe kur punoja në Beograd, pasi punësova një të ri shqiptar nga Kosova e më pas me gjuhëtarë të zotë të gjuhës shqipe në Tiranë.

– Zoti Ambasador, ju keni qenë prezent në Shqipëri në momentet më kyçe të vendit tonë, siç ishte vendosja e pluralizmit dhe rrëzimi i rregjimit komunist. A mund të ndalemi pak tek këto ngjarje madhore që kaloi Shqipëria?

– Ishte kohë shumë e vështirë për shqiptarët në shumë aspekte, por edhe nga ana materiale. Ushqimi ishte shumë i pakët, i pamjaftueshëm për popullsinë vendase. Kishte rrezistencë të madhe nga rregjimi i vjetër karshi ndryshimeve qe po ndodhnin ne ato kohëra. Ju sigurisht ishit atje dhe e dini më mirë se unë. Megjithatë ishte e mahnitshme të shihje kurajon e shqiptarëve se si i rrezistonin asaj trysnie të madhe.

Qëndruam në një ndërtesë e cila kishte qenë rezidencë e byrosë së PPSH. Hëngrëm drekë atje me ish të burgosurit politik, të cilët kishin ndihmuar në ndërtimin e asaj ndërtese gjatë kohës së tyre si të dënuar politike në burg.

Ishte një eksperiecë e jashtëzakonshme ku u preka pa masë, që ata ishin tashmë aty si mysafi rë të lirë dhe jo si skllevër. Ndodheshim aty rreth 40-50 vetë si dhe përkthyesi im.

– Në atë kohë besoj se patët rast të takoheshit me Ramiz Alinë. A keni biseduar me atë rreth situatës në të cilën ndodhej vendi?

– E takova në pranverën e vitit 1991. Isha delegat, dmth ende pa marrë titullin e ambasadorit. Mbaj mend bisedën e parë tek kafeneja e parlamentit. Njerëzit më hapën rrugën dhe përkthyesja ime më tha: “Me sa duket ai do të takohet me ju”. Kështu që iu afrova. Pasi u përshëndetëm, sepse ai ishte president i Shqipërisë i thashë: “Z. President, ka ardhur koha që Shqipëria të ballafaqohet me të shkuarën e saj. Gjermania e ka bërë këtë. Unë kam qenë me shërbim diplomatic në Berlin, Bon, Vienë dhe jam familjarizuar me këtë proçes, prandaj them se duhet ballafaquar tashmë ajo e shkuar e tmerrshme edhe në Shqipëri”. Ai më tha: – Jo, kjo nuk ka të bëjë fare me ne, pasi ne nuk jemi ashtu. Ai mbase e besonte vërtetë gënjeshtrën që me tha, por e vërteta ishte se kishte ardhur koha që Shqipëria ta shikonte në sy të shkuarën komuniste.

– Duke u kthyer tek parlamenti i parë shqiptar, ju si përfaqësues diplomatik i SHBA, nuk u lejuat fillimisht të asistonit në parlament, dmth. si ambasada amerikane ashtu edhe ambasadat e tjera.

-Ditën pasi mbërrita në Shqiperi, shkova tek Kryeministria dhe takova shefin e protokollit për një vizitë kortezie. I thashë: “Kam dëgjuar se parlamenti juaj ka refuzuar një kushtetute, por janë në biseda e sipër për një kushtetutë të re. Do të kisha interes të dëgjoja debatet e diskutimet”. Përgjigja e tij ishte: – Nuk mund të vish në Parlament. Atëherë e pyes: “Ç’do të thotë kjo? Përfaqësuesi juaj që do të shkojë në Ëashington, D.C, do të jetë në gjendje që të dëgjojë seancat e Kongresit Amerikan pasi zhvillohen në mënyrë të hapur”. I thashë gjithashtu se, dija vetëm për dy instanca ku Kongresi kishte mbajtur seanca me dyer të mbyllura, e para gjatë Luftës së II-të botërore, ku u mbajt një debat strategjie ku do të vendosej nëse Amerika do të ndërhynte më parë në Europë apo në Pacifik, dhe e dyta, me duket në vitin 1950 mbi energjinë atomike, ku kongresi mbylli dyert dhe diskutoi.

Por kur pashë që shefi i protokollit shqiptar më kundërshtoi përsëri thashë: “Protestoj”! Ai mu përgjigj përsëri: – Nuk mundesh. Atëherë unë shtova: “Qeveria ime proteston”! Pasdite shkova në Hotel “Dajti” dhe përkthyesi më tha se aty ndodhej edhe Gramoz Pashko, e se mbase bëja mirë të flisja me atë. Unë ende nuk e njihja, por e takova dhe diskutuam gjerë. Ai më tha se shpresonte të më shihte në Parlamentin shqiptar së shpejti. I thashë se për fat të keq nuk varej nga unë. Pashko më tregoi se delegatët demokratë kishin një mbledhje atë mbrëmje dhe do ta ngrinin edhe këtë si çështje.

Të nesërmen më telefonoi shefi i protokollit të Kryeministrisë e më thotë se, mund të shkoja në Parlament dhe mund të sillja me vete edhe përkthyesin tim. Pasi shkova në Parlament, nisën të vinin edhe diplomatë të tjerë të huaj.

– Pra ky ishte suksesi juaj Ambasador?

– Jo ky nuk ishte sukses për mua, por për parlamentin shqiptar që të zhvillohej në mënyrë të hapur. Kjo gjë mbase erdhi si shtysë edhe nga ministri i jashtëm i asaj kohe që ka thënë: – Shikoni se, kjo gjendje nuk na ndihmon përderisa edhe kamerat televizive janë të pranishme në parlament. Dhe ndërkohë vija re se një kamera televizive çdo kohë ishte drejtuar nga unë e më filmonte. Më vonë mësova nga një çift shqiptar – miqtë e mi, se kishte filluar të përhapej lajmi se amerikani nuk është duke e shpenzuar kohën bareve e nëpër kafe tek Hotel “Dajti”, por është duke bërë punën e tij në parlament. E me sa duket pasi më dhanë OK-in mua, vendosën t’i hapnin dyert të gjithë trupave diplomatike. Doja të thoja se në atë periudhë Hotel “Dajti” nuk ishte institucion i hapur për njerëzit e thjeshtë.

– Me sipër folëm për vendosjen e pluralizmit në Shqipëri, ku dhe ju ishit pjesëmarrës i ndryshimit të rregjimit të kaluar komunist. Sipas jush cili ka qenë roli i ish – Ministrit të Mbrojtjes Safet Zhulalinë ato proçese?

– Nuk di t’ju them ekzaktësisht se cili ka qenë roli i tij. Di që vinte nga Dibra, që ishte mësues matematike. Nuk e di rolin e tij ekzakt para vitit 1992, pasi e kam takuar për here të parë pas zgjedhjeve të ‘92, kur ai pasi më përshëndeti, mu prezantua si Ministri i Mbrojtjes. Unë nuk dija asgjë rreth tij, se kush ishte ai në atë kohë. Ai i vuri qëllim vetes që të njiheshim më mirë. Më ftoi mua dhe gruan time që të vizitonim Peshkopinë, Liqenet e Lurës, dhe pastaj u kthyem përsëri në Tiranë. Ishte një udhëtim dy-ditor. Në këtë mënyrë unë pashë paksa nga Shqipëria dhe arrita ta njoh Ministrin Zhulali paksa më mirë. E mesa arrita ta shoh, ishin gjëra pozitive që ai bënte. Ai nuk e fshihte faktin që ishte shumë pro-amerikan, dhe nuk e shfaqte këtë në mënyrë servile. U përpoq që të ndërtonte marrëdhënie të mira mes dy shteteve pasi e shikonte SHBA si një shtet mik, jo si Perëndi, e sigurisht jo siç Hoxha shikonte Stalinin.

-Në optikën tuaj, çfarë roli luajti Zhulali në reformimin e ushtrisë shqiptare dhe në përgatitjen e saj drejt standardeve të NATO-s?

– Ministri Zhulali ishte i hapur karshi konceptit të një ushtrie me oficerë të komisionuar dhe jo të komisionuar.

Pasi sipas mendimit tonë, një ushtri e mirë mbështetet e funksionon më së miri me të dyja këto. Nuk mund të shprehem se deri në ç’masë ndodhi ky implementim sepse koha bën të vetën e memoria ime nuk është më aq e kthjellët. Por mendoj se është shumë e rëndësishme ajo çfare ai bëri, pasi hapi rrugën. Ai ishte për reformimin e ushtrisë. Më pati thënë një herë. Më duket se ka qenë pas udhëtimit të tij të parë jashtë shtetit, se do të dëshironte t’i dërgonte ofi cerët e tij për një javë trajnim në Gjermani, që të kishin mundësi të shihnin me sytë e tyre se si funksionon një ushtri në mënyrën e duhur. Ishte njeri i zgjuar. Në disa raste i kam ofruar këshillën time, që sipas mendimit tim ishin këshilla të mira dhe di që ai i ka mirëpritur dhe kushtuar vëmendje. Njëherë dikush iu ankua për bijtë e anëtarëve të partisë që punonin për ushtrinë shqiptare dhe që nuk ishin besnik në punën e tyre. Dhe ai ja ktheu: “Edhe ata janë shqiptarë”.

Personi që foli kishte një farë të drejte, pasi kishte shumë njerëz që ishin në kundërshtim me mënyrën e re të bërit të gjërave në ushtri, por ai në mënyrë shumë të qetë ja ktheu duke thënë: “Edhe ata janë shqiptare”. Dhe për këtë unë ja heq kapelen.

This slideshow requires JavaScript.

– Nisur nga njohja që keni për Zhulalin, si do ta përshkruanit profilin e tij?

Ai ishte njeri bashkëpunues dhe sensibël. Kolegët e mi, ambasadorët e shteteve të tjera, nuk mendonin se ai ishte shumë i mençur, sepse ai nuk fliste gjuhë tjetër përveç shqipes. Dhe shumë prej tyre, përveç ambasadorit rumun dhe bullgar, të cilët flisnin shqip shkëlqyeshëm, të tjerëve i duhej të komunikonin me atë nëpërmjet përkthyesve.

Ndërkohë që mua nuk më nevojitej përkthyes pasi flisja pak shqip. Ai “toleronte” shqipen time jo të mirë, ndërkohë që unë “toleroja” pirjen e tij të duhanit. (qesh) Dhe kështu që shkonim mirë. Tani që po flas, mund të them se kam përshtypjen se Zhulali ishte mysafi ri më i shpeshtë për darkë në rezidencën tonë amerikane në Tiranë, më tepër se çdo zyrtar tjetër shqiptar. Mbase nga që ishim duke punuar shumë për ushtrinë shqiptare. Kjo edhe për faktin se unë flisja pak shqip dhe arrita të komunikoja me të edhe pa përkthyes. Shqipja ime vinte duke u përmirësuar, kështu që ne flisnim ekskluzivisht shqip.

Midis nesh u krijua një raport normal, përsa më përket mua, midis një ambasadori dhe një ministri të një qeverie të huaj. Arritëm deri në pikën që edhe bëja shaka e batuta me atë. Ka qenë gjithmonë shumë i ndershëm me mua.

– Çfarë do t’i uronit Shqipërisë dhe shqiptarëve?

– Pikë së pari i uroj paqe dhe ju lutem largoni prapambetjet e perandorisë osmane, zakonet një shekullore që u përforcuan edhe nga qeveria komuniste, favoritizmat dhe korrupsionin.

– Faleminderit!

– Faleminderit edhe juve!

S'KA KOMENTE