Allman Sula është një emër i njohur në qarqet e artit dhe të fotografisë, që gjithnjë e më shumë po ndërton ura komunikimi me artdashësit dhe ata që kanë nevojë për shërbimin e tij.
Ishte ende djalosh i njomë, kur në bankat e shkollës së mesme, ashtu vjedhurazi, sikur po bënte ndonjë krim, vizatonte me penelata lapsi të lehtë portrete mësuesish, shokësh e shoqesh, duke zgjuar kureshtjen e moshatarëve dhe kundërshtimin e arsimtarëve.
Allaman Sula, me origjinë nga Bulqiza, banues në Tiranë, që tashmë ka hyrë për 50 vjeç, ka kaluar një jetë mes penelave, ngjyrave dhe aparatit fotografik.
Punë intensive, telajo të shumta peisazhezh, larmi situatash koloristike, një penel i zhdërvjellët, i butë dhe agresiv në të njëjtën kohë, dritë e bollshme që konturohet në mesazhe konkrete, agim, mesnatë, dëbora mbi malet e vendlindjes, kështu mund të përfytyrohet piktura e këtij piktori që synon të jetë dhe është vetvetja. Fotografia është e para, pasi me të lidhet jo vetëm pasioni, por dhe mbijetesa. Me të konturohen lidhjet me miqtë, familjarët, të afërmit, ata me të cilët ka ndarë çaste të përbashkëta gëzimi, malli, mungese, duke e kthyer blicin në një mënyrë komunikimi, në kujtesë dhe përjetësi.
Qindra peizazhe, portrete, autoporete, akurele, mijëra çaste vetmie të pjesëtuara me mallin, ankthin, mungesën, pritjen dhe emocione të tjera të çastit, që përbëjnë kurorën e krijimtarisë së tij.
E nisi nga Bulqiza, vendlindja e tij e dashur, me ato foto disi të çngjyrosura minatorësh, inxhinerësh, me grinë e minierës në hije, ku dhimbja e një pune të rëndë e të mundimshme, të njerëzve që jetonin me nëntokën, zgjohej si rebelim në blicin e aparatit të tij.
Më tej, piktura, peizazhe të hirta të minierës ku ngujoheshin fate njerëzore, me ato male ngjyrë hiri përreth, me shkëmbinjtë e thepisur, pjesë e historisë, që përcillnin një vetmi gri, të cilën piktori e solli mrekullisht bukur me penelin e tij të zhdërvjellët.
Do të vijonte me pasurimin e spektrit gjeografiko-emocional, me mbresa, kujtesa e përjetime të hedhura shkujdesur në penel, me ngjyrat e ndezura të shpresë e të dashurisë së gjithëkohëshme.
Dalëngadalë, dhoma ku hante, flinte e punonte mbushej me foto, foto të shkujdesura, të zhuburosura, të cilat ai i mbushte me dritëhije, iu jepte jetë, i bënte si të gjalla.
Dhe kur punonte si ushtarak në Bulqizë e Burrel, krahas detyrës si ushtarak qëndronte gjithë ditën me aparat në dorë, fiksonte çaste në kohë dhe veprimtari, dizenjonte e pikturonte me një pasion të gjallë, që nuk iu shua kurrë.
Krahas aparatit fotografik, piktura, çaste të shumëzuara në kohën e përjetësisë, e cila është finalja e aplikimit të çdo arti të bukur, ku padyshim piktura mban kryet e vendit.
Tanimë, pas kaq vitesh, shtëpia e tij në Babrru të Tiranës, një shtëpi e bukur që duket si një pikturë impresioniste, me lulishte me trëndafila e pemë të shumta, është e mbushur plot me portrete, autoportrete, peisazhe, akuarele, punë të ndryshme, që shprehin ndjesi të ndryshme, me foto e filime që përbëjnë vetë jetën e tij.
Me kohë hobin e tij e ka kthyer në një mënyrë për të mbijetuar, punë plot pasion e përkushtim, në të cilën e ndihmojnë tre njerëzit e tij më të afërt, bashkëshortja e tij Fllanxa dhe dy djemtë, Erioni dhe Flamuri…
Fllanxa të flet me pasion për punën e bashkëshortit, por edhe për punën e saj, e cila konsiston në një bilanc suksesi e operativiteti në lidhje me njerëzit që e rrethojnë, në përpjekjen për të qenë të pranishëm dhe të nevojshëm. Ato çfarë lë pa thënë bashkëshortja, e vazhdojnë dy djemtë e piktorit dhe fotografit të talentuar, që çdo ditë përvijojnë konturet e profesionistëve, duke i ngjarë si dy pika uji të atit.
Kudo që shkon, në jug, veri, në vise të thella e metropole nuk e ndan aparatin nga vetja, nuk e ndan penelin. Kohët e fundit, nuk e ndan as kamerën, e cila është bërë pjesë e pasioneve të tij krijuese.
Sula e rikrijon emocionin çdo çast, duke kthyer pas kohën sa herë që vështron pikturat e tij, me të cilat merret prej një kohe të gjatë, gati dyzet vjeçare. Janë aty e kaluara, e sotmja dhe e nesërmja, të trupëzuara e të shkrira në kredot e këtij njeriu të apasionuar që kërkon të lerë një gjurmë në kohë, të jetë i pranishëm mes njerëzve dhe kohës me punën e tij krijuese.
Piktura e Sulës shpalos energji pozitive dhe komunikon lehtësisht me publikun e çdo moshe. Piktura e tij konkrete, piktura e detajit, karakterizohet nga ritmi, ngjyrat dhe drita, nga lirizmi poetik dhe ngrohtësia që duket se spikat edhe në akuralet alpine me borë.
Duhet thënë se piktori Sula shfaqet si një piktor poet, me një thyerje të romantizmit lirik tradicional, si krijues vlerash artistike, e sintetizuar në produktin real, që e ka gatuar me shumë dashuri, pasion dhe profesionalizëm artistik. Siç duket, procesi artistik i tij ka ecur dhe vazhdon të ecë si gjithëkohësi krijuese e shqetësuar dhe produktive.
Portreti, një zhanër që piktori nuk e la pa e prekur, e ndër vite realizoi shumë portrete të njerëzve të dashur, të personaliteteve të letrave, të patriotëve etj. “Elez Isufi-gjenerali me shajak” është një nga këto portrete, shumë i bukur me një dritë të argjendë, të brendshme, vezulluese.
Në thesarin e pikturës dibrane ku ka emra të njohur si Bajram Mata, Huzri Hoxha,
Zaim Elezi etj, emri i Allaman Sulës është një emër i nderuar. Këmbëngulës në kërkimin e gjetjes artistike, konsekuent i idesë së tij, ai nuk heziton që mbasi e ka mbaruar tablonë ta fshijë dhe ta rinisë edhe një herë, por këtë radhë me më shumë dinamikë, përmirëson elementët artistikë, koloritin, shpërndrjen grafike etj., duke këmbëngulur që punët e tij të shkojnë drejt përsosmërisë.
Tani që në jetën e tij ka rrjedhur aq shumë ujë, ai mendon se aparati fotografik i ka dhënë shumë mundësi në jetë. Foto nga Bulqiza, Dibra, Korabi, Valbona, Pogradeci, Lura, foto njerëzish vipa e njerëzish të thjeshtë. Foto që ai i ka bërë që kur ishte fëmijë, më vonë në rini dhe tani në moshën e burrit të pjekur dhe që i ruan me fanatizmin e një koleksionisti.
Në blicin e aparatit të tij janë të gjallët dhe të vdekurit. Është e sotmja, e djeshmja, koha e ëndrrës dhe pavdekësia. Aparati i tij fotografik është bërë pjesë e trupit të tij, pjesë e krahut dhe syrit, pjesë e jetës dhe mbijetesës.
Familja Allamani e ka kthyer fotografinë në art dhe artin e pikturës në magji, duke bërë që shtëpia e tyre në Babrru të Tiranës, të jetë një soj ekspozite e përhershme punësh dhe arritjesh që vazhdojnë…

S'KA KOMENTE