Trokun e kuajve përmbi trupin tim
e ndjej unë sot, si afro gjashtë shekuj më parë.
Në krye printe Ai, Gjergji kryetrim
ndjekur gjithnjë pas nga treqind trima Dibranë.

Drejt Krujës si era, heroi nxitonte
Lirinë Arbërisë t’i sillte, si dielli çan errësirën.
Dhe unë, si arterie që jetën përcillte
Ndjehesha me vlerë që po mbartja dritën.

Tokat arbërore, ku kombi i moçëm jetonte,
nga Dibra në kryeqendër unë shkurt i lidhja.
Një sistem nervor që shkëmbim përçonte,
si rrugë me jetë ku mbartet tregu e dituria.

Dhe Dibra,
ku fabula thotë se mendja ishte ndalur pasi lindi,
arriti zhvillim që kush nuk e mendonte.
Stambolli po të digjej, thonin njerëzit njëzëri,
vetëm Dibra e Madhe mund ta zëvendësonte.

Arbëria mbetej pjesa vitale e kombit
edhe kur kombi ndodhej në ditë të vështirë
të varfër e të pasur çdo ditë më bekonin
që jetën lehtësoja të bëhej më e mirë.

Troku i kuajve u ndërpre një ditë mbi trupin tim,
kur në skenë dolën mjetet me rrota,
dhe më shmangën djallëzisht dhe paramendim,
me një rrugë trefish, larg Dibra nga kryeqendra.

Dhe për dekada me rradhë, trupi im përgjumur mbeti
derisa një ditë të bardhë demokracia Arbërinë gjeti.
U gjallërova kur ca udhëheqës thonin fjalë solemne :
“Do të bëhet Rruga e Arbërit”, sapo pushtetin ta merrte.

Do rinohesha, do kthehesha në një rrugë të gjërë,
që Dibrën e Madhe e të Vogël, dhe Dibranët në Tiranë
shumë afër do t’i sillte, dhe Arbërinë e Iliridën mbarë.
Mirëqenia do të rritej, mendja me dijen do vinte pranë.

Gëzim ndjeja kur përditë po lulëzoja nga puna,
dhe ëndrrat dëgjoja për të ardhmen më të lumtur.
Porse… nuk vazhdoi gjatë. Pjesë-pjesë, copa-copa
mbeta rrugëve si rrugë. Dhe politika ka humbur.

Politikë e humbur, si rëra në përrua,
vetëm kur vijnë zgjedhjet kujtohet për mua,
Gjithnjë veç premtojnë, por me lugë të zbrazur.
Dhe Arbërit presin me zemër të plasur.

S’mund të më ndërtojnë, apo duket s’duan?
Mos vallë duan Arbërinë, Dibrën, ta mbajnë larg, të harruar ?
Mos bashkimi, dituria rrezikon vërtet
që klanet bunkerizuar të vijojnë punën e vet ?

Po dëgjoj për peticion, por politika s’po kujtohet !
Në mbretërinë që ka ngritur, duket se çdo gjë harrohet.
Dhe e dij që, jo fort larg, stinë e zgjedhjeve do vijë.
Çdo dëgjoj unë atëhere, veç premtime përsëri ?

*ish diplomat, doktor i shkencave për Siguri Globale- Tiranë, më 04 Prill 2016.

S'KA KOMENTE