Kam pasur përshtypjen e gabuar se pas librave voluminozë “Ladorishti – histori dhe tradita” dhe “Plagët e njëshekulli”, studiuesi i shquar Kaim Murtishi, e kishte ezauruar plotësisht tematikën kushtuar vendlindjes së tij. Mirëpo kisha harruar mesa duket, se Honore Balzaku dikur kishte thënë se “Hipur mbi një fjalë në thellësinë e së kaluarës, shpesh kam kryer udhëtime të mrekullueshme, njëlloj si një insekt që lundron në rrjedhën e një lumi mbi një fije bari.”Por kisha harruar gjithashtu, se edhe vetë, teksa shkruaja për krijimtarinë e tij, pyetjes se ku e gjen forcën ky njeri, ky intelektual dhe ky shqiptar i mrekullueshëm, i përgjigjesha me pohimin e F. Niçes se “Unë kam diçka të pacënueshme, të pavarrosshme, diçka që shkatërron shkëmbinjtë: kjo quhet vullnet.” Dhe kur vullnetit i bashkangjitet edhe atdhe dashuria, nuk ka pse të çuditemi se librat e dalë nga pena e një njeriu si ai, vijojnë të zenë vend në bibliotekat tona, madje edhe t`I venë në prove ato, pasi nuk maten më me faqe por me kilogramë. Pastaj, kur për ne shqiptarët flasin me aq admirim sa e sa të huaj, fjala vjen që nga polaku Martin Bielski, murguanonimrus i kohës së Ivanit tëTmerrshëm, Zhan KlodFaverie, legjendarja Edit Durham, De Grandi, çifti Gordon, e deritek At Zef Valentini që me veprën e tij kërkonte t`i bënte një shërbim jo vetëm studiuesve të interesuar por edhe kombit shqiptar aq të dashur për të, si mund të heshtin vetë historianët, studiuesit dhe shkrimtarët tanë? Në librin e fundit të diplomatit Mal Berishandeshim një përcaktim mjaft domethënës: “Shqiptari është një figure piktoreske.” Pikërisht këtë ka dashur të pohojë si në të gjithë librat e tij edhe këtu, miku ynë Kaim Murtishi i cili kur duket se flet për një trevë të përcaktuar, ka parasysh gjithë historinë tonë, gjithë vlerat që populli ynë mbart dhe gjithë trashëgiminë e pasur liridashëse dhe kulturore që ai ka. Për librin “Shqiptaria dhe drita e diturisë në viset ku del Drini”, nëqoftëse do të na duhej të gjenim se ku renditet, besoj se sidoqë ta vrasësh mendjen, nuk mund ta quash tjetërsoj, veçse enciklopedi. Një punë të tillë sizifiane, në Maqedoni, ndofta duhej ta ndërmerrte Akademia e Shkencave. Por ndofta sërish po gaboj, pasi asnjëherë mendjet e ftohta të akademikëve, nuk mund të na e jepnin me atë ngrohtësi, vërtetësi, thjeshtësi e mirënjohje deri edhe për njerëzit e zakonshëm, luftën dhe përpjekjet e pareshtura të banorëve të Ladorishtit e më gjerë për ruajtjen e dinjitetit, lirisë, dokeve e zakoneve të trashëguara, se sabiri i asaj treve i cili sikurse pohon vetë me frymëzim dhe talent të mirëfilltë letrar: “… aty linda dhe u rrita, aty kalova fëmijërinë time – në një shtëpi të vjetër, diku e ndërtuar me mure e diku me gardh, e lyer me baltë, edhe dyshemeja ishte e shtruar me baltë, e mbuluar me shavar, me një oxhak të thjeshtë; afër oxhakut një kamare, në të cilën ishte vendosur tepsia me takëmin e kafesë: xhezve, filxhanë, sheqer e kafe; dhe kur vinin mysafirë, gjyshi ose ndonjë nga burrat e shtëpisë u bënte kafenë. Aty tërë natën bëhej muhabet me këngë, valle, tregime për të kaluarën, përralla etj., duke përdorur çiftelinë, fyellin, kavallin e dajren. Konakët ishin të shtruar me rrogoza dhe ndonjë poste prej deleje ose dhie. Nëpër birat e murit këndonin edhe karkalecët. Në këtë mënyrë neve si fëmijë na zinte gjumi, por shumë gjumë i këndshëm dhe i ëmbël. ”I nderuari Prof. dr. Emil Lafe, me të drejtë, i ka quajtur bredhjet e Kaim Murtishit në këto oda, fshat më fshat, universitetin e tij të madh të cultures dhe atdhe dashurisë. Me këtë sy e kam pare edhe unë Ladorishtin dhe banorët e tij të qytetëruar, sa here kam shkuar te miku im poeti Besnik Lena. Ndesh atje mure të lashta nga kohë që s`mbahen mend, një rini të hareshme, burra e gra të fisëm, pleq seriozë me sytë nga ai tog varresh të shkaktuar nga hakmarrja e pashpirt e gjermanëve atë 28 tetor të vitit 1944 dhe të bëhet se pas të ndjekin fjalët e struganit Riza Drini, kryetarit të shoqërisë “Djelmënia” në Stamboll, e më pas, sekretarit të Prefekturës së Durrësit, Prefektit të Shkodrës, Prishtinës e Tiranës, një prej organizatorëve të Konferencës së Mukjes dhe të burgosurit nga komunistët i cili i shkruante Nebil Çikës: “Shqipnija nuk fillon në Qafë të Thanës e në Qafë të Prushit. Ajo e 13 – ës ka qenë një kreaturë e gjymtueme e prandaj s`kamujtë me ecë edhe. Intelektualizmi shqiptar kur do ta kuptojë këtë realitet – qi ngusht asht në lidhje me fatin e racës – kur do ta ndiejë e do ta konsiderojë si mission të vetin historic Shqipninë etnike?…Duhet me qenë nji racë e çoroditun, për pos me banamin për me e mbajtë në dorën tone liqenin e Ohrit, Tetovën, Fushën e Kosovës etj. ”Por edhe respektin e pashuar për mësuesit normalistë nga Elbasani, edhe venerimin për dëshmorët, edhe furtunat e këngëve, valleve dhe trashëgimisë gojore, ku ai mbetet modeli më elokuent i intelektualit të përgjegjshëm e veprimtar, Kaim Murtishi ka ditur t`I vendosë në funksion të kësaj aspirate. Të gjithë personazhet e panumërt të këtij libri, autorina i jep të bukur sëpari nga shpirti dhe vlerat e larta morale. Dhe po të shohësh fotot dhe dokumentet e pafund që na paraqiten në libër, Kaimi ndodhet përherë mes tyre, me vrull djaloshar, me zemrën e zjarrtë mbushur me dashuri për ta dhe me dëshirën për të zbuluar gjithçka të mirë la në Ladorisht, atje te ajo Bazilika e vjetër, ai kali i lodhur i qiraxhiut të kohës së karvaneve që vinin nga Mokra. Ne miqtë e tij, të sigurt se Kaimi është nga ata që sfidon moshën, e urojmë që jehona e hulumtimeve gjatë lundrimit të tij qoftë edhe mbi një fije të vetme të barit balzakian, të mos pushojë asnjëherë, pasi kultura dhe traditat tona popullore nuk janë thjesht sa ai Drini lasgushian që mburon prej Shëndaumi, por një det i pa anë që për t`I përcaktuar thellësinë dhe pasuritë e tij, prêt punën e gjithsecilit nga ne, sipas shembullit të tij. Qëllimin e gjithë kësaj e ka shpehur fare qartë filozofi gjerman Martin Hajdeger i cili duke kërkuar thelbin e së vërtetës, shprehej se “Njeriu është një qenie e shqetësuar që projekton të ardhmen mbi të tashmen dhe që e ballafaqon të tashmen me të shkuarën.”

S'KA KOMENTE