Sa herë zbresim Qafën e Kubenit, na del para fusha e gjerë e Kandrit, poshtë së cilës gjarpëron Drini e krenohen malet e Dibrës së Poshtme dhe përballë tyre gjigandi Korab. Këtu të zgjohet kujtesa e një trimi të botës së madhe që ka mbetur legjendë e heroizmit të lavdisë, Sefë Kaloshi.
Kaloshët e Dibrës janë një fis me trashëgimi të pasur të vyrtyteve më të larta njerzore, si të karakterit të pastër të atdhetarisë, ndershmërisë, trimërisë, mikpritjes, bujarisë dhe drejtësisë. Rrallë ndonjë Kalosh ka vdekur në shtrat. Plumbi i hasmit apo i pushtuesit ia ka këputur jetën, por gjithmonë në këmbë. Nga dera e Kaloshëve dualën njerëz me emër si Myftari, Dani, Hasani, Sefa, Hazizi etj. Në fund ndrit figura e demokratit të nderuar, “Martirit të Demokracisë”, Bujar Kaloshit.
Jeta e Sefës gjelbëron e merr emër që kur priti me protesta e lëngatë në zemër okupimin e Shqipërisë nga Italia fashiste. Atëhere vazhdonte shkollën Normale të Elbasanit. Në orën e mësimit të edukatës fashiste profesori italian fliste me entuziazëm për rëndësinë e madhe historike të përfshirjes së Shqipërisë në suazën e Perandorisë fashiste dhe të bashkimit të të dy vendeve me vullnetin e popullit italian e shqiptar, atëhere Sefë Kaloshi tronditet shpirtërisht nga kjo demagogji, nuk e përmbajti urrejtjen, sa merr shishen me bojë dhe ia hedh kokës profesorit italian. Ai e saboton orën e mësimit dhe i drejtohet klasës: “Mjaft na treguan përralla këta fashistë robërues”. Sefa hidhet nga dritarja. E ndjekin pas shokët e ngushtë të klasës.
E lan qytetin e dualën në mal. Ca kohë bën jetë ilegale në Dibër. Sefën e ndiqte kuestura. I rrethojnë shtëpinë në Kandër, por karabinierët nuk mundën ta kapin. Ai qëndron nëpër miq derisa rreshtohet në Brigadën e 5-të partizane. Sefë Kaloshi shfaq dashurinë për atdheun dhe trimërinë e rrallë në përpjekjet e Brigadës së 5-të për çlirimin e veri-lindjes së Shqipërisë dhe të Jugosllavisë. Trimëria e tij e bëri të dashur me partizanët e Brigadës dhe u shtua besimi i shtabit nga meritat që tregoi. Për këtë u caktua komisar kompanie. Në këtë brigadë komandonte një batalion dhe vëllai i tij, Dani, gjithashtu ishte komandant kompanie dhe Llani, i kushëriri. Sefa i diktoi sytë tinzarë që survejonin tre kaloshët në Brigadë. Ishin që atëhere sigurimsat që trimërinë e këtyre burrave e vinin në dyshim dhe të bardhën e bënin të zezë.
Çlirimi i vendit erdhi plot shpresa të lumtura dhe për Sefë Kaloshin. Ai shërbente si oficer në Tiranë. Por “hijet” e hafijeve e rrethonin edhe në gjumë. Rreziku e ndiqte. Ai po bëhej i ndërgjegjshëm për këtë rrezik. Sefa dëgjonte e shikonte me zemër të vrarë për mjaft luftëtarë të devotshëm, që arrestoheshin e vriteshin pa gjyq pas shpine nga këto hije kriminelësh me porosi të udhëheqësit politik të Brigadës, komisari H. Çako. Kurthi i arrestit e i pushkatimit po afrohej dhe për tre kaloshët. Për t’i shpëtuar rrezikut Sefa, Dani e Llani arratisen në pranverë të vitit 1946. Ata u endën maleve të Dibrës për të luftuar për liri kundër krimit komunist të organizuar nga komunistët, për të qenë nacionalistë të ndershëm. Këta luftëtarë antikomunistë ishin njerzit e patriotit antiserb, atëdhetarit Elez Isufi. Prandaj me porosi të jugosllavëve këta që partizanë u ndoqën nga hijet e sigurimit, ndërsa tani që dualën haptas si antikomunistë e antisllavë, u ndoqën këmbakëmbës nga forcat e ndjekjes, me intensitet, të komanduara nga H. Çako. Këta arritën ta rrethojnë Sefën. Sefa zuri si pozicion luftimi vijën e ujit të mullirit të Kandrit. Ndërpreu ujët e vijës. Lufta u ndez. Ai mbeti i vetëm i rrethuar nga 300 forca të ndjekjes. Shokët iu vranë. Pushkët e tyre i vuri 4 metra larg njeratjetrës në qermë të vijës. U plagos dhe vetë në këmbë dhe në dorë. Një front i vërtetë lufte kundër njerit. Sefa kalon me zvarritje nga njera pushkë tek tjetra duke hapur zjarr. Forcat e ndjekjes kujtonin se kanë rrethuar gjithë njesitin e arratisur të kaloshëve.
Komandanti Çako u nevrikos. Forcat e tij nuk po mposhtnin rezistencën e gjatë të martirit. U nis vetë drejt pozicionit nga vinin plumbat e Sefës. “Dorëzohu, Sefë Kaloshi!”- i thirri. Po arma e Sefës e shtriu në tokë të plagosur.
-Ramiz, afrohu e kape të gjallë, të gjallë!- urdhëroi me zë të lartë urrejtës togerin e ndjekjes Ramiz Manjanin. Ramizi u zvarrit drejt istikamit. I afrohet. Sefa e njeh dhe i thërret: “Mos, vlla, të kam shok të shkollës, kemi luftuar bashkë për liri e demokraci. Mos u afro më se për këto male do të vras!”. Por togerin e priste plumbi po të kthehej mbrapsht. Ai duhej të zbatonte urdhërin e komandantit të Divizionit të ndjekjes. Sikur nuk ua vuri veshin fjalëve të shokut të vjetër. Ramizi sulet me automatik në dorë. – “Mos!”- thirri sa mundi Sefa, por ai nuk u ndal. Vetëm plumbi i armës së Sefës e kapi në kokë. Armët u ndezën më të ashpra. Kodrat e Kubenit gjëmuan. Forcat e ndjekjes u tmerruan nga armët e granatat e Sefës. U mbajtën sekret të vrarët. Kundër këtij trimi u përdorën dy mortaja ku hodhën gjylet në istikamin e Sefës. Trimi legjendar nuk kishte më shpëtim. Dy plumbat e ligështuan. E mbante vetëm zemra prej luani. Ai nuk pranonte të bintë i gjallë në duart e kriminelëve. Bombat e fishekët iu mbaruan. Në revole i mbeti vetëm një plumb. Një plumb për….në çastin e fundit…E dëgjuan malet si jehonë vaji.
Trupi i Sefës u suall në sheshin e pazarit të Peshkopisë. U la aty i ekspozuar për terror psikologjik ndaj dibranëve. E nderonin në heshtje. Trimëria e tij mori dhenë. Oficeri i Degës së Punëve të Brendëshme duke parë se populli e shikonte me dhimbje të heshtur trimin, e goditi me shqelma. Një malësore e moshuar dibrane, e vështroi me urrejtje dhe iu drejtua oficerit: “Shqiptar je ti?”. –Po-i përgjigjet oficeri. “Shqiptari nuk e ka zakon t’i bjerë me shqelm të vrarit. Kështu si ti kanë vepruar vetëm serbët. Ta provoje t’i bije me shqelma kur ishte gjallë, atëhere ta shikoje sa trim do t’ishe”. Pas pak dibranen e arrestuan. Torturat ishin modë e rregjimit komunist. Sefa mbeti gjerdan lirie në mendjen e në zemrat e njerëzve si simbol i trimërisë, nderit dhe karakterit të paepur të dibranit. Që atëhere hyri në vargje, që poeti i çeli në ditët e bukura të lindjes së demokracisë:

… Ç’po qëlloka n’shenjë i pari,
Ç’po qëlloka n’log të trimnisë,
Sefë Kaloshi një sokol mali
Ballë për ballë i del tradhëtisë.
Ndigjon Drini, Murra e Seta
Dhe Korabi tund kunorën,
Sefë Kaloshi, or t’u ngjatëjeta,
Sefë Kaloshi, or ta puthsha dorën!
E tanë Kandra kallet n’flakë,
Ngre stërkalat Gjelagjoshi,
N’shesh mejdan porsi bajrak
N’kambë lufton Sefë Kaloshi
Ç’asht ky burrë vigan i rrallë,
Ç’asht kjo zemër shkamb lavdie?
Sefë Kaloshi azgan i gjallë
Dibra të ka n’gjerdan lirie.

S'KA KOMENTE