Burrat e fisit Allhyseni nuk e hoqën pushkën nga krahu. Hazizi, vëllai i Hasanit, ishte i zgjedhur në pleqësinë e fshatit, ku shquhej për drejtësi e ekuilibër. Hazizi me djemtë e pritën me indinjatë pushtimin e vendit nga italianët. Në vitin 1943, Abdyl Alla, i biri i Hazizit, hodhi pushkën në krah dhe bashkë me luftëtarë të tjerë bulqizakë e grykamëdhenj krijuan çetën partizane dhe luftuan heroikisht në aksionet luftarake që ndërmerreshin kundër pushtuesit. Në pranverën e vitit 1944, djali tjetër i Hazizit, Sadiku, la shtëpinë, vuri armën në krah dhe iu bashkua çetës partizane së bashku me kushëririn e tij Hamit Alla dhe djalin e dajës Ismail Isaku. Ata u bënë efektivë të batalionit të Gjoricës, më pas të brigadës  XVIII – sulmuese, deri në çlirimin e plotë të vendit. Sadiku u inkuadrua në forcat e ndjekjes së kriminelëve, ku punoi deri në vitin 1966. Më pas doli në lirim nga një reformë ushtarake dhe punoi  përgjegjës në Seksionin e Gjendjes Civile  të rrethit Pukë.
Ferit Alla , i biri i Hazizit dhe i Rihanës, lindi  në Dushaj të krahinës Bulqizë, në një vatër bujare e patriotike, më 1930.  Familja e tij ishte një familje patriarkale, disakurorëshe, mbi 20 veta, ku jetonin në harmoni me njëri-tjetrin dhe  zot shtëpie ishte i ati i tij Hazizi, i cili njihej si burrë me tipare e karakteristika të veçanta të një malësori tipik, ku spikaste zgjuarsia, thjeshtësia, urtësia, mençuria e burrëria. Feriti, që në vogëli dallonte nga fëmijët e tjerë, edhe pse ishte më i vogli në  konak. Ai dëgjonte me kërshëri bisedat e burrave të mençur që hynin e dilnin nga kulla me emër në fshat. Gjatë fëmijërisë, në vitin 1938, u regjistrua në shkollën fillore në Zhiranë (Fushë-Bulqizë), të cilën e mbaroi me rezultate të larta në vitin 1942, kohë ku shkolla e Zhiranës u dogj nga okupatorët. Pasi mbaroi këtë shkollë u aktivizua me bujqësi e blegtori, pasi vëllezërit i kishte në luftë. Ai e ndjeu peshën e rëndë të pushtimit fashist, ndaj dhe  u aktivizua me punët e rinisë në fshat. Pas çlirimit  u zgjodh në organet drejtuese  sekretar i rinisë për Bulqizën në lokalitetin e Zerqanit.
Gjatë kësaj  kohe kreu dhe shkollën unike.
Në tetor.1946 deri në mars1947 vazhdoi studimet dhe përfundoi kursin e kuadrove në Tiranë, (nxënës për llogari të kooperativës së shitblerjes). Nga prilli 1947 deri në nëntor 1950 punoi në fshatin Fushë-Bulqizë si llogaritar i kooperativës së shitblerjes. Më 1950, kur ai mbushi moshën 20 vjeç, u  thirr për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak  në Garnizonin e Tiranës. Feriti, i edukuar me frymën e respektit dhe me ndjenjën e lartë të përgjegjësisë për çdo detyrë që i besohej, dallonte nga ushtarët e tjerë për mençuri dhe aftësi. Kështu që gjatë kryerjes së kursit në qendrën e instruksionit, Komanda e Repartit e emëroi nënoficer. Gjatë shërbimit dhe stërvitjes fitoi besimin e komandës dhe pasi plotësoi vitin si nënoficer, e komanduan në detyrën e oficerit, detyrë të cilën e justifkoi mjaft mirë deri ditën që u lirua nga ushtria në dhjetor 1952 dhe u kthye pranë familjes.

EKONOMISTI I RI BULQIZAK DREJTUES NË DISA SEKTORË TË RËNDËSISHËM NË BULQIZË

Një  muaj pas kthimit në familje, Feriti u paraqit në zyrën e Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Peshkopisë, ku i ngarkuan detyrën e shefit të Planit në Ndërmarrjen Gjeologjike të Bulqizës. U paraqit në ndërmarrje dhe filloi punën, ku vazhdoi deri në dhjetor 1954. Në  janar 1955 Feritin e zgjodhën Kryetar Ekspedite, detyrë të cilën e plotësoi me sukses dhe po në këtë vit u emërua Drejtor i Ndërmarrjes Gjeologjike. Ferit Alla, në moshën 25- vjeçare, i vlerësuar si organizator i aftë, u emërua Kryetar i  Ekspeditës Gjeologjike të Bulqizës ,që ishte pjesë e Minierës së Kromit. Detyra ishte që kjo ekspeditë  të hartonte e zbatonte projektet  për  kërkim-zbulimin e mineralit të kromit, shtimin e rezervave gjeologjike në  masivin e Bulqizës dhe fillimin e zbulimit të kromit edhe në zona të tjera të Dibrës. Në vitin 1956 u ngrit ekipi i parë shqiptar i rilevimit gjeologjik. Më 1957 u krijuan dy ekipe të reja gjeologësh në Martanesh dhe në Selishtë. Për herë të pare, në vitin 1957 filluan punën sondat  treqindëshe me motor diezel  ku brigadier ishte Ismail Losha. Në këtë vit, nën drejtimin e Ferit Allës dhe me përkushtimin e gjithë personelit  inxhiniero-teknik, ekspedita gjeologjike realizoi  5471 ml  shpime dhe 11747 m3  kanale në Bulqizë, Martanesh e Selishtë. Me VKM nr.471 dt.9.12.1957 u krijua Ndërmarrja Gjeologjike e Bulqizës me detyrë të kryente punime  për  zbulimet gjeologjike për gjetjen e vendburimeve të mineraleve të dobishme dhe punime shkencore në fushën e gjeologjisë. Drejtor u emërua Ferit Alla, i cili siguroi mbështetjen e fortë të personelit inxhiniero-teknik që e quante themelin e sukseseve që synonte gjeologjia  me inxhinierët: Virgjil  Buda, Rexhep  Shehu, Xhelil  Karkanaqe  dhe teknikët e rinj: Enver  Vorfi, Nexhat  Lami, Gani  Gurra , personel  organizativ: Ali  Hida, Ismail Losha, Hasan  Losha, Rakip  Karaj, Ibrahim  Balla, Pal  Bilaçi, Rushit Toçi, Sulë  Kica, etj.  Pas një viti ndërmarrja kishte 82 veta personel  inxhiniero-teknik dhe katërqind sondistë e punëtorë. Sukses i veçantë në këtë fillim ishte kualifikimi i disa mjeshtrave të shpimit që më pas u bënë themeli i realizimit të projekteve të kërkimit. Me një organizim të arrirë u përballuan vështirësi të mëdha të punës në terrene tepër të vështira kur transportoheshin sondat, motorat e pompat me pesha shumë të mëdha, në krahë, në terrenet e maleve të thepisura dhe pa rrugë. Brenda një muaji në Martanesh u transportuan në krahë dy sonda treqindëshe, dy motora e dy pompa dhe me 6 qershor 1958 filloi shpimin sonda e parë me brigadier Ismail Loshën. Në këtë vit NGJ e Bulqizës realizoi 10450 ml  shpime, 1822 ml galeri dhe 11642 m3  kanale e 43 ml puse për kërkimet, që vazhdoi deri në shtator 1960.
Në këtë periudhë Ferit Alla filloi studimet në Universitetin e Tiranës, në degën Financë-Kontabilitet ku u diplomua me rezultate shumë të mira. Ishte ndër të parët djem bulqizakë që mbaroi studimet e larta universitare.

FERIT ALLËS I BESOHET DREJTIMI I MINIERËS MË TË MADHE TË KROMIT NË VEND

Menjëherë e emëruan  Zëvendës Drejtor në Minierën e Kromit  Bulqizë dhe pas një viti i besuan detyrën e  Drejtorit, deri në vitin 1966. Ferit Alla, i pari kuadër bulqizak me arsim të lartë, mbështeti dhe inkurajoi të gjitha përpjekjet e personelit inxhiniero-teknik të minierës për të eksperimentuar zbatimin e metodave bashkëkohore të prodhimit të mineralit e përpunimit të tij. Mbajti në nivelin më të lartë marrëdhëniet e tij me drejtuesit e tjerë dhe me brigadierë e punëtorë duke mbetur i respektuar në çdo pozicion pune që iu   ngarkua. Për Feritin, drejtues e organizatorë si: Kamber Duriçi, Baftjar Fida, Ismail Losha, Nazmi Përkola, Selim Marku, Hasan Gjimi, Hasan Jashari, Imer Stojku, Selim Alla, Veli Kola etj, ishin thesari i përvojës për të plotësuar detyrën.
Në tetor 1966, u caktua Drejtor i Ndërmarrjes Gjeologjike po në Bulqizë, ku vazhdoi deri në vitin 1971. Ekipi i specialistëve rusë në kohën kur u larguan thanë: “Batra është shterpë dhe Bulqiza drejt mbarimit”, por puna e palodhur e personelit inxhiniero-teknik dhe brigadave të shpimit vërtetoi se kromi ishte një pasuri e madhe për ekonominë e Shqipërisë. U provua lidhja e zonës mineralmbajtëse Bulqizë-Batër dhe u hartua projekti i rezervave që siguronte funksionimin në shumë vite të prodhimit të kromit. Në vitin 1966, filluan të përdoren sondat pesëqindëshe e gjashtëqindëshe, duke arritur zbulime në thellësi e duke u bërë Bulqiza e njohur edhe në botë për sasinë e cilësinë e kromit. Përvojën e Ferit Allës në NGJ të Bulqizës e pasuan me arritje të reja edhe drejtorët e tjerë, si: Ismail Losha, Hasan Hajdari, Isuf Latifi, Halil Hallaçi, Bajram Puca, Sefedin Shabani, Jashar Gjoka dhe kryegjeologët Virgjil Buda, Xhelil Karkanaqe, Sefedin Qorlaze, Bashkim Lleshi, Irakli Premti, Sali Bushi, Koco Gushi, Besnik Balla, etj. Ferit Alla e Sotir Dodona ishin iniciatorët e vendosjes së transportit të punëtorëve nga Valikardha në Bulqizë të cilët deri atëherë  bënin 2-3 orë në këmbë, d.m.th. 4-6 orë në ditë përveç orëve të punës. Ky transport në vitet më pas u shtua me mjete edhe në fshatrat e tjerë.
Në vitin 1967, Ferit Alla mbështeti me bindje intelektuali hapjen në Bulqizë të shkollës së mesme të mbrëmjes, për teknik miniere, gjeologjie dhe elektromekanike. Ai shprehej  se shkollimi do të siguronte  kualifikimin e teknikëve që duheshin në ndërmarrje, për të ngritur realizimin e detyrave që sillte pajisja e minierës me makineri të reja. Ai interesohej rregullisht në drejtorinë e shkollës për ecurinë e nxënësve dhe porositi të gjithë drejtuesit e sektorëve të ndërmarrjeve që të zbatohej shkurtimi me 2 orë i orarit të punës për të gjithë ata që ishin në shkollë në  ditët e mësimit. Dha ndihmesën e tij për strehimin ,për kushtet e tjera të transportit dhe për sistemimin në punë të atyre që kishin rezultate të larta në mësime. Vuri në dispozicion të shkollës inxhinierët më të talentuar për mësimdhënien e lëndëve profesionale, bashkëpunoi me drejtorinë e shkollës dhe mësuesit për çdo problem, duke mos kursyer ndihmën e nevojshme. I dhuroi shkollës nga ndërmarrja që drejtonte  televizorin e pare për nxënësit, që u përdor në mënyrë kolektive.
Në këtë vit, me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit dhe me urdhër të Ministrit të Minierave, u kthye përsëri në Minierën e Kromit në detyrën e Drejtorit., deri në vitin 1973, ku për arsye shëndetësore, kaloi nga Drejtor në Zv.Drejtor, ku vazhdoi deri në maj 1974. Në vitet që ai ka drejtuar  në minierë bashkë me Todo Mançon si kryeinxhinier dhe inxhinierët: Bujar Pata, Hamza Gurra, Jorgo Kola, Sefedin Qorlaze, Koço Gusho, etj, mbajti mbi shpatulla me zgjuarsi presionin e drejtuesve të lartë të shtetit për rritjen e prodhimit dhe shfrytëzimin e minierës, duke zbatuar kriteret shkencore. Ai gjithmonë e vuri veten në krah të punonjësve me të cilët bisedonte vëllazërisht për të zgjidhur problemet e vështira që nxirrte koha. Në vitet që ka qenë drejtor Ferit Alla miniera ka prodhuar rreth 2 milionë tonë krom dhe 120 mijë tone steril për punimet e hapjes.
Duke qenë se ndërmarrja e Furnizimit të Punëtorëve në Bulqizë pati probleme e mangësi në furnizimin e punëtorëve dhe në realizimin e planit, nomenklatura e kohës e emëron Feritin në postin e Drejtorit të NFP Bulqizë, detyrë të cilën e kreu me sukses. Në vitin 1975, nga sforcimet që kishte pasur në galeritë e minierës së kromit në nëntokë, Feritit i filluan shqetësime serioze shëndetësore, kështu që e lëvizën  nga NFP-ja dhe e kaluan Kryetar në Këshillin e Bashkuar Fushë-Bulqizë, deri në vitin 1980. Shëndeti i tij sa vinte e përkeqësohej. Nomenklatura e lëvizi përsëri duke e emëruar Zëvendës Drejtor në NFP, derisa mbylli sytë njëherë e përgjithmonë.

Feriti ishte nga ata njerëz me figurë të pastër morale e shoqërore, nuk kompromentohej, ishte kërkues ndaj vetes dhe familjes e fëmijëve. Gruaja e tij Nadire Hani nga fshati Dragu i Bulqizës, ishte një grua fisnike, që punoi punëtore gjithë jetën, nuk kërkoi kurrë privilegje, edhe pse e kishte drejtor bashkëshortin. Ferit Alla, dallueshëm nga drejtuesit e tjerë bashkëkohës, nuk kërkoi privilegje as për vete e as për familjen e tij, dhe pse ishte drejtues. Ai karakterizohej nga ndershmëria në punë e në jetë, dashuria për njerëzit dhe për familjen, korrektesa në kryerjen e detyrave, besëtar, bujar e mikpritës, bashkë me familjen e tij shembullore. Feriti dhe bashkëshortja e tij Nadirja rritën dhe edukuan pesë fëmijë: Vjollcën, Besnikun, Bujarin, Agimin dhe Avniun, që gjithashtu janë shëmbull në qytet e në punë, të shkolluar e të zotë në jetë e shoqëri.
Vdekja e parakohshme e Feritit trishtoi bashkëshorten, fëmijët, shokët e miqtë e shumtë të tij. Për ta përcjellë në banesën e fundit kishte dalë e gjithë Bulqiza. Për sa jetoi, Feriti bëri emër, shtëpia e tij ishte bazë e vëllezërve, nipave e mbesave, e miqve të konakut, duke u lënë fëmijëve emrin e mirë, që akoma kujtohet nga punëtorë, fshatarë, miq  e kolegë. Ai qe një demokrat, i pastër, asnjëherë nuk ishte për dënime në masat që merreshin në mbledhjet e forumeve. Po kështu dhe në luftën e klasave kishte parimin e bindjes, e fjalës së ëmbël, nuk qe kurrë ekstremist.
Për rezultatet shumë të mira te arritura në të gjitha ndërmarrjet e Bulqizës ku ai punoi është dekoruar me urdhëra dhe medalje të ndryshme deri në urdhërin Naim Frashëri të klasit të parë.
Pas vdekjes së Feritit, Nadirja  mbështeti fëmijët për  t’u shkolluar. Ata  u martuan e krijuan familje, duke ia rritur emrin Ferit Allës, kudo që janë shfaqin  kulturë e respekt ndaj njerëzve. Nadirja, edhe sot që është në moshë të thyer, kujton me nostalgji  jetën bashkëshortore, ku e shoqëronte në çdo event  shoqëror, deri dhe në ditëlindje të të afërmëve. Po kështu e kujtojnë dhe njerëzit që e kanë njohur dhe punuar me të si një organizator shumë i zoti, punëtor, fjalëpak,  me një ndershmëri shembullore. Ferit Alla është ndër drejtuesit e rrallë që kujtohet me respekt nga bashkëkohësit dhe emri, puna e kujtimi i tij do të rrojnë në vite.

S'KA KOMENTE