Shumica e kishave të Gollobordës kanë qënë të pagëzuara me emrat e shenjtorëve më të dëgjuar

Pavli Nikolla
Afrimi i 6 Majit më nxiti të shkruaj për kishën e Shën Gjergjit në Vërnicë të Gollobordës, por jo vetëm për këtë, sepse kisha e pagëzuar me emrin e këtij shenjtori ka pasur fshatra të tjerë të kësaj krahine, por sot nuk ekzistojnë. Kisha Orthodokse si në të gjithë Shqipërinë ashtu edhe në zonën e Gollobordës ka  pësuar dy drama historike, atë të osmanllinjve dhe të sistemit komunist. Shkrimtari Sali Leka nga Selba e Tiranës, në artikullin e tij në gazetën Sot të datës  13 nëntor 2012, shkruan “Pas vitit 1502 kombi shqiptar pësoi një atak historik nga perandoria e errësirës”. Pas këtij pushtimi u shkatërruan shumë kisha të vjetra e të bukura. Gjatë kësaj periudhe vetëm në Sebisht Gollobordë janë shkatërruar 5 kisha që sot njihen emrtimet e vendve ku kanë qënë kishat.  Por jo vetëm në Sebisht, të njëjtën fat kanë pësuar edhe kishat e fshatrave të tjerë si në Steblevë, Ostren i Madh, Trebisht, Tuçep etj. Së bashku me to edhe shumë banorë morën arratinë nëpër vende të tjera të Balkanit e më gjerë. “Atakun” tjetër historik kisha orthodokse e Gollobordës e pësoi gjatë sistemit që lamë pas. Por kësaj  here jo vetëm kultet orthodokse pësuan “atak”, por edhe ato muslimane. Në emër të luftës kundër besimeve fetare, u grabitën  dhe u shkatërruan edhe ato kulte që kishin mbetur nga shkatërrimi i perandorisë osmane. Të njëjtën fat pësoi edhe kisha e Shën Gjergjit në Vërnicë. Ajo është ndërtuar në vitin 1823 nga ndërtuesit vërnicas, ndërsa ikonostasi është pikturuar nga ikonografi i njohur Diço Zograf nga fshati Tresonçe Lazaropole Maqedoni. Kjo është vërtetuar dhe nga theologu Thofran Popa, i cili në librin e tij “Mbishkrime në Kishën Orthodokse Shqiptare” shkruan: ( Mbishkrimi është në maqedonishten e vjter) “Me dorën e Diço Zografit nga fshati Tresonçe Lazaropole Maqedoni”.
Ky mbishkrim, vazhdon ai është gjetur në ikonën e Shën Marisë në kishën e Shën gjergjit në Vërnicë të Gollobordës. Ndërsa  Kristofor Beduli në librin e tij  Orthodoksët e Gollobordës shkruan: “Në Vërnicë egiston një kishë e madhe dhe në një vënd të bukur panoramik.  Dikur kisha ka qënë brenda e pikturuar e gjitha me afreske, si dhe e paisur me një ikonostas të skalitur e kompletuar me objekte argjendi e floriri të zbukuruar plot me art. Mbahen mend  dy potire shumë të veçanta”. Po, kështu ka qënë kisha e Shën Gjergjit në Vërnicë deri  në vitin 1967. Pas  këtij viti në emër të luftës kundër besimeve fetare, të gjitha  ato pajisje që përmendëm më lart por edhe orendi të tjera që kisha  dispononte dhe i  jepte në ndihmë fshatarve, u vodhën, u grabitën e u shkatërruan. Sot kjo kishë nga më të bukurat  në zonë ekziston vetëm si godinë. Në vitin 1967 ajo u kthye në magazinë të kooperativës, ndërsa iknat, u tha atëherë se do dërgoheshin në muze, por nuk dihet ku kanë përfunduar. Por nga një anë “mirë” që u kthye në magazinë, se ndryshe do të ishte shkatërruar fare, siç u shkatërrua kisha e Shën Nikollës në Ostren të Vogël, si dhe ajo e Shën Joanit në Pasinkë. Duke përkujtuar 190 vjetorin e kishës së Shën Gjergjit në Vërnicë, duhet thënë se shumica e kishave të Gollobordës kanë qënë të pagëzuara me emrat e shenjtorëve më të dëgjuar, si : “Shën Maria”, “Shën Nikolla” e “Shën Gjergji”. Por meqë po flasim për  festën e Shën Gjergjit, emrin e të cilit mban kisha e Vërnicës, më duhet të them dy fjalë se si festohej në Vërnicë të Gollobordës. Kështu vinin edhe të besimeve të tjera veç orthodokësve, nga të gjithë fshatrat fqinjë si nga Pasinka, Ostreni i Vogël, Xhepishti Maqedoni etj, për të festuar së bashku. Atë ditë bëheshin bukë të veçanta, të zbukuruara e që i bekonte prifti. Megjithatë Shën Gjergji festohej edhe në fshatra të tjerë, prifti i zonës në çdo 6 Maj vinte në Vërnicë. Shën Gjergji njihet si shenjtor bamirës, si luftëtar i mbretërve e mbrojtësi i të vobektëve e mjek i të sëmurëve. Prandaj kjo ditë festohet më masivisht e nga shumë besimtarë. Ikona e shenjtorit i paraqet më së miri këto virtyte. Historia 190 – vjeçare e kishës së Vërnicës në të vërtetë është histori e vetë fshatit. Vërnica si fshat pak i veçantë  i zonës së Gollobordës, ka një histori që të bën të ndihesh krenar.
Vërnica është i vetmi fshat që i rezistoi  islamizimit dhe banorët nuk i lanë vatrat e tyre për të ikur në dhe të huaj, por i mbrojtën ato. Largimi i tyre nga fshati ndodhi më vonë, në kohën e mbrapshtë të kolektivizimit e pas vitit 1990. Tani kisha e Shën Gjergjit qëndron monument mbi shkëmbimin ku është nërtuar, për të treguar se dikur atje kanë jetuar mbi 50 familje, me mbi 300 banorë. Ajo qëndron atje edhe si dëshmi e festimeve që bëheshin në çdo 6 Maj, ku nuk mungonin daullet e cyrlet e Trebishtit, Gollobordë. Por në Vërnicë ka pasur edhe një kishë tjetër të pagëzuar me emrin e shënjtorit Shën Joan Pagëzori.
Edhe për këtë kishë theologu Theofran Popa  shkruan se mbishkrimi është në gjuhën e vjetër maqedonase përkthimi është:  “ Me lutjen dhe shpenzimet e Vangjel Andreut  18 mars  1846”. Ky mbishkrim, shkruan ai, është gjetur në ikonën e Shën Jon Pagëzorit, në Vërnicë të Gollobordës. Kjo ka pasur fatin e kishave të  tjera të zonës që u shkatërruan   nga Perandoria Osmane. Zona e lashtë e Gollobordës me shumë kisha të lashta e me popullsi orthodoske u rrënua nga otomanizmi e shumë fshatra u zhdukën, siç është fshati Zaborrje, për të mos folur pastaj për kishat dhe fshatrat e fushës së Dibrës së Poshtme.“ Toleranca fetare, shkruan Sali Leka në artikullin e tij në gazetën Sot, sigurisht, që është njëra anë e medaljes dhe duhet përshëndetur, pasi për këtë na çmon dhe bota moderne,  Evropa e Amerika.
Por historia nuk mund të zhbëhet dhe aq më keq të dredhet në kanale të pa vërteta”. Në këtë përvjetor të Kishës së Shën Gjergjit, vërnicasit përkujtojnë edhe historinë e tyre. Ata me nostaligji kujtojnë festimet e 6 Majit, ditën kur Vërnica dyfishohej nga miqtë e shumtë të fshatrave fqinjë dhe jo vetëm orthodhoksë, por edhe miq muslimanë nga Trebishti, Gollobordë.

S'KA KOMENTE