Aty ku ka të rinj aktiv, ka gjithmonë një dritë në fund të tunelit

147

Pavarësisht vijueshmërisë që mund të ketë një sistem politik, një elitë e caktuar politike apo një qeveri, tek e fundit të gjitha shpresat shkojnë e përplasen tek brezi i ardhshëm, tek të rinjtë. Ajo që është lehtësisht e evidentueshme në realitetin tonë shqiptar kur flasim për një shtyllë kaq të rëndësishme siç është rinia, ka të bëjë me faktin e demoralizimit, ose thënë ndryshe me pesimizmin që ka përfshirë të rinjtë.
Sot shohim gjithnjë e më shumë, të rinj që diplomohen në Universitete, por nga ana tjetër “qahen” se nuk mund të gjejnë punë askund, të paktën në degën dhe profilin për të cilën ata kanë mbaruar. Mënyra alternative e zgjidhjes së problemit shpeshhere është parë, duke u punësuar në sektorë dhe pozicione që nuk kanë asnjë lidhje me profesionin e tyre dhe që nuk kërkojnë pothuajse asnjë lloj formimi profesional.
Përtej kësaj pjese, analizën time unë dua që ta bazoj tek vullnetarizmi, iniciativat dhe organizmet rinore për të mirën e përgjithshme.
Ndaj në këtë kuadër, unë mendoj që realisht në Shqipëri në përgjithësi, dhe në Bulqizë në veçanti, ka një mungesë të theksuar të organizimeve me bazë vullnetare që do t’i vinin në ndihmë komunitetit, kryesisht të rinjve në drejtime të tilla si: Këshillim karriere, trajnime profesionale, informacion mbi tregun e punës, promovim të kapaciteteve rinore, fushata sensibilizuese me karakter humanitar, unifikim të kauzave komunitare apo projekte të tjera me fokus edukativ.
Në fakt kjo është një punë që duhet ta kishte bërë dhe ta bëjë aparati shtetëror dhe organet e tij, por për njëmijë e një arsye sot jemi në këtë stad ku në shumë fusha që shteti ka qëndruar indiferent, kërkohet që këto fusha të mbulohen me nxitjen dhe pjesëmarrjen e të rinjve si një motor i fuqishëm ndryshimi nëse orientohet dhe punon në drejtimin e duhur.
Pjesa më e madhe e të rinjve sot, qoftë në aspektin kombëtar, por edhe në atë lokal në Bulqizë, e kanë parë dhe fillojnë ta shohin pjesëmarrjen nëpër parti politike dhe në forume, si zgjidhjen e problemeve të tyre apo si një mundësi punësimi në administratë, për ato të rinj që kanë mbaruar studimet e larta.
Për mendimin tim ky është një problem që realisht ka në kosto shumë të madhe, që bie mbi perspektivën dhe kreativitetin e të rinjve, pasi ato përditë e më pak po orientohen drejt organizimeve vullnetare që nuk kanë lidhje me subjektet partiake dhe me propagandën plitike. Kjo ndodh për shumë arsye, por si më kryesore unë mendoj faktin e mungesës së informimit nga të rinjtë duke mos ditur fuqinë e organizimit, dhe nga ana tjetër mungesën e  besimit në vetvete se mund të bëjnë diçka ndryshe.
Ne jemi koshient për pasuritë e pallogaritshme që mbart Bulqiza, ndaj kjo është një arsye më tepër për të stimuluar organizimet rinore, pasi në këtë mënyrë shtohet vetvetiu edhe shkalla e kërkesës së llogarisë mbi shfrytëzimin e aseteve, duke ia adresuar problemet dhe raportet organeve kompetente. Por përtej sektorit minerar, ne e dimë shumë mirë që Bulqiza dhe rrethinat e saj karakterizohen po ashtu edhe nga pasuri të tjera që natyra i ka falur asaj, e kam fjalën këtu për turizmin malor, bujqësinë,kontekstin historik si dhe pasuritë humane.
Në këtë aspekt mund të bëhet një punë e madhe në drejtim të promovimit të këtyre fushave ose sektorëve. Të marrësh përsipër përgjegjësinë e krijimit dhe vënies praktikisht në funksion të një organizimi rinor me bazë vullnetare, realisht që kërkon vizion së pari, dëshirën e mirë për të bërë gjëra ndryshe, dhe së fundmi një grup personash shumë solid dhe të vendosur në objektivat që i kanë vetes. Këto cilësi nuk janë domosdoshmërisht të nevojshme për të organizuar një grup të caktuar interesi, por ama mbeten pika kyçe që ky grupim, kjo iniciativë dhe kjo organizatë të rezultojë sa më efiçente dhe të kryejë me efikasitet misonin dhe rolin për të cilin është ideuar. Kur flasim për mënyra të tilla organizimi nuk duhet të kihen parasysh taksativisht, vetëm subjektet joqeveritare, entitete të së drejtës, por edhe një grupim i caktuar personash që del në mbrojtje të një kauze, siç mund të jetë ajo e mbrojtjes së pasurisë minerare.
Në Bulqizë, për hir të së vërtetës kanë munguar iniciativat rinore dhe kjo ka ndikuar derivatisht edhe në uljen e besimit ose indiferencës së të rinjve në besimin e kauzave të drejta dhe organizimeve, ndaj dhe unë u mundova që ta cek këtë temë, duke dashur që të vë ne dukje sadopak anën pozitive të organizimeve dhe rëndësisë që ato marrin në një shtet demokratik ku e drejta e organizmit për një kauzë të caktuar publike sigurohet nga konventat ndërkombëtare, nga Kushtetuta dhe nga legjislacioni i brendshëm.
Fakti i ekzistencës së një numri kaq të madh organizatash, lëvizjesh, këshillash e subjektesh tjera të së drejtës në Europë e gjetkë, tregon më së miri për rëndësinë dhe fuqinë që posedojnë në vetvete organizmet me bazë vullnetare.
Pikërisht për këto arsye e shumë të tjera si këto, që ne e kemi të pamundur t’i rendisim në mënyrë shterruese ajo që mund të themi në përfundim të këtij shkrimi është se, të rinjtë janë “busulla” dhe shpirti i një kombi apo komuniteti, ndaj duke pasur një rini të organizuar do të kemi padyshim edhe një perspektivë e të ardhme sa më premtuese dhe të ndritur, sepse të rinjtë janë zemra dhe shpresa për ta bërë këtë vend.

S'KA KOMENTE