MBAJE DOREN O NJERI !

165

E shoh që po bëhesh gati ta ngresh dorën për ta votuar të ashtuquajturën “Reformë në drejtësi”.  E shoh se si të është bërë fytyra. Dyllë e verdhë. I ndërron ngjyrat më shpejt se sa semafori. Ta shoh dorën që dridhet e tenton të ngrihet, pastaj përnjëherë bie përsëri mbi gjunjë, sikur ta kishin prerë me shpatë. Ke të drejtë. Nuk është aspak e thjeshtë. Po e ngrite, e hëngre. Dhe ti e di. Nuk mund t’ia bësh vetes ketë. As shokëve e shoqeve që ke pranë. Jeni të gjithë njëlloj paçka se fjalët i keni të ndryshme.
I thonë reformë dhe këtë herë më duket si “e treta e vërteta”. Ndaj, mendohu njëherë. Edhe njëherë. Edhe shumë herë. Gjej pretekste nga më absurdët. Nuk të shan njeri. Shtyje sa të mundësh. Sa kohë që nuk ta kanë prerë dorën, e ke ende shpresën se mund ta ngresh. Por, edhe po s’e ngrite, s’u bë kiameti.  Dëgjo mua. Shtyje edhe ca. Nuk i dihet.  Kohë ka sa të duash. Sapo kemi hyrë në pranverë…
Pastaj do të vijë vera. Trurin do ta kemi të nxehur. E kur ai nxehet, mendimet digjen, shkrumbohen, bëhen hi letrat-porosi, letrat-ftesa, ftesat-letra, sugjerimet, këshillimet, dakordësimet, të gjitha. Kemi nevojë për pushime. Edhe truri duhet të pushojë. Edhe miqtë tanë ndërkombëtarë duhet të pushojnë, edhe ambasadorët, edhe të dërguarit, edhe telefonuesit, edhe letërshkruesit, edhe shantazhuesit, të gjithë. Vapa i djeg të gjitha, edhe reformën. Pra përsëri nuk e votojmë.
Gjithsesi shanset mbeten që ajo më në fund të votohet. Dhe merita do t’i takojë vjeshtës. Temperaturat bien ca. Pra edhe temperatura e trurit, i cili pas pushimeve ndjehet më i freskët. Të gjitha gjasat janë që diskutimet të rinisin, aktorët të ftohen përsëri në skenë. E njëjta skenë, të njëjtët regjizorë, të njëjtët aktorë. Ndryshimi? Të gjithë janë më të zeshkët, më dembelë, më pak të predispozuar për të rifilluar punën. Dhe koha shtyhet, shtyhen mbledhjet, shtohen kushtëzimet, pretendimet, arsyetimet, gjykimet… Koha nuk pret. Në nëntor kemi të tjera punë për të bërë. Kemi të tjera halle për të zgjidhur. Duhet me doemos ta saktësojmë dreqi e mori, se kur iku gjermani i fundit, më 28 apo 29? Duke u ngrysur 28-a apo duke u gdhirë 29-a. Jemi bërë gazi i botës edhe në këtë pikë, – do të thoshte dikush. Gabim e ka. Fakti që të gjithë popujt e mbajnë mend se kur janë çliruar, nuk nënkupton doemos se edhe populli ynë duhet ta mbajë mend datën e tij të çlirimit. Ne jemi popull i veçantë, unik, si gjuha që flasim, si shqiponja me dy krerë. Dhe koha mërzitet me ne. Fillon të vrenjtet, të var turinjtë, të ftohet, të ngryset, të acarohet. Dhe e zemëruar nis të na dërgojë erë, shi, furtunë, borë, akull. Gjithçka ngrin. Ngrijnë mendimet, propozimet, sugjerimet, zgjidhjet.
Njerëzit ndalojnë dhe reflektojnë. Dhe kanë të drejtë. Nuk mund të merren vendime të mira kur të kanë ngrirë truri, shpirti, të gjitha. Atëherë, le ta lemë vendimin për në pranverë. Kur lulet çelin, kur pemët lëngëzojnë, kur jeta ia nis nga e para. Ia nisim edhe ne nga e para me reformën. E rëndësishme është që ta bëjmë mirë. Vitet nuk kanë shumë rëndësi. I rëndësishëm është akti. Njerëzit duhet ta mbajnë mend. Nuk u bë se the ti, se deshe ti. U bë se thashë unë, se desha unë. Dhe populli duhet ta mbajë mend, ta marrë në konsideratë. Kur të vijnë zgjedhjet ai duhet ta thotë bindshëm fjalën e tij për ne që e bëmë reformën në drejtësi. Natyrisht nëse do arrijmë ta bëjmë ndonjëherë pa marrë parasysh çekanin që godet mbi tavolinën e gjykatësit në momentin kur merret vendimi i tmerrshëm, derën e hapur të burgut, vështrimin e rreptë të gardianit, përqeshjen e popullit sovran që i mban sytë nga pranvera.

S'KA KOMENTE