MSG Promotion dhe Bulqiza Tv së shpejti sjellin një grup programesh
MSG Promotion në bashkëpunim me Tv Bulqiza do të sjellin një grup programesh të cilat do të kenë në fokus promovimin e turizmit dhe kulturës së kësaj zone. Projekti i cili nis zbatimin në fillim të Qershorit 2016, fillon me emisionin “Me zemrën e besimit” i cili do të transmetohet nga data 05 qershor deri më 05 korrik, gjatë Muajit të Madhërishëm të Ramazanit.
Emisioni “Me zemrën e besimit” do të jetë me karakter fetar, ku me përfaqësues fetar dhe besimtarë, do të trajtohen tema me karakter informues dhe edukativ. Kjo do të kthehet edhe në një mundësi të mirë për promovimin e objekteve fetare, të cilat kësaj zone nuk i mungojnë. Emisioni do të transmetohet dy herë në javë, nën moderimin e studentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, Sami Curri.
Në fillim të muajit Korrik, fillojnë regjistrimet edhe për tre emisione të tjera, të cilat do të jenë:
“Bulqiza Tour”
Do të fokusohet mbi aspektin turistik të qytetit për të shfrytëzuar të gjitha potencialet natyrore. Programi i ndërtuar në formën e një reportazhi televiziv gjatë të cilit do të prezantohen atraksionet dhe pikat më të rëndësishme turistike. Gjithashtu, pjesë e këtij formati do të jetë edhe fokusi “24 orësh” se çfarë mund të bëjë një turist që zgjedh të vizitojë Bulqizën. Në formatin e një guide mund të xhirohet me grupe turistësh për të parë nga afër se çfarë realisht kërkojnë nga vendi dhe çfarë i ofrohet nga ana kulturore, natyrore etj. Mbi të gjitha, fokusi do të jetë tek elementi human i trajtimit të reportazhit. Përveç aseteve natyrore, nuk mund të lihet pa u përmendur dhe gastronomia, kuzhina tradicionale dhe ushqimet BIO. Kjo pjesë mund të jetë një kënd i veçantë në reportazh duke vizituar një shtëpi tipike të Bulqizës, ku mund të gatuhen dhe prezantohen ushqimet karakteristike për këtë zonë.
“Kulturë Spot”
Vëmendja këtu do të jetë maksimale ndaj traditave, historisë dhe zhvillimit artistik të qytetit. Formati do të bazohet në intervista apo cikle reportazhesh që prezantojnë vlerat artistike. Prezantimi mbi vlerat kulturore, mund të prezantohet nga familjet e vjetra vendase, si edhe të parashtrohet një retrospektivë historike dhe krahasuese, se si ato kanë ndryshuar me kohën ndër breza.
“Studio Fokus”
Emisioni “Studio Fokus”, me në qendër, trajtesën e temave të ndryshme; sociale, kulturë, sport, problematikë, arsim etj. Ky emision nuk do trajtoj vetëm tema të cilat kanë të bëjnë me Bulqizën, por edhe me karakter kombëtar, ku me të ftuar, materiale video do të preken tema nga më të ndryshme.
Megi Fagu, pjesë e MSG Promotion, e cila e viziton për herë të parë këtë zonë shprehet: “Mund të jem ndër ata persona që kanë shumë pak informacion për Bulqizën dhe veriun e Shqipërisë në përgjithësi. Dhe përtej eksperiencës profesionale, pranova të jem pjesë e këtij projekti me dëshirën e mirë për të prezantuar ato vlera që pak njerëz dinë për qytetin e Bulqizës. Përmes këtyre programeve, do të ofrohet një panoramë e asaj pjese që shkon përtej galerive dhe minierës së Kromit. Nuk është vetëm ky informacioni që duhet t’i  paraqitet publikut. Por shtrrirja e gjerë drejt  kulinarisë, traditave, besimit dhe mbi të gjitha natyrës krejt të virgjër, janë ndër aspektet kryesore të fokusit për t’u paraqitur. Mbetem me shpresën e mirë që paralelisht me dëshirën personale të shkojë edhe realizimi profesional i këtij projekti”.
Nuk do të mbetet me kaq ky projekt, por do përfshijë edhe pjesën e ëeb-t. Tvbulqiza.al, ëeb site i këtij televizioni do të kthehet në dritare informuese për banorët e Bulqizës, me lajmet më të fundit që ndodhin në këtë zonë, por edhe kombëtare, sipas linjës së të shkruarit për ëeb. Duke u kthyer kështu në një portal që ecën me lajmin dhe zhvillimet më të fundit teknologjike, por edhe një promovuese e vlerave dhe turizmit të kësaj zone.
Geri Emiri, pjesë e MSG Promotion, i cili, gjithashtu viziton për herë të parë këtë zonë shprehet: “Ashtu siç ka ndodhur për dekada me radhë, edhe sot Bulqiza vazhdon të sjell krom në Durrës, për ta dërguar përtej Adriatikut. Ka ardhur koha që ne durrsakët t’ia kthejmë nderin, duke shkuar në Bulqizë për të parë më shumë se galeritë e minierave. Vlerat që bart shpirti dhe tradita e çdo familje në Bulqizë,  të cilat ndër vite bulqizakët i kanë manifestuar në fusha të ndryshme dhe në dobi të komunitetit. Jam shpresëplotë se së bashku me këta njerëz bujarë, do arrijmë të promovojmë bukuritë natyrore dhe traditat e zonës së Bulqizës”.
Një projekt i tillë vjen për herë të parë në Bulqizë, ku një mbështetje shumë e fuqishme për realizimin e tij është Presidenti i kompanisë “Isaku Sh.P.K”, Z. Edmond Isaku, i cili shprehu mbështetjen e tij për këtë projekt që në fillim. Ky grup programesh vjen edhe me një investim tjetër që ky televizion ka ndërmarrë; investimin në teknologji dhe lançimin në fund të muajit Maj të studiove të reja, me parametrat më moderne dhe të standardeve të njëjta me ato televizioneve më të rëndësishme kombëtare.

S'KA KOMENTE