Një vit nga dalja e numrit të parë – gazeta “BULQIZA” zë i spikatur në tregun mediatik shqiptar

U mbush  një vit që botojmë gazetën “Bulqiza”, një pasqyrë e gjallë e të sotmes dhe e të kaluarës së Bulqizës, si një rreth i njohur për vlerat e saj ekonomike, kulturore, historike dhe fetare.  Gazeta u hap sërish vitin e kaluar (Nr. i parë doli në Maj 1992), me nismën e një grupi intelektualësh të Bulqizës që morën përsipër të pasqyrojnë jetën e qytetit minator dhe të fshatrave të rrethit Bulqizë duke promovuar  atë çka vjen si vlerë nga e kaluara dhe i flet të sotmes me një pasqyrim real të problematikave të shumta që ka sot  komuniteti i këtij rrethi. Njëkohësisht ky rajon përbën një pasuri të paçmuar kombëtare në traditën e nxjerrjes dhe përpunimit të kromit duke i dhënë ekonomisë shqiptare të ardhura të fuqishme në industrinë minerare. Ky kantier gjigand ndërtimi i cili nuk pushon së punuari në tre turnet e kohës kërkon një pasqyrim që të na japë tabllo të plotë të mundit, djersës, sakrificës së punëtorëve dhe nga ana tjetër jeta e tyre shpirtërore, morale dhe estetike që shpërfaqet në gazetën mujore “Bulqiza”, si një organ kulturor-hisorik që po rritet dhe lexohet me interes, jo vetëm nga banorë të këtij rrethi por edhe nga mjaft dashamirës në kryeqytet që kanë lindur, punuar, apo kontribuar në ato zona.
Në një nga shtyllat e gazetës ka gjetur pasqyrim e kaluara e Bulqizës, me shembuj të spikatur të personaliteteve të shquar bulqizakë që kanë dhënë kontribute të vyera në fusha të ndryshme të veprimtarisë shoqërore, ekonomike kulturore dhe fetare.

EDMOND ISAKU – FAKTOR NË KOMUNIKIMIN PUBLIK DHE EMANCIPIMIN E PËRGJITHSHËM KULTUROR

Gazeta Bulqiza, natyrisht nuk do të kishte mundësi të botohej pa e marrë dikush përsipër për ta mbështetur atë financiarisht. Ky është Edmond Isaku, administrator i TV Bulqiza dhe i Kompanisë “Isaku Shpk” që merret me nxjerrjen e minerali të kromit.  Edmondi duke qenë edhe kryetar i Shoqatës të Rrjetit të Televizioneve Lokalë ka fituar një përvojë të shkëlqyer mbi mediat elektronike dhe të shkruar duke u bërë faktor në komunikimin publik dhe emancipimin e përgjithshëm kulturor. Përvoja e gjatë si këshilltarë bashkiak i ka dhënë mundësi Mondit që të njohë në detaje problematikën ekonomiko-shoqërore të Bulqizës. Ndaj i nxitur nga këto stimuj mjedisorë rreth 18 vjet më parë ngriti televizionin lokal i cili tani është fuqizuar në përhapje valore dhe në cilësi programore transmetimi. Po ashtu në rindërtim të ideve të reja dhe të vizionit për të ardhmen. Tani mbushi vitin dhe gazeta Bulqiza, e drejtuar po nga Edmondi. Si drejtor i gazetës “Bulqiza”, Edmondi ka instruktuar një qëndrim të moderuar dhe ligjor ku përmes fakteve dhe opinioneve iluminohet e kaluara, pasqyrohet me realizëm konteksti aktual dhe vizualizohet e nesërmja.
Rubrikat e ekonomisë janë trajtuar me mjaft kompetencë nga inxhinierë dhe ekonomistë të shquar të Bulqizës si dhe nga intelektualë që fituan përvojë në minierat dhe ndërmarrjet e tjera të këtij rrethi.  Kjo zonë e begatë dhe e pashtershme mineralmbajtëse ka njerëzit e saj punëtorë, me një shpirt heroik dhe të guximshëm që nxjerrin nga thellësitë e nëntokës në 1 km, kromin e metaltë që do të eksportohet në vende të zhvilluara perëndimore.
Gazeta ka në fokus në mënyrë të veçantë, demokratizimin e marrëdhënieve në proceset e punës, të prodhimit dhe të teknologjisë.  Novatorizmi, krijimi i kushteve të punës, respektimi i të drejtave të punëtorëve, përmirësimi i cilësisë së jetës në qytetin minator, duke rritur të ardhurat financiare për familjet e punëtorëve të minierave bëhen shpesh objekt trajtimi në këtë gazetë.
Në rubrikat sociale është trajtuar gjërësisht mjedisi social me arritjet dhe mungesat që vërehen nga qeverisja vendore dhe duke ofruar  alternativat që ndihmojnë gjallërimin e jetës sociale në këtë qytet, me një klimë relativisht të ashpër.
Në faqet historike mjaft specialistë kanë shkruar me pasion për vlerat historike të qytetit e të rrethit dhe duke pasqyruar me shkrime cilësore  figura të shquara në  fusha specifike,  duke i bërë të njohur dhe afruar lexuesve madhështinë që sjell përkushtimi i tyre intelektual mjaft i suksesshëm, breda dhe jashtë Shqipërisë.
Në fushën kulturore janë dhënë me profesionalizën arritjet kulturore të Bulqizës gjatë të kaluarës dhe tani aktualisht, në kulturën letrare, gjuhësore, muzikore, sportive në promovimin e turizmit kulturor, në alternativat që zhvillojnë më tej atë siç është ndërtimi i Rrugës së Arbërit, e cila do të ishte një faktor i rëndësishëm integrimi kulturor, ekonomik dhe social i Bulqizës me Tiranën dhe kulturën kombëtare shqiptare.
Gazeta Bulqiza lexohet me interes edhe nga banorë të kryeqytetit, dhe pse jo, në faqen e saj në internet, edhe nga emigrantë nga Bulqiza në botë e diaspora shqiptare, të cilët në një farë mënyre ruajnë lidhje të mira shpirtërore me Bulqizën. Ata edhe pse të larguar ende e ndjejnë veten pjësëtarë aktiv të atij komuniteti për të cilin kanë nostalgji për jetën dhe rininë e tyre të skalitur në Bulqizë me kontribute që nuk harrohen dhe vetëm gazeta ka fuqinë që t’i risjellë në memorien kolektive.

TRIBUNË E MENDIMIT TË LIRË

Bordi i gazetës, i cili punon vullnetarisht bën një punë fisnike dhe humanitare në emancipimin e gjithanshëm të banorëve të Bulqizës, përmes kësaj tribune të mendimit të lirë. Me këtë rast redaksia falenderon të gjithë bashkëpunuesit dhe bën thirrje që ta zgjerojmë diapazonin e gazetës me zgjerimin e gamës së problematikës dhe tematikës si dhe rrethin e bashkëpunëtorëve të saj.
Në faqet e gazetës të gjejë veten brezi i ri, i cili me njohuri dhe koncepte moderne mbi botën dhe shoqërinë, të bëhen një shtysë në zhvillimin dhe rritjen cilësore të këtij organi.
Së shpejti TV Bulqiza dhe gazeta do të kenë zyra moderne në një kompleks shërbimesh, ndërtuar në qendër të qytetit të Bulqizës, si godinë pesëkatëshe mjaft cilësore, moderne për nga arkitektura dhe luksoze nga arredimi i brendshëm. Ky investim ekonomik dhe socio-kulturor e bëjnë personalitetin e Edmond Isakut një figurë me simpati të veçantë publike. Ai ndjehet i lumtur që ka mundësi të punësojë dhe të ndihmojë sado pak bashkëqytetarët e tij. Tashmë Bulqiza ka organin e saj të shtypit dhe padyshim ky është një privilegj.
Suksese!  

S'KA KOMENTE