Nishani: Mos e shisni votën

Presidenti u bën apel shqiptarëve ta përdorin votën për një të ardhme më të mirë

112

Gazeta Shekulli  26 Maj 2015, 09:10

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në prag të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit, ka dhënë mesazhin e tij të parë. Duke folur për rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, Kreu i Shtetit u kërkon shqiptarëve të mos bëjnë pazar me votën, pasi ajo është diçka e shenjtë. Sipas Nishanit, vota përbën një akt sublim për gjithsecilin dhe duhet të shihet si një shprehje e vullnetit të lirë të demokracisë. “Ka nisur tashmë fushata zgjedhore për të votuar drejtuesit vendorë. Votimi përbën një akt sublim, nga aktet më të rëndësishme njerëzore të shprehjes së vullnetit të lirë në një vend demokratik, kur qytetarët shprehin preferencat për ata prej të cilëve do të qeverisen në katër vitet e ardhshme me bindje dhe shpresë se të zgjedhurit prej tyre do mbajnë premtimet dhe do ta bëjnë punën siç duhet. Ju ftoj me këtë rast, që këtij momenti sa të rëndësishëm aq edhe delikat, t’i japim rëndësinë që meriton!”, u shpreh Nishani.

Vota instrument i fuqishëm

Më tej, gjatë fjalës së tij drejtuar shqiptarëve, Nishani thekson se vota është instrumenti më i fuqishëm i njeriut në një shoqëri demokratike, ndaj ai u bën thirrje të gjithë shqiptarëve që më 21 qershor t’i japin rëndësinë e duhur votës, me qëllim që të marrin fatin në dorën e tyre. “Vota është mjeti më i efektshëm, instrumenti më i fuqishëm në dorën e qytetarëve për ndreqjen e gabimeve, shërimin e plagëve, sigurimin e paqes sociale si dhe përmirësimin e gjithçkaje tjetër që ka të bëjë me të tashmen dhe të ardhmen e individit dhe të vendit në përgjithësi. Vota, votimi, u kujton njerëzve se nuk janë shumë të ndryshëm, nuk janë shumë larg nga njëri-tjetri, se fatet e individëve janë të ndërlidhura, se me vullnet pozitiv të përbashkët mund të ndreqen shumë gjëra, mund të përmirësohet jeta, përditshmëria, si dhe mund të gjallërohet dhe shtohet shpresa. Duke votuar në mënyrë të gabuar, ose duke mos votuar, jemi të pambrojtur, të pasigurt e të pa orientuar.

Vetëm duke i dhënë rëndësinë e duhur votës mund t’i merrni në dorë fatet tuaja”, u shpreh Nishani. Për kreun e shtetit, demokraci do të thotë të kesh dhe të respektosh një numër të drejtash themelore të individit në marrëdhënie me bashkësinë dhe një nga këto të drejta themelore është e drejta e votës. “E drejta e votës që e arritëm me aq mund e sakrifica është një liri e paçmuar. Lirinë e votës nuk mjafton vetëm ta keni. Duhet edhe të dini ta përdorni. Përdoreni mirë lirinë e të votuarit. Nëse lirinë e votës e përdorni si duhet, mund të jetoni të qetë në intervalin mes dy votimeve. Nëse e përdorni keq, shpërdorimin e asaj lirie do ta vuani me pasoja, madje edhe dramatike”, nënvizon Nishani.

Duke folur për rëndësinë e votës, Nishani kërkon që tashmë të hiqet dorë nga shitja e saj, pasi vetëm duke votuar drejtësisht krijohet edhe mundësia për t’i kërkuar llogari në të ardhmen të zgjedhurit vendor. “Respektojeni dhe votojeni kandidatin që t’ju respektojë ju dhe veten e tij, që brengoset, që sakrifikon, pse jo, edhe vuan, më tepër për ju se për veten. Mos e shisni votën! Vota nuk ka çmim. Shitja e votës është turpi dhe tmerri më i papërfytyrueshëm që na njollos të gjithëve njëlloj. Kandidati që jua blen votën, nuk ju respekton, vetëm ju gënjen, vetëm ju përbuz, vetëm ju urren. Fenomeni i shëmtuar dhe i padenjë i shitblerjes së votës ka ndodhur në disa nga zgjedhjet e kaluara. Është e mundur të ankoheni për atë që keni zgjedhur normalisht, por që nuk e ka përligjur atë besim të dhënë. Por të korrektoni sadopak dikë, të cilit votën ia keni shitur, është e pamundur. Vota nuk merret në këmbim të asnjë favori. Vota vetëm meritohet”, tha Nishani.

Tashmë jemi futur në fazën më kulmore të fushatës zgjedhore, kandidatët për 61 bashkitë e reja janë duke prezantuar platformat e tyre të qeverisjes. Ndërsa të huajt shpesh herë kanë ngritur zërin për një proces demokratik, i cili ka ndikim të drejtpërdrejtë tek integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Evropa dhe SHBA-të gjatë gjithë kohës kërkuan nga partitë politike për “filtrimin” e listave të kandidatëve me qëllim që të mos bëhet kandidimi i peronave me të shkuar kriminale.

Denonconi blerjen e votës

Kreu i shtetit Nishani, gjatë fjalës së tij në prag të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit, u bëri apel shqiptarëve të mos bien preh e procesit të shit-blerjes së votës, por ta denoncojnë këtë akt jodemokratik. “Denoncojini përpjekjet për blerjen e votës! Mos u bëni viktima të kësaj dukurie katastrofike, të këtij gabimi fatal, pasojat shkatërrimtare të të cilit vuhen gjatë. Mbarësia e zgjedhjeve përcakton gjithçka që ka të bëjë me fatet tuaja në marrëdhënie me shtetin. Mos lejoni, mos rrezikoni, që dita e zgjedhjeve të bëhet ditë pazari votash! Le të jetë dita e votimit siç i ka hije një vendi ku demokracia funksionon: një ditë feste”, nënvizoi Kreu i Shtetit. Nishani bën thirrje edhe për zgjedhjen e kandidatëve, me qëllim që vota të shkojë tek ata që dëshmojnë se e meritojnë të jenë në qeverisjen e njësive vendore. “Zgjidhni kandidatë me vizion, bindje, vendosmëri, energji, pasion, frymëzim, kandidatë që e kanë dëshmuar se votën tuaj e meritojnë. U uroj një fushatë të mbarë dhe korrekte të gjithë kandidatëve në garë dhe stafeve të tyre zgjedhore”, përfundoi Nishani.

S'KA KOMENTE