Subjektet minerare në Bulqizë, në krizë

Çmimi i kromit ka patur një rënie të thellë nga viti 2014 e deri më tani

418

“Aktualisht subjektet minerare po punojnë me një normë fitimi të ulët, gati në kufijtë e mbijetesës. Në kuadrin e krizës së përgjithshme të shoqërisë shqiptare, një problem i rrezikshëm i kanoset Bulqizës. Në qoftë se nuk mbështetet nga Qeveria duke hequr rentën 6 përqind dhe të ulet tatim-fitimi, subjektet detyrohen të shkurtojnë punëtorët. Shkurtimi i punëtorëve në kushtet e Bulqizës do të ishte një fatkeqësi për çdo person që largohet nga puna dhe familjen e tij, pasi nuk kanë burim tjetër punësimi për të  siguruar  bukën e gojës”

Bulqiza, ky rajon mineralmbajtës, trashëgon mjaft probleme të vjetra me natyrë, teknike, teknologjike dhe organizative. Aktualisht ka një qëndrueshmëri të situatës socioekonomike të Bulqizës, pas privatizimit dhe krijimit të një numri të konsiderueshëm  subjektesh private. Gjithsesi, çmimi i kromit ka patur një rënie të thellë nga viti 2014 e deri më tani. Cilësia 40 përqind e kromit  ka rënë në 110 dollarë në krahasim me vitin 2014, ku ka qenë 220 dollarë për ton.  Prej dy vitesh që po punohet me këtë çmim, drejtuesit e subjekteve, duke patur parasysh efektet sociale kanë ruajtur barazpeshën për të mos ulur pagën e punëtorëve dhe punonjësve të sektorit minerar. Për banorët që jetojnë në qytetin e Bulqizës dhe fshatrat rreth saj, puna në miniera është burimi kryesor dhe më i rëndësishëm që mban gjallë jetën e këtyre banorëve.  Në kuadrin e krizës së përgjithshme të shoqërisë shqiptare, një problem i rrezikshëm i kanoset Bulqizës. Në qoftë se nuk mbështetet nga Qeveria duke hequr rentën 6 përqind dhe të ulet tatim-fitimi, subjektet detyrohen të shkurtojnë punëtorët. Shkurtimi i punëtorëve në kushtet e Bulqizës do të ishte një fatkeqësi për çdo person që largohet nga puna dhe familjen e tij, pasi nuk kanë burim tjetër punësimi për të  siguruar  bukën e gojës.

KËRKËSAT E SUBJEKTEVE NË TAKIMIN ME MINISTRIN CANI

Përfaqësues të subjekteve minerare në Bulqizë, i kanë kërkuar ministrit të Financave Shkëlqim Cani, të rishikojnë masën e çmimit të referencës dhe të rentës minerare, pasi sipas tyre, çmimi i mineralit të kromit ka rënë ndjeshëm në treg, e për pasojë shpenzimet janë shumë më të mëdha se fitimet. Në takimin e organizuar në bashkinë Bulqizë, me kërkesën e kryebashkiakut, Melaim Damzi, përfaqësues të subjekteve minerare i parashtruan këto kërkesa ministrit Cani:
1.    Heqjen e rentës minerare prej 6 % (ose korrektim të saj);
2.    Uljen e tatim-fitimit nga 15 në 8 %;
3.    Heqjen e referencës;
4.    Heqjen e pagesës së lagështirës;
5.    Mospagesën e rentës për TVSH kur bëhet shitje e brendëshme;
6.    Uljen e shpenzimeve portuale.
“Këto ishin kërkesat kryesore që ne i shtruam ministrit dhe deputetit Cani, zgjidhja e të cilave është e domosdoshme në situatën aktuale të subjekteve minerare në Bulqizë”,- u shpreh Edmond Isaku, biznesmen kromi.
Në diskutimin e përbashkët, subjektet minerare që ushtrojnë aktivitetin e tyre ekonomik në Bulqizë, i ngritën këto shqetësime për t’i paraprirë kësaj traume sociale. “Kërkojmë nga Qeveria të analizohen këto kërkesa dhe  të ndërhyhet në kohë pa u krijuar shqetësimi social në Bulqizë. Këto kërkesa të subjekteve të rajonit mineralmbajtës të Rrethit Bulqizë, besojmë se janë legjitime për të ruajtur stabilitetin ekonomik, financiar dhe kohezionin social për banorët e këtij rrethi, si dhe për të mbrojtur subjektet  e prodhimit të kromit nga mbyllja dhe falimenti”,-shprehet z.Isaku.
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani tha se bashkë me ministrin e Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri kanë nisur takimet për të rishikuar detyrimet e industrisë së kromit, si dhe gjatë javës në vijim do të dalin me një vendim të përbashkët për ta lehtësuar sadopak këtë industri, në mënyrë që të mos ketë shkurtime të punëtorëve.

S'KA KOMENTE