Mjedisi dhe ekonomia e Bulqizës në fokusin e ndryshimeve klimatike

820

Klima e Bulqizës, për vetë pozicionin e veçantë gjeografik që ka, paraqitet e larmishme dhe studimi i saj ka rëndësi të veçantë jo vetëm teorike. Bulqiza bën pjesë në zonën klimatike mesdhetare paramalore, (nënzona mesdhetare paramalore veriore). Në këtë pjesë të trajtuar, jam përqendruar në evidentimin  e pasurive  klimatike dhe  përbërësit e tyre, evidentimin e dukurive negative të klimës dhe masat mbrojtëse ndaj pasojave të dëmshme, si dhe shfrytëzimin e pasurive klimatike në zhvillimin e ekonomisë dhe përmirësimin e kushteve jetësore të njeriut. Klima është e ftohtë jo vetëm nga lartësitë, por edhe si rrjedhojë e erërave që fryejnë në luginë. Nga lugina e Drinit të Zi depërton murlani që fryn nga Qafa e Buallit në drejtim të Matit.Në luginën e Bulqizës ka erë gjithë-vjetore, por në dimër ajo bëhet e acartë.Temperaturat mesatare vjetore arrijnë në 10 ºC (korriku 19 ºC, janari 0.6 ºC). Klima e  Bulqizës dallohet për dimrin e ashpër e të ftohtë  dhe verën e freskët. Ajo rrihet shpesh nga   erërat  e ftohta, por ndodh që ajri i ftohtë i zbritur nga malet të qëndrojë në luginë për ditë me rradhë, duke shkaktuar shpeshherë edhe përmbysje të temperaturës.

Reshjet në këtë luginë janë nën mesataren e Republikës.Mesatarja vjetore shumëvjeçare arrin 1187mm/ vit.Në vitin 2006, në Bulqizë kanë rënë 964 mm reshje.Stina më e lagësht është dimri (kryesisht dhjetori) dhe pas tij vjen edhe vjeshta.Muajt më të thatë janë korriku dhe gushti. Në dhjetor bien 122-126 m/m reshje, ndërsa në korrik bien 24-26 mm.
Siç shihet, fillon e rritet shpërpjestimi me shpërndarjen stinore të reshjeve, ç’kalidhet me ndikimin e erërave  perëndimore dhe jugore. Një pjesë e reshjeve bien në formën e dëborës.Ditët me reshje gjatë vitit zgjasin 120ditë, nga këto 38-40 ditë me dëborë, me një trashësi 0.5m-1m në pjesët e poshtme të luginës dhe në lartësinë e maleve deri në 2m.Shpesh gjatë dimrit, Qafa e Buallit bllokohet nga dëbora duke u bërë pengesë për transportin e mallrave dhe njerëzve.Këtë problem e zgjidh njëherë e mirë tuneli në Qafë të Buallit, tashmë i hapur si pjesë e rrugës së Arbërit. Thatësira zgjat deri në dy muaj, por mund të ketë edhe raste të tilla si ai vitit 2005 apo vitit 2006, ku thatësira zgjati edhe më shumë. Thatësirat natyrisht që shoqërohen  me pasoja, sidomos për bujqësinë, duke e bërë të domosdoshme vaditjen në fshatra. Në regjimin e klimës vërehen ndikime kontinentale të qarta, të cilat shprehen sidomos në regjimin e temperaturave (amplituda vjetore e tyre është  mjaft e madhe) dhe  të reshjeve  (vetëm 10% e sasisë  vjetore, bie gjatë stinës së verës).
Natyrisht që të gjithë këto faktorë, përfshirë këtu edhe veprimtarinë e njeriut, kanë patur dhe vazhdojnë të kenë një ndikim të fuqishëm mbi mjedisin dhe ekonominë e Bulqizës. Më poshtë do të trajtoj shkurtimisht rolin e ndryshimeve klimatike dhe të njeriut në mjedis dhe në bujqësi, si fushë kryesore ekonomike me të cilën merren pjesa dërrmuese e popullsisë.

1.    Roli i ndryshimeve klimatike në mjedis.
1.1. Erozioni si rrezik ambiental.
Si kudo në vendin tonë, edhe Bashkia Bulqizë përballet me probleme të shumta mjedisore, siç janë:
Erozioni në kodër Dane, Fushë-Bulqizë erozioni, rrëshqitjet, keqpërdorimi i bimësisë natyrore, ndotja e ujërave sipërfaqësore e nëntokësore etj. Faktorët që kushtëzojnë problemet mjedisore janë kryesisht natyrorë, por edhe ato humanë kanë ndikuar dukshëm.
Në grupin e faktorëve natyrorë, të cilët janë më kryesorët që kanë kushtëzuar shfaqjen e problemeve mjedisore veçojmë: përhapjen e shkëmbinjve terrigjenë, veprimtarinë shkatërruese të rrjedhjeve ujore etj. Në këtë drejtim, rol të rëndësishëm luajnë veçanërisht reshjet e shiut në formë rrebeshi dhe sasia e madhe 24-orëshe e tyre, si  dhe rënia e tyre në fillimin e vjeshtës kur toka është e zhveshur nga bimësia.
Krahas faktorëve natyrorë, në zhvillimin intensive të erozionit dhe degradimin e shpateve ka ndihmuar edhe njeriu nëpërmjet shpyllëzimeve, djegieve, mbikullotjes së bimësisë së shkurreve dhe asaj barishtore, keqpërdorimit të tokave, brezareve, rrugëve etj. Vatrat e erozionit janë të fuqishme, madje në mjaft sektorë shpatet janë të degraduar dhe dezertifikuar dukshëm si në: Zerqan, Koçaj (Fushë-Bulqizë), Çerenec etj. Shkaku kryesor i degradimit të tyre mbetet dalja në sipërfaqe e shkëmbinjve argjilorë dhe alevrolitorë, si dhe dëmtimi i bimësisë natyrore.Pikërisht në këto shpate gjenden edhe vatrat më të mëdha të erozionit.
Hapja e tokave të reja në vitet ’80, të shek. XX, ka nxitur erozionin sipërfaqësordhe sot në shumë sektorë të fshatrave Sopot, Valikardhë, Dragun, Vajkal etj., mund të shohim toka-arë të degraduara. Përmirësimi i situatës aktuale do të kërkonte marrjen e masave mbrojtëse të mëposhtme:
– Mbjellja me fidanë pyjorë të mbi 325 ha tokë, të cilat janë të zhveshura dhe nën veprimin direkt të procesit të erozionit sipërfaqësor, (në Malësinë e Gollobordës, Martaneshit, Shupezë (Gjuras), Fushë Bulqizë etj.).
– Kultivimi i mbi 150-200 ha kullotave me bimësi shumëvjeçare, për ta bërë erozionin më pak aktiv dhe për t’i shfrytëzuar me efektivitet ato.
– Disiplinimi i prerjeve të pyjeve sipas ligjit përkatës.
– Sistemime malore, prita me mure guri ose betoni, ndërtim gardhesh teke etj., kryesisht në shpatet kodrinore.
– Përmirësimi i tokave në fushë, rehabilitimi i veprave të kullim-ujitjes, (fusha e Vajkalit, fusha e Gjoricës etj.).
– Ndërtimi i pritave në anët e lumenjve Drini Zi, Zalli i Okshtunit, Zalli i Bulqizës, që çdo vit gjatë periudhës së reshjeve marrin sipërfaqe të mëdha toke, (fshatrat e Gjoricës së Poshtme dhe të Sipërme, Sofraçan, Çerenec etj.).
– Ofrimi i shërbimeve për grumbullimin dhe transportimin e mbetjeve urbane, që do të kufizonte vend-depozitimet ilegale të tyre, (Shupenzë, qyteti Bulqizë etj.).
– Mbajtja pastër e mjedisit nga zhvillimet pa kriter të bizneseve dhe aktiviteteve prodhuese.
– Fushatë sensibilizuese për ndërgjegjësimin e banorëve të komunitetit për një mjedis të pastër dhe të mirëmbajtur.
– Duhet theksuar se bashkëpunimi midis studiuesve, vendimmarrësve vendorë dhe komunitetit do të lehtësonte shumë përmirësimin e situatës, pavarësisht se sot nuk ka mjete të nevojshme financiare, prandaj e rëndësishme është sigurimi i këtyre mjeteve.
– Duhen krijuar raporte më miqësore midis natyrës dhe banorëve, sepse duhet menduar edhe për brezat e ardhshëm, të cilët do të kenë më shumë kërkesa ndaj mjedisit ku punojnë e jetojnë.

1.2.  Shkarjet e tokës në zonën kodrinore të Bulqizës.
Shkarjet dhe shembjet e tokës janë shprehje e erozionit gjeologjik dhe karakterizohen nga lëvizje të tokës, si rezultat i rrëshqitjeve apo gravitetit. Lëvizjet mund të jenë të ngadalta ose të shpejta. Territori i thyer, reshjet e shumta, shkatërrimi i vegjetacionit natyrorë, braktisja e tokave bujqësore etj., janë faktorë që stimulojnë proceset e shkarjeve dhe shëmbjeve.
Format dhe mënyrat e lëvizjes janë të shumta, pasi këto varen nga faktorët klimatikë dhe ato tokësorë, nga mënyra e disiplinimit të rrjedhave ujore sipërfaqësore të thelluara dhe nga format që aplikojmë për parandalimin dhe minimizimin e tyre.
Dinamika herë është e dukshme dhe herë e padukshme. Koha e shfaqjes së lëvizjes është në  funksion të shtresave nëntokësore, ndërtimit gjeologjik dhe varet kryesisht nga aftësia e tyre për të përshkuar ujin.
Kjo është një nga arsyet, që në fazat e para lëvizjet janë të paidentifikuara.Për shkak të veçorive territoriale dhe vëmendjes së dobët që janë prezantuar deri tani në problemet e mbrojtjes së tokave, sipërfaqe të konsiderueshme të tokave bujqësore apo të përdorura për aktivitete të tjera janë të rrezikuara nga fenomenet e shkarjeve dhe shëmbjeve.
Faktorët më kryesorë që kanë ndikuar në të dy rastet janë kryesisht:
” Mosmenaxhimi i ujërave sipërfaqësorë dhe nëntokësorë.
– Mbikullotja në zonat me bimësi livadhore.
– Reshjet me sasi relativisht të larta.
– Ndërtimi gjeologjik i shtresave të tokës.
– Pjerrësia e terrenit dhe forma e tij e “aksidentuar”.
– Monitorimi i cilësisë dhe sasisë së prurjeve të ngurta pezull në rrjetin kullues.
– Monitorimi në gjithë territorin dhe jo vetëm, për kanalet kryesore.
Metodologjia e vlerësimit duhet u bazuar në prurjet mesatare ditore dhe vjetore të kanaleve të kullimit apo përrenjve të vrullshëm sezonalë nëpër shpatet e maleve, nxjerr si konkluzion që kjo vlerë e gërryeshmërisë së tokës varet nga sasia e reshjeve, niveli i intensitetit të tyre, shkalla e mbulesës bimore, koeficenti i rrjedhjes sipërfaqësore etj.
Nisur nga monitorimi i erozionit dhe shkarjeve të tokës, mund të thuhet se edhe në Bulqizë erozioni vazhdon të ketë vlera të konsiderueshme. Këto vlera konvertohen në 0,61-2,3 mm shtresë aktive në vit ose mesatarisht 1,37 mm/vit. Mbrojtja mund të realizohet në shumë forma dhe me shumë mjete. Kështu, bimësia që secili nga ne e ka në dorë ta mbrojë e shtojë, është mbrojtësi kryesor i pazëvendësueshëm i mjedisit.Bimësia livadhore dhe të lashtat sigurojnë një mbrojtje të konsiderueshme të tokës nga erozioni. Konkretisht, ato e reduktojnë erozionin deri në masën 41-59 % (referuar Strategjisë Kombëtare Mjedisore). Gjithashtu, ka një nivel të ulët të mirëmbajtjes të veprave mbrojtëse të tokave.Konkretisht, kanalet kryesore të dyta e të treta në fushën e Vajkalit, të hapura që para viteve `90, nga bllokimi e dalja jashtë funksionit kanë çuar në kënetizimin e kësaj fushe.Po ashtu ka probleme edhe me mirëmbajtjen e digave në lumin Drin (Gjoricë e poshtme).
Monitorimi i depozitimeve të ngurta gjatë përmbytjeve nga përrenjtë, tregon se në përgjithësi depozitimet e ngurta janë evidente pas rënies së shirave të rrëmbyeshëm në stinë të ndryshme të vitit.Parandalimi i depozitimeve të materialeve inerte të sjella mund të bëhet i mundur dhe efektiv vetëm nëpërmjet ndërtimit të veprave mbrojtëse (pritave tip rezervuar) përgjatë gjithë gjatësisë së vijave ujore.Krahas sasisë së madhe të tokës së gërryer, këto përrenj e lumenj mbartin me vete dhe sasi të konsiderueshme të azotit mineral, që është një element shumë i rëndësishëm i pjellorisë së tokave.
Disa masa për përmirësimin e situatës së gërryerjes së tokës:
– Një kontroll të rreptë dhe strikt të shfrytëzimit pa kriter të materialeve inerte në lumin Drin (Ura e Topojanit, Ura e Çerenecit, Sofraçan, Peladhi etj.).
– Pyllëzim sa më i shpejtë dhe ngritja e veprave të natyrave të ndryshme hidroteknike, me qëllim disiplinimin e rrjedhës së ujit në lumenjtë kryesorë.
”    Eliminimin e ndërhyrjeve mekanike në afërsi të shtratit të këtyre vijave ujore për qëllime plugimi ose të tjera.
”    Mbajtja dhe sigurimi i një regjimi normal dhe uniform të prurjeve ujore dhe të ngurta, si dhe ruajtja e një balance normale për komandimin e grykëderdhjes, sidomos për zallin e Okshtunit (në Çerenec tek Ura) dhe zallit të Bulqizës (në Gjoricën e poshtme), kur derdhet në Drin të Zi.
”    Ndërmarrja e një sërë masash me karakter inxhinerik, hidroteknik dhe i natyrave të tjera me qëllim menaxhimin dhe mirëmbajtjen e shtretërve të këtyre lumenjve, përrenjve apo të kanaleve.
1.    Roli i ndryshimeve klimatike në bujqësi.
Bujqësia është ndër sektorët më të ndjeshëm të ekonomisë ndaj ndryshimeve klimatike. Pa një plan të qartë për harmonizimin e politikave që lidhen me ndryshimet klimatike, jetesa e popullsisë rurale është në rrezik, për shkak se jetesa e pjesës më të madhe të popullsisë rurale varet në mënyrë të drejtpërdrejtë, ose të tërthortë nga bujqësia dhe për rrjedhojë, ndikimet klimatike mund të cënojnë progresin e bërë në uljen e varfërisë dhe mund të kenë ndikim negativ mbi sigurinë ushqimore dhe rritjen ekonomike në zonat rurale (referuar Raportit të Bankës Botërore). Ndryshimet klimatike ndikojnë mbi bujqësinë në të katër fushat agro-ekologjike, nëpërmjet ndryshimeve të temperaturave dhe të reshjeve, të cilat janë shumë të rëndësishme për bujqësinë. Sipas raportit, në 40 vitet në vijim, ngrohja mesatare e Shqipërisë do të jetë  rreth 1.5°C, krahasuar me rritjen më pak se 0.5°C të temperaturës gjatë 50 viteve të fundit.
Gjithsesi, mesataret vjetore janë më pak të rëndësishme për prodhimin bujqësor se sa shpërndarja sezonale e temperaturës dhe e reshjeve të shiut. Rritjet e temperaturës parashikohen të jenë më të larta, ndërkohë që reshjet e shiut ulen ndjeshëm, veçanërisht gjatë periudhave në rritje të verës.Rritjet e temperaturave në verë gjatë 40 viteve në vijim mund të shkojnë deri në 4-5°C në zonat veriore të Shqipërisë (Raport i Bankës Botërore).
Ndryshimet sezonale në klimë kanë pa dyshim ndikime të qarta mbi prodhimet bujqësore dhe blegtorale në rast se nuk do të merren masa për përshtatje, përtej masave që merren nga fermerët, të tilla si ndryshimi i kohës së mbjelljes, në përgjigje të ndryshimeve të temperaturave.
Rreziqet e ndryshimeve klimatike mbi bujqësinë nuk mund të trajtohen në mënyrë efektive, si dhe nuk mund të përfitohet në mënyrë efektive nga mundësitë që mund të sjellë ky ndryshim pa pasur një plan të qartë të harmonizimit të politikave bujqësore me ndryshimet klimatike, duke zhvilluar kapacitetet e institucioneve kyçe bujqësore dhe duke bërë investimet e nevojshme në infrastrukturë, shërbime mbështetëse dhe përmirësime të ndryshme në ferma. Zhvillimi i këtij plani përfshin në mënyrë ideale kombinimin e analizave sasiore me cilësi të lartë, konsultim me aktorët kyç, në veçanti me fermerët dhe ekspertët vendorë të bujqësisë dhe investime si në burimet njerëzore, ashtu edhe në kapitalin fizik. Sipas Raportit të Bankës Botërore, ndikimet negative të një klime që po ndryshon do të ketë pasoja serioze në sektorët e bujqësisë dhe ujit. Kjo do të kishte ndikim mbi sigurinë ushqimore, të ushqyerit dhe bashkësitë rurale. Është fakt tashmë se coptimi i i tokës në ngastra të vogla pas privtizimit dhe pamundësia e fermerëve për mekanizim, ku mbi 80% e tyre kanë ngastra 1-2 dynim tokë arë, si në fshatrat e Lejçanit, Trebishtit, Ostrenit të Madh në Malësinë e Gollobordës, apo në Peshk, Gjon, Len të Malsisë së Martaneshit etj., kanë çuar në prodhimtari të ulët.
Prandaj, duke iu referuar sërish Raportit të Bankës Botërore mund të thuhet se është e domosdoshme që të kuptojmë dhe të mbështesim “bujqësinë inteligjente”. Kjo qasje e re, e njohur si “bujqësi inteligjente ndaj klimës”, thekson nevojën për praktika bujqësore, të cilat njëkohësisht mund të rrisin produktivitetin në klimën e sotme, ndërtojnë elasticitetin ndaj ndryshimeve klimatike dhe reduktojnë shkarkimet e gazrave sere, duke kontribuar në një “fitore të tre-fishtë” në sektorin bujqësor dhe duke ofruar zgjidhje të qëndrueshme të sfidave që paraqet një klimë globale në ndryshim. Me qëllim që në një anë të kompensohen ndikimet negative të këtyre skenarëve të parashikuar dhe nga ana tjetër të mbështetet në mundësitë e krijuara nga ndryshimet klimatike, eksperienca botërore  ofron tashmë  alternativa e udhëzime specifike mbi mënyrën se si mund të reduktohet varësia  e sektorit  bujqësor ndaj ndryshimeve klimatike. Fermerët po përballen tashmë me ndikimet e ndryshimeve klimatike dhe jetesa e tyre varet nga aftësia që ata kanë për të  përqasur përpjekjet e tyre në mënyrë që t’i përgjigjen këtyre efekteve me ndihmën e qeverive dhe sektorit privat.
Për të përballuar gjithë këtë në kushtet e klimës së Bulqizës, që shkurtazi e analizuam më sipër në tiparet kryesore, rekomandohet për të gjitha institucionet qendrore, locale dhe fermerët:
o shtimi i kapaciteteve të reja kulluese;
o rehabilitimi i infrastrukturës ekzistuese të kullimit;
o shtimi i kapaciteteve të reja ujitëse;
o përmirësimi i efiçencës së përdorimit të ujit;
o ndryshimi i varieteteve të kulturave;
o optimizimi i përdorimit të plehëruesve.

S'KA KOMENTE