Muharrem Hidri – 60 vite punë dhe përkushtim i një ekonomisti të suksesshëm

268

Të përshkruash rrugën 60 vjeçare të punës së një ekonomisti që ka dhënë kontributin e tij në Bulqizë, Kukës e Tiranë në drejtim ndërmarrjesh e institucionesh në bazë dhe dikasteret e larta, të tërheq vemendjen vendosmëria e një njeriu që mbetet një shembull i lartë për të gjithë ata që e kanë njohur.  Muharrem Hidri ka lindur në fshatin Valikardhë të rrethit Dibër më 24 korrik 1940. Shkollën fillore e ka kryer në fshatin e lindjes më 1951 dhe shkollën 7-vjeçare në Zerqan më 1954. Ai kujton me shume respekt mësuesit e fillores Hysen Shehu nga Zerqani në klasën e pare e të dytë dhe Erifili Tavanxhi nga Berati në klasën e tretë e të katërt e cila kujtohet nga nxënësit e kohës si edukatore shumë e dashtur me fëmijët. Ajo jetonte me hallet e varfërisë së nxënësve të saj. Bashkë me Muharremin vijonin shkollën edhe Jonuz Voka, Nexhat Lami, Naxhi Lami në fillore dhe në shkollën 7-vjeçare në Zerqan ishin edhe Vehbi Keta e Mustafa Shehu nga Vajkali, që strehoheshin tek të afërm të tyre, si dhe Gani Gurra nga Zerqani që më pas këto u bënë të gjithë kuadro në fusha të ndryshme . Në Zerqan  kujton me respekt e admirim mësuesit Idriz Biba (drejtor shkolle), Ali Puca, Muharrem Tançi, Gjetan Ndreu, Halim Shehu, Lutfi Hanku, Myslim Brata, Skënder Sharku, etj, që bënin përpjekje të vazhdueshme për të arritur rezultate dhe për të kapërcyer vështirësitë e mungesës së teksteve dhe të gjëndjes së vështirë ekonomike të nxënësve që dukej nga veshjet e mangëta dhe këmbët e lagura në rrugët me baltë nga Valikardha në Zerqan.
Babai, Dalip Hidri e ka lënë të vogël Muharremin vetëm dy vjeç, që as e ka njohur dhe e ka rritur nëna e tij Leme dhe  xhaxha Fetahu që bashkë të gjithë bëheshin një familje me 12 antarë. Familja e tij “Hidri”në Valikardhë me gjysh Xhaferr Hidrin ka pasur pesë fëmijë, dy djem Dalipin e Fetahun dhe tre vajza Danen, Humdien e Sofien. Kjo familje shquhej në ato kohë për punëtorë dhe besëtarë në marrëdhenjet shoqërore. Ishin të papërtuar e të vendosur për trimëri në organizimin e rezistencës popullore ndaj pushtuesve të huaj në luftrat me pushtuesit e huaj në të gjitha kohërat. Muharremi kujton me shumë brengë në fëmijërinë e rininë e tij gjëndjen e rëndë ekonomike të fshatit Valikardhë por edhe të familjes së tij që mezi siguronin bukën. Rruga për në shkollë ishte një orë por kur binte shi vështirësohej nga balta e kudondodhur bënte që në shkollë të arrinin të lagur e të rraskapitur nga të ftohtit pasi edhe veshjet ishin të mangëta, sidomos këmbët me opinga që griseshin në pak ditë. Babai i tij Dalipi qe burrë i zgjuar dhe i zoti në kohën e tij, por fati i krijoi vështirësi sa u arratis nga lufta italo-greke dhe përfundoi në arrati bashkë me dy shokë të tij, Veli Sula nga Zerqani, Ramis Lika nga Bulqiza, deri sa u bashkuan me lëvizjen çlirimtare në çetën e Martaneshit ne fillimet e veprimtarisë së saj. Një sëmundje e rëndë bëri që Dalipi në vitin 1943 të vdesë në moshë fare të re duke lënë gruan dhe tre fëmijë, Miten, Jeten e Muharremin, të pa rritur. Edhe pse në kushte tepër të vështira të familjes së tij, Muharremi ishte e vendosur që duhet të shkollohej pasi mësimet dhe porositë e mësuesve i ndiqte me pasion të veçantë. Kushtet e vështira të familjes e detyrojnë që ai të filloj punë në Bulqizë në prill të vitit 1955 në moshën 15 vjeçare me ndihmën e disa miqve të familjes. Kujton se udhëtonin në këmbë për katër orë nga Valikardha në Bulqizë e në kthim, në shi, borë e furtunë si në dimrat e Vajkalit, duke zbatuar rregullisht orarin e punës. Ai u vendos me punë në ndërmarrjen e furnizimit të punëtorëve në Bulqizë në sektorin e llogarisë ku mori mësimet e para nga Shahin Lami e Lahim Hidri për plotësimin e dokumentacionit. Ai i admironte këto kuadro për rregullsinë, për shkrimin e bukur dhe komunikimin dashamirës. Serioziteti dhe korrektësia e këtyre kuadrove u bënë motiv pune për të gjithë rrugën e tij në të ardhmen. Shumë shpejt ai ra në sy të drejtuesve për aftësitë e tij në punë dhe e tranferojnë në minierën e kromit po në sektorin e llogarisë deri në gusht 1958, për tre vjet e gjysëm. Në këtë kohë ai kujton me shumë respekt shefin e llogarisë në NSHFP, Burhan Mezini dhe atë të minjerës Vangjel Mane që e udhëzonin me kujdes për saktësinë e dokumentacionit duke bërë që Muharremit ti besoheshin punë që për moshën e tij ishin të vështira. Në vitin 1957 me hapjen në Tiranë të shkollës mesme ekonomike me të drejtë page, Ai i paraqitet drejtorit Sinan Xhemili (Tozaj) ku i shprehet se dëshiron të vazhdoi shkollimin për ekonomist duke gjetur përkrahjen e plotë të tij fillon këtë shkollë që e përfundon me rezultate të larta në vitin 1960. Pa ndërprerje vazhdon edhe shkollën e lartë, fakultetin ekonomik pranë USH Tiranë që e përfundon në vitin 1964. Muharremi edhe për këtë periudhë të rinisë së tij kujton disa nga shokët si Saba Dërvishi nga Kruja, Masar Rudi nga Kukësi (gjakovar), Stefan Dunda nga Elbasani, Vasil Seva nga Narta e Vlorës me të cilët ndanin së bashku problemet rinore dhe përpjekjet për tu bërë ekonomistë që do të punonin në ndërmarrje e institucione në të gjithë Shqipërinë. Kujton me nostalgji punën e palodhur e dashamirëse të pedagogëve Shyqyri Bulica drejtor i teknikumit ekonomik, Thoma Gazhga, Stavri Qirjako, etj. që kanë lënë mbresa për kujdesin e tyre në plotësimin e njohurive të ekonomistit që u kanë shërbyer në ushtrimin e suksesshëm të këtij profesioni në detyra me shumë përgjegjësi të asaj kohe. Të paharruar janë shokë të tij studentë si Halo Agaj nga Vlora; Osman Hallkja nga Librazhdi; Vasillaq Papakosta nga Korça; Enver Pajtesa nga Shkodra, etj të cilët u bënë kuadro të rëndësishëm në drejtimin ekonomik të ndërmarrjeve e institucioneve ku kanë shërbyer. Aftësitë tona – thotë Muharremi u bënë shumë të qëndrueshme nga pedagogë të shquar si Hekuran Mara, dekan i fakultetit, Kujtim Dedej profesor i matematikës; Xhemil Çela e Shaqir Xhanga të kontabilitetit, etj.

16 VJET NË KUKËS,
EKONOMIST SHEMBULLOR.
MIQËSIA ME HALIL SINANIN DHE ISLAM DAUTIN

Me mbarimin e shkollës së lartë dhe diplomimin “Ekonomist kontabël” i shtohet gëzimi gjithë familjes. Muharremit e kishte lënë nënën e tij Leme shumë të lodhur nga shëndeti, gruan Nurije dhe vajzën Fitore 4 vjeçare në pritje të arritjes së këtij objektivi si dhe xhaxhai Fetahu me bashkëshorten Dije e kushërinjtë, Farie, Tiçe, Fiqiri, Avdulla, Kujtime e Xhaferr që jetonin së bashku me një ekonomi të rrënuar nga kushtet e koperativës dhe mbarimi i shkollës pritej që të filloi ndryshimi i kësaj gjendje. Sa arrin në shtëpi për pushime ai i thot i gëzuar Nënës dhe të gjithëve, se këtu mbaroi pritja e këtij shkollimi prej 7 vitesh dhe do të kthehej pranë familjes me punë në Bulqizë. Nuk e harron ai edhe dëshirën e drejtorit të minierës, Ferit Alla me të cilin ishin njohur si studentë në shkollën e lartë ekonomike në Tiranë, që edhe Muharremi të fillonte punën si ekonomist në Bulqizë. Kur Feriti interesohet për emrimet e ekonomistëve të rinj në ministri mëson se emri i Muharrem Hidrit ishte planifikuar si shef llogarie në ndërmarrjen e sharrave në Shemri të Kukësit.
Nga shokët e shkollës në Zerqan ai kujton që u bënë specialista në fusha të ndryshme. Vebi Keta dhe Mustafa Shehu që u bënë mjekë; Gani Gurra ,Nexhat Lami e Jonuz Voka që vazhduan shollën teknike “Harry Fullc” në Tiranë për gjeolog kurse Ai filloi punë në Bulqizë si llogaritar. Muharremi kujton me dhimbje rastin e Jonuz Vokës që e mbylli jetën në moshën e rinisë, vetëm 26 vjeç, nga një aksident kur ai ishte ushtar në Përmet. Jonuzi ishte i biri i Ali Vokës që ishte kushëri dhe shok i Dalip Hidrit. Ai dhe Jonuzi kishin shoqëri të afërt si moshatarë dhe si shokë shkolle dhe për pak vite edhe në punë në Bulqizë. Me Jonuzin kalonim gjithë ditën me biseda e lojra dhe asgjë nuk na ndante. Jonuzi ishte në grupin e të rinjve më aktivi që ju organizonte aktivitete të gjithëfarëllojshme me lojra popullore e sportive në ato mundësi që kishin në atë kohë. Ai ishte shumë i dashur me të gjithë dhe i bënte për vete të rinjtë e fiseve të tjera të fshatit kur mblidheshim në Fushën e Kalasë. Jonuzi shkoi ushtar në Përmet në vitin 1964 dhe në krye të 20 muajve të ushtrisë,  në korrik 1966, ai vdiq në krye të detyrës ushtarake duke çminuar  minat në Goricë. E kujtojnë Jonuzin me dhimbje ata që e njohën pasi ai sa qe midis tyre  meritonte vërtet respektin e shoqërisë. Gjithë familja, miqt e shokët ishin pregatitur që Muharremi të fillonte punë sa më afër shtëpisë, por kjo nuk ndodhi sepse ai u emrua në Shëmri të Kukësit. Ata i uruan atij punë të mbarë atje ku do të fillonte punë, ndërkohë që mendonin vështirësitë që kishte e gjithë familja për jetesën. Në Shemri Muharremi gjeti Halil Sinanin si normist që e kishte njohur në periudhën e shkollimit në Tiranë, me të cilin ndanë së bashku halle e derte të punës e të familjes, një shoqëri e forcuar në vazhdimësi deri në ditët e sotme. Pak kohë pasi filloi punën në Shëmri, Muharremi mori atje edhe familjen dhe me kushte mjaft të vështira jetoi e punoi në Shemri 4 vite, deri sa kjo ndërmarrje u vendos në Kukësin e Ri, ku Muharremi shkoi me punë dhe banim bashkë me familjen, deri në shtator të vitit 1980. Në Kukës i lindën të tre djemtë Gëzimi më 1966 në Shëmri, Dalipi më 1967 në Shëmri, dhe Alberti më 1969 në Kukës të cilët morën po aty arsimin fillor e 8-vjeçar. Gjatë periudhës 12-vjeçare në Kukës Muharremi kujton detyrat që i janë besuar si shef llogarie në ndërmarrje deri në vitin 1973, si shef i seksionit të tregëtisë në Komitetin Ekzekutiv në Kukës deri në tetor të vitit 1976 dhe më pas në detyrën e drejtorit të Ndërmarrjes së Përpunimit të Drurit (NPD) deri në shtator të vitit 1980. Muharremi me dashamirësi dëshiron që në këtë kujtesë të falenderoi të gjithë miqtë e tij të cilët e vlerësuan seriozitetin, korrektësinë e sakrificat e tij në punë dhe shoqëri duke i besuar detyra të rëndësishme në 16 vite të qëndrimit të tij në Kukës edhe pse ishte nga një trevë tjetër. Në kohën e drejtimit të NPD në Kukës, ai kujton vështirësitë e punës së kësaj ndërmarrje që përveç sektorëve të prodhimit, detyra më e rëndësishme ishte pastrimi i kupës së liqenit që do të krijohej nga ndërtimi i hidroçentralit të Fierzës, mbasi në shkurt të vitit 1978 do të mbyllej diga dhe çdo vonesë në kryerjen e kësaj detyre analizohej thellë. Kjo detyrë ishte tepër e vështirë, pasi do të punohej me sopata e me sharra për të përpunuar miliona m3 lëndë drusore drurë e shkurre nga mijëra njerëz të cilët do të punonin e transportonin në terrene shumë të vështira e të thepisura, ku nuk kalonin as dhitë. Afati ishte shumë i shkurtër deri kur do të bllokohej uji në digën e Fierzës për mbushjen e liqenit. Çdo vonesë mund të quhej edhe sabotim, pra  drejtuesit ishin nën një trysni të asaj kohe që ua ka prishur gjumin në qindra netë. Në momentet e fundit të afatit u kontrollua përmbushja e detyrës nga udhëheqës të lartë me helikopter. Muharremi kujton me shumë respekt bashkëpunëtor të tij në Kukës që e kanë mbështetur në realizimin me sukses të objektivave si, Gani Lishën nga Helshani i Kukësit; Xhevdet Hoxhën nga Vlora; Mehdi Onuzin nga Nanga e Kukësit, etj. me të cilët patën marrëdhënje që mbeten të paharruara për punet që u realizuan.  Në Kukës shoqërisë së tij me Halil Sinanin iu bashkua edhe mjeku kirurg Islam Dauti që ishte nga Bulqiza. Fati i secilit prej tyre i solli me punë në Tiranë, ku përsëri ata i ruajtëm dhe i forcuam më tej marrëdhënjet e tyre shoqërore. Prej shumë vitesh përveç vizitave me raste në familjet e njëri tjetrit ata të tre bashkë si dhe disa shokë të tjerë në çdo të dielë vazhdojnë të takohen dhe bisedojnë e pinë kafe duke njohur me kujdes e dashuri ecuritë dhe hallet e njëri tjetrit si dhe kujtojmë me nostalgji kohët e shoqërisë së tyre në shumë vite si dhe gëzojnë rrjedhën e jetës për familjet, për fëmijët dhe shokët e tjerë që kanë njohur. Ky është një rast i rrallë që të ngjall kurreshtje e admirim për kujdesin e secilit në ruajtjen e miqësisë së tyre  edhe pse kanë profesione të ndryshme. Vajtjet në vendlindje ishin të rralla për shkak të largësisë. Të rralla ishin edhe vizitat e Fetahut, motrave e kushërinjve. Shumë mërzitej nëna e tij Leme që e merrte malli edhe për gurët e drurët, siç thonte ajo shumë shpesh në muhabet.
NGA KUKËSI NË TIRANË, NË
IMNISTRINË E INDUSTRISË E KLSH

Në vitin 1980 disa arësye familjare, sidomos gjëndja shëndetësore e djalit të tij Gëzim i cili kishte probleme kronike me frymëmarrjen dhe mjekët i thonë që është mjegulla e dendur e liqenit që i jepte shumë shqetësime. Kjo e shtynë Muharremin të kërkojë transferim në Tiranë. Ai emrohet revizor në ministrinë e Industrisë e Minierave ku vazhdoi të punoi për 9 vite deri në shtator të vitit 1989, duke u sistemuar edhe me banim bashkë me familjen. Këtu ai kujton me respekt shokët e punës Murat Tahiri nga Vlora; Luftim Kuka nga Zerqani dhe Rakib Jacaj nga Shkodra me të cilët ndanin së bashku shumë probleme që kërkonin zgjidhje të menduar me kujdes. Këtë periudhë ai tregon për angazhimin e tij në grupet e revizionimit të ndërmarrjeve të kësaj ministrije që ishin të shpërndara në të gjithë Shqipërinë, pra me shumë shërbime jashtë Tirane duke pasur mjaft vështirësi në familje ku gjithashtu kishte probleme të rënda shëndetësore të djalit të tij. Gëzimi me vullnet të fortë vazhdoi shkollën e mesme ekonomike në Vlorë një vit e më pas tre vitet e tjera në Tiranë. Vajza e tij, Fitorja, mbaron shkollën ushtarake e diplomohet oficere gjitharmësh dhe emrohet në Lushnje ku ishte oficer tankist edhe PëllumbXhelili, burri i saj. Muharremi edhe në Tiranë kujton vendosmërinë në kryerjen me sukses të detyrës së revizionimit duke patur si motiv të përhershëm ndihmën e bashkëpunimin me kolegët për përmirësimin e të metave, por ai kurrë nuk shfaqi tendenca e qëndrime ekstremiste ndaj kolegëve në kontrolle. Në shtator të vitit 1989 e emrojnë po në detyrën e revizorit në Komitetin Ekzekutiv të Rajonit nr.1 në Tiranë ku pas një viti e emrojnë kryeinspektor të tatimeve të po këtij rajoni. Në prill të vitit 1993 emrohet në Drejtorinë e Kontrollit të Lartë të Shtetit në Tiranë ku punoi deri në vitin 2001, kur ai del në pension. Muharremi ishte i suksesshëm në të gjithë karrierën e tij të punës në shtet duke qenë i vlerësuar në shoqëri dhe në kryerjen me seriozitet të detyrave të ngarkuara. Këtu ai përmend shokët Sali Agaj nga Shkodra dhe Qamil Benga nga Tirana me të cilët pati bashkëpunim që i shërbente punës. Muharremi dhe familja mirëpritën emrimin me punë në Tiranë të Fitores bashkë me të shoqin, pasi ata u sistemuan me shtëpi afër tyre. E gjithë familja në këtë periudhë shqetësim ka shëndetin problematik të Gëzimit që me gjithë kujdesin dhe mjekimet e vazhdueshme në Hungari e Greqi, sëmundja i rëndohet sa e detyron të shkëputet nga puna për të qenë nën kujdes mjekësor të pandërprerë. Të gjithë janë të përkushtuar ndaj birit të tyre që edhe pse bënte mjekim intensiv gjëndja përkeqësohet shumë rëndë, sa më 3 tetor 2008 ai ndërron jetë duke lënë në pikëllim të thellë prindët, bashkëshorten Flora, vajzën e tij 8 vjeçe, Jona, motrën e vëllezërit që do ta kujtojnë për jetë. Gjithë familja e të afërmit i tronditi kjo vdekje e parakohëshme e Gëzimit, por Muharremit iu desh që të bëhej i fortë dhe tu japë kurajo të tjerëve, pasi jeta vazhdon. Ai përsëri është i përkushtuar në profesionin e tij të ekonomistit në firmat private edhe 14 vjet të tjera pas daljes në pension, duke qenë gjithmonë i suksesshëm dhe korrekt në zbatimin e ligjeve dhe të rregullave të ekonomisë dhe duke u bërë faktor i rëndësishëm në rentabilitetin e bizneseve që kontrollonte. Ai arriti përmbylljen me sukses të detyrave me barrën e 60 viteve punë si ekonomist i talentuar e drejtues institucionesh që ka lënë gjurmë e mbresa të shembullit pozitiv në rrugën e zhvillimit të shoqërisë në Bulqizë, Kukës e Tiranë. Muharremi përsëri mbetet aktiv në kryesinë e shoqatës “Bulqiza” në drejtimin e departamentit të marrëdhënjeve me institucionet e publikun, duke dhënë modestisht kontributin e tij  në debatet për problemet që shqetësojnë vendlindjen e tij dhe është përkrahës i vendosur në vlerësimin e njerëzve që kanë luftuar e punuar për Bulqizën në çdo kohë. Ai shprehet me dashuri për çdo lajm që mëson për zhvillimin e vendlindjes së tij dhe shpreh indinjatën e tij lidhur me problemet që shqetësojnë banorët e atyre krahinave. Shembulli i këtij intelektuali të thjeshtë në jetën e tij me plot vështirësi e brenga që nuk e përkulën në plotësimin e detyrave që iu besuan, është për të gjithë ne e brezat e rinj një burim frymëzimi në rrugën e duhur drejt suksesit.

S'KA KOMENTE