“Në qoftë se do të humbte Stambolli, Dibra do ta ndërtonte përsëri…”

Me këtë zeje merreshin kryesisht banorët e rretheve të Dibrës, të Strugës dhe Ohrit

426

Një ndihmesë të madhe në përhapjen dhe zhvillimin e punimeve inxhinierike dhanë mjeshtërit shqiptarë të ndërtimeve të shkollave popullore të krahinave të Dibrës, Gorë-Oparit dhe të Lunxhërisë. Me përvojën e fituar gjatë shekujve, mjeshtërit e talentuar shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit, bënin punime nga më të thjeshtët, deri te më kompleksët, shpesh me shije të hollë dhe nivel të lartë tekniko-artistik.
Mjeshtërit Dibranë, shkruante në fund të shekullit të kaluar diplomati austriak Th. Ipen, megjithëse janë empirik dhe ndërtojnë akoma sipas stilit të vjetër të Skëndërbeut, “mund të orientohen edhe në projekte evropiane dhe  të bëjnë ndërtime sipas tyre”. Ata vepronin në një zonë të hapur, që përfshinte treva të Shqipërisë së Mesme të Kosovës dhe deri nëpër krahina të ndryshme të Turqisë evropiane.”Shqiptarët e Dibrës e të Ohrit, thoshte dijetari austriak Han, janë muratorë të përmendur, aq sa shumë inxhinierë të huaj janë çuditur duke parë aftësinë dhe prirjen e tyre kaq të madhe për një zeje që lyp aq zotësi dhe zgjuarsi. Këta ndërtues gjendeshin në të gjitha anët e Turqisë, në Bullgari, Greqi e Serbi”
Me këtë zeje merreshin kryesisht banorët e rretheve të Dibrës, të Strugës dhe Ohrit dhe, në mënyrë të veçantë, fshatrat e Tërnovës, Okshtunit, Zebishtit, Borovës, Zabzunit e të lokalitetit të Gollobordës, si dhe fshatrat e Çermenikës, krahinë verilindore e Elbasanit. Të gjithë këta fshatarë, zejtarë, muratorë, gurëskalitës, karpentierë dhe drugdhendës, që nuk siguronin dot në vend jetesën e tyre, sipas një tradite shumë të hershme, shtegtonin çdo vit si dallëndyshet, grupe-grupe, me torbat në krah për të punuar në vise të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Jeta nëpër qytetet të largëta ku venin në kurbet, i vinte në kontakte të vazhdueshme me botën e jashtme ku jepnin dhe prej nga sillnin në atdhe edhe njohuri të reja në fushën e këtij profesioni. Duke folur mbi veprimtarinë dhe përhapjen e këtyre mjeshtërave të zellshëm, një relatues i huaj shkruante se ndërtimi i shtëpive në Shqipëri dhe “në një pjesë të madhe të Ballkanit” u kryen nga mjeshtrit dhe punëtorët e krahinës së Dibrës, të Drinit të Zi. Ai shtonte se në disa fshatra të caktuara qysh nga koha që njeriu mban mend, burrat punojnë si muratorë, gurëskalitës, karpentierë dhe marangozë.
Mjeshtërit dibranë punonin kryesisht nëpër qytete, duke shtënë në dorë gati të gjitha llojet e ndërtimeve. Ata bënin shtëpi, puse dhe çesma, ndërtonin ura, objekte kulti, banjo (hamame) etj., dhe kudo njiheshin si punonjës të mirë të gurit dhe drurit. Deri vonë në Shkodër fjala dibranë kishte kuptimin e mjeshtërit të nderuar që bënte shtëpi, po kështu në Gjakovë, ku ata patën krijuar edhe lagjen e tyre. Në Ohër njiheshin më tepër mjeshtërit e Rekës së Vogël të quajtur torbesh ose kurkë. Edhe në Velesh të Maqedonisë shqiptarët ishin të pëlqyer, megjithëse aty punonin edhe fshatarë të zonës së Galiçnikut të quajtur Galçanë.
Nxënës të kësaj shkolle popullore ishin edhe gdhendësit e drurit të viseve të Gollobordës, Rekës dhe të Çermenikës që bënin punime druri, midis tyre tavane dekorative me dru pishe.Në punimet me gdhendje të cekët, ata pasqyronin më shumë motivet e marra nga bota bimore të stilizuara si dhe gërshetime të ndryshme, me rozeta të vogla, por të shpeshta.
Kulmin e zhvillimit, shkolla popullore e mjeshtërve dibranë e arriti gjatë shek. XVIII – mesi i shek. XIX, me zhvillimin dhe lulëzimin e jetës qytetare në vendin tonë. Një nga qendrat më të rëndësishme, ku ata e ushtronin me sukses veprimtarinë e tyre, ishte Shkodra. Në këtë qytetet punonin si konstruktorë dhe arkitektë, si mjeshtër në punimin e gurit dhe të drurit, si artistë dhe modelues të allçanit për zbukurimin e brendshëm të banesave etj.
Nga realizimet më të vjetra të mbetura deri në ditët tona, mund të përmenden shtëpia e vjetër e firmës tregtare “Muzhani”, e ndërtuar më 1715, ajo e firmës tregtare vëllezërit “Çoba”, e fundit të shek. XVIII, si dhe banesa e vjetër e “Karamitrit” e vitit 1860. Por ato u dalluan edhe në zbukurimet e brendshme të banesave shkodrane që, në shek. XIX morën një pamje të re. Nga mjeshtërit popullorë të punimit të drurit me daltë mund të përmenden Jashar Xhafa, usta Cufa, Selman Metani etj. I pari që punoi në fillim të shek. XIX, përveç tavaneve të mrekullueshme, u dallua edhe në punimin e trapazaneve që ishin vepra të rralla të kësaj gjinie në vendin tonë. I kësaj shkolle ishte edhe Selman Metani, tavanpunues, i cili la vepra me pasuri të madhe dekorative të ushqyera edhe me motive të vjetra të kulturës ilire.
Veprat e mjeshtërve dibranë dhanë një ndihmesë të çmuar në pasurimin arkitektonik të vendit. Ura e Mesit, me 13 harqe që shquhet si një vepër e guximshme dhe elegante prej guri mbi lumin e Kirit, pranë Shkodrës, e ndërtuar më 1768 nga ana e Bushatllinjëve, ura e Vezirit, gjithashtu e Bushatllinjëve, shek. XVIII – pranë Kukësit mbi lumin Drin, që lidhte rrugën Shkodër-Prizren, ajo e Spiles pranë Dibrës, e Beshirit pranë Tiranës e gjysmës së parë të shek. XIX etj., janë vepra të krijuara nga dora dhe mendja e hollë e mjeshtërve popullorë. Po kështu, në Elbasan shtëpia e madhe e familjes feudale të “Biçakajve”, e punuar nga mesi i shek. XIX, ishte vepër e ustait Hasan Teta nga Zabzuni, kurse në Korçë, kulla e bukur e sahatit, e ndërtuar më 1784, siç pohon dokumenti, qe punuar nga “mjeshtrit gegë e muhamedanë”. Edhe ikonostai i Manastirit të Deçanit, i cili bën pjesë në radhën e veprave të nivelit të lartë të artit popullor të gdhendjes së drurit, apo edhe kulla madhështore e Isa Boletinit, e ndërtuar më 1898 në afërsi të Pejës si dhe sa e sa vepra të tjera të gjinive nga më të ndryshme, janë gjithashtu vepra të mjeshtërve të kësaj shkolle të mirënjohur.
Arti popullor i gdhendjes në dru, si dhe ndërtimet urbanistike të shkollës tradicionale dibrane, u bënë të njohur shumë shpejt në viset e ndryshme të Ballkanit. Në mënyrë të veçantë ato u njohën në kryeqendrën e Perandorisë Osmane ku, përveç këtyre zejtarëve, punonin edhe qindra e mijëra shqiptarë të tjerë, maqedonas, thesaliotë etj. Këtë e shpreh qartë edhe shkrimi i gjetur në shtëpinë e një dibrani, botuar nga një arkitekt i huaj, ku thuhet: “Në qoftë se do të humbte Stambolli, Dibra do ta ndërtonte përsëri; por në qoftë se do të mbaronte Dibra, Stambolli nuk do ta ndërtonte atë”.
Veç dibranëve që dalloheshin në ndërtimet e kësaj kryeqendre perandorake, aty kishte edhe mjaft ndërtues të tjerë shqiptarë, të krishterë dhe myslimanë, nga krahina të ndryshme të vendit, si çermenikas, oparakë, tomoricarë, shpiragas, lunxhëriotë etj., nga rrethet e Elbasanit, Korçës, Beratit apo Gjirokastrës që punonin si kalldremxhinj, ujësjellës, ndërtues banesash, xhamish, çesmapunues etj. Më 1783 atje punonin rreth 1500 shqiptarë të krishterë në ndërtimin e banesave të dëmtuara nga zjarri; ata i pezulluan punimet dhe u kthyen në atdhe për shkak të murtajës që kishte rënë. Po kështu, 1883, siaps një urdhërese të Valiut të Rumelisë, kalldrëmixhinjtë e Elbasanit duhet të shkonin me nxitim aty për të ndrequr rrugët e prishura të kësaj qendre të madhe perandorake.
Gati në të gjitha rrugët e stambollit punonin shqipëtarë nga Opari, Çermenika, Tomorica etj., të cilët i grumbullonte një esnaf i fuqishëm, që ishte i vetmi sipërmarrës i punimeve të drejtuara nga bashkia e kësaj qendre. Shqiptarët, për të fituar bukën e gojës u drejtuan edhe në vise të tjera të Ballkanit. Në Selanik, p.sh., në vitet 70 të shekullit XVIII jetonin rreth 4000 zejtarë shqiptarë të profesioneve të ndryshme.
Në punimet urbane të Turqisë evropiane, me gjithë karakterin etnik të përzier të kësaj arkitekture, zuri një vend nderi shkolla popullore profesionale dibrane. Kjo shkollë empirike, e dalluar për veçoritë, stilin dhe pjekurinë e saj profesionale, qëndronte më lart nga simotrat e saj të profesionit të kësaj treve.

Bibliografia
Material grumbulluar dhe risjellë nga revistat e viteve ’80, të studiuesit Zija Shkodra

S'KA KOMENTE