Një jetë e lidhur pazgjidhshmërisht me katër grykët dhe qytetin e Bulqizës

Hysen Dervishi nëpërmjet librit “KRENARIA” sjell krenarinë e fisit dhe vendlindjes së tij

295

Jeta e autorit është e lidhur pazgjidhshmërisht me vendlindjen  e tij, Katër Grykët e Dibrës, një prej nandë maleve historikë të Dibrës, ku për vetë pozicionin e tij gjeostrategjik ka mbajtur peshën kryesore në luftërat kundër pushtuesve.
Titulli i librit është KRENARIA. Krenaria individuale, krenaria e fisit, krenaria e vendlindjes, e krahinës dhe krenaria kombëtare është lajtmotivi i këtij libri, subjektin e së cilit autori e ka hulumtuar ndër vite. Një krenari e bazuar tek historia, puna dhe arritjet e këtyre njerëzve trima, punëtorë dhe bujarë. Dyert e tyre kanë qëndruar hapur për miqtë. Bahcet e tyre kanë qenë të lira edhe për rrugëtarët për të pirë ujë të ftohti mali dhe kafe Stambolli, raki rrushi dhe dhallë delje bio, që do ta kishte zili edhe zengini më i madh i kohës së sotme
Ja kisha një borxh krahinës së Katër Grykëve, dhe këtij fisi të nderuar, një amanet nga të parët e mi që u strehuan në vitet 1913/1920 tek fisi Dervishi i Lukanit, tek gjyshërit e Hysenit dhe të Nuredinit, kur u sulmuam dhe u masakruam nga serbët.  Në vitin 1918 kur gjyshi i babait tim, Shaban Cami u vra nga serbët, gjyshja ime Peme Rexha (Cami) ndonëse lehonë me babanë tim foshnjë të sapolindur gjeti strehë tek këto njerëz të mirë dhe bujarë, trima gjer në vënien e jetës së tyre në rrezik.   Në këto troje gjetën strehë edhe hebrejtë, edhe kosovarët e përzënë forcërisht nga serbët. Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe sepse kjo tokë ka nxjerrë vetëm trima dhe bujarë. Autori ka rreshtuar figurat atdhetare te Katër Grykëve dhe unë po i përsëris emrat e tyre, sepse ata janë rrënja jonë, burimi i jetës sonë.
– Hoxhë Buci, vrarë në Petrinë kundër serbo-malazezëve, Dëshmor i Kombit;
– Mustaf Buci, vrarë në Petrinë kundër serbo-malazezëve , djali i Hoxhë Bucit – Dëshmor i Kombit;
– Sefer Bodini, vrarë në Petrinë në 1913, Dëshmor i Kombit,
– Selman Dervishi , vrarë në Petrinë në 1914 kundër malazezëve, Dëshmor i Kombit,
– Ismail Nika, vrarë në 1912 në luftën kundër malazezëve;
– Shaban Margjoka, vrarë në 1913 kundër serbo-malazezëve;
– Zeqir Ndreka, vrarë në 1912 kundër ushtrisë serbo-malazeze;
– Avdi Dervishi, luftëtar i tre luftërave, plagosur katër herë në luftën e Petrinës kundër hordhive serbo-maqedone, Dëshmor i kombit;
– Mehmet Sula, luftëtar i madh, vrarë kundër malazezëve në Shkodër; Liman Balla, mori shtatë plagë në Bërdicë në 1912, Dëshmor i Kombit;
– Ibrahim Ahmeti,  luftëtar i madh. Plagosur kundër malazezëve në 1912;
– Lam Tahir Bruçi, luftëtar në katër luftëra, pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjës. Plagosur dy herë,  “Nderi i Katërgrykëve të Dibrës”;
”    Shaban Xhaferr Dervishi, plagosur dy herë kundër serbo-malazezëve,
– Hasan Kalia, patriot, plagosur në Petrinë kundër serbo-malazezëve;
– Llan Destani, luftëtar dhe udhëheqës kryengritjesh
– Halil Daçi , luftëtar dhe komandant i shquar luftërash, etj etj etj
Më tej autori kalon në ditët e sotme me emra të të rinjve të sotëm, por le ti lemë ata në provën e madhe të kohës, të historisë sepse ata që përmenda më lart e kanë kaluar me nder sprovën e kohës. Ata kanë hyrë në nderin e këtij vendi dhe të këtij kombi të lavdishëm, fati i të cilit e deshi qëtë  njihej pas luftërash e betejash të gjata. E kam njohur personalisht autorin si drejtor i pallatit të kulturës së qytetit minator të Bulqizës dhe më pas si drejtues të veprimtarive kulturore në Peshkopi dhe në Burrel.Me kostum kombëtar dhe cifteli në dorë, me zë burrëror dhe ligjërues si gryka që e lindi, të magjepste, të bënte për vehte.Ishte drejtor, regjizor, valltar, këngëtar, vjershëtor, krijues.
Edhe në këtë libër lexuesi do të gjejë historinë, traditën, kulturën popullore të kësaj zone dhe bukuritë e saj që nga Kepi i Skënderbeut, mali i Runjës, lumi i Murrës , liqenet e Kacnisë etj.
Në këtë libër lexuesi do të gjejë edhe refleksione historike. Autori pa pretenduar se do të thotë fjalën e fundit në këto refleksione e thotë hapur mendimin e tij për figurat historike që kanë patur lidhje me Katër Grykët dhe me shtëpinë e tij si për Mbretin Zog, Luftëtarin dhe heroin Haxhi Lleshi, për Tafë Kaziun që me diplomacinë e tij i shpëtoi Katër Grykët nga pushtuesi, për dëshmorin Ahmet Cami dhe fëmijtë e tij Mois dhe Tefta Cami.
Shokët dhe kolegët e tij artistë në Bulqizë, Peshkopi, Burrel, në Teatrin Popullor, në Institutin e Lartë të Arteve dhe kudo ku punoi autori do të gjejnë vehten e tyre duke ardhur ashtu të freskët si në ato vite. Dhe këtë e bën memoria e fortë dhe freskët e Hysen Dervishit  që mbetet virtuoz megjithë moshën që ka mbi supe. H.Dervishi ka një stil lakonik, një gjuhë të pastër, pavarësisht se nga dëshira për të qenësa më realist, herë herë përdor edhe shprehje popullore që nuk ja ulin vlerën aspak rrëfimit. Me shumë vlerë janë edhe këngët popullore epike të zonës, të shprehura tekstualisht sic janë krijuar nga populli, janë krijimet poetike të autorit, që me gegërishte të bukur tingëllojnë me muzikalitet. Me siguri autori kur i ka krijuar dhe  i ka shoqëruar edhe me instrumentat popullorë të zonës.
Libri është ndërtuar si një ansambël i plotë, pa ndarje, pa kapituj e nënkapituj, pasi kështu ai ngjason me një roman historik, apo njëprozë  letrare me personazhë realë.
Së fundmi duke i uruar Hysenit jetë të gjatë dhe krijimtari të mëtejshme do të falenderoja për mbështetjen për realizimin e këtij libri, bashkëfshatarin e tij katërgrykas, biznesmenin dhe publicistin Faik Bruci, recensent i librit.

S'KA KOMENTE