Investime në infrastrukturë, në vendin më të harruar?!

98
Në trevat e zgjedhësve të mi, qarkullon një porosi e vjetër, se është mirë të përmendesh, qoftë për mirë, apo për keq, por mjaft  të përmendesh! Pikërisht kjo po ndodh shpesh këto ditë në Tiranë. Për shembull, Bulqiza po përmendet! Rruga e Arbërit gjithashtu, rënia e çmimit të kromit, segmenti i shkatërruar nga Mati në Bulqizë, faji i kamionëve të kromit, djegia e pasurive të bizneseve private që investojnë me lejet e këtij shteti, Drejtoria e Arsimit që s’ka pushuar asnjë të djathtë nga puna, marrëveshja korrekte për ndarjen e pushtetit lokal me PS-LSI etj. etj. Pothuajse të gjitha po përmenden, për keq a për mirë, kot, ose plot. Por që të përmendet e të përflitet se Bulqiza dhe Qarku i Dibrës po marrin më shumë fonde nga qeveria për infrastrukturën, këtë nuk e kisha menduar!
Prej dy vitesh e gjysmë (e them me përgjegjësinë më të madhe si deputet i Qarkut të Dibrës), nuk është shtruar asnjë metër rrugë nga kjo qeveri, ose më mirë që nga fushata “e egër” e 2013-s, kur ish-kryeministri i atëhershëm e vizitoi mbi 6 herë, duke urdhëruar nga halli që të shtroheshin ato rrugë, sepse vërtet nuk i dilej ashtu siç kishin përfunduar!
Mbase miku dhe kolegu im i PS-së, Artan Gaçe, që foli në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, s’e ka idenë fare, sepse dhe nuk e ka vizituar asnjëherë këtë zonë, pse jo, edhe për fajin tim. Por edhe unë s’kam pse ngarkoj veten aq shumë, pasi është vërtet e tmerrshme që për të arritur në një zonë vetëm 50 km larg Tiranës, do të duhet të udhëtosh gjithë ditën, sikurse e bëjnë çdo ditë hallexhinjtë që banojnë atje.
Është pikërisht kjo zonë, që në numër ka më shumë rrugë se çdo krahinë tjetër që të sjellin në kryeqytet. Njëra nga Kukësi, tjetra nga Rrësheni, një tjetër nga Burreli, pastaj nga Librazhdi (e paasfaltuar) dhe e fundit (mbase më e mira) nga Dibra e Madhe! Që të gjitha pa përjashtim janë minimumi tri orë larg! Pa folur për ato dhjetëra fshatra që fjalën asfalt e kanë harruar prej dekadash dhe kërkojnë vetëm “pak çakëll” për të gjetur qytetin më të afërt!
Ndërkohë nuk dua të flas për 41 punonjës që kërkohen të shkurtohen në spitalin e Matit, pasi kanë folur kolegët e mi, majtas dhe djathtas. Por që kolegë të mi të kundërshtojnë investime në infrastrukturë në vendin më të harruar dhe në të njëjtën kohë më të shfrytëzuar nga pasuritë, këtë s’mund ta pranoj.
Madje, po ta dinin, nuk do ta pranonin, as kolegët Robert Bitri e Artan Gaçe, vetëm nëse ata kanë keqkuptuar ministrin Shkëlqim Cani, që për fat të mirë ose të keq, është zgjedhur nga Qarku i Dibrës. Në mos qofsha unë i keqkuptuar me të gjithë, përveç zgjedhësve të mi!
* Deputet i LSI
E  SHKUARA E HIDHUR NUK DUHET HARRUAR, POR JO TË RINGJALLET !
Nga Mehdi  DEMA
Në demokraci  opozita dhe veprimtaritë demkratike, janë katalizatorë për ecjen përpara, rritjen me ritme të këndëshme ekonomike,  të pjekurisë politike dhe integrimin  në organizmat  progresive  botërore  dhe  përafrimin  në nivel me vendet e përparuara.  Njoftimi  për protestë të opozitës më 8 dhjetor, ”Ditën e Rinisë”,  të bënte të mendoje : Bukur , qeveria duhet shkundur për të mos rënë në gjumë dhe akoma më shumë për të mos gabuar, me apo pa dashje.  Mirëpo, duke shkuar ndër mend përvojën e disa demostrimeve të dhunëshme gjatë protestave të kaluara ndër vite, shija e keqe e tyre të rëmben të lutesh për të mos ndodhur më  kurrë.  E përcolla  mitingun e opozitës në këtë 8 dhjetor , më pas edhe disa veprime të nxituara  të ndonjë të riu të irrituar. Në atë mori njerëzish, natyrisht , ka pasur mjaft hallexhinj, që e gjejnë veten të pakënaqur,  me drejtësi të pa gjetur, me ekonomi  të  rënuar,  të ofenduar e  pa rrugëdalje, që në irritim e sipër thyen edhe ndonjë xham.  Kur mendojmë  të shkojmë drejt demokracisë së kulluar,  kjo është e pa justifikuar, por ja që dhe ndodh.  Megjithatë, duke kujtuar shijen- helm të hidhur, të viteve më parë, prap mirë. Protesta  u mbyll, me vënien flakë një bunkeri të shumëpërfolur  në oborrin e Ministrisë së Brendëshme.  Të përndjekurit politik kanë protestuar më se njëherë për ngacmimin që iu bën mremorjes  së tyre kjo figurë e rëndomtë e kohës së komunizmit. Qeveria: Është   ”Bunker Artistik”.  Ish-të  përndekurit  politik, dhe jo vetëm, nuk e gëlltitën këtë justifikim.  Të zgjedhurit e popullit, duhet  ta dëgjojnë dhe Sovranin, siç e përdorin rëndomë  politikanët  tanë.
Gjykoj që  autorët e këtij objekti, duhej të  reagonin  për pakënaqësitë  e përsëritura;  duhen dëgjuar , jo vetëm  idetë e  një apo disa mendjeve, por edhe të shumë mendjeve; aq më tepër kur bëhet fjalë  për  sibole të së kaluarës së Kombit.  E kaluara, qoftë ajo  e bukur apo e shëmtuar, s’duhen harruar, përkundras  të  rikujtohen; e mira për t’u përgjithësuar, ndërsa e keqja për të mos u rikthyer. Veçse e keqja  nuk duhet risjellë e rifreskuar, qoftë   dhe  artistikisht, ajo të mbetet ashtu siç qe  në zymtinë e saj.
NJË QYTET NDRYSHE
Erjona KETA
Qyteti im që mbart mbi vete qindra detaje të këndshme por edhe të dhimbshme. Qyteti im i vogël, që mbart mbi vete njerëz të mëdhenj, intelektualë, të mirë, të ndershëm, punëtorë,pijanecë, të papunë, llafazanë, pleq, të rinj, fëmijë…Qyteti im i vogël që çdo ditë pret e përcjell njerëz të ndryshëm nga çdo vend që gjithashtu kafenetë i ka të mbushura plot e përplot me ngjyra mashkullore. Rrugë që mbajnë mbi vete plot ecje të nxituara, të lodhura…Hapa që mësojnë të ecin e hapa që ndoshta kalojnë për të fundit herë nëpër ato rrugë.
Makina që fillojnë e rrallohen në orët e vona të natës dhe mbesin aty thuajse vetmitarë dy-tre të pagjumë që i prishin qetësinë natës së vobektë. Pemë të shumta që bëjnë hije gjatë pikut të vapës dhe diellit përvëlues e pemë që na hedhin shi e dëborë fytyrës kur çmendet e tërbohet. Pemë që dëgjojnë muhabetet e pafundme të grave, të cilat me qese nëpër duar ndalen e bisedojnë gjatë me njëra-tjetrën. Dyqane të ndryshme ku produkti që shitet më lehtë, më shpejt dhe më shumë është duhani. Kaq të dëshpëruar këto njerëz?! Djem të rinj që nuk bëjnë asgjë tjetër përveç se ulen në kafene apo tymosin diçka qosheve. Nga ana tjetër janë vajzat, shpirti i të cilave shpërthen në energji e ajo energji shkon vetëm në punët e përditshme të shtëpisë. Shkollat, shkollat janë ato vende të cilat shfrytëzohen dhe kthehen në vende ku zhvillohen dhe organizohen parada mode për këto bukuroshe që përpos shkollës nuk kanë tjetër vend për të marrë sadopak frymë. Pastaj pas mbarimit të mësimit vijnë ato momentet kur këto vajza shëtisin së bashku me shoqet apo me mamatë e tyre por përgjithësisht ndeshen me fytyrat e vrenjtura të vëllezërve fanatikë që s’ju pëlqen ta shohin motrën e tyre në rrugë edhe pse të shoqëruar. Sa inat! Janë pikërisht këto tipe “vëllezërish” që nuk hezitojnë të ngacmojnë një vajzë krejt normale po në rrugë e po në moshë të motrës së tyre. Ja pra përse këto vajza gjejnë shkollën si vendin për t’u çliruar sadopak nga zymtësia dhe rreptësia e vëllezërve të tyre. Dashuri që lindin nëpër shkolla dhe lagje dhe që vajzat më pas  zhyten në probleme me vëllezërit pasi fjalët e atyre që nuk kanë me ç’të merren zënë një kontribut të veçantë në vijimin e zënkave midis tyre. Këto dashuri më pas kthehen në lot, inate, mllefe që shumë vajza bien në gjumë duke mallkuar mentalitetin tonë që sado e shajmë, jemi po ne ato që e krijojmë. Sa mirë që kam një familje mendjehapur në këtë drejtim. Ato që i vret mentaliteti do të largohen me studime ose me punë. Disa do të rriten, disa do të plaken e ndoshta do të vdesin po këtu. Por nëse ti ndryshon nuk do të ketë më kështu detajesh tipike. Nëse nuk kthehesh dot atëherë qëndro në vend pasi ndryshimet e mëdha nuk janë për qytetet e vogla si qyteti im. Edhe pse i vogël, unë jam mësuar ta shoh qytetin tim si vendin e krijimit të miqësive dhe dashurive të mëdha edhe pse ndonjëherë nuk kanë përfunduar siç do të donte gjithsecili prej nesh për veten e tij. Po marr njëherë mundimin të dal nga dera e shtëpisë nga ku shpesh dilja plot gaz, plot mërzi apo plot ndjenja të çuditshme fëmijërie apo adoleshence.Ec mbi rrugët ku merrja ngacmime nga më ordineret e deri më të këndshmet nga rinia e qytetit. Ec mbi rrugët ku shpaloset një pamje e trishtë, njerëzit shmangen dhe bëjnë sikur nuk e njohin njëri-tjetrin. Ehhh…sa shtrenjtë na kushtuaka tek ne një buzëqeshje! Një buzeqeshje të paktën…Po ndalem pak të vështroj fenomenet e ndryshme sikur të jem duke e pikturuar pasi jo gjithçka mund të jetë bardhë e zi. Brenda meje kam piktura të mrekullueshme të qytetit tim. Një koleksion i madh që fillon me shtëpinë time të këndshme në një vend të mirë të qytetit, ku nga ballkoni dhe dritarja në mëngjes shihen qartë nxënësit që shkojnë e vijnë nga shkolla, grupmosha nga më të ndryshmet ku pasditeve fëmijët janë ato që e kalojnë disi normalen me lojrat dhe zhurmat e tyre. E largoj disi mendjen nga këto pikturat e ndërthurura kaq bukur në imagjinatën time e tani po kaloj në një nga lokalet më të populluara të qytetit, aty ku rrinë gjinia zotëruese e fuqiplotë: meshkujt. E cila është ajo femër që nuk është përgojuar përpara tyre? Cila femër ka kaluar pa u vënë re? Cila është ajo që kaloi nxitimthi dhe nuk u pa nga koka te këmbet? Cila pra është ajo që kaloi pa i bërë rezymenë e jetës së saj sentimentale ?  Por në shumë raste ndodh që më shumë rreth jetës së këtyre femrave kanë informacione këto djem që përpos qëndrimit në kafene nuk dinë gjë tjetër sesa vetë vajzat në fjalë. Po iki edhe nga këtu e po i lë të përrallisin me mendjet e tyre pasi fundja nuk mund të bejne gjë tjeter veç fjalëve të nxjerra aq bukur prej tyre. Po kaloj njëhere nga lagjja ime, por jo vetëm, të dëgjoj ndonjë koment për zotësinë e babait, të dëgjoj sa të mirë e kam familjen, të dëgjoj ndonjë thashethem të nxjerrë për ndokënd të njohur. Po mërzitem edhe këtej…Po dal nga kjo lagje. Po eci anës shkollës, anës dijes. Veçse dijen rrallë e shoh të ulur nëpër banka. Shoh nxënës që përpos kalimit të kohës dhe vendit të ekspozimit të rrobave të tyre nuk e shohin shkollën në ndonjë këndvështrim tjetër. Po lodhem nga kaq shumë vërdallosje e po e marr sërish rrugën për në shtëpi edhe pse e shoqëruar nga komente nga më të ndryshmet nga të tjerë persona. Mbasditja po kalon shpejt për t’i lënë vend natës e bashkë me të edhe gjumit dhe qetësisë së qytetit.  Po bie edhe une të fle bashkë me këtë qetësi dhe shpresoj që nesër kur të zgjohem të shoh e të takoj njerëz të jenë bërë pak më shumë mendjehapur se ç’ishin sot…

S'KA KOMENTE