90 vjetori i Shkollës Shqipe të Gjoricës

Hapja e shkollës së Gjoricës u pasua edhe me shkolla të tjera siç ishte dhe ajo e Çerenecit

181

Në Mars 1925, pra 90 vjet më parë, u hap për të parën herë Shkolla Fillore në Gjoricë të Sipërme me mësuesin Haxhi Adem Skënderi. Shkolla u ndërtua me mjete rrethanore dhe me punë vullnetare nga populli arsimdashës i Gjoricës. Shkolla fillimisht u ndërtua afër shtëpisë së Qerim e Dalip Kulecit në lagjen katund. Në fillim shkolla u hap me një klasë të madhe, pastaj u bë edhe një klasë tjetër. Abetaret gjendeshin me shumë vështirësi për këtë shkak nxënësit i blinin në Dibër të Madhe me çmim të shtrenjtë. Për shkak të mungesës së teksteve e të varfërisë ndodhte që mësonin nga 2-3 nxënës me një abetare. Me shumë vështirësi gjendeshin lapsa plumbi e fletore. Në të shumtën e rasteve përdoreshin pllaka guri e lapsa guri për të shkruar.
Përpara vitit 1925 gjithë populli i Gjoricës ishte analfabet me përjashtim të dy personave Sheh Latifi dhe Hoxhë Haxhi Skënderi. Që të dy ishin shkolluar në Stamboll të Turqisë, e përveç turqishtes zotëronin edhe arabishten. Sheh Latifi merej vetëm me veprimtari fetare dhe ju kushtua përhapjes së bektashizmit në Gjoricë, ndërsa Haxhiu përveç punës si hoxhë i fshatit merrej edhe me lexim të letrave që u vinin familjeve që kishin djem në kurbet apo në ushtri. Këtë punë e bënte jo vetëm për gjoricarët por edhe për banorët e fshatrave përreth. Kishte raste njerëzit udhëtonin disa orë për të lexuar letrën që u kishte mbërritur. Për të lexuar një letër Haxhiu shpërblehej një napolon flori, kurse për të shkruar një letër dy napolona flori.
Në vitin e parë të hapjes së shkollës u regjistruan edhe disa nxënës në moshë madhore që kishin etje të mësojnë shkollë, por edhe më të kamurit ekonomikisht. Nxënësit e parë që kanë filluar mësimin në shkollën e Gjoricës më 1925 kanë qenë Gjoricarët Shaban Mehmet Lika, Bexhet Sali Kaja, Ramadan Sehit Mera, Kapllan Seit Mera, Muharrem Çoku, Mane Din Kazani, Mahmut Dalip Cami, Ferit Rrahman Cami, Gani Sinan Cami, Nazif Destan Tola, Esat Sef Jashari, Mahmut Elmaz Dani, Rushit Islam Alimani, Riza Osmani, Aqif Allaman Lleshi. Nxënës nga Çereneci ishin Mexhit Muka e Aqif Asllan Lica, nga Viçishti ishin Qamil Mustafa Lika Aqif Rrahman Xheka etj.
Sikurse shihet nga emrat fillimisht në shkollë shkonin vetëm djemtë, por me kalimin e viteve, filluan që të ndiqnin shkollën edhe disa vajza. Më 1945 kur unë fillova klasën e parë, përveç djemve në shkollë ishin edhe Servete M. Çela, Nadire R Çela, Lule N. Kurti, Sherife H. Rama, Sere D. Dumani, Naxhie Sh. Kazani, Zare D. Kazani, Mude Sh. Pali, etj. Mësues Haxhiu inkurajonte vazhdimisht pjesëmarrjen e vajzave në shkollë.
Ashtu si gjithë populli i Gjoricës, edhe të parët e mij ishin analfabet. Gjyshi im Maliqi për shumë vite kishte qenë kryeplak, e si i tillë nëpër shkresa në vend të firmës vendoste gishtin dhe pastaj  i vuloste. As baba, Shaqiri e as nëna Milja nuk dinin shkrim e këndim. Që nga viti 1925 e në vazhdim numri i nxënësve në shkollë vinte duke u rritur. Kur unë fillova klasën e parë në vitin 1945, kemi qenë gjithsej 64 nxënës. Në  atë kohë shkolla përbëhej nga dy klasa të mëdha ku mësonin dy klasa paradite dhe dy klasa pasdite.  Unë e përfundova shkollën fillore në vitin 1949 dhe gjatë atyre viteve kam ndjerë përkushtimin e veçantë të mixhë Haxhiut që unë të mësoja sa më shumë, pavarësisht nga kushtet ekonomike aspak të favorshme.
Gjatë viteve 1925 dhe 1926, mësues Haxhiu paguhej vetëm si hoxhë fshati dhe punoi si mësues në shkollën fillore dy vjet vullnetar, vetëm e vetëm që të përhapej shkollimi shqip në popull. Midis hoxhës dhe mësuesit, Haxhiu zgjodhi të dytën pra përhapjen e dijes dhe arsimimin e bashkëfshatarëve të tij. Kjo ishte zgjedhja e lirë e tij, për shkak se as ai e as Gjoricarët e tjerë nuk kishin ndonjë lidhje shumë të fortë me fenë. Si kudo në Dibër, edhe në Gjoricë që në lashtësi ekzistonte feja katolike. Gjorica kishte dy kisha, kisha e Bardhokut dhe kisha e Gjokës. Kisha e Bardhokut ndodhej në lagjen katund në një kodër mbi shpinë e Din Kazanit. Edhe sot, kodrës i thuhet Kisha e Bardhit. Bardhi është shkurtim i emrit Bardhok. Pak më tutje në qendër të lagjes katund u ndërtua xhamia ku shërbeu mësues Haxhiu. Kisha e Gjokës ishte kisha tjetër që ndodhej në lagjen Çiflik në vendin e quajtur Gjitare mbi mullirin e Gjoricës së Epërme. Kjo kishë sikurse edhe të tjerat u rrënua dhe u braktis nga besimtarët pas konvertimit të dhunshëm nga katolik në mysliman të detyruar nga pushtuesit turq.
Për Haxhi Skënderin ashtu si për të gjithë shqiptarët Kongresi i Manastirit i vitit 1908 që vendosi Alfabetin Shqip ishte një mrekulli e jashtëzakonshme dhe ngjarje e shumëpritur. Pas këtij kongresi menjëherë filloi shtypja e librave shkollorë në gjuhën shqipe. Gradualisht filloi hapja e shkollave shqipe në gjithë vendin. Haxhi Skënderi ishte i pari në zonën e Grykës së Vogël që mësoi shkronjat shqip dhe u aftësua si mësues i gjuhës shqipe. Nga viti 1925 e deri kur doli në pension Mësuesi Haxhiu është paguar si mësues. Ai bënte mësim pa ndërprerje, paradite dhe pasdite, ishte shumë i zoti dhe i përkushtuar, u shpjegonte shumë mirë nxënësve dhe u kërkonte shumë. Aq e vërtetë ishte kjo saqë një nxënës që kishte kryer 4 klasë fillore me mësuesin Haxhiun, kishte aftësi sikur të kishte kryer shkollë tetë vjeçare. Për punë të frytshme e për rezultate të shkëlqyera në vazhdimësi ju dha titulli i nderit “Mësues i Merituar”.
Në vitin 1950-1951 u ndërtua shkolla e re 8-vjeçare në qendër të fshatit Gjoricë, atje ku ndodhet edhe sot shkola nëntë vjeçare. Edhe kjo u ndërua me kontribut vullnetar e me mjete rrethanore nga populli i Gjoricës. Në vitin 1988 po aty në qendër të Gjoricës u ndërtua nga shteti shkolla e re 2 katëshe dhe sot në këtë 90 vjetor të hapjes së shkollës së parë shqipe aty mësojnë qindra nxënës. Hapja e shkollës së Gjoricës u pasua edhe me shkolla të tjera siç ishte dhe ajo e Çerenecit.
Është për tu falënderuar veprimtaria e Drejtorisë Arsimore Bulqizë dhe e pushtetit vendor që para disa ditësh, i vendosi shkollës së Çerenecit emrin “Zenepe Miftari”. Një gjest simbolik që nderon kontributin e mësuese Zenepes, të kësaj vajze Elbasanase që me pasion e përkushtim kontribuoi për vite me radhë në arsimimin e fëmijëve të Çerenecit e më gjerë derisa doli në pension.
Në këtë vit jubilar të 90 vjetorit të Shkollës së Gjoricës kujtojmë me mirënjohjen më të thellë mësuesin e saj të parë Haxhi Skënderin dhe përcjellim urimet më të mira për mësuesit dhe nxënësit e Shkollës së Gjoricës në vite!
Autori i këtij shkrimi, z. Maliq Skënderi ka lindur në Gjoricë më 11.12.1937 dhe ka qenë nxënës i Shkollës së parë Shqipe të Gjoricës. Ai më pas ka kryer Teknikumin Ekonomik në Tiranë dhe ka punuar si ekonomist, shef plani, përgjegjës sektori etj. në Kooperativën Bujqësore “Skënderbej” Gjoricë derisa doli në pension. Aktualisht ai sëbashku me fëmijët  jeton në qytetin e Kamzës, Tiranë.

S'KA KOMENTE