Fshati i tërë prangoset dhe burgoset në burgun fashist

Njëzetë burra burgosen, katër pushkatohen dhe tetë të tjerë bien dëshmorë

257

Fillimet e qëndresës mbarëpopullore ndaj pushtimit fashist italian, ashtu si në të gjithë trevat shqiptare edhe në Dibër e në disa fshatra të zonës së Grykës së Vogël e të Gollobordës, nisën që ditën e 7 prillit 1939 veçanerisht pasi fashistët kishin internuar e çuar në Berat, Ukë Dan Camin, të birin e patriotit Dan Cami dhe Sinan Shaban Camin, kryeplakun e fshatit Viçisht si dhe kishin internuar edhe disa krerë të tjerë të fshatrave te Dibrës. Më 15 janar 1940 u ngrit një Grup Luftarak të rinjsh me në krye akademistin Ahmet Cami dhe të përbërë nga Fasli Feta Cami, Sefer Ramiz Cami, Ejup Shahin Cami, Uke Dullë Cami, Dullë Shaban Cami, Mahmut Dalip Cami, Spiro Velko, Mexhit Lezi, Hidër Rrahman Cami, Musa Rrahman Cami etj.
Në këtë grup erdhi edhe Haxhi Lleshi dhe tre nipat e Camit, vëllezërit Lutfi, Imer e Hamdi Pëllumb Lleshi.

VRASJA E MËSUESIT FASLI CAMI

Kryengritja e parë kundër italianëve shënon 7 prillin 1941 në kodrat e Vanastranës në orën katër të mëngjezit, dhe vazhdoi deri më 9 prill ku mbetën të vrarë 50 ushtarë italianë. Italianët vranë në kodrat e Gjoricës më 7 prill 1941 mësuesin e Gjoricës dhe birin e Viçishtit, normalistin Fasli Cami.
Trupi i plagosur që dha jetë në shtëpinë e Kasem Halil Gjurës ishte prologu i kryengritjes që mori përmasa të mëdha dhe komandohej nga vëllai i Fasliut, kapiteni Ahmet Cami që kishte mbaruar akademinë ushtarake në Itali. Fashistët italianë u kundërpërgjigjën me arrestime, burgime e raprezalje. U arrestuan Ejup Cami, Uke Cami, Musa Cami, Hidër Cami , Adem Cami, Lam Cami, Aqif Cami dhe Mexhit Lezi.
Me 11 prill 1941 burgosen në një ditë : Ahmet Cami, Uke Cami, Dullë Cami, Adem Cami, Islam Cami, Izet Cami, Sulë Cami, Destan Cami, Rremë Cami, Shahin Cami, Tufik Cami, Dilaver Cami, Ibrahim Buziu, Selim Mjeshtri, Bexhet Cami etj. Përveç organizimit të protestave mbarëpopullore e të vazhdueshme kundër pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, në prill të vitit 1941 u organizua kundër pushtuesve italian një luftë e armatosur në Miresh nën drejtimin e komandantit të çetës, Ahmet Feta Cami, me pjesëmarrjen e 30 vetëve, ku ndër të cilët u shqua Hidër Cami si dhe 20 kushërinjtë e tij, si për trimëri e guxim, ashtu edhe për ndjenjën e sakrificës e të vetmohimit. Në Miresh ishte i disllokuar shtabi i divizionit “Firence” të forcave pushtuese.
Si kundërpërgjigje të kësaj lufte dhe rezistence të organizuar popullore, fashistët italian arrestuan në prill të vitit 1941 shtatë vetë dhe i futën në pushkatim. Ja se çfarë shkruan Ahmet Cami në ditarin e tij të vitit 1941: “Sot në mëngjes erdhi Kurti nga Zerqani në Lubalesh dhe më dha lajmin se, Musain (Cami), Hidrin (Cami), Ademin (Cami), Lamin (Islam Cami), Aqifin (Cami), Uken (Cami), Ejupin (Cami) dhe Mexhit Lezin mbramë i kan shtie në patare në Miresh. Kanë shpëtue të tjerët përveç Musait, Ejupit dhe Mexhit Lezit, që s’dihet ende për to…”
Deri në fund të muajit prill të vitit 1941 forcat fashiste arrestuan edhe 20 burra të Cameve si dhe Hidrin, ndër të cilët edhe organizatorin e komandantin e tyre, kushëririn e njeriun më të afërm të Hidrit, Ahmet Camin. Ata u akuzuan si antifashistë, që janë organizuar e kanë luftuar kundër forcave italiane. Prandaj janë hetuar e gjykuar nga gjykata e lartë ushtarake. Kanë kaluar një burg me izolim të plotë dhe në kushte torture në burgun e Tiranës dhe në atë të Burrelit aq sa nga torturat vdiq në burg Veli Cami.

RIFORMIMI I ÇETËS

Themi riformimi sepse Çeta me bazë fshatin tonë ishte formuar dhe kishte vepruar që në prill 1941, ku u vranë 50 italianë. Pas pushkatimit të Ejupit, Musait dhe Mexhitit si dhe të vrasjes së Fasliut, burgosjes së 20 burrave të fshatit , çeta u asgjësua dhe u riformua pas daljes së burgut në maj 1943.
Në këto kushte u riorganizua përsëri çeta jonë me 20 maj 1943, çetë e cila njihet ligjërisht si Çeta e Gollobordës. Ajo kishte në drejtim Ahmet Camin komandant , pasi Ahmeti ishte oficer me akademi ushtarake dhe me gradën kapiten, Spiro Velkon komisar, njeri i arsimuar në Normalen e Elbasanit, Hamdi Leshin zëvëndës komandant, nipin tonë dhe luftëtar që në vitin 1941.
Në çetë mernin pjesë: Ahmet Cami, Spiro Velko, Hamdi Lleshi, Uke Cami, Qamil Lika, Mahmut Cami, Mahmut Dani, Esat Cami, Ibrahim Leci, Ibrahim Kotili, Remzi Kurtulla, Çup Duka, Shaqir Pali, Hazis Cami, Ramiz Murra, Mersim Murra, Hidër Manjani, Shaziman Meha, Selman Balla, Mete Duka, Ibrahim Lumi, Isuf Lika, Bajram Toçi, Mexhit Tola, Abaz Vargu, Murat Aliu, Xhezair Adili, Nexhip Duka, Nexhip Meçe, Ibe Palikuqi, Cen Lila, Lilë Hasa, Ibrahim Kasapi, Lutfi Skuka, Zenel Uka, etj.

FORMIMI I BATALIONIT PARTIZAN TË DIBRËS, 26 KORRIK 1943

Mbledhja paraprake për rënien dakord për formimin e batalionit partizan të Dibrës, për vendin e organizimit dhe për komandantin u bë tek shtëpia e Uruç Karasanit në Radovesh. Aty u vendos që vendi të ishte Gjorica e Spërme dhe komandant Haxhi Lleshi.
Krerët e Parisë së Dibrës dhe fashistët u përpoqën të na ndalonin, duke u bërë presione popullit të Gjoricës, por toka ku do të bëhej organizimi i batalionit ishte pronë e Zenel Camit dhe e pasuesve të tij , ishte kulla e Mahmut Camit, dhe për rrjedhojë askush nuk mund ta ndalonte. Influenca e Ahmet Camit , që jo rastësisht mbante edhe emrin e babait të Zenel Camit ishte e madhe. Këtu një ndihmë konkrete dha edhe imami i Gjoricës , Sheh Latifi i cili kishte të falura katër hektarë tokë nga Cami.
Në përbërje të batalionit ishin Çeta e Sllovës, Çeta e Grykës së Vogël , Çeta e Grykës së Madhe dhe Çeta e Gollobordës.

Në komandë të batalionit u zgjodhën:
Haxhi Lleshi , komandant
Njazi Islami, komisar
Esat Ndreu , zv.komandant
Prokop Murra, zv komisar.

S'KA KOMENTE