Hysen Kica boton romanin “Ku është dashuria”

Libri është shkruar me një stil tregues dhe bashkëbisedimi që harmonizohen shumë bukur

168
Këto ditë sapo ka dalë nga shtëpia botuese “Vllamasi” romani i shkrimtarit Hysen Kica me një titull sa kuptimplotë aq edhe sensibël. Tema e librit shtron problemin: Ku është dashuria në xhunglën e egër të interesave! Libri është  shkruar me një stil tregues dhe bashkëbisedimi që harmonizohen shumë bukur, me një gjuhë të pastër e melodioze dhe të merr me vehte që në faqet e para. Larmia e ngjyrave artistike, fjalët e urta dhe figurat e shumta letrare e bëjnë romanin si një shok të lexuesit me të cilin nuk don të ndahesh. Tema trajton dashurinë e madhe të dy të rinjëve dhe ideja synon forcimin e bindjeve të lexuesve se dashuria e vërtetë njerëzore duhet të zërë vendin e parë në qëllimin   e krijimit të familjes.
Romani fillon me një takim të rastësishëm të një djali të ndrojtur nga zonat verilindore me një vajzë durrsake në një tren që udhëton nga Tirana në Durrës. Rastësia, kurioziteti dhe ca gjëra specifike bëjnë që takimi i tyre i parë të mbetet gjurmëlënës në mendimet dhe ndjenjat e tyre. Kur arrijnë në Durrës vajza zbret nga treni ndërsa djali do vazhdonte rrugën. Diku vajza ktheu kokën dhe shikoi djalin që po e ndiqte me sy nga dritarja e trenit. Ajo ndjeu sikur kishte harruar diçka në tren ndërsa djali u ndie i braktisur.
Kaluan ditë, muaj, vite… dhe djali ëndërronte. Kujtimi i asaj vajze e bënte ta donte më shumë jetën por “Nuk duhet të shohësh ëndërra të tilla i dashur kushëri” ishte këshilla e njerëzve të tij të afërm. “Problemi është se më është bërë fiksim. Sa herë mendoj për martesën time më del përpara kujtimi i asaj vajze durrsake që takova në tren dhe nuk më jep leje të martohem” ishte përgjigjia e djalit. Kapërceu probleme të ndryshme dhe vendosi të shkonte në Durrës për të kërkuar ëndërrën e tij. Duhet ta dëgjonte zemrën. Njerëzit duhet të bëjnë gjithçka për dashurinë dhe lumturinë e tyre dhe ai nuk kurseu asgjë.
Në fillim djali kujtoi se Durrësi ishte parajsë, fillon të harroje origjinën e tij dhe u zhyt në rrjedhën e jetës me motivin e Migjenit.
“Thuaja kangës, Rini!
Thuaja kangës gëzimplote!
Qeshu rini! Qeshu!
Bota asht e jote”.
Kujtoi se jeta do ta presë krahapur, kujtoi se Durrësi ka ruajtur për të një vajzë aq të bukur dhe rendi krahëhapur në rrugën e dashurisë së madhe njerëzore. Në roman ka një depërtim të thellë në hapësirën e ndjenjave të bukura të dashurisë, ka ëndërra dhe shpresa shumë të guximëshme për t’i kushtuar asaj vemendjen e duhur dhe për të zbuluar vlerat e pafundme që ajo ka në harmonizimin e marrëdhënieve njerëzore. Ka edhe shumë sinqeritet por ka edhe guxim.
Më duhet patjetëe të gjej një shtëg dhe të futem në jetën e qytetit të Durrësit, i cakton djali detyrë vehtes kur e kupton se po e harxhon kot kohën duke kërkuar vajzën e ëndërrave të tij nëpër rrugët e qytetit. Mundohet të shfrytëzojë të gjitha mundësitë që i ofron realiteti dhe nuk del i zhgënjyer.
Që në takimin e parë ai e kundërshton vajzën e ëndërrave të tij kur ajo i thotë se në shoqërinë socialiste nuk ka tragjedi. Sinqeriteti nuk të bën kurrë të humbasësh respektin e njerëzve mendon djali. Unë mendoj se të gjithë njerëzit kudo në botë dashurojnë njëlloj, shprehet ai në bisedë me vajzat. Dashuria nuk ka ligje. Ajo lind dhe rritet ne ndjenjat e njerëzve dhe beson se ka pushtuar gjithë botën njerëzore. Ndarja e një familje është rrjedhojë e shkatërrimit të dashurisë dhe, shkatërrimi i dashurisë është gjithmonë një tragjedi e madhe njerëzore.
Por… A mund të gjeje dashuri në Durrës një djalë nga zonat malore të vendit tonë! A mund të trokasë ai në një derë durrsake për të kërkuar dashuri! A mund t’ja hape njeri derën një djali që e quajnë “malok”! Endërra dhe shpresa, gëzime dhe hidhërime, dashuri dhe urrejtje shoqërojnë aventurën e djalit që kërkon dashuri në qytet.
Ah more i shkretë! Ke shkelur bishtin e tigrit i thonë kur ai gjendet i akuzuar se ka dashur të njollose nderin e një familje të rëndësishme komuniste. Reagimi është vërtetë i ashpër. Ky njeri i degjeneruar duhet të shporret nga kolektivi socialist bërtet shumë ashpëe partija duke i treguar dhëmbët e ujkut atij që ka cënuar interesat e saj.
Sa shkurt i sheh gjërat, – i thonë djalit në konfidencë. – Këtu fillon tatëpjeta e jetës tënde. Do të dërgojnë një karakteristikë të zezë te qendra e punës tënde. Do të rradhisin në kontigjentin e armiqëve të partisë e të popullit. Shumë shpejt do përfundosh në burg nga ku nuk do të dalësh më kurrë as edhe pas vdekjes. Kështu do të shkatërrohet jo vetëm dashuria për atë vajzë por e gjithë jeta jote. Kërkoji falje partisë. Ndoshta mund të shpëtosh diçka.
“Jeta është shumë kurnace për t’i dhuruar lumturi pjellës së saj njerëzore”, citon autori atëhere kur djali e ndjen vehten në buzë të greminës.
Po vajza! Ajo është një krijesë e brishtë femërore që nuk e ka njohur akoma mashtrimin e botës njerëzore. Padashje bëhet kureshtare të kuptoje pse ky djalë që është ulur në sediljen e trenit përballë saj ka frikë ta shikoje drejt në sy. Po fjalët e tij aq përgëdhelëse!
“O ti krijesë e bukur njerëzore, – citon autori. – Duhet të besosh se ke ardhur në këtë botë për të qeshur e për të gëzuar”. Një motiv ky që e bën vajzën të besoje se kështu duhet të jetë edhe realiteti por… Ndoshta jo! Kush harron gabon.
Në takimin pas disa vitesh u rindezën ndjenjat e mbuluara nga pluhuri i kohës, u ndërthurën problemet e xhelozisë e të miqësisë dhe vajza u shëndërrua në një nga ato fluturat që fluturojnë rrëth flakës së qiriut. Kureshtja dhe xhelozija e shtynë vajzën që ta ndjekë djalin gjoja pa asnjë qëllim por ajo harroi hapur derën e ndjenjave të saj. Mirësjellja, sinqeriteti, respekti dhe kujdesi reciprok gjetën fole të ngrohtë në zemrën e saj të pafajëshme.
“Të gjitha vajzat kanë një ideal të tyre, – shkruan më tej autori, – Ëndërrojnë të takojnë Princin e tyre të kaltër. Një princ mbi kalë të bardhë që do t’i shpjerë në rrugën drejt kështjellës së lumturisë”.
Por jeta nuk është si një ëndërr. Mjerë ata që e harrojnë realitetin. Vajza nuk harron se vartësia ekonomike, sidomos e gruas ndaj burrit, është skllavëri e vërtetë dhe kërkon të gjejë vendin e saj në jetë me një mënyrë që asaj i duket më e arësyeshme. Por edhe ndjenjat bëjnë punën e tyre. Një kokërr farë, e hedhur ndoshta edhe pak pa kujdes ne zemër, dikur mbin dhe lëshon rrënjë. Bashkë me moshën u rrit në zemrën e saj edhe dashuria për një djalë.
“As ti nuk do të shpëtosh nga dashuria, – i thotë një kushërirë e saj. – Sa më shumë të miqësohesh me një djalë aq më shumë do ndjeshë nevojën ta keshë pranë dhe  do të mërzitesh sapo të largohet”.
Por njerëzit nuk janë plotësisht të lirë as të lëvizin dhe as të dashurojnë. Ndoshta nuk kan të drejtë as të ëndërrojnë gjëra të bukura. Jeta dhe dashuria e tyre shpeshëherë përcaktohen nga rrethi i interesave të njerëzve me të cilët bashkëjetojnë. Edhe vajza e librit nuk është lirë.Të qenurit vajzë, sidomos kur je e bukur, të fut në rrjetën e interesave të njerëzve edhe të veshur me pushtet nga ku nuk del dot. Bota njerëzore është e zhytur aq shumë në interesa saqë interesat po ia atrofizojnë ndjenjat e bukura të dashurisë. Partia përdor gjithmonë grushtin e hekurt të diktaturës së proletariatit për të shtypur ata që ëndërrojnë gjëra të bukura.
Libri mundohet ta ngreje zërin në mbrojtje të ndjenjave të bukura të dashurisë së madhe njerëzore duke përdorur të gjitha mjetet që i ofron një vepër letrare. Në libër janë idealizuar vlerat pozitive te shoqërisë njerëzore dhe ështe vënë theksi edhe me pak sarkazëm ne dukuritë negative duke qartësuar problemet dhe dhimbjet që ato shkaktojnë.

S'KA KOMENTE