Blliçja, Çidhna dhe Dibra në një studim të mirëfilltë shkencor

Një studim 520 faqesh nga Mentor Hoxha për Nderin e Kombit dhe Vendlindjen e Heroit Kombëtar

238

Pas botimit të librit voluminoz “Figura e femrës në letërsinë shqipe” (Stërmilli – Kokalari – Migjeni -Koliqi) me udhëheqës shkencor Prof. Dr. Shaban Sinanin dhe reçensë nga studiuesi dhe shkrimtari i njohur Viron Graçi, studiuesi, poeti dhe gazetari i njohur Mentor Hoxha rishfaqet me një tjetër studim të mirëfilltë shkencor me titull “Blliçja, Çidhna dhe Dibra në historiografinë shqiptare dhe botërore”. Redaktor i këtij libri është shkrimtari, poeti, pedagogu dhe publicisti i njohur Agron Tufa, kursë reçenca është bërë nga Flori Slatina, gazetar i spikatur në fushën e kulturës. Libri është mjaft cilësor, përmban 520 faqe dhe mbi 1000 referenca nga Arkivi Qendror i Shtetit Shqiptar dhe nga historianët dhe studiuesit më elitarë nga Dibra, Çidhna dhe Shqipëria Ky studim është një udhërrëfyes historik jo vetëm për dibranët, blliçjanët, çidhnakët, por për mbarë shqiptarët dhe studiuesit brenda dhe jashtë Shqipërisë, pasi njihen me një prej trevave më të spikatura të historiografisë shqiptare e botërore. Një trevë plot ngjarje të rëndësishme historike  dhe vendlindja e dhjetrave figurave të shquara kombëtare e botërore. Akademiku dhe historiani i njohur Kristo Frashëri dhe mjaft historianë të tjerë të spikatur e kanë përcaktuar Dibrën dhe Çidhnën si vendlindjen e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, kurse  Prof. Dr. Shaban Sinani gjatë një interviste që i ka dhënë autorit të këtij libri thotë se “Dibra, është qarku më pjesmarrës më 28 nëntor 1912. Po ashtu thotë se “Ndoka i parë” del në fillimet e këngës historike (para se të kishte këngë për Ali pashën)”. Për qëndresën ndaj pushtuesit dhe sidomos ndaj regjimit komunist, fshatit Blliçe gjatë një cermonie të zhvilluar më 30 prill 2015, iu dhurua Urdhri i Lartë  “Nderi i Kombit” nga presidenti i Republikës z. Bujar Nishani në shenjë vlerësimi të lartë dhe respekti të thellë për qëndresën e pamposhtur ndaj diktaturës mizore gati 50 vjeçare komuniste…”. Të gjitha këto dhe shumë ngjarje e figura të rëndësishme në Dibër, Blliçe dhe në  Çidhën janë pasqyruar gjerësisht në këtë libër. Libri hapet me intervistën që autori Mentor Hoxha i ka marrë studiuesit të njohur Prof. Dr. Shaban Sinani, i cili jep një panoramë të shkurtër historike mbi ngjarjet dhe figurat më të spikatura të trevës dibrane. Në këtë intervistë, ndër të tjera ai thotë: “Historia e Dibrës nuk bëhet më me tregime alegorike dhe me fjalë “nën mutaf”. Në shoqëritë e hapura këto janë ligjërime paraurbane. Historia e Dibrës nuk bëhet më as me çifteli, as me lahutë, sepse e vërteta e saj gjendet në arkiva, në kujtesën e shkruar. Aty shihet dhe si na kanë vlerësuar të tjerët, dhe kjo, pikëpamja e tjetrit, e bën të vërtetën bindëse. Parimi i sotëm i dijes është ta shohësh veten “between the mirrors of others”: përmes pasqyrave të tjetrit”. Nga ky postulat i studiuesit të nderuar është frymëzuar dhe bazuar autori në sendërtimin e lëndës historike të këtij libri me parametra të admirueshëm shkencor. Për ta bërë sa më të saktë dhe sa më të besueshëm këtë studim, autori ka gërmuar për tre vite radhazi në Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar dhe në atë të Bibliotekës Kombëtare. Ka shfletuar të gjitha gazetat e periudhave kur janë zhvilluar ngjarjet historike, si dhe të gjitha studimet historike të historianëve elitarë brenda dhe jashtë Shqipërisë që kanë shkruar për trevën dibrane. Autori flet me gjuhën e dokumentave historike, por njëkohësisht mban edhe qëndrim kritik ndaj disa figurave dhe ngjarjeve të pakëndshme që kanë ndodhur në trevën dibrane përgjatë gjithë historisë njerëzore. Në libër ka dokumente historikë që bëhen të njohur për herë të parë. Ky libër përshkruan historinë e trevës dibrane nga parahistoria deri në vitin 1944 kur Shqipëria u çlirua nga nazifashistët dhe drejtimin e saj morën komunistët shqiptarë të drejtuar nga Enver Hoxha. Libri na njeh me banorët e parë të trevës dibrane, të cilët kanë banuar në Kronëza të fshatit Blliçe dhe në Burim të Maqellarës. Na njeh me të gjitha epokat historike dhe figurat më të ndritura të tyre deri më 1944. Po ashtu jep emrat e të gjithë martirëve të rënë në mbrojtje të trojeve dibrane dhe atyre shqiptare. Gjithë lëndën historike të këtij studimi e përshkon objektiviteti historik dhe korrektësia në pasqyrimin e ngjarjeve dhe përshkrimin e figurave historike nga Blliçja, Çidhna dhe Dibra. Pjesën më të madhe të këtij libri e zë historia e Blliçes dhe e Çidhnës (fshati dhe zona ku lindi dhe u rrit autori), por edhe si ndër më të njohurit dhe më të spikaturit në historinë mijravjeçare të trevës dibrane. Libri është ndarë në shtatë kapituj: Kapitulli I: “Blliçja, Nderi i Kombit Shqiptar”; Kapitulli II: “Blliçja, Çidhna dhe Dibra në histori”; Kapitulli III: “Parahistoria dhe qytetërimet e para në Blliçe dhe në Çidhën”; Kapitulli IV: “Çidhna, Vendlindja e Principatës së Kastriotëve dhe e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”; Kapitulli V: “Çidhna dhe Dibra nga vdekja e Skënderbeut deri në në Shpalljen e Pavarësisë”; Kapitulli V: “Nga Pavarësia e Shqipërisë deri në çlirimin përfundimtar nga serbët”; Kapitulli VII: “Çidhna dhe Dibra nga çlirimi nga serbët deri në pushtimin nazifashist dhe kapitulli VIII: Çidhna në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare. “Kapitulli VIII ka qenë dhe pjesa më e vështirë, – thotë autori, pasi është një periudhë tepër e ndjeshme, por edhe mjaft kontradiktore. Dy nga ngjarjet më të rëndësishme historike të kësaj periudhe janë dy betejat më të ashpra luftarake që u zhvilluan në Fushë-Alije midis forcave partizane dhe atyre nacionaliste të komanduar nga Halila Alia. Në këtë luftë pati shumë të vrarë nga të dyja palët. Triumfi i komunistëve dhe qëndrimi i gjatë i tyre në pushtet u shoqërua me reprezalje në zonë dhe manipulim dhe denigrim të pjesmarrësve nacionalistë në këto beteja. Për të qenë sa më korrekt me historinë, autori i ka parë këto ngjarje nga tre burime të pavarura nga njëri-tjetri. Ndonëse ky studim i mirëfilltë shkencor ngërthen në linja kryesore gjithë historinë e Dibrës, të Çidhnës dhe të Blliçes në të gjitha epokat e historisë njerëzore, autori Hoxha nuk pretendon se me këtë libër përmbyllet historia e tyre, ndaj ai shprehet: “-Ky është vetëm një gur në themelin historik të vendlindjes sime, të cilët kanë filluar ta ndërtojnë historianë të tjerë para meje dhe të tjerë do vazhdojnë t’i lartësojnë dhe përjetësojnë muret e saj të ngjizur nga gjaku i martirëve dibranë, të forcuar nga tallazhet dhe rrebeshet e shekujve, të djegur nga baruti i armëve, të shpuar nga tehu i shpatave dhe i plumbave të shumtë të derdhur mbi të. Kjo është një dhuratë për të gjithë blliçjanët, çidhnakët dhe dibranët, një dhuratë e përgatitur me shumë kujdes, mund dhe netë të tëra pa gjumë. Një dhuratë që mu deshën plot tre vite për ta përgatitur dhe shumë para për ta deshifruar. Këtë dhuratë ua kisha borxh paraardhësve të mi, brezave të sotëm dhe atyre atyre që do vijnë. Duke mos patur aq para sa t’u ndërtoja atyre sheshe, shkolla, parqe apo monumente kulti, duke mos patur post qeveritar apo mandat deputeti tu hap vende pune për të mos u larguar në emigrim, zgjodha këtë dhuratë që ta kenë pranë në çdo kohë dhe në çdo vend brenda dhe jashtë Shqipërisë. Mua, Zoti nuk më dha para dhe poste qeveritare, por më dha mendjen dhe penën, të cilën këtë herë e vura me shumë dëshirë në shërbim të historisë së vendlindjes sime që ajo të ngelet përjetësisht në memorien e historiografisë shqiptare, që brezat e sotëm dhe të nesërm të njihen me historinë dhe figurat e ndritura, por edhe të urryera të trevës së tyre. Padyshim, që këtë kështjellë të ngritur me aq mund e sakrifica do mundohen ta rrënojnë dhe ta basardojnë njerëz të lig, por të gjithë ne duhet ta ruajmë me shumë kujdes dhe t’ua mëkojmë me shumë dashuri brezave të sotëm dhe të nesërm.  Gjatë një intervistë me mua Prof. Dr. Shaban Sinani u shpreh: “Ajo që dua të them është se Dibra, ku shpesh thuhet se “ka pushuar mendja”; Dibra dhe dibranët pra, duke qenë më konvergjentë dhe më kalorësiakë me njëri-tjetrin, siç kanë qenë në histori, që i janë përgjigjur nderit me nder dhe jo inatit me inat, kanë mundësi të bëjnë shumë më tepër për njëri-tjetrin, duke e bërë mendjen më të lirë”.

S'KA KOMENTE