Vihet në dyshim financimi për Rrugën e Arbërit

Arsyet e shkeljes së afatit të dorëzimit të ofertës nuk bëhen të ditura. Por tërheqja e bankës kineze “Exim Bank” duket se e ka vënë në vështirësi edhe kompaninë “China State Construction”. Asaj tashmë i duhet të gjejë financues të tjerë

87

Financimi i Rrugës së Arbërit, arteries që do të lidhë Tiranën me Dibrën dhe Maqedoninë, është vënë në dyshim. “Exim Bank”, banka që ishte ofruar për të financuar rrugën, besohet se është tërhequr nga projekti. Qeveria shqiptare është vënë në dijeni të refuzimit të “Exim Bank”, por nuk ka bërë komente.
Kompania kineze “China State Construction” që do të ndërtonte rrugën duhet ta kishte paraqitur brenda shtatorit oferën e saj përfundimtare për projektin e rrugës që ka një gjatësi prej 26.9 kilometrash. Lapsi.al konfirmoi se oferta nuk dorëzuar dhe se firma kineze ka dërguar në Ministrinë e Transporteve vetëm një gjurmë të rrugës, e cila është miratuar nga ky dikaser.
Ligji i miratuar më 16 prill në Kuvendin e Shqipërisë përcakton fundin e shtatorit si afatin për dorëzimin e ofertës nga kompania kineze. Pas dorëzimit oferta do të duhej të negociohet për 60 ditë përpara se të dërgohet në kuvend.
Arsyet e shkeljes së afatit të dorëzimit të ofertës nuk bëhen të ditura. Por tërheqja e bankës kineze “Exim Bank” duket se e ka vënë në vështirësi edhe kompaninë “China State Construction”. Asaj tashmë i duhet të gjejë financues të tjerë.
Geri Selenica, përfaqësues i disa firmave të mëdha kineze, i pyetur nga gazeta “Rruga e Arbërit” sqaroi se “IRR – Koeficenti i Rikthimit të Investimit- u është ndaluar me ligj bankave kineze që të jetë më pak se 13.5 % për një periudhë 8 -vjeçare. Për rastin e rrugës së Arbërit është folur që IRR të jetë 5 %, por ndërkohë janë rritur vitet nga 8 në 12 vjet.
Koço Kokëdhima, deputeti i Partisë Socialiste, i angazhuar në negocimin me kompaninë kineze “China State Construction” i tha gazetës se “interesi i kredisë nga “Exim Bank” do të jetë 3 % dhe IRR 5 %, duke e çuar atë në 8 %, ndërsa negociatat e qeverisë së mëparshme e conin atë në 24 %”.
Por “Exim Bank” duket se është tërhequr nga fakti se nga përllogaritjet e saj, investimi duket i rrezikuar. “Që kjo rrugë të jetë e justifikueshme për investimin duhet që aty të kalojnë mbi 15 mijë makina në ditë me një pagesë prej 5 eurosh për çdo makinë për 12 vite me radhë, kështu që ky investim nuk është i pranueshëm për palën kineze”, shpjegon Geri Selenica.
Deputetë të qarkut të Dibrës, të interesuar direkt mbi projektin nga i cili përfiton zona e tyre, thonë se nuk kanë asnjë informacion se çfarë po ndodh me projektin.
Sherefedin Shehu hedh dyshime se pas tërheqjes së “Exim Bank” qëndrojnë edhe arsye të tjera. Ai shrpehet se përfshirja e “Exim Bank”  në ndërtimin e Rrugës së Arbrit është e kushtëzuar me koncesione të tjera, si hidrocentrali i Skavicës apo Porti i Shëngjinit. “Në mos ka hequr dorë, nuk do të ketë ndonjë zhvillim pozitiv të shpejtë, sepse kjo histori ka filluar që në kohën e PD-së”, shprehet ai.
Edhe deputeti i PS, Ulsi Manja thotë se ka kërkuar informacion në rrugë zyrtare në Ministrinë e Transporteve, por deri tani nuk ka marrë asnjë përgjigje, çka hedh më shumë dyshime se projekti ka ngecur.
Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto, i ngarkuar për të negociuar kontratën, ka pranuar pak ditë më parë se është në komunikim të vazhdueshëm me firmën kineze, duke konfirmuar se oferta duhet të paraqitej brenda shtatorit.
Po mbushet muaji nga kalimi i afatit, por nga “China State Construction” nuk ka mbërritur asnjë dosje mbi ofertën e rrugës. Një vonesë kjo që e vë në dyshim edhe një herë ndërtimin e rrugës së Arbrit, pavarësisht premtimeve elektorale të kryeministrit Edi Rama.

S'KA KOMENTE