Bulqiza, e stërmbushur me probleme të vjetra e të reja

Është koha që masivi i Bulqizës të shihet në kompleskitetin e vet gjeologjik dhe t’i nënështrohet rivështrimeve serioze shkencore

346

Shtruar troç këtu nuk do bëj fjalë për problemet që ka shteti apo shoqëria me Bulqizën si vend a si popullatë. Natyrisht as nuk do merrem me problemet që kanë qytetarët bulqizakë a përfaqësuesit e tyre me shtetin. Nuk do ndalem as në problemet që kanë puntorët me punëdhënësit a punëdhënësit me puntorët aty. Bulqiza është e stërmbushur me probleme të vjetra e të reja, natyrore e shoqërore, familjare e kulturore, etj.për nga natyra  e tyre si çdo pjesë periferike e këtij vendi që gjejnë e nuk gjejnë hapësirë pasqyrimi  në aq shumë media të prodhuara nga sistemi i nismës së anarkisë së lirë dhe tregut pa treg! Kur them “problemi Bulqizë” kam në fokus atë çka e shndërroi këtë qëndër banimi klimë-egër nga një term gjeografik të padëgjuar në një term ekonomik që e njeh gjithë bota indistriale moderne. Flas për mineralin e kromit! Flas për problemin e perspektivës jetike të kromit Bulqizë! Në se nuk zgjidhet “problemi Bulqizë” atëhere kjo qëndër ekonomike me emër do t‘i kalojë historisë ekonomike të Shqipërisë, gjeografisë së vendit dhe librave me modelet e shkëmbinjve ultrabzikë në botë.
Problemi Bulqizë nuk shtrohet sot për herë të parë. Ai ka vite e dhjetëvjeçarë që është shtruar. Eshtë anashkaluar me miopësi politike dhe në praninë e pamundësisë teknike për t’u zgjidhur. Efekti ka qënë rënia e niveleve të prodhimit me 4-5 herë në këto 25 vjet. Problemi Bulqizë është një çelës që ka kyçur aty kriminalitetin e rritur të zonës dhe varfërinë, fëmijërinë e pashkollë dhe aksidentet e rënda, indiferentizmin e shtetit dhe arbitraritetin e administratës shtetërore, informalitetin dhe punën e pagojë në të zezë… Të gjitha kanë një emër të përbashkët: rënie e rezervave gjëndje të kromit, rrjedhimisht rënie drastike prodhimi, punësimi, fitimi, të ardhurash… Thuajse të gjithë tërbohen e ulërasin të zgjidhin këto çështje, por më kot. Ata që sakrifikojnë vërtet janë punëtorët e inxhinierët që shkojnë përditë aty ku i gjalli shkon vetëm një herë, dhe gjithësesi kanë guxim e forcë të buzëqeshin e të vazhdojnë në të nesërmen. Mirëpo e nesërmja është e errët, e errët se frontet e kromit po pakësohen përditë, përditë bie dhe prodhimi i tij dhe përditë ata burra detyrohen të shkojnë në vënde më të rrezikshme dhe …

Natyrisht që jeta e një miniere është gjithnjë e kufizuar dhe ka në esencë: rritje të nxjerrjes së prodhimit, ecje në një kapacitet të caktuar dhe shuarje të saj. Tre faza detyrimisht të natyrës së minierës. Parë nga nivelet e sotme të nxjerrjes së kromit në masivin e Bulqizës përgjithësisht e në vëndburimin me këtë emër veçanërisht, duhet thënë që aty punohet në zonën e shuarjes së minierës. Eshtë filluar me disa dhjetra mijë ton, zhvillimet më të mira regjistrojnë mbi 1milion ton, ndërsa sot aty, duke konsideruar të gjithë subjektet që punojnë sektorët e vjetër të saj, nxirret diku tek 200 mijë ton në vit.
E ardhmja duket e pa shpresë për nivelet e nxjerrjes së kromit në Bulqizë dhe mrekullitë nuk mund të priten sepse pa kërkim-zbulim gjeologjik serioz e të vazhdueshëm nuk mund të ndodhin mrekullitë. Në të vërtetë nivelin e sotëm të prodhimit të kromit në vendin tonë mund ta quajmë “mrekulli” në më të shumtën e tij, sepse ai po arrihet falë sakrificës që bëjnë dhjetra minatorë e specialistë që futen brimave të vjetra e nxjerrin prej andej ato që ne dikur i konsideronim “humbje teknike” e që praktikisht u përkasin hapësirave të shfrytëzuara dhe kufinjëve të tyre, pra në tërësi zonave me rrezik minerar të rritur për jetën e njerzve. Ka një hov të subjekteve private edhe në vlerësimin tërësor të sipërfaqes së masivit krommbajtës çka ka shpënë në shfrytëzim të thuajse krejt pikave të mineralizuara apo edhe në zbulimin e pikave të reja nga ku nxirret mineral kromi. Në të dyja drejtimet “pranvera” ka ikur dhe situata duket “dimër”. Kjo bën që ndonjë subjekt të kuturisë e të marrë një sipërfaqe prej disa kilometra katror për një sasi prej 3000 ton krom, në dukje një nismë qesharake për një ekonomi serioze minerare.
E pa shpresë në termat afat mesëm duket edhe euforia në vlerësimin e hapjes më në fund të pusit që ve në lëvizje rezervat e kromit në thellësi të Bulqizës (nivelet poshtë kuotës-5m). Kjo hapje ka të bëjë me një prodhim prej maksimalisht 80 mijë ton në vit dhe për një afat më së shumti prej 10 vjet çka është në limitet e ulëta të efektivitetit ekonomik dhe lehtësisht e cënueshme nga situata e krizave që kapin sektorin e kromit ritmikisht shpesh. Megjithatë kur flasim për veriun e Bulqizës dhe thellësinë që përkon me të kemi folur për kromin e pasur dhe zonën e vetme me krom të pasur që ka një perspektivë afat mesme ta quajmë, të qartë e të qëndruesheme. Të tjerat janë llafe dhe ëndrra në diell që lindin nga ca evidenca të mykura ku qeveritë gënjejnë veten dhe invesitorët e huaj, evidenca të mykura vërtet që mbështeten në një arithmetikë të përvitëshme dhe jo në bilance rezervash industriale që dalin nga llogaritje e raporte gjeollogjike serioze e periodike.
Për kromin e varfër që shkon në pasurim situata është diçka tjetër, natyrisht me probleme të saja, por me një perspektivë të qëndrueshme zhvillimi afat mesme dhe ndoshta diçka më tej.
Kjo panoramë gri shtron dy pyetje: Përse? dhe: Kush?
Ndonjeri do mendojë, falë të shkuarës time, se po shtroj çështjen e fajit e të fajtorit. Kurrsesi!
Unë mendoj për qytetet Bulqizë e Krastë ku po shteron jeta, për eksportin e vendit që po humbet zërin kryesor e të sigurtë në prodhimet minerare, për shtetin që po humbet rentën, për atë numur jo të vogël subjektesh minerare që përditë po bjerren e po ashpërsojnë qëndrimet për mbijetesë etj. Bulqiza është një ekonomi reale që është ndërtuar mbi një trashëgimi dhe deri tani ka mbijetuar vetëm nga ajo trashëgimi. Kjo ekonomi reale është në lëngatë dhe ata që e kanë detyrë të venë re lëngatën e të ndërmarrin hapa shëruese, as e kanë bërë as nuk po e bëjnë këtë. Është çuditërisht injorant e i pa skrupullt aktiviteti tenderues i sajuar nga ca rregullime të sajuara ligjore gjoja për shmangien e korrupsionit. I japin pjesëmarrësit të lojës së tenderave një copë letër me një sipërfaqe të përcaktuar, me një sasi rezervash që nuk dihet a janë a nuk janë dhe me një mori kërkesash ku subjektivizmi në vendosjen e shifrave mund të marrë krahë e të fluturojë nga të dojë.Bëhet fjalë këtu për një pasuri publike që nxirret në treg për tu investuar seriozisht që të vihet në punë në afate rigoroze e për treg ndërkombëtar të lëkundshëm nga krizat peridikisht të ngjeshura por, për fat të mirë me një normë fitimi të lartë për ekonominë tonë e për njerzit tanë.
Eshtë Shërbimi Gjeollogjik Shqiptar dhe AKBN-ja që duhet të përgatitnin dosjet tekniko-ekonomike të objekteve që do tu ofroheshin mandej subjekteve private invesuese të cilat duhet të binden për sasitë e cilësitë e mineralit, për vendndodhjen e tij në hapsirën nëtoksore dhe kushtet gjeollogo-teknike të kësaj vëndndodhje dhe mandej të kërkonin prej tyre hapat që do të ndërmerrnin për vënien në lëvizje ekonomike të mineraleve. Ca parametra të hedhur në zarfat tenderues sipas ligjit minerar aktual nuk përbëjnë parametrat e një projekti cilësor shfrytëzimi, por një shteg të manipulueshëm për të fituar tenderin.
Për të mos u larguar nga Bulqiza si problem… Kur them “problem” nuk mendoj asesi për inorfmalitetin, rënien e të ardhurave nga renta apo çështjen e diskutueshme se po more krom në stoqet e gurit pa liçensë je mafioz- zot na ruaj!. Problem është gjëndja në shuarje e minierës së Buqizës!
A ka zgjidhje kjo çështje?
Shërbimi Gjeologjik Shqiptar ka në përdorim një variant për një perspektivë të hapur për krom, citoj: “…duhet të ketë zhvillim me luhatje në drejtimin gjatësor, pra në drejtimin veriperëndimor të konturit verior të zbuluar për Bulqizën, në drejtimin juglindor të konturit të zbuluar për Batrën… në përputhje me ligjësitë e zhvillimit gjeologjik të masivit; zhvillimet në drejtimin gjerësor duhet të jenë pothuajse në të gjithë gjatësinë e shtrirjes më në perëndim të trupave të zbuluar deri tani dhe në krahun lindor perspektiva është e çelur për kërkim sidomos për zonën qëndrore e jugore…”
Jo për skepticizëm, por unë nuk jam me këtë parashtrim. Eshtë një parashtrim i vjetëruar mbi të cilin janë bërë punime serioze nga viti 1980 e më pas e që kanë dështuar në rezultatet e tyre. Nuk mund t’i marrim të paqëna ato dhjetëra mijëra metër linear shpime, por edhe galeri të hapura mbi këto ide e thjeshtësisht të parezulat.
Eshtë koha që masivi i Bulqizës të shihet në kompleskitetin e vet gjeologjik dhe t’i nënështrohet rivështrimeve serioze shkencore të mbështetura mbi ide të reja, punime fushore rivlerësuese sipërfaqore e në thellësi dhe përgjithësimeve gjeologjike reale e të pa eufori.
Ka patur një gabim të thellë në prakitkën gjeollogjike, praktikë që vijon e patrazuar: Shërbimi gjeologjik për kërkim-zbulimin ishte i ndarë nga ai për shfrytëzimin çka shkatonte shpesh herë përplasje më shumë se bashkëpunim. Ky konsumim i padobishëm i forcave shkencore të mirëfillta të vendit, të cilat më duhet ta them kanë qënë dhe janë të shumta, të afta  e me nivel shpesh herë të rangut ndërkombëtar, ka lënë pasoja. Nuk janë shfrytëzuar në bashkëpunim dhe më së shumti janë mënjanuar nga vlerësimet teorike arritjet si realitete dhe si ide të gjeollogjisë minerare.
Materialet faktike të gjeollogjisë minerare të studiura tanimë në kuadrin e përpjekjes për një modelim tredimensional të Bulqizës më japin të drejtën të jem i prerë në këtë përfundim dhe i gatshëm të hyj në debate si jo i sferës specifike. Vijimësia e Bulqizës duhet kërkuar si zhvillim në thellësi, në juglindje e në veriperëndim të atij që quhet LINDORI I DYTE me veçoritë që lindin nga një ecje diapirike e strukturës. Në këtë këndvështrim është thjeshtësisht e përcaktuar skema e punimeve të kërkim-zbulimit në masiv, investimet që duhen bërë sipas zërave të punimeve e të një radhe shkoqitëse e sqaruese dhe pritshmëritë e tyre në rezerva kromi së fundi.
Një vullnet politik për t’i vënë shpatullat zgjidhjes së problemit Bulqizë është pa dyshim i domosdoshëm dhe përtej qëndrimit foshnjarak që gjoja “shteti nuk merret me punime kërkim-zbulimi” të cilat gjoja i takojnë privatit si e drejtë e Ligjit minerar.

S'KA KOMENTE