Gjeniu i minierave – Todo Manço, kryeinxhinieri i të gjitha kohërave

Kromi në Shqipëri nuk mund të kuptohet pa gjeniun e minierave, Todo Manço

427

Kromi në Shqipëri nuk mund të kuptohet pa gjeniun e minierave, Todo Manço. Mbase dhe e ardhmja vështirë se mund të lindë një njeri të tillë legjendë dhe të paarritshëm, zemërbardhë, erudit dhe specialist i jashtëzakonshëm. Gjithë jetën ia kushtoi shkencës, “artit” minerar. Ai çdo ditë gjendej në thellësitë e nëntokës 1000-2000 metra, i veshur me kostumin e minatorit, duke ndriçuar me mendjen e tij e me kandilin e karbitit arteriet e nëntokës sonë, duke i marrë asaj kromin aq të kërkuar.
Todo Manço (1921-1974), një jetë plot punë: punë në hartografi, planimetri, profile gjeologjike; në projektim, në llogaritje analitike, që miniera i ka patur të shumta e tepër të vështira; punë në konturim të trupave xeherorë; në plane horizontale, vertikale e në prerje, punë në llogaritjen e parametrave shkencorë për të nxjerrë tonët e mineralit, punë duke skicuar me blozën e kandilit të karbitit kontaktet e xeherorit me shkëmbin e sterilin…, punë e punë pambarim.
Në vitin 1945 mbaroi fakultetin e inxhinierisë për miniera e gjeologji në Varshavë, Poloni.
Më 1946 filloi punë si kryeinxhinier në Minierën e Bakrit, Rubik.
Ja si e përshkruajnë bashkëkohësit e tij: “…Në Pusin Nr.1 ndodhi një shembje. Në moment vjen operativi i sigurimit, V.Marko dhe u thotë: -Kush e ka shembur pusin?
Todo përgjigjet: Unë! Ç’punë ke ti?! Shteti më ka caktuar mua. Unë jam kompetenti, kurse ti nuk di se ç’është miniera.
Një minator ndërhyn duke e sqaruar operativin për të qetësuar gjakrat.
Kryeinxhinieri i kthehet përsëri operativit: “Dil përjashta  e mos të të shoh më në minierë!” Këtë e dëshmojnë në kujtimet e tyre Kol Ndue Frroku, Zef Gjergj Ded Gjoni, Gjergj Xhaferri, Ndue B. Marndreja e të tjerë.
Më 18 shkurt 1948 është kryeinxhinieri Todo Manço, që nis galerinë e parë (A) të minierës së Bulqizës, ku me kalimin e kohës kjo minierë do të ishte më e madhja në Shqipëri, e dëgjuar në Europë e më tej, i ndihmuar nga minatorët mirditorë Pal Marka Deda, Gjergj Frrok Jaku, Llesh Marka Ndoji, Pjetër Ndue Reçi, Pal Ndue Marku, Ndrec Ndue Lleshi, Llesh Tusha, Dod Preng Gjeta, ardhur nga miniera e Rubikut, së bashku me dibranët Baftjar Fida, Haxhi Zharri, Nasuf Spahiu, Islam Islami, Tasun Spahiu, Selim Marku, Kamber Duriçi, Vesel Tusha, Ramadan Guzja, Ismail Çupi e të tjerë.
Më 1966 ishte mendja e mprehtë e lapsi i imët i kryeinxhinerit Todo Manço, që projektoi dy tranvenbankët me seksion të madh, 9 metra katror, me dy rrugë shinash, galerinë 5 – H në lartësinë 1440 metra mbi nivelin e detit dhe galerinë ballore H – 1380 metra, me gjatësi secila 5000 metra, që lidhën Bulqizën me Batrrën dhe që do të çonte në zgjidhje racionale në fushën e prodhimit, ajrimit e transportit të kromit. Do të rritej plani i prodhimit nga 30 – 40 mijë ton në 500 000 ton secila minierë (Batër, Bulqizë). Do të rriteshin rezervat, duke e renditur Shqipërinë në vend të dytë për prodhim mineral kromi (Cr2O3) dhe vend të tretë si sasi rezervash mineral kromi.
Pal Marka Deda shprehet: Kryeinxhinieri Todo ishte burrë i dheut, një dashamirës i jashtëzakonshëm i minatorëve, ishte mjaftë i çiltër me njerëzit. Ai ishte një hero i vërtetë i punës.
Po kështu, Pjetër Ndue Reçi, që punoi një jetë të tërë në minierën e Bulqizës, specialist i minierave, thotë: Njeri si Todo Manço nuk lind nëna më. Burrë më të mirë unë nuk kam njohur. Njeri i drejtë, i pahile. Edhe atë e mbyti puna e rëndë e nëntokës në moshë të re. Sa ishte gjallë ai, i kishim krahët e ngrohtë. Ai më ka ndihmuar disa herë dhe i jam borxh edhe në varr.
Në Rrëshën (Fushë – Lumth) bëhej një mbledhje – të detyronin djalin tim, Markun, që të ndante nusen pasi ishte me biografi të keqe (familja e saj ishte mik i anglezëve!) Unë isha qiri në këmbë. Nga njëra anë ishte trysnia e pushtetit, në anën tjetër nusja e re, edhe ajo qiri në këmbë, duke qarë e lotuar. Dhe thashë: O popull, vijeni veten tuaj në vendin tim. Heshtje…Njerëz të përlotur e të vrenjtur, por në fshehtësi. Mbretëronte qetësia. Në ato momente të vështira bëhet një telefonatë nga Komiteti i Partisë Dibër që të ndihmohet Pjetër Ndue Reçi. Ishte dora e ngrohtë e Todo Manços. (Pas vdekjes së Todos, Pjetrin e përjashtojnë nga Partia).
Në vitin 1956-1957 Todo Mançon e caktojnë Zëvendësministër të Industrisë dhe Minierave. Prodhimi në Bulqizë ra. Kur e dërgonin si të deleguar nëpër rrethe, shkonte i veshur thjeshtë si minator me rroba doku. Shkon tek udhëheqja e shtetit dhe iu thotë se nuk do të punoj në këtë ministri, prandaj ika….dhe mori sërish rrugën për në Bulqizë.
Ai nuk ishte karierrist dhe nuk i pëlqente ana burokratike e administrimit, me gjithë rëndësinë e saj.
Në kujtimete  tij, Kryeinxhinieri i Batrës, Agim Cevani, shkruan se “në kujtesën dhe zemrën time mbetet i skalitur imazhi i inxhinierit të madh, heroi Todo Manço, i cili ka qenë simboli im dhe i gjithë inxhinierëve dhe specialistëve të kromit”.
Zef Gjergj Ded Gjoni, kujton: Në vitin 1956 na dërgojnë në Bulqizë  në hapjen e furneleve 30 m, së bashku me Kol Arapin, Ndue Marka Dedën, Jak Gjon Dedën, Ndrec Frrokun, Zef Bibën e Kol Bibën. Tre të fundit nga Vigu. Inxhinier Todo dhe bulqizakët na mbanin afër e me respekt, ndonëse varfëria ishte njëlloj si në mbarë vendin. Pas dy vjetësh isha në Tiranë, tek Zogu i Zi. Ndalon një makinë dhe del Todo. Më afrohet dhe më përqafon. Më ftoi për kafe. Menjëhëre vijnë shoqëruesit, por ky u thotë: ky është vëllai im, është minator! Dhe ata largohen 20-30 metra. Ky pra ishte Todo Manço, njeriu i thjeshtë, për të cilin do të kem respekt për gjithë jetën.
Jashar Dema, në kujtimet e tij shkruan: “Në dhjetor 1972 shkuam bashkërisht në një anije kineze për një drekë pune në Durrës, unë si kryeinxhinier i Batrës, ndërsa Todo Manço si inxhinier i Bulqizës. Në atë kohë m’u duk sikur pashë prindin që di të komunikojë në mënyrë perfekte me fëmijët. Respekt për Todo Mançon që, megjithëse ishte anëtar i KQ të PPSH, nuk bëri luftë klasash, siç bënin mediokrit dhe servilët. Nga fundi i jetës së tij takohem për herë të fundit në Burrel, ku pimë kafe. Më tha: – Jashar, kujdes shëndetin ! – dhe me dorën e djathtë fërkonte kraharorin që i dhembte. Pas dy muajsh ndërroi jetë….”
Edhe dy mbresa të drejtpërdrejta të autorëve të këtij libri:
(Pjetër Tarazhi:). Ndodhi aksident në Bulqizë. Prokurori i Rrethit Dibër merr të pandehur inxhinierin e minierës (sektorit). Menjëherë Todo Manço i kërkon Gjykatës të thirret si dëshmitar. Prokurori e pyet Todon se kush është fajtor për vrasjen (aksidentin) e dy punëtorëve në sektorin që drejtohej nga inxhinieri i pandehur. Todo përgjigjet: Fajtor është ai që ka shpikur minierën dhe vazhdon: Ti prokuror, nuk ke qenë në gjendje të zbulosh se kush ka vjedhur pasurinë e popullit, nuk ke zbuluar disa krime që bëhen mbi tokë dhe kërkon të zbulosh “krime” që bëhen nëntokë. Por a mund të gjesh miniera në botë ku nuk ka patur aksidente? Prandaj inxhinieri që e ke sjellë të pandehur është më i pafajshëm se ti, pasi ti ke bërë faji se ke marrë të pandehur një të pafajshëm, kurse ai jo. Unë nuk shkoj në Bulqizë pa marrë me vete inxhinierin, i cili nuk ka asnjë faj. Dhe argumentoi saktësisht se pse nuk kishte përgjegjësi penale ai inxhinier në atë rast. Trupi gjykues, në respekt të këtij njeriu të shquar dhe duke mos gjetur asnjë arësye për fajësi të inxhinerit, mori vendim dhe e la të lirë atë…..Kisha dëgjuar sa herë nga të tjerët, por dhe vetë e kisha vënë re thjeshtësinë e njeriut dhe specialistit model Todo Manço, zotësinë dhe përkushtimin e tij….”
(Gjin Kaçorri: ) Në vitin 1968 jam takuar rastësisht tek pika e triangulacionit shtetëror, afër liqenit Sope, krahu jugor (sipër Theknës) duke realizuar potenotin gjeodezik (prerje nga para) për të lidhur me koordinata shtetërore në boshtet karteziane galeritë (punimet) nëntokësore të sipërme të minierës Thekën, për t’iu paraprirë punimeve minerare të mëvonshme…I shumë respektuari Todo Manço, më afrohet dhe më përshëndet: Puna mbarë topograf! Të mbarë paç, kryeinxhinier Todi, i përgjigjem. Ai më pyeti se nga e njihja. Unë jam mirditorë, i thashë, dhe ju jeni i njohur për të gjithë mirditorët. Me shumë kulturë afrohet dhe mat si një Topo – Markshejdër i klasit të lartë, që tek inxhinier miniere nuk kisha parë, ku për koinçidencë, këndi i matur në gradë, minuta dhe sekonda doli i barabartë nga kontrolli i librezës fushore. Në fund do të më thoshte: është kënaqësi, është krenari, të punosh me mirditorë, dhe vazhdoi: “Pa markshejdërin në minierë ndjehem i qorrët dhe i shurdhët”.  Për momentin u shtangova për këtë vlerësim për profesionin, sapo ishim diplomuar…Iu përgjigja me të njejtën monedhë: “Miniera pa kryeinxhinier, është si ushtria pa gjeneral”….Më përqafoi si birin e tij dhe u nda prej meje. Më vonë mora vesh se ai shkonte për ngushëllim në familjen e një ish minatori në Okshtun. Me ndjenjë të thellë respekti e dashurie u ndava për të mos e takuar më Krye-Inxhinier Todo Mançon….
*Marrë nga libri “Stërnipërit e Pirustëve”

S'KA KOMENTE