Planifikimi dhe menaxhimi i territorit, faktorë të rëndësishëm zhvillimi

Stimulimi i biznesit lokal, tërheqja e investimeve dhe promovimi i rajonit si një destinacion turistik

855

Planifikimi i territorit dhe menaxhimi i tokës, konsiderohen sot si faktorë të rëndësishëm zhvillimi. Ndaj, studimet e kësaj fushe vlerësohen si instrument dhe si nevojë emergjente e zhvillimeve të këtyre viteve në tranzicion, sidomos nga zhvillimet spontane demografike, keqpërdorimet e territorit dhe mungesa e kontrollit të urbanizimit.
Deri më sot për qendrat urbane e rurale të Bashkisë Bulqizë janë kryer disa studime në formën e strategjive dhe veprimeve të dimensionit rajonal dhe lokal, si “Strategjia e Zhvillimit, 2007-2013″, Bashkia Bulqizë dhe strategjitë e zhvillimit të komunave 2007-2013. Por kjo mbetet e pamjaftueshme, sepse është e domosdoshme që:
”    të ofrohet një bazë strategjike mbi bazën e disa përfundimeve dhe sugjerimeve në lidhje me përdorimin e hapësirës dhe rregullimin e territorit për qendrat urbane e rurale të Bashkisë Bulqizë, në mbështetje të procesit të planifikimit urban dhe ndarjes së re administrative;
”    të analizohet me hollësi situata aktuale të zhvillimit të territorit në Bashkinë e Bulqizës, duke rekomanduar çështje që duhet të merren në konsideratë gjatë proceseve të zbatimit të ligjit për “Qeverisjen Vendore” dhe ligjit të “Planifikimit të Territorit”. Këto rekomandime mbështesin të gjitha grupet e interesit  dhe veçanërisht njësitë e qeverisjes vendore, institucionet që merren me këto problematika, mësuesit, nxënësit, studentët etj.;
”    të nxitet dhe mbështetet zhvillimi i qëndrueshëm i territorit duke lehtësuar bashkëveprimin dhe ndërveprimin e vazhdueshëm institucional, horizontal dhe vertikal, si dhe duke siguruar transparencën dhe pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje.
Planifikimi urban synon të mbajë nën kontroll simetrinë dhe rregullin, të krijojë kushte për të kryer një luftë reale ndaj mbetjeve dhe ndotjeve, ndaj pushtimit të territoreve të gjelbërta, kthimit të tokave bujqësore në sheshe ndërtimi etj.
Realisht në vendin tonë, çdo ditë e më shumë po i kushtohet vëmendje planifikimit hapësinor dhe ndaj është nisur edhe një reformë. Fakti që kemi një ligj “Për planifikimin e territorit”, nr. 10119, datë 23.4.2009, ky është një instrument ligjor, i cili jo vetëm ndryshon shumë nga instrumenti i mëparshëm ligjor për urbanistikën (Ligji nr. 8405, datë 17.9.1998, “Për urbanistikën”), por mbi të gjitha të detyron të lëvizësh në rrugë të pashkelura konceptuale dhe praktike. Ky ligj është një argument i  mjaftueshëm në favor të angazhimit të të gjitha instancave për ndryshime rrënjësore në kujdesin ndaj territorit dhe tokës.
Përmes një analize të thjeshtë të të gjithë problematikave për planifikimin e territorit, si dhe rekomandimeve për një menaxhim e kujdes ndaj tokës, midis të tjerave do të përpiqem të parashtroj se çfarë nevojitet për të pasur një ndryshim madhor e të vërtetë në planifikim, dhe sa të gatshëm jemi ne si shoqëri për këtë hap të rëndësishëm.
Në historikun e zhvillimeve urbane në Shqipëri, në periudhën 1944-1990 të Shtetit Socialist, ku çdo gjë ishte e shtetit dhe çdo gjë e vendoste shteti, dominoi stili i arkitekturës dhe urbanistikës lindore. Në këtë mënyrë, mori jetë iniciativa e pajisjes së qyteteve dhe fshatrave me plane rregulluese të përgjithshme.
Pas viteve ’90, ndryshimet politike, ekonomike dhe sociale, u pasqyruan në territor në trajtën e urbanizimit të pakontrolluar, në zaptimin e hapësirave publike, në ndërtime pa plan dhe leje në tokën private, në ndërtime shumëkatëshe me dendësi të lartë në qendrat e qyteteve dhe informale në periferi, si dhe në krijimin e zonave të reja urbane me mungesa të theksuara në infrastrukturë.
Por, planifikimi i territorit nuk duhet të mbetet vetëm në specifikimin e rregullave të përgjithshme për vendosjen e ndërtesave në tokë urbane. Ai duhet të konsiderohet me të gjithë karakterin e tij shumëdimensional në çdo pjesë të territorit të bashkisë, pavarësisht nga karakteri urban, rural, bujqësor etj., që ky territor  mund të ketë. I rëndësishëm është edhe krijimi i bindjeve në të gjitha strukturat dhe tek të gjithë individët në shoqëri, për zbatimin e ligjeve dhe ndërveprimin institucional për çështjet e planifikimit dhe menaxhimit të                                                            tokës. Mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi i qëndrueshëm duhet të jenë pika kryesore e objektivave qeverisëse për pushtetet lokale dhe ato qendrore.
Ligjet nuk diferencojnë konceptet për tokën private dhe atë shtetërore, por vendosin rregulla për përdorim të arsyeshëm të tokës dhe përcaktojnë mënyrat se si këto rregulla mund dhe duhet të zbatohen. Pra, nëse autoritetet e planifikimit e lejojnë, pengojnë apo kushtëzojnë intensitetin e ndërtimit dhe llojin e përdorimit të tokës, atëherë kemi zgjedhur një rrugë të drejtë për zhvillime të qëndrueshme dhe me rregulla tregu, e njëkohësisht publike.
Një tjetër problem i  rëndësishëm për të ardhmen e mirëadministrimit të tokës, është edhe ndërtimi me rregulla dhe sipas parametrave ligjorë, ku përcaktohen normat dhe kushtet teknike bazë të detyrueshme të projektimit, zbatimit, të punimeve, përdorimit, mirëmbajtjes, prishjes dhe heqjes së strukturave, zbatimit të punimeve etj.
Planifikimi urban, kontrolli i territorit dhe problemet emergjente të mjedisit janë pjesë aktive e punës së një komuniteti, që nga metropolet gjigande, deri tek trevat dhe njësitë rurale, për të vënë në efiçencë të plotë një nga problemet themelore të shoqërisë së ditëve të sotme. Në fakt, me territorin dhe mjedisin janë të lidhura pazgjidhshmërisht gjithë jeta jonë, mirëqenia dhe shëndeti, bashkëjetesa në komunitet etj.
Shoqëria shqiptare vjen nga një mendësi kolektive progresive në lidhje me mjedisin, por çuditërisht, në ambientet publike, që na përkasin të gjithëve, nuk e manifeston dukshëm këtë mendësi. Njerëzit janë tradicionalisht shumë të interesuar  për të mbajtur pastër shtëpinë, oborrin personal, rrugën përpara shtëpisë, por nuk bëjnë të njëjtën gjë edhe për rrugën ku kalojnë të gjithë, për trotuaret, mjediset kolektive të punës, parqet, lulishtet dhe ambientet publike në përgjithësi. Këto të fundit, për inerci, mentalitet, neglizhencë, nuk pastrohen, duke i konsideruar të huaja edhe pse ai zotëron një pjesë të aksesit mbi këto prona publike. Mostrajtimi i mbeturinave urbane, ndotja, papastërtia dhe hedhja e mbeturinave në rrugë janë dukuri që ndodhin përditë dhe pothuajse nuk shqetësojnë askënd. Mbeturinat urbane, si dhe plehrat e mbledhura nëpër rrugë dhe në koshet e vendosura, që merren në ngarkim nga shërbimi komunal i pastrimit, janë një realitet që duhet pranuar. Vëllimi dhe pesha e mbeturinave urbane të grumbulluara gjatë viteve të fundit është rritur mjaft, gjë e cila tregon se përbërja e mbeturinave në ditët e sotme ka ndyshuar në përmasa gjigande në krahasim me ato të shumë viteve më parë. Ligji duhet t’i paraprijë një kulture të re mjedisore, që si rezultat i kalimit të shoqërisë shqiptare në një fazë të re, duke lënë prapa tranzicionin dhe duke hyrë në rrugën e pakthyeshme të demokracisë funksionale, që presupozon një raport të ri të qytetarit me mjedisin publik, presupozon rregulla të reja, përgjegjësi të re dhe angazhime më të plota të institucioneve dhe të gjithë shoqërisë për kontrollin dhe mbajtjen pastër të territoreve urbane. Sot janë krijuar një sërë standartesh mjedisore për çdo  lloj veprimtarie ndërtimore. Çdo projekt nuk kalon pa raporte të hollësishme, madje në disa variante, për vlerësimin e ndikimit në mjedis.
Nga pikëpamja e zhvillimit të territorit, vendi ynë përballet sot me sfida të shumëfishta. Shqipëria ka hyrë në procesin e urbanizimit të pakthyeshëm. Mirëpo, kjo rritje duhet të jetë e studiuar dhe e qëndrueshme, pra t’u shërbejë nevojave të sotme dhe të mos ju kushtojë brezave. Për këtë qëllim, nevojiten parime e koncepte të reja, në planifikim dhe zhvillim; kapacitete institucionale dhe profesionale për t’i zbatuar këto koncepte dhe për të përvetësuar një mendësi të re në zhvillimin e territorit dhe një sjellje e re qytetare, që vendos në fokus jo vetëm pronën individuale, por edhe atë publike. Ndërkohë që ligji i planifikimit dhe aktet e tij nënligjore kërkojnë detyrimisht zbatimin e këtyre koncepteve të reja, krijimi i një mendësie të re profesionale dhe sjelljeje të re qytetare është një proces afatgjatë. Në të ardhmen, programet e zhvillimit të territorit në Bulqizë, mendoj se duhet të drejtohen drejt:
”    hapësirave periferike dhe të paintegruara, ku mungojnë dukshëm shërbimet, infrastruktura etj., të cilat mund të çojnë në mundësi për krijimin e problemeve sociale;
”    hapësirave e zonave industriale e ish-industriale, sidomos në ato të braktisura dhe me ndotje mjedisore të trashëguar;
”    hapësirave urbane historike dhe kulturore, si baza të zhvillimit të turizmit kulturor;
”    hapësirave në degradim urban dhe mjedisor.
Mendoj se prioritetet strategjike për pushtetin lokal, me implementimin e të cilave do të arrihet zhvillimi i dëshiruar, mund të jenë:
~    përcaktimi i tokës ndërtimore si dhe konservimi i tokave bujqësore;
~    mbrojtja e peisazhit natyror;
~    rritja e kualitetit të jetës përmes parandalimit të zgjerimit të pakontrolluar të vendbanimeve;
~    rritja e produktivitetit në tokat ekzistuese bujqësore;
~    sigurimi i hapësirave shkollore, shëndetësore, shërbimeve sociale etj., në të gjitha vendbanimet;
~    stimulimi i biznesit lokal, tërheqja e investimeve dhe promovimi i rajonit si një destinacion turistik;
~    rikonstruksioni i sistemit të burimeve të ujit, zhvillimi i sistemit të furnizimit me ujë te pijshëm dhe për vaditje, si dhe përmirësimi dhe zgjerimi i sistemit të kanalizimit të tyre.
Gjithashtu, prioritetet e punës dhe aktivitetit të institucioneve që merren me planifikimit e qëndrueshëm të territorit dhe mirëmenaxhimin e tokës mund dhe duhet të jenë:
–    sigurimi i zhvillimit të qëndrueshëm të territorit;
–    vlerësimi i potencialit aktual e perspektiv për zhvillimin e territorit;
–    mbrojtja dhe restaurimi i trashëgimisë natyrore e kulturore;
–    përdorimi dhe planifikimi i zhvillimit të pronës në funksion të mjedisit;
–    krijimi i kushteve të barabarta për përdorimin e pronës;
–    evidentimi i kërkesave dhe nevojave të rajonit;
–    sigurimi i planifikimit të harmonizuar të territorit;
–    zbatimi i rregullave të sigurisë së ndërtimeve, kushteve teknike të projektimit dhe të zbatimit.
Natyrisht, këto prioritete do të arrihen tashmë me planin urban që do të realizohet për Bashkinë Bulqizë, e cila përfshin jo vetëm qytetin e Bulqizës, por edhe shtatë njësitë administrative (ish-komunat): Fushë-Bulqizë, Zerqan, Shupenzë, Gjoricë, Ostren, Trebisht dhe Martanesh. Media e shkruar dhe ajo televizive duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje e akses këtij problem jetik, pasi ai ka të bëjë me një standard të përmirësuar të jetës qytetare, me shëndetin dhe zhvillimin. Pra, neglizhimet e mundshme të çështeve kapitale të planifikimit urban, mund të shpien në trauma të rënda mjedisore dhe në rënie të vetë stadardeve jetësore të shoqërisë. Unë besoj në aftësimin e autoriteteve planifikuese të çdo niveli, për të kuptuar e zbatuar konceptet dhe praktikat e reja të planifikimit dhe menaxhimit të tokës, si çështjet proceduriale të punës së përditshme, por edhe të së ardhmes së njerëzve të kësaj zone.

S'KA KOMENTE