Mistika e Baba Fejzës

273

Baba Fejzë Bulqiza, ky filozof mistik idealist, misionar i përhapjes së bektashizmit në veri të Shqipërisë, patriot nacionalist, udhëheqës popullor kundër sundimit ottoman dha jetën për hak e për Atdhe.
Ai lindi në Vajkal të Bulqizës, u mëkua e u rrit në një ambjent fetar mistik të dajave dhe përkujdesjes së nënës së tij, Zelije.
Në medresenë “Hajdari Fatih” dhe në kolegjin e lartë teologjik të Stambollit u pais me dituri, kulture, moral dhe etikë e filozofi islame. Që këtu ndjeu shijen e botës mistike dhe nisi fluturimet me sekretet e asaj bote përmes shenjëtorëve filozofë.
Kjo kulturë mistike ndikoi dhe e formoi Fejzën në lagjen Pir të Stambollit, ku ai bënte vizita të shpeshta në teqen bektashiane të Baba Esatit, mistika e të cilit ia rrëmbeu koshiencën e besimit të magjishëm hyjnor. Pikërisht këtu filloi të jeshilojë krijimi i asaj dëshire të veçantë shpirtërore dhe e brishtë, që la gjurmë në mistikën bektashiane në Bulqizë e në zonën përrreth deri në Krujë, Martanesh e Tetovë.
Mistika e rriti dhe i pastroi botëkuptimin idealist për shtegtimin e shpirtit, përsosmërinë për t’u afruar tek Allahu duke e pastruar veten nga veset e dobëta.Si rrjedhim, përmes mistikës, ai u ndërgjegjësua. Zoti krijoi tek ai çdo vepër të habitëshme, çdo lëvizje si dritë e dheut dhe e qiellit të pafund ku, ngado që të hedhësh sytë, kupton dhe shikon fuqinë dhe pamjet e mrekullive.
Deri në vitin 1967, dëshmojnë pasardhësit e Baba Fejzës, erdhën shënimet e tij.Në këtë defter të djegur apo të grabitur nga persekutimi i fesë shënoheshin filozofët e vjetër të shekullit III-të dhe të VII-të me teoritë e mistikës.
Duke gjurmuar evoluimin e mistikës të krijohet bindja se Baba Fejza u bë bektashi dhe u sakrifikua në rrugën e përsosmërisë morale e nuk ka refleksion mitesh apo legjendash. Duke iu bindur pasioneve mistike, mësojmë nga filozofët me emër që çlirohen nga vetvetja dhe shkrijnë shpirtin te Zoti. Baba Fejza e ndjente në vetësi një diçka që filtrohej e përsosej moralisht. Dashuria hyjnore i vinte si dhuratë, që i falej njeriut të pastër. Atë e pati “robëruar” mistika e Arabiut, egzistencën e vetme në botë, Zoti.
Kjo filozofi e ushqeu Fejzën, sa krijoi bindjen se me Zotin shqiptaret do të gjenin dashuri e mirëkuptim për t’u bashkuar shpirtërisht njësh në kombin e tyre. Gjurmët e tij mistike zotëronin shenjtorin me dhunti dhe refleksione hyjnore.
Për mungesë arkivi të shkruar krijohet mjergull e mister për natyrën sekrete.Por natyra e tij ruhet në arshivat e mendjes e shpirtit të besimtarëve bulqizakë. Kur lidhja e 72 teqeve dështoi, e la të vetëm, me 200 vetë, përballë 4000 forcave të Valiut të Manastirit.
Baba Fejza u tha besimtarëve:”Kur të vijë sahati, do të jenë pas meje vetëm ato evladë që kanë ra njëherë me mue në fushën e Qerbelasë.” A nuk shpreh kjo ringjallje të shpirtit bektashian për Hak e për Atdhe?Si dritë e idesë mistiçizmi i Baba Fejzës të trondit me mrekullitë e habitëshme që shprehen me metafora e tregime të ruajtura nga breza bulqizakësh me hatikatë, që shprehin dhunti hyjnore të pushtetit shpirtëror të tij.Është tipizues rasti i një gruaje në Vajkal, e quajtur “Shkina e Duriçit”.Ajo shkoi në teqe dhe kërkoi një filxhan kafe. Baba Fejza i tha:”Hap hambarin e merr sa të duash.” Ajo ngriti kapakun e mbeti e çuditur. Hambari ishte i mbushur plot me kafe. Shkina hoqi kryqin prej qafe dhe pyeti:”Kë të besoj, o Krisht, ty apo Muhamedin”? Ti, oj nusja e Dikës, mos e hiq kryqin. Allahu është një, si për të krishterët, ashtu dhe për muhamedanët. – i tha Baba Fejza. Ajo nuk e vari më në qafën e saj kryqin.

Një natë i dolën burrat e katundit Dushe përpara.
– “Është vonë, or Babë, natë. Rrimë sonte këtu”, -iu lut Met Hasani.
– “Të ndalesh në Torvjoll, më thotë shpirti”.
– Or Babë, për hatër të zotit, jam ba hazër me pritë nazarin”.
– “Do ta shpërblej, or Metë,” -ia ktheu babai.
– “Në oborr të kullës tande ndodhet një rrasë e madhe…”
– “Hak po or babë” -foli Meta.
– “Vine veshin mbi rrasë dhe do dëgjosh zhurmë. Thyje rrasën me tokmak. Djersë do të derdhësh, por hajrin do t’ia shohë gjithë katundi”.
Baba Fejza u largua. Mete Hasani për tre ditë e thërmoi rrasën. Një curril i madh uji mbyti oborrin e kullës.Gëzimi mori dhenë.Edhe sot uji rrjedh në dobi të gjithë katundit.

Tek kulla e Hupit mbërrini i mërzitur.Kishte mësuar ngatërresat e Qejfaliut.
– “Për zemrën që ke, or Hup, Haku do të japë dy djem. Të parit thirri Sulë. Deri në Stamboll do ti shkojë zani”, -tha babai.
Vërtetë lindi Sulë Hupi, që bëri emër të madh.Me mistikën hyjnore ai donte të hapë rrugën “për tu bërë mbret”. Përmes tyre, zbulohet njëherësh edhe kuptimi filozofik mbi jetën me mesazhin:”Kërkoni të mirat se do ti gjeni përmes perëndisë e punës”.

Nga Shqipëria e Jugut vjen në Vajkal Sheh Hysen Tomorri dhe ngacmoi Baba Fejzën për pranimin e femrave në tarikatin bektashian.
– “Thonë se Ti, or Baba Fejza, ke bashkuar zjarrin me barutin…” – foli shehu jugorçe.
– “Insanët para Allahut janë njësoj, si mashkulli edhe femra”, – u përgjigj babai dhe i tha  të birit, Elmazit, të sillte një sahan me një  dorë barut brënda dhe vetë mori nga zjarri në oxhak një thëngjill të ndezur.
– “Veja zjarrin barutit!” – i tha mysafirit.
Baruti nuk u ndez.Shehu uli kokën kur pa se baruti ishte bërë lëng.
– “Shenjtorët si ti nuk i trazon turku. Je larg Zotit, jahu!” – i tha Baba Fejza.

Në vitin 1855 Bulqizën e kërcënonte uria.Baba Fejza mori Sheh Rafmanin e shkuan në Mat.Zia e bukës bëri të harrohet egoja fetare midis tarikateve.Mati i ndihmoi me misër e grurë Bulqizën.
Paria e Matit i kërkoi: -“Eja në Mat, or Baba Canga. Largohu nga ato male të egra.Kemi troje për ty si të dëshirosh.”
Mua në Bulqizë më ka caktuar Haku të jetoj. Në ato male do të vijë Mati edhe Bota… Do të vijnë mbas këtyre gurëve të zinj…”
Sot me të vërtetë parashikimi i Baba Fejzës, përjetohet nga koha, si është ba Bulqiza.

Baba Fejza në Rrugën e Arbërit, në Fushë-Bulqizë po pushonte tek “Guri i Lotit” ku është ngrit tylbja e Caush Cangës. Baba Fejza kishte porositur:”Mos shkilni tek “Guri i Lotit”, se aty pushojnë dy shenjtorë”. Më vonë, thellë nën këtë gur, u gjetën dy emisar të ardhur në ato anë për përhapjen e bektashizmit, që në shekullin e XIII-të. Këtë mrekulli e diktoi fuqia mistike hyjnore e Baba Fejzë Cangës.

Në kodër të Koçeve, kur u nis për në Xixull që të shpëtonte Bulqizën nga djegjet e reprezaljet e urdisë turke, u ndal para turmës së besnikëve.
“E shikoni Teqen e Madhe? Shprazni armët mbi te!” – urdhëroi 200 besimtarët. Disa ulën kokat.Të tjerët ndezën armët.Babai hoqi hyrkën.Plumbat pikuan nga trupi në tokë.Kuptimi ishte i qartë. “Çdo gjë e keqe që bie mbi dajat , i vuan edhe nipi” Çudi. Mistikë!
“O evladët e mi, unë jam lulja e rrënjës së babës madh. Vërtetë i kam kundërshtarë të rrugës sime bektashiane, por unë jam nipi i tyre.Plumbat mbi ata më bien mua”.
Mesazhi i kësaj vepre është i madh.Nga Baba Fejza diktohet morali i gjakut trashëgues, vëllazërisë, paqës, mirësisë edhe pse kundërshtarë në rrugën mistike të besimit.

Besimtarët panë në Ballet ë Martaneshit, te Guri i Plakës një tjetër shenjtëri. Baba Fejza afrohet tek shpella por nuk hapej porta. Babai dëgjoi zërin e shpirtit të Ballëm Sulltanit dhe u tha besimtarëve që i kishte pranë:” Davanë e kemi të humbur. Kthehuni në shtëpitë tuaja. Allahu don që unë të kaloj në jetën tjetër. Ne alivitë e kemi për detyrë ta derdhim gjakun sin ë Qorbela…” Asnjë nuk pranoi të kthehej mbrapsht. Jemi në rrugën tande i thanë ato babait që vazhdoi rrugën për në Xixull ku u bë edhe aty një fushë e Qorbelasë. Midis shumë të vrarëve, 12 shahitë (dëshmorë) janë përjetësuar në këngë dhe në historinë e Shqipërisë.A nuk zbulohet edhe këtu fuqia mistike, kur dera e shpellës së Ballesë nuk u hap?A nuk zbulohet bindja e besimi hyjnor i Baba Fejzës në rrugën e bektashizmit?A nuk është heroizëm i vetëdijshëm hyjnor i gjithë luftëtarëve?

Ja një tjetër vlerë mistike e treguar nga Baba Myslimi dhe Haki Karai:”Turqit e kishin  sjellë Baba Fejzën të plagosur bashkë me kokat e prera të shahitëve tek kulla e Karait, bashkë me kokën e të birit, Elmazi. Bajram Karai u hapi portën, por i biri, Dalipi, e kërcënoi të atin:”Do të vras për derr! Nuk duhet të bëhet kulla jonë burgu i turqve për Baba Fejzën…”
– Nuk i lamë jashtë. –  tha kryeplaku.
– Je ba marrja e dynjasë. – tha Dalipi.
Portën e hapën damrorët. Oficeri turk zbuloi thesin me kokat e shahitëve. Kapi për flokësh një kokë dhe ja vuri para babait.
– Në je elvija, bëje të flasë këtë kokë! – kërkoi turku.
Dy pika loti i ranë në mjekrën e zbardhur, baba Fejzës.
– Bëje ispatë veten! – përsëriti oficeri turk.
– “Po, o jeziti i Mavisë! – u përgjigj babai i mbuluar me djersë.
– “O Staf Çakalli! O Staf Çakalli! O Staf Çakalli!” – thirri babai tri herë.
Flaka e pishës u shua…
– “Hyy, evallah! U dëgjua zëri i shpirtit..
Kulla u dridh.Babai u ligështua.Iu drejtua Zotit dhe Ai i fali fuqinë hyjnore mistike. Rojet u shokuan.Oficeri i tyre i hutuar doli jashtë dhe u mbyt në llucën e baltinave rrugës.
Mistiçizmi si kuptim i botës së padukshme i filozofisë idealiste, buron nga një forcë shpirtërore me fuqi mbinjerëzore, që e fitojnë njerëz të veçantë, të talentuar, besimtarë të përkushtuar, me pastërti morale e me përsosmëri të lartë, me reflekse të lindura hyjnore, i afrohen fuqisë absolute, sa u formohet një “shqisë” tjetër për të parë e dëgjuar zë e lëvizje të sekreteve të botës mistike të çuditëshme. Baba Fejza si mistik i veçantë, me fuqi hyjnore, u formua nga subkoshienca e forcës shpirtërore të besimit hyjnor.Mrekullitë e tij janë veshur me prova që kanë mbetur në memorjen popullore të freskëta si në ditën kur u panë.
Sinteza e mistikës nga provat tregimtare, metaforike, të hyjnizuara shprehin edhe dëshirën e besimtarëve të vetëdijshëm për të mos u harruar këto vlera shenjtërie të idhullit të tyre shenjtor.
Ndaj baba Fejza ka mbetur e do të mbetet i zgjuar në përjetësi në mistikën bektashiane. Ashtu hyjnizohen edhe të gjithë dëshmorët e Xixullës, siç është tregimi për dërvish Currin, që vjen ditën e Muharremit për zinë e baba Fejzës. Një paralele në botën e dhunuar shpirtërore: Në fushën e Qorbelasë jezitia mavijane luajti me kokën e Imam Hysenit, ndërsa jezitia enveriane lëvizi eshtrat e mekameve të shenjtorëve. Burgjet e shtetit burg vunë në pranga idhujt e botës shpirtërore.
Zëri i Baba Fejzës vinte i kulluar. Bulqiza besimtare e 26 tylbeve dhe 19 varreve të mira e vende të tjera të shenjta e kujton: “…Në dynja do të dalë një farë dreqi. “Lugati i kuq”, do t’I thonë: “Feja do të hollohet sa një fije floku, por nuk do të këputet”. “Lugetërit e kuq”, si egërsirat e malit, do t’I marrë uria… Haku i miletit do t’i vrasë.”
Teqja e Dullenjës rrezatonte me emrin e Baba Fejzës.Aty ndalonin personalitete fetare e njerëz të mençur besimtarë.Ka bërë disa vizita kryegjyshi botëror Dede Baba Ahmeti.Ai deshi të hapë një shteg të zënë aksidentalisht nga rrethanat terroriste të kohës.    E kujton Baba Ismail Jangulli: “Desha të them që të hyni në atë derë që ka lanë hapur Baba Fejza. Ecni në gjurmët e tij… Baba juaj ka pasur shpirtin e Myslimit, dëshmorit të Qorbelasë!”
Në Bulqizë ditën e çeljes së “Muharremit të gushtit”, ka ardhë edhe sheh Besimi i Peshkopisë ku ka folur për kuptimet e mistikës para bulqizakëve.
“Baba Fejza e ka lanë amanet.Veç më fkatni, se unë do t’ju përgjigjem!” Kur do ta gjejë Bulqiza atë gjuhë që pret ta dëgjoi shpirti i Baba Fejzës? Sheh Mustafa i Zerqanit ka thënë: “Baba Fejza e ka fuqinë nga qielli, pra nga i madhi Zot. “Ky burrë i madh patriot, me emër  në krahinat tona dhe mik i ngushtë i Baba Fejzës, kur e pyetën si rob lufte në burgun e Bursës të Turqisë për bindjet e tij fetare u përgjigj:”Jam sheh Mustafa i Zerqanit. Rroben e kam vesh kadri, shërbimet i kam ba si helveti, ndërsa shpirtin e kam bektashi!”
Kur Baba Fejzën e plagosën, e çuan në Dibër të Madhe si rob lufte për ta përcjellë në Stamboll, në pallatin e Gjylhanesë para sultan Mexhitit, me 12 koka të prera të shahitëve të Xixullës, si dëshmi të fitores së gjeneralit turk Avdi Pasha, Baba Fejza i tha rojes së burgut: “Nuk do të rri ma këtu.” Rojet kanë armë nazari.”Në mesnatë një fashë drite hyri nga dritarja e burgut.Baba Fejza u tret në hapsirën e errët.E pa patrulla turke.Rojet ndezën kandilin.Dritën mistike të babait e pa edhe qyteti.Ky ishte Baba Fejza që I kishte dale zani edhe jashtë trojeve të Bulqizës.

Populli i Bulqizës e materializoi mistikën e tij duke mbajtur “Muharremin e gushtit” për shpirtin e Baba Fejzës. Ecë Baba Fejza.Vrapon koha.Edhe ai vrapon në kohë.i gjallë tek secili, si pjesë e kombit, si symbol i vetëdijes kombëtare dhe e botës mistike. E duan midis tyre njerëzit. Ai vjen, kur e thirrin:”-O Babë Fejza, ku je bre? -Gjallë për Hakë e për Atdhe!”

Ngrihet dielli, ulet hana,
Pret Bulqiza bab’n’e vet.
Nga Muriqi buçet gjama
Vaji i qyqes, oh sa vret!
Eja Baba, na thuj nji fjalë,
Na rri afër, të duem gjallë!
Të duem dorën, ejvalla!
Si Bulqiza jote s’ka.

Aty rri shpirti i tij me bustin, midis njerëzve, mes qytetit, tek sheshi që mban emrin e tij të paharruar “Baba Fejzë Bulqiza”, aty në qoshe, në vendin e nderit, në zemrën e qytetit, në zemrat e njerëzve që tani kanë mësuar historinë e tij dhe shohin çuditshëm të rrezatoi dashuri, urtësi, besim hyjnor për të gjithë.

S'KA KOMENTE