Hidër Cami, kryetari i Këshillit Nacionalçlirimtar që vdiq në burgun komunist

“Element me të vërtetë i përkryer në çdo pikpamje dhe shumë i durueshëm e i arsyeshëm”

144

Hidër Cami lindi në fshatin Viçisht të rrethit të Bulqizës e të Qarkut të Dibrës në vitin 1905. Paraardhësit e Hidër Camit kanë qenë pjesëmarrës aktiv në të gjitha etapat e periudhat e historisë së popullit shqiptar, duke dhënë shembuj frymëzimi e heroizmi në atë krahinë. Eqerem Cami ka qenë pjesëmarrës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit në vitin 1878 dhe bashkëluftëtar i Abdyl Frashërit.
Hidër Cami rridhte nga një familje atdhetare, që kanë organizuar e kanë qenë komandant çetash luftëtarësh në atë krahinë për mbrojtjen e trojeve shqiptare dhe për sigurimin e lirisë e të pavarësisë së Shqipërisë. Disa nga paraardhësit e Hidër Camit kanë derdhur gjak, duke rënë në betejat e përgjakshme kundër forcave osmanllie, kundër forcave pushtuese shoviniste serbe e bullgare, kundër forcave pushtuese fashiste italiane e naziste gjermane.
Gjyshi i tij, Mahmut Hidër Cami është i njohur si figurë e madhe patriotike në atë krahinë. Në kullën e tij janë mbledhur përfaqësuesit e Nëntë Maleve të Dibrës, ku kanë dhënë besën dhe kanë bërë organizimin e luftës kundër forcave pushtuese osmanllie të Hajredin Pashës. Mahmut Camin e vranë dhe i dogjën kullat, duke shkaktuar një dhunë e tmerr ndaj asaj familje dhe ndaj fshatit Gjoricë, ku u zhvillua shesh beteja e përgjakshme, si dhe ndaj gjithë krahinës së Grykës së Vogël. Xhaxhai i Hidrit, Shaban Mahmut Cami ka qenë komandant çete. Ai është vrarë nga forcat shoviniste pushtuese serbe dhe është i njohur si dëshmor i Atdheut. Kushërinjtë e Hidrit si Fet Cami, Ramiz Cami, Beqir Cami janë vrarë nga forcat shoviniste serbe e bullgare, duke derdhur gjak dhe janë të njohur si dëshmorë të Atdheut.

Në këto kushte Hidri u rrit dhe u edukua në një familje të shquar patriotike. Konaqet e burrave qen për të si dhe për gjithë brezin e tij shkolla të vërteta për mësimin e historisë të popullit të asaj krahine, si dhe të gjithë popullit shqiptar.
Që në fëmijëri, ai mësoi për padrejtësitë historike, që i janë bërë dhe vazhdonin t’i bëheshin kombit shqiptar nga kancelaritë evropiane, për masakrat e mësymjet e shovinistëve fqinj e të tjera. Mësoi dhe u edukua me ndjenjën e dashurisë për Atdheun dhe popullin e tij, si dhe me ndjenjën e urrejtjes për pushtuesit e huaj. Tek ai u brumos ndjenja përgjegjësisë dhe e detyrës për t’i dalë zot vendit, kur Atdheu dhe populli janë në rrezik.

Ndjenja e përgjegjësisë dhe e detyrës, për t’i dalë zot Atdheut u shfaq te Hidri dhe të afërmit e tij që ditën e pushtimit të Shqipërisë nga forcat fashiste italiane. Pushtuesit e ndjenin rrezikun, që mund t’u vinte nga kjo familje për qëndrim antifashist dhe atdhetar. Prandaj për të bërë presion mbi popullatën e krahinës, si dhe për ta izoluar familjen Cami, që në vitin 1939 internojnë dhe çojnë në Berat Uke Dan Camin dhe Sinan Shaban Camin. Por pavarësisht nga këto presione si dhe nga raprezaljet e mëvonshme, familja Cami u organizua në luftë kundër pushtimit fashist, duke nxitur dhe organizuar në këtë luftë pothuajse gjithë krahinën. Përveç organizimit të protestave mbarëpopullore e të vazhdueshme kundër pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, në prill të vitit 1941 u organizua kundër pushtuesve italian një luftë e armatosur në Miresh nën drejtimin e komandantit të çetës, Ahmet Feta Cami, me pjesëmarrjen e 30 vetëve, ku ndër të cilët u shqua Hidër Cami si dhe 20 kushërinjtë e tij, si për trimëri e guxim, ashtu edhe për ndjenjën e sakrificës e të vetmohimit. Në Miresh ishte i disllokuar shtabi i divizionit “Firence” të forcave pushtuese.
Si kundërpërgjigje të kësaj lufte dhe rezistence të organizuar popullore, fashistët italian arrestuan në prill të vitit 1941 shtatë vetë dhe i futën në pushkatim. Ja se çfarë shkruan Ahmet Cami në ditarin e tij të vitit 1941 “Sot në mëngjes erdhi Kurti nga Zerqani në Lubalesh dhe më dha lajmin se, Musain (Cami), Hidrin (Cami), Ademin (Cami), Lamin (Islam Cami), Aqifin (Cami), Uken (Cami), Ejupin (Cami) dhe Mexhit Lezin mbramë i kan shtie në patare në Miresh. Kanë shpëtue të tjerët përveç Musait, Ejupit dhe Mexhit Lezit, që s’dihet ende për to…”
Në ditët e para të prillit u vra në përpjekje me forcat pushtuese italiane edhe mësuesi normalist Fasli Cami, i cili u bë një pishtar dhe frymëzim për të gjithë bashkëluftëtarët e tij antifashist. Deri në fund të muajit prill të vitit 1941 forcat fashiste arrestuan edhe 20 burra të Cameve si dhe Hidrin, ndër të cilët edhe organizatorin e komandantin e tyre, kushëririn e njeriun më të afërm të Hidrit, Ahmet Camin. Ata u akuzuan si antifashistë, që janë organizuar e kanë luftuar kundër forcave italiane. Prandaj janë hetuar e gjykuar nga gjykata e lartë ushtarake. Kanë kaluar një burg me izolim të plotë dhe në kushte torture në burgun e Tiranës dhe në atë të Burrelit aq sa nga torturat vdiq në burg Veli Cami. Hidër Cami gjatë qëndrimit në burg si gjatë hetuesisë ashtu edhe në marrëdhëniet me bashkëluftëtarët e tij, është shquar për qëndrim atdhetar dhe vendosmëri për çështjen për të cilën po luftonin, është dalluar për zgjuarsi dhe besë e burrëri, si dhe për dashuri e përkujdesje ndaj të afërmëve dhe miqve e shokëve bashkëluftëtarë.
Ahmet Cami në ditarin e tij shkruan: “Hidër Cami asht element me të vërtetë i përkryer në çdo pikpamje dhe shumë i durueshëm e i arsyeshëm. Për çdo gja përpiqet, që të bisedojë para se të vendosë.” (prill 1941)
“Vetëm Hidrin e kam bandill, dhe vetëm me këtë  mundesh me u marrun vesht për çdo qëllim e derd. Sikur të më vijë gja sendi në dorë, për këtë  njeri duhet me mendue pak, që me ja sigurue avenirin.” (burgu i Burrelit, korrik 1941)
Hidër Cami shquhej ndër kuvende të burrave, sepse fjala e tij zinte vend për mençuri e maturi.
Pas daljes nga burgu në gusht të vitit 1942, Hidri e vazhdoi luftën kundër pushtimit fashist italian dhe nazistëve gjerman më me ashpërsi me bashkëluftëtarët e tij. Ai u inkuadrua në çetën e Gollobordës, çetë e njohur që në ditët e para të pushtimit gjatë luftës antifashiste nacionalçlirimtare.
Më 20 shtator të vitit 1943 Hidër Cami për aktivitetin e gjerë luftarak dhe besueshmërinë që kishte ndaj popullit, propozohet dhe zgjidhet kryetar i parë i këshillit antifashist nacionalçlirimtar për fshatin Viçisht. Ai punoi me përkushtim të madh për organizimin e mbrojtjes së fshatit si dhe për tërheqjen e shpërndarjen e ndihmave me ushqime ndaj familjeve të varfëra, për meremetimin e ndërtimin e shtëpive të shkatërruara nga lufta, për çeljen e funksionimin e shkollës dhe të shërbimit të ndihmës mjekësore në fshat, për organizimin e ndihmave ndaj partizanëve e të tjerë. Ai e kreu këtë detyrë deri në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945.

Pas çlirimit Hidër Cami u ndoq dhe u persekutua për pikëpamjet e qëndrimet e tij nacionaliste e antikomuniste, që kishte shprehur si gjatë luftës ashtu edhe pas çlirimit të vendit, të cilat në ato vite binin ndesh me idetë e internacionalizmit proletar të regjimit komunist. Për këto arsye iu gjet një alibi të shpifur nga dy fshatarë  të tij, për t’i ndërtuar akt-akuzën, se ka pasur dijeni për lëvizjet e bandave nëpër pjesën e maleve të fshatit, ku ai ushtronte detyrën si kryetar i këshillit antifashist nacionalçlirimtar të fshatit. Kështu më 10 maj të vitit 1947 , Hidri arrestohet, bashkëluftëtari më i ngushtë i komandantit të çetës dhe dëshmorit të luftës, Ahmet Cami. Në vendimin nr. 346, dt. 25.91947 të Gjykatës Ushtarake të Elbasanit është deklaruar fajtor për krimin e pjesmarrjes në grup për të rrëzuar pushtetin me violencë dhe në bazë të nenit 4, të ligjit 372 dënohet me 7-shtatë vjet heqje lirie.
Për propagandë në bazë të nenit 3 e 8-44 të ligjit 372 është dënuar me 3 vjet heqje lirie.
Përfundimisht është dënuar me 10 vjet heqje lirie si dhe konfiskimin e pasurisë së luajtëshme dhe të paluajtëshme.
Për të vuajtur dënimin ai dërgohet menjëherë në burgun famëkeq të Gjirokastrës me akuzën si antikomunist.
Pas tij u arrestuan dhe u dënuan edhe kushërinjtë e tij si Kurt Feta Cami, vëllai i dy dëshmorëve të luftës dhe pasardhësi i katër brezave paraardhës të rënë si dëshmorë të atdheut. Pas tij u arrestuan Esat Sinan Cami, Aqif Islam Cami, ish pjesmarrës në luftën antifashiste nacionalçlirimtare. Pra menjëherë pas çlirimit u piketuan dhe u ndëshkuan persona dhe familje, që kishin luftuar dhe kontribuar gjatë luftës antifashiste, por që më parë ishin shquar si familje patriote kundër forcave shoviniste serbe e bullgare. Mjaft nga këto familje atdhetare u shpallën kulak dhe nuk iu dhanë kartat e frontit demokratik, duke krijuar shkaqe për izolimin e influencës së tyre.
Hidër Camin nuk e mposhtën as burgu e as tortura e dhuna, që u ushtrua ndaj tij, sepse ai kishte besim dhe shpresë, se çeshtja kombëtare për të cilën luftuan e u flijuan paraardhësit e tij si dhe vet ai, do të triumfojë, se Shqipëria do të jetë e lirë dhe demokratike. Miqtë dhe shokët e tij bashkëluftëtarë e quanin shqipe mali, sepse ai ishte i pakapshëm dhe i paarritshëm, e quanin trim me fletë, sepse atë nuk e kapi dot as plumbi i skuadrës së pushkatimit dhe as gjatë luftës.
Megjithse nuk i kishte mbushur ende 44 vjeç dhe duke qenë shëndoshë e mirë, Hidër Cami u gjet i vdekur një ditë, me datë të vitit 1953. Çudia e kësaj vdekje të papritur kishte lënë pa frymë dhe në ankth gjithë të burgosurit si dhe personelin e shërbimit, sepse ai kishte qenë shëndoshë e mirë.
Hidër Rahman Cami gjatë gjithë jetës së tij ka luftuar e punuar me dashuri e pasion të madh për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar kudo ku jetonte këtej e përtej kufirit shtetëror. Ai ka qenë dhe mbetet një frymëzues dhe një shembull ndërgjegjeje kombëtare vetmohimi për një sistem të lirë e demokratik në Shqipëri.
I është dhënë Dëshmi nr. 34 të Statusit të Veteranit të Luftës, më datë 6.05.1996, të firmosur nga kryetari i komisionit qëndror të Statusit të Veteranit, z. Alfred Moisiu. I është dhënë edhe dëshmia si Dëshmorë i Demokracisë, të firmosur nga ish Presidenti i Republikës, z. Sali Berisha.
Hidër Rahman Cami ishte dhe mbetet një shembull  i madh frymëzimi,  për mençuri e trimëri, për frymën atdhetare e antikomuniste. U deshën 3 vjet pas fitores së demokracisë, për të gjetur eshtrat e tij sepse nuk kishte mbetur asnjë gjurmë.

S'KA KOMENTE