Isuf Koçi, profili i intelektualit dhe drejtuesit të shquar në sektorin e bujqësisë

Eshtë shumë interesant jetëshkrimi i Isuf Koçit të ri për veçanësitë që ai na ofron. Përvoja e tij, meriton studim

236

BUJQËSIA FAKTOR ZHVILLIMI NË BULQIZË?!
Bulqiza, e lokalizuar në Verilindje të Shqipërisë si pjesë e Dibrës së Epërme, kufizohet me Matin, Dibrën, Librazhdin dhe Tiranën. Sipas një burimi të Arkivit Qëndror të Shtetit, në vitin 1977, Ministrja e Bujqësisë, Themije Thomaj, i raportonte Kryeministrit Mehmet Shehu nëpërmjet këshillarit të tij Veiz Pipa se Kooperativa Bujqësore Bulqizë, kishte 776 ha tokë të punuar dhe 700 krahë pune ( F. 898,v 1977,d 97, fq 14 , dt.07.01.1978).
A kishte Bulqiza kaq tokë të punueshme në prodhim?
Isuf Koçi, kryetar kooperative në atë kohë, pas viteve ’90-të, jepte këtë shpjegim: Edhe plani i hapjes së tokave të reja vinte me udhër nga lart, pa asnjë studim e kosto efektiviteti. Madje, caktohej dhe koha kur do hapeshin ato. Na detyronin të dilnim në mes të dimrit dhe, mbasi hiqnim borën, duhej të hapnim tokë të re. Por, për një metër tokë, duhej të shkulje 0.7 metër kub gurë dhe t’i transpotoje me tezgë mbi 100 metra ku duhej të bëje murin rrethues. Absolutisht marrëzi, ku asnjëherë nuk pati leverdi sepse kostoja ishte shumë e lartë dhe prodhimi i dobët. Pra, shifra 776 ha tokë, edhe në vitet më të mira të kohës kur kryetar i kooperativës ishte Isuf Koçi, do parë me rezervë.

* * *
Bulqiza mbetej unikale në veçanësitë etnografike, të gjuhës dhe veshjes. Kur dilnin gratë e kooperativës në punë, uniforma tradicionale e saj, që vishej masivisht edhe në vitet ’70 – të, tërhiqte vëmëndjen. Po, a kishte traditë bujqësie Bulqiza, pa toka masive buke, gjithë rrëpira dhe me atë klimë shumë të ftohtë? Sigurisht që jo!
Bulqiza, në shekuj, falë pozicionit gjeostrategjik të saj në “kërthizë” të Arbërit; gjithnjë pjesë e shtetit të Skënderbeut; me rrugën e Arbërit në bosht dhe kalatë që e mbulonin atë, arriti të mbijetojë në sajë të pyjeve, staneve, punësimit në ushtri dhe tregtisë me tregjet që i pati shumë afër. Jo ara e bukës por gjithë këto ishin arsye që Bulqiza, jo vetëm të mbijetonte, por të kishte shtëpitë kulla dhe atë veshje aq të bukur. Buqliza, vetëm 50 km distancë nga Tirana. Po kaq nga Ohri. Një ditë e gjysëm me mushkë nga Kruja dhe Durrësi. Aty, “Porti” ku prisnin galerat për lëndën drusore, që përdorej si lëndë e parë për kështjella, shtëpi druri, anije liburna etj. Pisha, për ndriçim. Rrëshira, lëndë djegëse për mbrojtjen e kështjellave. Qymyri i drurit (eshka) si lëndë djegëse për galerat dhe lokomotivat me avull. Lëkurët, për shalerinë dhe mbathtarinë. Leshi, për stofin e stofrat.
Ushtritë e Skënderbeut, plus ushtritë e huaja (venedikase në bregdet dhe ajo turke në Ohër e Shkup) ishin konsumatore të mëdha të qumështit, djathit, vezëve dhe perimeve. Veç tyre, Bulqiza, duke qenë pjesë e shtetit të Skënderbeut, pati ushtarë me pagesë. Qysh në vitin 1444, nën komandën e Moisiut të Dibrës, kishim 2000 roje kufitare në kufirin Verilindor. Po të tentonim analizë logjistike: Vetëm 10 % e tyre t’i kishim bulqizakë në lartësi të Dhoksit, Temlës, në dy portat e grykës së Bulqizës, a nuk kishim rreth 200 familje bulqizakësh me pagë në valutë, qysh në vitin 1444? Një tjetër arsye pse Buqliza pati kulla dhe atë veshje të bukur është se sa herë pushtohej fusha, për të shpëtuar kokën dhe kapitalet, familjet e mëdha të Fushë Tiranës dhe Gostivarit, futeshin grykave të Xibrës, Shëngjergjit, Radikës dhe Bulqizës. Dhe duke qenë se pushtimi në fushë zgjaste, të ikurit nga fusha, me ato të ardhura që kishin siguruar nga prodhimet e fushës, ngjiteshin në mal. Aty, ngrinin vendbanime të reja dhe ekonominë. Kjo, ju garantonte: E para, sigurinë e kokës. E dyta, mbijetesën nëpëmjet mundësive që ofronin pyjet dhe stanet. Në funksion të tyre ishin sharrat e ujit, mulliri, hani, rrjeti rrugor, karvanet, siguria e tyre, farkat, punishtet e barutit, velenicat që përpunonin leshin, vegjet që realizonin thurjet, punishtet e lëkurëve, etj. Nëse Bulqiza mbijetoi dhe kishte kulla, ishin këto faktorë logjistikë dhe jo toka arë që siguroi mbijetesën. Nëse Buqliza kishte veshjen më të bukur të të gjitha kohërave, më të kushtueshme dhe me elemente qytetare, nuk ishte toka bujqësore faktor, por mali, ushtria me pagesë, pasuria e fushës që u investua në mal. Siguria që krijonte shteti i Skënderbeut në trojet e veta dhe distancat e shkurtra nga tregjet, një arsye më shumë. Vetëm në Grazhdan kishim 300 regjës lëkure. Në Dhoks kishim farkat. Në Temël dhe ahishtet e Ram Ketës kishim sharra uji. Bulqiza, numëronte mbi 10 stane. Karvanët e Sul Hupit dhe siguria rrugore që ai krijoji, pazari i Urës së Qytetit, hanet, nga i Letit tek i Duriçit, i sillnin Bulqizës atë zhvillim modest të kohës që siguroi mbijetesën në kohë paqe dhe lufte. Bulqiza, duke qenë gjithnjë në bosht lëvizje, shesh lufte për ushtrinë e “Lidhjes së Lezhës” dhe qendër e madhe banimi për gjithë Shqipërinë, kur filloi gjigandi i kromit mori e dha kulturë me të huaj e vendas. Por, asnjëherë Bulqizës nuk i ka ardhë zhvillimi nga bujqësia, e aq më pak nga kooperativa. Jo se bulqizakët ishin të pazotë për këtë fushë veprimtarie, por i kshte dënuar Zoti pa tokë dhe me klimë shumë të ftohtë! Bulqiza, historikisht ka pas një bukuri të egër që vinte nga malet, jo fusha. Për Bulqizën: Mali, ishte”arë buke”! Këto ishin “arat e bukës” të Bulqizës, jo kooperativa e kohës së Isuf Koçit.

NËSE ISHTE KËSHTU, PSE PATËM KOOPERATIVË  BUJQËSORE NË KOHËN E ISUF KOÇIT?

Sepse ishte koha e marrëzisë, kur u kopjuan modele pa asnjë shkallë tradite, ngjashmërie dhe përshtatje me kushtet e Bulqizës. U hoq dorë nga ajo tradititë e shejntë, shekullore e pronës private, ku veç atyre pak arave dhe shumë livadheve, edhe zabeli shitej e blihej si arë buke. Nëse orientimi do ishte tek zhvillimi dhe shfrytëzimi shkencor i pyjeve, ujrave dhe kullotave alpine për blegtorinë, siç orientonte në studimet modeste edhe Isuf Koçi, ndoshta, sot Bulqiza, mund të kishte një strategji krejt tjetër afatgjatë zhvillimi, përveç kromit. Kjo për faktin se pasuria e Bulqizës, asnjëherë nuk ka qenë toka arë. Përkundrazi, bulqizaku zbuti tokën në faqe shpati me një kosto marramendëse, asnjëherë me fitim, vetëm sa të kishte pak tokë buke, për “nishan”. Kurrë Bulqiza nuk mundi të sigurojë bukën me mundësitë e veta. Mesatarsisht në shkallë krahine ajo siguronte 3- 6 muaj në vit.     Referuar edhe kulmit të prodhimit që arriti kooperativa në kohën e Isuf Koçit, kryetar kooperative dhe drejtor ferme, përsëri evidencat nuk flasin për mirë. Ndonëse relativisht kishte rezultate inkurajuese prodhimi për kushtet në të cilat ishte Bulqiza, asnjëherë nuk raportohej aq sa prodhohej. Pse? Në kushtet e mbijetesës dhe me mendësinë e “arës time”, fshatari, asnjëherë nuk e voli fasulen për kooperativën. Madje, asnjë kokërr nuk dorëzoi. As misrin, as kashtën e arës së vet! Jo të gjithë e dorëzonte në koshar dhe mullar të kooperativës. Fillimisht, do hiqte diçka për vete. Kjo bëhej masivisht, heshturazi, madje dhe nga komunistët. Ishte e vetmja mënyrë mbijetese, kur ishte shkurtuar oborri dhe kryer tufëzimi. Ata që nuk e njihnin këtë realitet të dhimshëm, shqyenin sytë: Si punojnë kaq shumë bulqizakët në kooperativën me kryetar Isuf Koçin, me vetëm 5-7 lekë për ditë pune?
Fakti ishte krejt ndryshe. Në kohën e Isuf Koçit prodhohej kënaqshëm në raport me kushtet, sepse kishte studime për tokën, për farërat, për qarkullimin buqësor. Populli e ndoqi Isuf Koçin, i besoji atij sepse në arat që kishte nën shtëpi, edhe se punohej me angari, kryeheshin punë me cilësi. Prodhimi rritej sepse u përmirësuan vaditja dhe shërbimet. Secili nga ara e vet, merrte më shumë se një vit më parë. Për këto arsye, në popull, Isuf Koçi do kishte respekt të merituar se rriti rendimentet e pa njohura historikisht; se arriti maksimumin historik të prodhimit, edhe se evidencat ishin fiktive. Populli, prodhimin që merrte në rrugë informale nga ara e vet, e maste në fije të perit. Ndaj, kishte leverdi, pa dilte e punonte!

* * *

Kur erdhi Isuf Koçi në Bulqizë, (vitet ‘ 70 -të), gjeti, veç marrëzive të mëdha të shpikjes së grupeve armiqësore, që maskonin dështimin e sistemit, dhe tre shkatërrime të mëdha në ekonomi: Fortifikimin në ushtri, ngushtimin e oborrit kooperativist për çdo shtëpi dhe tufëzimin në blegtori! Shto këtu, mungesën e tokës arë në Bulqizë, klimën e ftohtë dhe krijimin e konceptit të mallit “belik”, ku prodhimi në kooperativë ishte i “të gjithëve dhe i askujt”. Këto ishin arsye të mjaftueshme për të bërë disfatist edhe më optimistin. Emërimi i çdo kuadri në Bulqizë, ishte dështim i garantuar. Kishte prova për të besuar këtë realitet të frikshëm. Në këtë përfundim fatalist, ende pa filluar, mund të kishte rënë dhe Isuf Koçi, por fatmirësisht nuk ra.     Edhe pse kishin ardhur e ikur disa kryetarë kooperative para tij, vendas dhe të huaj, Isufi do të ishte i kthjellët në mendim. Ata kishin dështuar se nuk mjaftonte vetëm ndershmëria. Duhej të ishin specialistë dhe me shkollimin e nevojshëm. Isufit i vinte keq që të gjithë ishin shkarkuar, njëri pas tjetrit si kërpurdhat mbas shiut, me motivacionin parafabrikat: “Mungesë rezultatesh!”

PSE BULQIZAKËT E QUAJNË VENDIN E TYRE TË MALLKUAR NGA ZOTI ?

Sepse lugina e tyre ishte gjithmonë shesh luftrash. Sa herë kërkohej koka e Skënderbeut, Ai, do të zgjidhte për mbrojtje luginën e Bulqizës. Në Bulqizë kemi Torviollin dhe dy betejat e Vajkalit. Në këto beteja, nuk kërkohej Kruja, por koka e Skënderbeut. Ndaj dhe në Qafë-Bualli patëm tragjedinë e 8 gjeneralëve rob. E fatkeqësisht, asnjë emër prej ketyre gjeneralëve, nuk e gjejmë sot në një rrugë të Bulqizës. Ishte pozicioni gjeostrategjik i Buqlizës, që ajo u la me gjak, jo vetëm në kohë të Skënderbeut, por dhe të Sheh Zerqanit, Baba Fejzë Bulqizës, dy luftrave ballkanike, Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në vitet 1912- 1914, në Vajkal, do kishim rastin unikal në botë: Brënda një fshati, dy ushtri të huaja përballë njëra – tjetrës. Dy vija kufitare. Dy dogana: Italia në Qafë Bualli. Serbia në Zallë të Mures. Sepse duke u kapur Qafa e Buallit, ishte kapur miniera e Kromit dhe mundësia e daljes së Serbisë në drejtimin më të shkurtër në Durrës.

… DHE KROMI?!…

Kromi i Bulqizës kishte vlerë, më shumë se deti. Industria e Luftës e Gjermanisë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, 17 % të nevojave për krom, i realizoi nga Shqipëria. Këtu dhe Bulqiza!
Ndaj dhe situatat në Qafë Bualli raportoheshin, në vitet 1912- 1920, o para, o pas Shkodrës. Në Qafë Bualli do kishim “Mbojtjen Kombëtare”. E bëmë këtë sqarim të ndërmjetëm historik sepse Bulqiza e kohës së Isuf Koçit, vetëm kooperativë bujqësore, mund të mos kishte. Sepse mungonte toka dhe klima. I justifikuar në kohë komunizmi, ishte një divizion ushtarak në Bulqizë, nga 22 gjithsej që kishte Shqipëria, sepse, ishte lugina që e diktonte këtë. Të justifikuara tre miniera kromi dhe po aq burgje, dy qytete me popullsi të ardhura nga gjithë Shipëria, se ishte kromi. Por Bulqizës, Zoti, nuk i fali asnjë pëllëmbë tokë të gatshme në Sallake, Maknorë, Dragu, Koçe, Dushe, Lepurakë, ku brezi i Isuf Koçit ishte i dënuar të kishte kooperativë. Ishte marrëzi e sistemit kolektivizimi në Bulqizën pa toka produktive dhe klimë aq të ftohtë.

SI MBIJETOI BULQIZA, PARA DHE GJATË KOHËS SË ISUF KOÇIT?
Bulqiza mbijetoi se në çdo kohë pati malin “arë buke”. Me lëndën e drurit dhe nëproduktet e pyllit, doli në tregjet e kohës. Aty dhe stani. Për të pas arë buke, buqlizaku, ishte i detyruar të zbuste malin. Historikisht, ai kishte vetëm një “bakore” tokë arë buke, poshtë shtëpisë. Kjo pasi kolektivizimi i Bulqizës në kohën e Isuf Koçit, duke mos pas tokë dhe klimë të përshtatshme, ishte çmenduri! Në kohë të Skënderbeut, Lugina e Vajkalit si kala natyrore, dhe kështjellat qytete në bosht të rrugës së Arbërit ( Sopostikë, Modriç, Valikardhë, Gurë i Bardhë), që siguronin drejtimin më të shkurtër dhe më të mbrojtur nga Ohri në Krujë, furnizoheshin me drithëra nga arka e Lidhjes së Lezhës. Furnizimet vinin nga Bregu i Drinit, Fusha e Gostivarit , Bregu i Matës dhe Fushë -Tirana.
Ishte Rruga e Arbërit dhe rrugët dytësore, kryq e tërthorë, që e mundësonin këtë furnizim. “Bigat e Vajkalit”, për nga vlera mbrojëse, Barleti, i vlerësonte të dytat në Europë mbas Kundisës në Itali të Jugut. Vajkalorët (n’kajlorët = kalorësit e ardhë nga Vali; Valikardha = Vali ka ardhë) nuk ishin ata që përballuan vetëm betejat e mëdha në Bulqizë, sepse luftën e bëri gjithë Shqipëria, por ata ishin pjesë e çdo beteje dhe e lanë me gjak vendin e tyre.

* * *

Hamit Koçi, i ati i Isufit, kishte qenë pjesëmarrës në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Paslufta do e zinte në Tiranë. Më 14 mars 1949, Hamiti, do të bëhej me djalë. Ç’emër do kishte djali? Rregulli ishte: Të ruheshin emrat e vjetër! Nisur nga ky rregull, një pushkë në kullë të Koçit, shpërndau lajmin: Lindi Isuf Koçi i ri!

* * *

Edhe fisi i koçollarëve në Bulqizë, si shumë fise në Shqipëri, nuk ishte gjë tjetër veçse “formë e zgjeruar e familjes së madhe, shprehje e individualizimit kolektiv ku emri i prijësit, në raste të veçanta, i jepte emrin gjithë fisit” (Çabej). Me këtë arsyetim, ka gjasa, dhe fshati Koçe në Bulqizë, mund të ketë lidhje me emrin e një prijësi me emrin Koçi ose Koço. Fakti që Bulqiza ruan ende mbiemra të krishterë: Koçi, Kola, Gjoka, Peti, Nika, etj, na ngacmon për orientim studimi dhe në këtë fushë. Koçallarët, edhe sot, mbeten nga fiset e mëdha të Bulqizës. E gjejmë të përmendur edhe si emër, edhe si mbiemër “Koçi” dhe në Defterët turq dhe në arkiva të kohës. Edhe sot, në Vajkal, të pyesish një fëmijë shtatë vjeç të çon tek “Kulla e Koçit”.

KULLA E KOÇIT…

Tek kjo kullë, po të vëzhgohet me vëmëndje nga specialistë të fushës, gjejmë element të banesës tipike të zonës Mat – Bulqizë. Pozicioni i saj në raport me luginën, mjedisin, lartësitë që ajo mbulon, pikat që vrojton, fqinjët me të cilat bashkëvepron, meriton studim. Sepse gjejmë në të, po ato elementë që thonë Çabej dhe Iskraj( tek 500 vjet fortifikim në Shqipëri), ku banesa, në radhë të parë i shërbente funksionit mbrojtës     e pastaj, banimit. Kulla e Shabës, Hupit, Koçit, Ketës, Tançit, Duriçit, ishin istikame qëndrese, në faqe shpati, që bashkë me luginën e Bulqizës “kështjellë natyrore”, do e bënin atë qendër rezistence në të gjitha kohërat. Ndoshta, djemtë e Koçallarëve, nuk do vonojnë ta rikonstruktojë kullën e tyre se ajo është jo vetëm pjesë e historisë së fisit, por dhe e historisë së Bulqizës.

* * *

Eshtë shumë interesant jetëshkrimi i Isuf Koçit të ri për veçanësitë që ai na ofron. Përvoja e tij meriton studim. Se aty është historia e një brezi, e një realiteti të kohës së vet, ku ai ishte pjesë. Ndonëse në rrugëtimin e tij pati disa pengesa jo të vogla, Isuf Koçi, ishte i “dënuar’ të dilte fitimtarë, falë zellit në mësime, ku, në të gjitha hallkat e formimit, nga shtatëvjeçarja deri në studimet universitare do të kishte vetëm rezultate të larta. Për këtë arsye, në përfundim do të propozohej për pedagog. Por, një “cen” në biografi, do e penalizonte Isuf Koçin. Nëse ai do kishte qëndruar pedagog, sot ndoshta, brezi ynë, do ta kishte patur personalitet të lartë shkencorë. Fatmirësisht, Isuf Koçi, edhe pse ishte pjesë e “teatrit absurd” të kohës, mbeti personazh pozitiv i saj. Isufi, i mësuar me rregull e disiplinë që kur ishte ende fëmijë në konviktin e internatit të Burrelit, e deri sa u thinj mbi punë dhe libra, arriti të mbijetojë në një ekonomi bujqësore problematike, për një kohë shumë të gjatë dhe gjithnjë, në nivelet më të larta të drejtimit. I mësuar me jetë kolektive që fëmijë dhe punë grupi që student, Isufi, do jepte modelin e një intelektuali të kohës që të imponohej me dije dhe kulturë, njerzillëk dhe qytetari. Synimet për të qenë kurdoherë ndër të parët, më të mirët, natyrshëm e çuan Isufin tek instiktet e “liderit” që shfaqeshin tek ai natyrshëm, pa sforcime, si nevojë e brendshme për të bërë më të mirën, kurrë për t’u dukur.

* * *

Endërroi mbas mbarimit të shtatëvjeçares të bëhej mjek, pilot, por në teatrin absurd të kohës skena ish përmbysur. Personazhet ishin tjetërsuar. Për arsyet pse dhe Hamit Koçi do ndëshkohej me përjashtim nga Partia dhe i biri, Isufi do penalizohej.
Por, esenciale ishte: grackës së të “qenit me cen”, nuk do i shpëtonte as Hamit Koçi, ish partizan Lufte! Por dhe Isufi, tashmë do të kishte koston e babait.

BEFASIA DHE MADHËSHTIA E POPULLIT TË BULQIZËS
Krejt ndryshe nga sistemi, përgjithësisht, populli i Bulqizës, e trajtoj familjen Koçi, gjithnjë, me respektin e merituar. Ishte një respekt i krijuar në shekuj për këtë familje. I rritur nga pak e përditë, por gjithnjë në rritje. I trashëguar në shumë breza. Vazhdimisht me risi të reja. Se familja Koçi, edhe në diktaurë e regjim të dështuar, bënte diferencën. Madje, edhe mes familjeve     të mëdha. Kudo ku shfaqej Hamit Koçi, njerëzit, ngriheshin në këmbë. I lirohej qoshja e mikut. Kur fliste Hamit Koçi, jo vetëm nuk guxonte kush t’a ndërpriste por, shihej në dritë të syrit. Me përqendrimin sikur po ruanin një kusi tamli, përgjohej çdo fjalë që nxirrte Hamiti nga goja. Sepse fjalët e atij prijësi popullor dhe njeriu të mençur dhe të urtë, në vlerësimin e tyre, kishin ngrotësinë, butësinë, besueshmërinë dhe ushqyeshmërinë e tamlit. Këtë vëmëndje dhe respekt tek bashkëpunëtorët dhe populli i Bulqizës, do e gëzonte edhe Isufi, për sa kohë, ishte kryeagronom, kryetar kooperative dhe drejtor ferme. Hija e persekutimit të babait të tij, Isuf Koçit, do i rrinte çekiç mbi kokë, njëllojë si Bashkimi Lamit, që kur i gjenim bashkë në “Gjimnazin e Durrësit”. Ndonëse të dy u dalluan për rezultate të larta e sjellje shembullore, ata, mundën të merrnin të drejta sudimi jo aty ku dëshironin por, nga ato që “tepronin”. Për këto arsye, Isuf Koçin, do e gjejmë student në universitetin e Kamzës, për bujqësi, që vlerësohej në atë kohë, e fundit në kërkesa. Madje, më e keqe se ajo për gjeologji – miniera. Bashkimi, pati pak fat më të mirë.
Pse Isufi, fat më të keq? Se përjashtimi nga Partia, vlerësohej: Pushkatim politik!

* * *
Ishin këto rrethana tronditëse që e bënë Isuf Koçin, djalin e parë të Hamitit, të ishte më shumë se i lidhur me prindërit dhe vëllezërit në nevojë. Si vëlla më i madh, sidomos mbas vdekjes së të atit, Isufi, do ishte për vëllezërit, edhe vëlla, edhe shok, edhe baba. Ndonëse ende adoloshent, Isufi, kishte dëgjuar se si në Bulqizën e viteve ’50 -të, kishim 5 familje të mëdha të shpallura kulakë, me arsye nga më absudet. Ndër to, dhe dy plaka të vjetra (të voceve), kur me kriteret e Leninit, gjithë Bulqiza, nuk plotësonte kushtet as për një kulak të vetëm! Pastaj befas, si atij me pak tokë dhe atij me shumë, madje dhe kulakut, do ju bëhej thirrje të hynin ” vullnetarisht në kooperativë. Absurdi ishte se, në zonat fushore, sapo ishte bërë reforma agrare.
Por     kush pyeti?
Ajo që i ishte dhënë, me urdhër, ju mor përsëri, po me urdhër.

S'KA KOMENTE