Infrastruktura shëndetësore në lëngatë, në dy vjet asnjë investim për spitalin e Bulqizës

Deputeti Roland Keta shprehet se sistemi shëndetësor në Bulqizë është në një krizë të thellë

165

Deputeti demokrat i Bulqizës, Dr.Roland Keta     konstaton me keqardhje se sistemi shëndetësor është në krizë të thellë. Në këtë intervistë ekskluzive për gazetën “Bulqiza”, Keta, tashmë me gradën “Doktor i Shkencave Mjekësore” përcakton me përgjegjësi maksiomale “diagnozën”  për spitalin dhe gjithë infrastrukturën shëndetësore të Bulqizës, që sipas tij është në lëngatë. Kjo për mungesën e  mjekëve specialist, si kirurg, reanimator, gjenekolog,  kardiolog, radiolog etj, por dhe të investimeve të domosdoshme.
Anëtari i Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë shprehet me indinjatë gjithashtu për mosmbajtjen e premtimeve nga mazhoranca aktuale. Keta thotë që as që mund të bëhet fjalë për shërbim shëndetësor falas.
Gjithshka ka degraduar në demagogji e slogane boshe, ndërkohë që nuk ka politika shëndetësore efikase që të ndikojnë në ndryshimin e situatës.
Gjithsesi, edhe në këtë situatë tejet kritike, ashtu si dhe në vitet kur ishte kryetar i bashkisë Bulqizë, depteti demokrat shpreh gatishmërinë për të shërbyer në spitalin e Bulqizës një ose dy ditë të javës.
Po ashtu ai përcakton dhe përgjegjësitë dhe rrugëdaljet nga kjo gjendje e rëndë, ku primare mbetet kthimi i vëmendjes së qeverisë ndaj qytetarëve të Bulqizës. Ai mendon se për ta nxjerrë spitalin e Bulqizës dhe gjithë infrastrukturën shëndetësore të bashkisë nga kjo gjendje tejet kritike, detyrimisht duhet vëmendje e Qeverisë dhe e Ministrisë së Shëndetësisë.

-Gjëndja e sistemit shëndetësor në bashkinë e Bulqizës në  fokusin e deputetit Roland Keta ?

Zoti Rama ju falenderoj për pyetjet, dhe më vjen mirë që në intervistën e parë në gazetën tuaj flas për shëndetësinë e qytetit tim.
Shërbimi shëndetësor në Bulqizë, ashtu si në  gjithë Shqipërinë, është i ndarë në shërbim spitalor dhe shërbimi parësor, ku të dyja i shërbejnë njëra-tjetrës dhe kanë si qëllim shërbimin shëndetësor (profilaksi, diagnostikimin dhe kurimin e sëmundshmërisë) të qytetarëve.  Është sektor ndër më të rëndësishmit, ku problemet shëndetësore nuk zgjidhen për dy vjet. Por aktualisht sistemi shëndetësor në Bulqizë, mendoj se është në krizë. Nuk ka autonomi spitalore, për tu shprehur më qartë për qytetarët, çdo vendim, çdo shërbim, çdo investim apo emërim mjekësh dhe infermieresh në shërbimin parësor vendoset nga Ministri i Shëndetësisë. Nuk funksionojnë bordet.
Sot spitali i Bulqizës ka 60 shtretër. Shfrytëzimi i tij është 20-25% , pra në nivelin më të ulet të viteve të fundit dhe kjo sigurisht do një analizë.

-Më konkretisht, ku konsistojnë mangësitë?
Së pari, ka mungesë të mjekëve specialistë. Mungojnë kirurgu, ranimatori, gjenekologu,  kardiologu, radiologu etj.
Nuk ka mjaftueshëm medikamente për tu shërbyer qytetarëve të sëmurë.
Shërbimi parësor, mjekët e familjes nuk kanë autoritetin e duhur për t’i vendosur në  rolin e drejtuesit. Për çdo emërim duhet marrë miratimi nga Ministri i Shëndetësisë.
Së dyti, buxheti i pa mjaftueshëm për të  bërë  furnizimin me medikamente dhe materiale mjekimi.  Mungesë  reagentesh për laboratorin , mungesë aparaturash , ambulanca të vjetra .
Këto dy vitet e fundit nuk është kryer asnjë  investim për spitalin e Bulqizës, nuk kemi asnjë qendër shëndetësore të re të investuar.
Së treti, nuk ka patur asnjë rritje pagë për mjekët dhe infermierët dhe personelin mjekësor që prej dy vitesh.
Parë nga ky këndvështrim, mendoj që as që mund të bëhet fjalë për mbajtjen e premtimit të bujshëm të “rilindasve të rinj” për shërbim shëndetësor falas.  Aktualisht, gjendja e shëndetësisë në Bulqizë është në ditët më të vështira të saj.
Qytetarët sorollaten nga fshatrat në spitalin e Bulqizës dhe me tej për mungesë specialistësh drejtohen në Peshkopi ose Tiranë. Kjo jo për faj të mjekëve aktual të spitalit Bulqizë por për mungesë vizioni dhe politikash të Qeverisë.

-Parë me syrin e mjekut, tashmë  edhe me gradën “Doktor i Shkencave Mjekësore”, ç’duhet bërë për të ndryshuar këtë situatë?
Unë mendoj se për ta nxjerrë spitalin e Bulqizës dhe gjithë infrastrukturën shëndetësore të bashkisë nga kjo gjendje tejet kritike, detyrimisht duhet vëmendje e Qeverisë dhe e Ministrisë së Shëndetësisë.
Sot shëndetësia është e paaftë të  kryejë shërbimin shëndetësor ndaj shqiptarevë. Mazhoranca e majtë u premtoi shëndetësi falas por e harroi premtimin e saj. Sigurisht gjendja e spitalit të Bulqizës ka qenë problematike edhe para 2013, por sot është shumë e rëndë. Kemi të bëjmë me një sistem shëndetësor në lëngatë të thellë.
Për të dalë nga kjo situatë, mendoj se rrugët e zgjidhjes janë si vijon:
Duhet të vijnë këtu të gjithë  mjekët specialistë  që kanë  mbaruar specializimin për Bulqizën, që kanë lidhur kontrata ligjore dhe janë të detyruar të shërbejnë në  këtë spital .
Sa më parë duhet realizuar mbulimi nga mjekët specialistë të  spitalit Peshkopi, me shërbime mujore në specialitetet kirurg, gjenekolog.
Dhe ajo që është më kryesorja, duhet të rritet ndjeshëm buxheti për spitalin e Bulqizës.
Me që jemi në fund të vitit buxhetor dhe së shpejti do paraqitet, diskutohet e miratohet buxheti i vitit 2016, në të duhet përfshirë domosdoshmërisht rikonstruksion i plotë i spitalit Bulqizë.
Të gjitha këto kërkojnë një bashkëpunim dhe një vullnet të përbashkët të tre deputeteve të Parlamentit, të zonës së Bulqizës dhe me Kryetarin e Bashkisë. Vetëm kështu mund të kapërxehet kjo situatë e vështirë e Spitalit. Shëndeti nuk ka politikë.

-Cili do të jetë ndikimi juaj si deputet dhe si mjek në funksion të përmirësimit të infrastrukturës Shëndetësore për Bashkinë e Bulqizës , tashmë në konturet e një rrethi?
Unë, që prej dy vitesh jam një zë i qytetarëve të Bulqizës, jo vetëm për shëndetësinë por për gjitha problemet që ka zona. Por sigurisht edhe si mjek, por edhe si anëtar i Komisionit të Shëndetësisë ajo që më dhimbset më shumë është Shëndetësia.
Personalisht në çdo mledhje komisioni, në seancat parlamentare, apo në media e rrjete sociale  kam ngritur shqetësimin tim dhe të qytetarëve për mungesën e mjekëve specialistë dhe mungesën e investimeve në Spitalin e Bulqizës.
Do jemë zëri i çdo mjeku apo personeli mjekësor.
Sigurisht jam i gatshëm të shërbej 1-2 ditë në javë në spitalin e Bulqizës, në momentin që do të më kërkohet ndihma, si gjithmonë human.

S'KA KOMENTE