Bashkia Bulqizë përballë problematikave mjedisore

Mbeturinat e dala nga kromi apo inertet hidhen në sipërfaqe pa ndonjë rregullsi të caktur

436

Ndotja e mjedisit është një dukuri e rrezikshme për tërë shoqërinë dhe se mbrojtja ndaj këtij fenomeni paraqet problem të konsiderueshëm në zhvillimin e jetës normale në përgjithësi. Por si ta kuptojm fjalën ‘NDOTJE’, çdo të thote, ngase vjen?
Ndotja paraqet një ndryshim të padobishëm të mjedisit natyror i paraqitur si nënprodukt i veprimit të njeriut që ndryshon negativisht kriteret e shpërndarjes se fluksit së energjisë, niveleve të rrezatimit, përbërjes fizikokimike të mjedisit si dhe dendësisë së prodhimtarisë të qenieve të gjalla. Një tjeter rrezik për mjedisin dhe ndotjen e tij janë edhe hedhurinat e pakontrolluara, gjë që rrezikon direkt në tre komponentët kryesorë për jetën, ajrin, ujin dhe tokën, duke kërcënuar drejtpërdrejt shëndetin e njeriut.
Për të gjithë është e qartë se njeriu gjatë aktivitetit të tij jetësor ka shkaktuar ndërhyrje në mjedis, shumë prej të cilave kanë qënë dhe janë mjaft dëmtuese.
Më poshtë po përmendim një sërë problematikash mjedisore, për zgjidhjen e të cilave Bashkia e Re duhet të ndërhyjë patjeter. Ato janë:
Ndikimet negative Mjedisore të ushtruar nga aktiviteti minerar;
Përdorimi pa kriter i pasurive: tokësore, nëntokësore;
Prerja e pyjeve në mënyrë të pastudiuar dhe pa i zëvendësuar ato, djegia e kullotave dhe të masiveve të pyjeve;
Shkatërrimi i tokës nga hapja e karrierave të kromit;
Ndotja e ujërave nga industria e kromit apo aktiviteti tjetër jetësor;
Reagimi shumë i vonuar në lidhje me analizën e situatës reale dhe të efekteve negative që njeriu shkakton në mjedis;
Mbreturinat (të gjitha llojet), hedhja pa kriter e mbeturinave urbane;
Ndërtimet pa leje.

Problemet kryesore mjedisore

Problemet kryesore mjedisore që vijnë nga aktiviteti minerar, janë si pasojë e hapjeve të galerive të shumta private që nuk respektojne lejen mjedisore ose nuk janë të licensuara fare. Mbeturina e dala nga kromi apo inertet hidhen në sipërfaqe pa ndonjë rregullsi të caktur; sterilet janë të ngurta e të patretshme, duke mbuluar sipërfaqen bimore, duke çuar në degradimin e tokës dhe sipërfaqes përreth që shoqërohen dhe me humbje të habitatit përkates në atë zonë. Por kemi dhe një ndotje të ujit nëntokësor, pasi uji i dalë nga puset e galerive përmban grimca të ngurta. Mineralizimi i ujërave i përket tipit hidrokarbonat magnezit, me pH 4.8- 5. Elementët e ndotjes që permban uji vijnë nga lenda plasëse që është e tipit amonit si dhe nga gazrat që dalin në thellësi mbi 800 m. Natyra e ujit të Bulqizës quhet agresive, ajo gërryen dhe betonin sepse është e tipit magnezial. Uji është me fortësi maksimale, megjithatë nuk ka ndonjë rregullsi të këtij uji që del nga minierat në sipërfaqe.
Ndotësit e kromit vijnë si pasojë e ujërave të minierës që lihen të lira dhe në mënyrë të pakontrolluar, që shkarkohen në kolektorin e qytetit, të cilët sjellin me vete materiale të ngurta.
Ndërhyrejet për përmirësim janë të shumta por theksojmë së të gjitha minierat e kromit duhet të paisen me leje mjedisore sipas ligjit Nr. 10448 date 14.07.2011 dhe të zbatojne të gjitha pikat që ajo përmban në zbatim me ligjin Nr 10431 date 09.06.2011 “Për mbrojtjen e mjedisit, mbetjet apo inertet e dala në sipërfaqe që të mos dëmtojnë mjedisin përreth, vetem në lejen e caktuar, t’u bëhet prite ujërave nëntokësore.

Menaxhimi i Mbeturinave Urbane

Ndarja e mbeturinave urbane duhet të bëhet që në prodhim, por kjo situatë nuk është e aplikueshme pasi ketu mungojne kazanat ndarës për çdo mbetje dhe mungon landfilli që bën të mundur riciklimin e tyre. Sasia e mbetjeve e prodhuar për banor/vit është afërsisht 182.5 kg ndërsa sasia totale vjetore për qytetin arrin në 3650 ton/ vit. Studimi i mbetjeve ka përcaktuar se më shumë se 50 % e mbetjeve bashkiake është aktualisht e biodegradueshme, që do të thotë se sipas Direktives së BE për Landfillet, është e domosdoshme ndërtimi i një Ladfilli për fakt se ky imponon një ndarje të konsiderueshme të mbetjeve të degradueshme nga mbetjet që përfundojnë në Landfill.
Nga studimet e kryera ka rezoltuar se llojet e disponueshme të mbetjeve urbane në Bulqizë janë kryesisht mbetje si: organike, dru, letër, plastike me densitet të ulët dhe me densitet të lartë, qelq, tekstile, metale, mbetje nga shëndetësia, goma, inerte, mbetje nga produkte sanitare, mbetje elektrike dhe nga pajisja elektronike (MPEE), bateritë dhe produktet nga kafshët.
Këto lloje mbetjesh klasifikohen si më poshtë:
1. Mbetje urbane plastike, ku këtu përfshihen shishe plastike dhe të tjera lloje që përbëhen nga plastika, qese amballazhesh që përdoren për paketimin e produkteve.
2. Mbetje urbane me përzierje letre si: letër amballazhi, kuti amballazhi, kuti lëngjesh, thasët e çimentos etj.
3. Mbetje urbane te prodhuar nga familjaret me prejardhje: bimore, shtazore dhe veshje jashtë përdorimit.
4. Mbetje të ngurta urbane dhe të rrezikshme si: mbetje spitalore, akumulatore (bateri makinash) goma dhe amballazhe vaji e lëngjesh të tjera.

Menaxhim i integruar i mbetjeve

Menaxhim i integruar i mbetjeve është grumbullimi, transporti, rikuperimi dhe asgjësimi i mbetjeve dhe mbikëqyrja e këtyre operacioneve, kujdesi i mëtejshëm për vendet e asgjësimit, si dhe veprimet e ndërmarra në cilësinë e tregtarit apo agjentit.
Theksojmë se këto mbetje depozitohen në gjendje të lirë dhe nuk meret asnjë masë mbrojtëse dhe kjo ka shumë ndikime negative.
Zona duhet riparuar dhe të restaurohet plotësisht, duhet te hartohet një plan i mirëfilltë për menaxhimin e mbetjeve në lidhje me këtë zonë, sepse sjell një ndotje te vazhdueshme dhe është problem për biodiversitetit.
Vend-depozitimi nuk është asgjë më tepër vecse një venddepozitim i pozicionuar në buzë të rrugës. Ka një sasi të madhe mbeturinash të depozituara me grumbuj/ pirgje në buzë të rrugës dhe më pas i është vënë zjarri.
Thellësia e mbetjeve nuk është me e madhe se 0.5m dhe shtrihet në një disatancë rreth 500m nga rruga. Zona është e pagardhuar, e pa populluar, nuk përdoret ndonjë makineri dhe u vihet zjarri. Era ka marrë me vete pjesën më të madhe të pjesëzave të mbetjeve duke i vendosur në shkurre dhe ferra të ndodhura rreth zonës, gjë qe sjell një problem shumë të madh mjedisor. Duhet patjetër të ketë një nderhyrje për menaxhimin e mbetjve dhe duke pasur parasysh efektet negative që ato sjellin dhe është e domosdoshme ndërtimi i sa më parë të jetë e mundur i një landfilli.

Bashkia duhet të ndërhyjë:

Për pastrimin e mbeturinave urbane në të gjithë zonën dhe sensibilizimin e banoreve për ndarjen e tyre që nga momenti i prodhimit për të siguruar një mjedis sa më të pastër dhe të bukur ekologjikisht;
Për parandalimin e ndotjes së mjedisit nga mbetjet, përmirësimin e kushteve mjedisore që lidhen me cilësinë e jetës dhe mbrojtjen e shëndetit të njeriut, si dhe uljen e ndotjes së tokës, ajrit dhe ujit.  Mbetjet e kësaj zone nuk duhet të lihen te lira apo të hidhen thjeshtë në sipërfaqe, apo thjeshtë të bëhet nganjëhere maskimi i tyre, sepse ato sjellin ndikime negative mbi mjedisin si psh: në tokë duke çuar në degradimin e saj si pasoje e kimikateve, që nga toka kalojnë në ujë dhe që përbën një problem për shendetin njerëzor.
Dhe së fundmi, djegia e tyre, si pasojë e tymit që mund të përmbajë grimca shumë të vogla që lëvizin si pasojë e erës dhe përbën problem për zonën, njerëzit dhe për biodiversitetin përrreth saj. Këtu është domosdoshmëri ndërtimi i një Landfilli në mënyrë që mbetjet e kësaj zone të trajtohen sa më mirë që të jetë e mundur dhe duhet që të bëhet ndarja e tyre në mënyrë të kontrolluar. Duke pasur parasysh nga çka thamë më sipër për zonën nevojiten:
1. Zhvillimi i planit të mbetjeve me objektiva strategjike që të përcaktojë qartë aktivitetet dhe rezultatet e pritura. Duhet të përcaktohen planet përfundimtare për depozitimin, trajtimin e mbetjeve veçanërisht nëqoftëse lidhet me një zonë tjetër, si në rastin konkret.
2. Një plan menaxhimi për mbetjet e rrezikshme që të përfshijë një plan riparimi për zonat e theksuara.
3. Krijimi i qendrave të trajtimit të mbetjeve për sterilizimin dhe trajtimin e mbetjve të rrezikshme spitalore.
4. Riparimi i venddepozitimeve ekzistuese në Bulqizë (x2)

Ndërtimi i Impjantit të Trajtimit të ujërave të ndotura urbane

Bulqiza si të gjitha qyetet e tjera ka dhe ajo problem me ujërat e ndotura urbane sepse uji është një element jetik për jetën tonë. Uji i ndotur urban shkarkohet në rivierë ose kolektor pa pasur asnjë llojë trajtimi. Detyra e bashkisë është të projektojë një stacion pastrimi të ujit të ndotur dhe më pas të vendosë se ku do të ndërtohet ky stacion.
Ujërat e ndotura industrialë janë ujërat e përdorura nga veprimtari industriale, tregtare dhe çdo lloj tjetër. Këta ujëra të ndotura mblidhen në kolektorin e fushës së Vajkalit që është mes dy qyteteve. Trajtimi është i domosdoshëm sepse është në të mirë të komunitetit dhe detyra e një impjanti është të zvogëlojë ngarkesat ndotëse për çdo njësi operacionale. Bashkia duhet të ketë synim pastrimin e ujërave të ndotura urbane në të gjithë zonën për t’i kthyer ato në ujra të përdorura dhe për të siguruar një mjedis sa më të pastër për qytetin.
*Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës “Ekspertët e Rinj Mjedisor”

S'KA KOMENTE