Qyteti pa opozitë…!

187

Vallë a e dinë këta bashkëqytetarët e mi se çfarë  është opozita?! Besoj se po. Edhe nëse nuk kanë shumë informacion, e dinë se është ai grupim njerëzish që del kundra pushtetit?!
Kundra pushtetit, atëherë kur ky i fundit dëshiron të marrë gjithçka, si një tornado që shkatërron çfarë i del përpara. Për këtë gjen justifikimin që e kanë në majë të gjuhës:  “po mua më ka votuar populli, pra unë mund të bëj çfarë të dua, fundja kështu bëje edhe ti”!
Le të bëjmë pak histori, sa opozitë ka pasur ky qyteti im!
Opozitë…, shumë kush nga ju mund të thotë, po çfarë ke shkruar more djalë, opozita këtu nuk gjen emër!

2005-2009

Vite, ku socialistët pasi kishin qëndruar gjithë ato vite në karrige, karrige se kështu jemi mësuar ta quajm pushtetin, sa rëndë që jemi, po nejse kështu na është ngulitur, nga kush ende se di. Tani kishim politikën me duar të pastra, ajo që do të sillte ndryshimin, ajo që do të sillte:
Rend; Arsim më cilësor; Shëndetësi;  Politika sociale;
Pra, e thënë më thjeshtë, do të vinin ditë të bardha për popullin tim, dhe tëndin, ti që po e lexon.
Socialistët u ndrydhën, heshtën, u venitën, mbyllën sytë dhe gojën ndaj gjithë asaj katrahure që po gatuhej. Ishin të pafuqishëm. Ato pak njerëz që mund të kishin mbetur, kishin heshtur se u kishin dhënë nga një kockë që ta lëpinin.
Po shoqëria civile?! Apo çfarë të themi kot, ku ka shoqëri civile?! Unë s’kam parë, por nëse ndonjëri prej jush ka dijeni, le të më thotë.

2009-2013

Këto janë vite edhe më të vështira. Socialistët, nëse më parë ishin ndrydhur dhe kishin heshtur, tashmë edhe e thonin ndonjë fjalë. Këto ishin vite heshtjeje edhe më e rëndë. Ishin tradhëtuar nga brenda. Një ish-mik  i tyre i shtëpisë tashmë u ishte larguar, kishte shkuar në shtratin e armikut, dhe si rrugë më të hajrit kishin parë të heshtnin. Kështu do të ishte më mirë për ta, të rrinin urtë, do të vinte edhe dita e tyre kur do t’i tregonin dhëmbët, se kush ishin. Pavarsisht se kishin çfarë të thonin e ku të ndaleshin. Pa prit more shoku drejtor, përgjegjës, se ka ca probleme këtu. Shëndetësia nuk është ashtu siç na premtove, arsimi jo e jo, rendi është ku thërret qameti, varfëria është ulur këmbëkryq dhe është bërë pjesë e familjes, por jo, vetëm heshtje, vazhdo bëj çfarë të duash!

2013-……..

Tani në rrethana dhe qëndrime krejt të ndryshme se tetë vite më pare. Këta “të poshtërit” ishin mundur, kishim “Rilindur”, ishin bërë ndryshe. Nuk kishim më vetëm pushtetin qendror, por edhe atë lokal. Tani do të vinte bereqeti për ne, kemi për ta parë. Premtime shumë, madje aq shumë sa nuk di çfarë të them:
Karburanti do të ishte më lir;
Stadium për qytetin, sa më në fund sportdashësit filluan ta besonin me të vërtetë;
Kampionate futbolli të organizuara në kuadër të fushatës, me të ftuar nderi Shakohoxhën;
Shëndetësia tani do të ishte ndryshe, do ta eleminonim korrupsionin, do të bëheshim qytetar europian, ashtu shpejt e shpejt.
Rendi do të merrte një drejtim tjetër, do të ishim më të sigurtë.
Punonjësit në sektorin minerar tani do të ishin të siguruar, nuk do të kishte më lekë nën dorë, e ca në bankë.
Arsimin do ta kishim shumë më mirë, do të sillnim më pak shpenzime, por më shumë dije. Filluan ta quanin “shkolla, qendër komunitare”, apo më mirë “qendra e punësimit të militantëve!?”
Shumë pak kohë u desh, dhe filluam të shihnim se të gjitha këto premtime filluan të bien si gjethet e pemëve në vjeshtë, të cilat pasi kanë gjelbëruar për një kohë të gjatë bien një nga një, duke e lënë pemën të zhveshur.
Po zëri opozitar ku është, ku ndodhet, ta dëgjojmë se nuk e dimë sesi është, si reagon, si e mbron popullin, si i del përpara këtij uraganit pozitar?!
A , po, kush do ta bëj opozitën?! Ata që ishin në pushtet para 2013?! Ata, që erdhën me premtimin, “qeverisje me duar të pastra”, por kur dolën ishin shumë të ndyer, aq të ndyer sa nuk ju hidhje dot sytë!?
Erdhën në zgjedhjet lokale, po si?! Me platformë dhe projekte për zhvillimin e qytetit, për më shumë punë dhe dinjitet, por çe do se këtë punë dhe dinjitet kurrsesi nuk ishin njerëzit e duhur për ta përcjellë. Kishin qenë këta që i kishin rrjepur të gjallë për vite të tëra, një rrjepje që e kemi provuar të gjithë nga pak, në një formë apo në një tjetër.
Kishin zgjedhur një formë, që zot na ruaj sa e rrezikshme që është: “më votoni mua se jam biri juaj, djali i lagjes, çuni i mëhallës, më mirë unë se ai jabanxhiu, po erdhëm ne do sjellim begatinë!”. Harruan këta se qenë tetë vite dhe i njohëm me dhëmbë dhe dhëmballë se si ishin!? Harruan këta se na i kishin kthyer  zyrat si hane, ashtu si në kohë të qepës? Kur dëshëronin vinin, iknin, dilnin për kafe dhe e harronin faktin se ishin duke punuar në një institucion shtetëror dhe duhet t’i shërbenin qytetarit me devotshmëri, sepse e kanë për detyrë.
Po sot, ku janë këta të djathtët, kanë struktura në këtë qytet të vogël dhe pa shumë vëmendje, por që i kanë ngulur kthetrat duke ngrënë të gjithë. E shikojnë sesi shkojnë punët, e shikojnë sesi është kthyer administrata, ku vetëm meritokraci nuk ka.
Por, ky është çuni i hallës dhe ma rregullo në x institucion, goca e tezes më ka mbaruar tek Xheraldina për infermiere, vendose këtu, fundja-fundja edhe po nuk diti, do të mësohet. Apo kanë marrë nga një kockë dhe po e lëpijnë? Po edhe unë ju kërkoj llogari kot. Po njësoj ishte edhe më parë, në fasadë të ndryshme, po në brendësi uniforme, rresht njëra pas tjetrës, si ato tullat.
Po kjo Rinia Demokrate që duhet të të marrë gjak në vetull, ku është, ku është fshehur vallë, apo gjendet nëpër rrjetet sociale, duke e shprehur indinjatën e saj me statuse të marra “copy paste”!? Si nuk ja kam dëgjuar një herë zërin, si nuk u grumbulluan një herë dhe të pyesin:
Po ku është stadiumi, biblioteka, qendrat rinore, parqet, aktivitete me të rinjtë, Qendra e Kulturës që na premtuat, keni dy vite dhe asnjë tullë nuk keni vënë akoma!?
Unë nuk kuptoj diçka, pse vallë kjo ndodh vetëm tek ne? Nëse në shumë vende të botës teknologjia dhe rrjetet sociale janë përdorur për të ndryshuar sisteme, ne akoma ngelemi tek statuset që një Zot e di se nga i marrim dhe asnjëherë nuk dimë të organizohemi.
Por të flasim me këto që shohim dhe dimë, nëse këta opozitarët do të vazhdojnë ta bëjnë opozitën e tyre në këtë formë, dhe me këta individë, pushtetin ta shikoni me teleskop. Teleskop se dylbitë nuk ju bëjnë punë.
Do të doja shumë që qyteti im të kishte opozitë, të fortë madje, edhe atë radikalen shumë e dua, por me argumente bindëse dhe aksione reale! Nuk besoj se do të ishte ndonjëri kundër, që opozita duhet të jetë zëri i përballjes dhe kërkesës për llogari, që e bëjnë jetën më të mirë. Po ta shtrojë edhe njëherë pyetjen çfarë është opozita, besoj si nocion mund ta dimë, por në veprim se kemi parë asnjëherë?!
Me sa duket opozita dhe qyteti im janë ende shumë larg, aq larg sa ende do të duhet punë dhe vullnet për ta afruar, por gjithmonë me njerëzit e duhur.

S'KA KOMENTE