E pabesueshme por e vërtetë: Isuf Koçi, i suksesshëm në Bulqizën e vështirë

Populli e përjetësoi në memorien e vet djalin e saj, Isuf Koçi. Edhe sot, në oda burrash, pohohet: Djalë si ai, nuk i vjen më Bulqizës!

215

KOLEKTIVIZIMI NË BULQIZËN E KOHËS ISUF KOÇIT, ERDHI ME GRYKË PUSHKE!

Feriti,ish polic, tregon për ndodhinë e viteve.
Ishte me shërbim në kampin e të burgosurve. Më vjen urdhëri nga Komandanti i Burgut: – Sonte, do shoqërosh Kryetarin e Degës. Do jesh bashkë me të në Vajkal për kolektivizimin. Je nën urdhërat e tij. – Si urdhëron, – Me qëndrim gatitu, nderova Komandantin e Burgut dhe u paraqita tek kryetari i Degës. Shkuam tek Kurti që kishte shumë dele dhe toka. Ju bë presion që të futej në kooperativë, por Kurti, nuk pranonte. Afër mëngjezit, më urdhëron kryetari.
– Dil në dritare dhe qëllo tre herë me pistoletë! – Qëllova, rrëfente Feriti. Kakarisën pulat në kotec dhe mëhalla ndezi dritat.
– Ç’janë këto tre fishekë?, – pyeti gjithë habi Kurti? – Urime Kurt!, – ja ktheu Kryetari.
Që nga ky moment, ti je anëtari i parë i kooperativës së Vajkalit! – Jo, or jo! Unë nuk bëhem as i pari, as i fundit. A është vullnetarizëm a me tytë pushke?
Ku është firma, belbëzoi Kurti? – Ja ku është firma juaj- ulëriti kryetari dhe tregoj me gisht tytën e pistoletës së vet, që çuditërisht ishte e larë në sermë a kromuar, nuk diktohej . Do dhe vulën- ulëriti Kryetari ? Ja ku e ke, dhe i tregoi hekurat. Kur mëhalla, mbas atyre tre fishekëve ishte zgjuar, kryetari, fillimisht shkoi tek Hasa, pastaj te Sulavditë, Sadiket, Dautet. Mëhalla, me radhë u mashtrua me lajmin e rremë: – E dëgjuat pushkën e Kurtit? -U bë kooperativë!
-Po pushkën tek Hasa, e dëgjuat?
– Edhe ai u bë. Hasën, do e keni kryetar kooperative. E cakova unë.
Unë po iki, por mos më bëni të kthehem prapë. Që sot, ju të gjithë, keni hyrë vullnetarë në kooperativë, nën shembullin e Kurtit! Dakort?! Kur kryetari me gazin e Degës kaloi Gurët e Skënderbeut dhe mori rrugën për Peshkopi, gjithë burrat e mëhallës, shkojnë tek Kurti dhe i ankohen: -Pse, or Kurt, na tradhëtove? Kurti, vetëm një “tog fjalësh”, qiti: – Se kush na ka tradhëtuar, ua tregon Feriti!

KOHA E KTHESAVE ABSURDE E VITEVE ’70-të

Ishte koha e kthesave absurde të viteve ’70 -të. Me zvogëlimin e oborrit kooperativist dhe tufëzimin, po thellohej hendeku i varfërisë absolute në kufijtë e absurdit. Politikat e gabuara të sistemit të kohës, “po plasnin enën e vetë”. U shpik kontrolli punëtor- fshatar dhe praktika e fletë -rrufeve. Me të gjitha këto çmenduri, sistemi i kohës, konsumoi shumë energji, sidomos, në luftë me vetveten. Zvogëlimi i oborrit kooperativist dhe tufëzimi, ishin dy makresat e varrit: njëra tek koka, tjetra tek këmbët e kufomës së sistemit që vdiq. Po ku është e veçanta e Isuf Koçit? Ndonëse statistikat ekonomike të kohës nuk flasin gjithnjë në favor të tij, ka një skutë ku ruhen fakte, në kujtesë të njerëzve, që meritojnë analizë. Sepse, siç thamë më sipër, jo gjithë prodhimi i realizuar nga kooperativa dhe ferma e kohës së Isuf Koçit, shkonte në depo të kooperativës apo të fermës.
Në kohë të Isuf Koçit, kooperativa dhe ferma, patën nivelin më të lartë të zhvillimit të të gjitha kohërave. Ja një histori e viteve ‘ 70 -të, që na ofron tek e vërteta që kërkojmë.
Një ish sekretar partie, po kthehej nga një dasëm. Kish kaluar mesnata. Fqinji, pasi ishte kthyer nga turni i dytë i punës në minierë, kish marrë gomarin dhe po ngarkonte kashtën me gjithë misrin e pa vjelur në arën e vet, duke zbatuar rregullin mes duajve të kashtës: një po, një jo! Kish rrugën e katërt. Barra po i merrte anën dhe nuk po e ngarkonte dot.
I shmangëm, – thotë ish komunisti sekretar partie, për të mos i rënë në sy. Kur unë ju shmanga, ai më kthehet: – A nuk të vjen turp? Si or, më sheh me gjithë këtë kasavet dhe nuk vjen të më japësh një dorë ta ngarkojmë? Unë, a kam marrë një kalli në arë tënde! Edhe ata të tutë, mbaruan punë para një ore. Edhe të mëhallës. Hallall! Asnjë nuk preku arën e huaj, veç në të veten. Por, unë jam pak mbrapa. Sa gdhiu, vjen brigada e kooperativës me vjelë dhe më ngeli vetëm kashta. Hallall Isuf Koçit. Edhe sivjet, nuk na shkoi mundi kot. Ka prodhuar edhe për ne, edhe për kooperativën!

* * *

Kur shkojnë evidencat në Komitetin Ekzekutiv dhe raportimet ishin po ato, të ngjajshme me evidencat e një viti më parë, Sekretari i Parë, jep ulërimën në një mbledhje Plenumi: -Çohu ti, sekretari i Vajkalit? – Ku shkoj gjithë ai misër dhe fasule që pamë bashkë? Ku shkuan ato zakone të mira vajkalore që edhe se të varfër, historikisht, nuk vidhnin kurrë. Pse tani, vjedhin? – As tani nuk vjedhin, – foli një komunist nga Koçet, por secili merr në arë të vet.
– Si, si? Ara e vet apo e përbashkët! Ju të Koçeve, akoma me lakra në kokë? Edhe tek teqja, ju, u treguat armiqësorë . Na u kundërvutë hapur. Por Partia, u tregua e gjërë me ju! – Ku e gjërë, ju na shqepët në dru! Po nejse, o sekrtar. Unë jam i Partisë. Ja ku më ke. A e di se po ruhen lopët në hajat të fshehura si diversantët e dikurshëm? Ku do marrë populli qumështin fasulen, po nuk i dhamë ne? A nuk e pe gjendjen me sytë e tu si vuante populli i Bulqizës?
Sekretari i tha: -Vajkali, po të mos ketë një njeri për derë, të punësuar në minierë, kishte cof për bukë thatë! Kjo është gjendja. Salla, por rrinte si e mpirë se i ruhej nenit të agjitacion propagandës.
Në fund, sekretari i parë, kur jep përfundimet e Plenumit, shtron detyrën e marrjes së vendimit “vendçe”

TË MBLIDHET POPULLI ME ZAKON VENDI DHE ATY TË BETOHEN SE NUK DO VJEDHIN MË!  

Kështu u bë. U dërgua lajmësi: – Të vijë tek Gurra e Kuqe, sot në ora 17.00, burrë për shtëpi. Mundësisht, i zoti i shtëpisë. Do diskutohet një problem i rëndësishëm, me zakon vendi! Duke qenë se ky lloj njoftimi, kishte mbi 20 vjet që nuk njihej si praktikë, pjesëmarrja ishte jashtë çdo parashikimi. Pleqtë, ishin në ankth. Prisnin ndonjë lajm të frikshëm që cënonte nderin e fshatit. Do betohemi se nuk do vjedhim më groshë në arën tonë (por në letrat e Kooperativës), plasi një gaz i pa parë! Pleqtë, mbasi u qetësun, hapën kutitë e duhanit dhe ndërruan cigare me njëri- tjetrin. Aty, filluan të pyesin: — Ku e mban, or Cen, atë mushqerrën që donin me ta marrë horrat?
– E kam burgosur në kasollen e barit të Lutit. Ai është komunist dhe nuk e kontrollojnë. Pleqëve, një buzëqeshje e ëmbël, u lezetonte mustaqet. -Po me misrin fasulet, si dole sivjet o Xhaferr? – Groshë, nja 80 kg. Misër, mbi 5 kv. Hurdha ime, po i lëshove ujë, është e ” hutueme”. Po Humdia ime, ka frikë dhe prej maces së vet. Ma shumë duhet të merrte. Sivjet ka pas prodhim të madh. Ti, si dole o Mustafë? – Gratë e kooperativës, sivjet, tek të gjithë arat, shërbimet, i bënë njëllojë si me qenë ara e vet. Prandaj, patëm këtë prodhim, që unë 60 vjeç, nuk e mbaj mend. Më kujohet koha e vjetër, para se të bëheshim kooperativë. A nuk punonim tek ara e shoqi-shoqit, gjithë bashkë, po secili merrte prodhimin e arës së vet? Sot, këtë punë po bëjmë prap, por gjasme fshehtas! Bulqiza, ka një veçori, krahasuar me krahina të tjera: Jashtë arës vet, nuk prek! Ndërpret bisedën sekretari Partisë i Vajkalit: – A do betohemi, or burra, se nuk do vjedhim më? E kam porosi nga Sekretari i Parë!
– Po, i kthehet daja i tij nga sallaket. Do betohemi! Po me se? Ra heshtja! Mori prap fjalën Staf Mira:
-Çfarë betimi beson nëna jote dhe motra ime, or nip? M’a thuaj troç: Ç’betim do? – Atë, tuajin, “me idealin në parti”, apo të popullit, “me dorën në hajmali !” Fol, pse rri si huti? A e ndajmë bashkë nip e dajë dhe populli të shkojë në hesap të vet?
Si thoni or burra?
-Si të thotë Stafa, foli më i vjetri i koçallarëve. – Si të thotë Stafa- përsëriti vallja e burrave. Dakort, tha Stafa, dhe duke mbajtur me vështirësi të qeshurën, se e priste gallatën që e kishte llogaritur ” hollë”, deri në detajet më të vogla, komunikoi: – Or nip! Dy rrugë ka: ose ti nxirr tesërën tënde të Partisë, ose të Latifit tim, dhe populli të betohet në to: ” Për ideal të Partisë, nuk vjedhë më!” Pas këtij betimi, po u vodh një kokërr groshë, do vimë ta marrim në arën tënde. Po u betua populli, në betimin tim, në hajmali teqje të Dede Llores dhe vidhet një kokërr groshë, hajdeni e merreni tek ara ime. Uuuu, plasi gazi në popull. – S’ka ara ime dhe e jotja, or daj Stafa,- ja kthej sekretari
– Sot, ato janë ara, janë të kooperatives, -bëlbëzoj. Por Stafa, i turfulloj: -Kooperativa, u bë me pistoletë të Kryetarit të Degës, nip lumi! E di historinë e Kurtit prej Feritit? Ti, me dëshirë u bëre? Ku e gjeti arën e vet kooperativa? Nuk dihet kush po na vjedh! Uuu, plasi përsëri e qeshmja! Kaq u desh që, edhe Staf Mira të skedohej, nga krytari Degës: E paska gjuhën gjarpër. Të ruhet!
* * * Populli, e përjetësojë në memorien e vet djalin e saj, Isuf Koçi. Edhe sot, në oda burrash, pohohet: Djalë si ai, nuk i vjen më Bulqizës! Pleqtë, në fillim qeshnin dhe nuk e besonin Isufin, sidomos, kur merrej me kubikë balte. Por, kur panë rezultatet, në magje buke dhe në vorba të shtëpive të tyre, që kishim më shumë, ishin po pleqtë zot shtëpie. Kur ndanin detyrat për të nesërmen, do u jepnin ultimatum gocave dhe nuseve që punonin në kooperativë: të jeni korrekt me orarin dhe çdo urdhër të djalit të Hamit Koçit se ai po na qit në dritë! Ku kishte provuar Bulqiza e kohës tonë bamje, patëllxhana, panxhar, këtë llojë groshe dhe misri? Po ja keni prish Kryetarit, jeni prish me mua. Ishte kjo arsyeja që, kur u pyet brigadjerja e kooperativës në sektorin e Vajkalit nga ca kuadro të divizionit se ku e gjeni këtë disiplinë, që dilni në punë në shtatë pa një çerek, me vetëm 3-5- 7 lekë për ditë pune, brigadjerja do përgjigjej: Kur nuk ishte kryetar Isufi ynë i koçallarëve, nuk ka qenë ky rregull. Po të mos jetë ai, kam frikë, do bie rregulli përsëri. Nuk mund t’ja prishim atij, se ai e rregulloi Bulqizën. Dhe kish numëruar me gishtat e saj gjysëm të rreshkur: furrat e bukës, transportin , farërat, magazinat, zyrat e reja, ndihmat që ju jepeshin njerëzve në nevojë, shtegëtimin e deleve në dimër jashtë Bulqize, teknologjisë në përmirësim tek baxhot e përpunimit të qumëmështit, etj .

* * *

Masivisht në Buqlizë, ekziston mendimi: Me prodhimet e kohës si Isuf Koçit, Bulqiza mbajti shpirtin. Asnjë nuk pati arritur rezultatet e Isuf Koçit në investime, numër krerësh blegtorie dhe prodhime drithërash për njësi sipërfaqeje. Atë sasi prodhimesh të reja që njohu Buqliza e kohës së tij , as në ëndër nuk i kishim parë. Ndaj , bulqizakët, shajnë sistemin, por jo arritjet e Isuf Koçit. Në vlerësimin e tyre, Isufi, ishte “gjeneral” në fushën e vet.

* * *

Befasuese, është praktika shkresore në AQSH, tepër e ngjeshur dhe me mendime kontraditore, kur do krijohej sektor ferme në Bulqizë, në formë hozrashoti. Ndonëse Bulqiza ishte 30 vjet kooperativë dhe propozohej për fermë (150 ha), të gjithë shpreheshin kundër, me justifikim objektiv: Bulqiza nuk ka kushte! Dhe këtë e thoshin Ministria e Bujqësisë, Financave, Komisioni i Planit të Shtetit, këshilltari i kryeministrit, Zëvëndëskryeministri! (AQSH, F 898, v.1977, d 97, fq 1-15, dixh.147) Citohej: nuk ka pse krijohet fermë kur ende nuk kemi tregues të qartë efektiviteti të kësaj toke për sa kohë ishte kooperativë. Veç kësaj: Nga NFP-ja, ferma e Dibrës ka marrë një sasi të konsiderueshme toke që u përfitua nga tharja e Fushës së Vajkalit. Po edhe kjo do ” parë” sepse, ende nuk është vënë nën kulture sepse ka qenë e pa bonifikuar. Ajo duhej të kishte pas mbaruar së bonifikuari, ose duhet të mbarojë medeomos së shpejti. Po aty , “po të mbillen 150 ha me perime, nevoiten 300-750 krahë pune”.
Dhe, pralajmërimi për jo: Nuk “dobësohet kooperativa po i hoqëm këto krahë pune”? Para se t’i japim përgjigje shokut Mehmet, duhet folur paraprakisht me shokët e NB-ve” ( AQSH, po aty). Pikërisht këtu, del kontributi i papërsëritshëm shkencor, profesional dhe qytetar, që ai, të bënte atë që kish në dorë, në profesionin e vet, që nuk i lëronte rrugë kujt. C’bëri? Nxorri nga arkivi personal gjithë studimet që kishte bërë në vite, në bashkëpunim me insitutet kërkimore shkencore, ku ai ishte protagonist:
Klasifikimi hidrologjik i Fushës së Vajkalit dhe ndikimin e ujrave nëntokësore në të. Rezervat ujore në bazenet ujëmbledhës të liqeneve poshtë Dhoksit dhe shfrytëzimin e tyre në dobi të Vajkalit, duke ngritur një kolektor në kodër Alle dhe me rrjdhje të lirë, vaditej gjithë Vajkali, pa kufizim. Gjeografia fizike shfaqet morfologjike në toka të lehta në Shullanin e Lepurakëve dhe relievi karstik i Fushë- Bulqizës, si rezultat i mbathjes lumore dhe zajeve mbi të; Gjeneza e ish kënetës së Fushës së Vajkalit, indekset dhe metodat e mundësive të futjes në prodhim, pas tharjes nëpërmjet kanalizimeve me vetërrjedhje; Ndikimet në mjedis. Ishte kjo punë e heshtur e Isuf Koçit, që do i kthente të gjithë tek logjika shkencore dhe njerzore: – Nuk duhet të ketë studime dhe praktika zhvillimi në zonat ekstremisht të vështira, siç vlerësohej Bulqiza. Ku qëndronte qortueshmëria në studimet, shoqëruar me propozim që ai paraqiste? Pastaj, do i shtangte të gjithë me deduksione shkencore alternative , të kryqëzuara me studime ” makro ekonomike”, duke përdorë metodën studimore “krahasuese”, për raste të ngjajshme me Bulqizën. Nëse , jo siç thoshte Isuf Koçi por siç thonin gjithë dikasteret kundër tij, natyrshëm lindte pyetja? Nëse 30 vjet, kooperativa jorentabële, ç’farë u korrigjua? Ministria e Bujqësisë do i shprehej kryeministrit Mehmet Shehu, kur diskutohej për fermë, se Bulqiza, nuk kishte kushte për prodhim fruta-perime, porIsuf Koçi, do i sfidonte të gjithë. Do të bënte të pabesueshmen me argument “gozhdë trau”, që vështirë të thoje jo. Se Bulqiza, për herë të parë, në shekuj, kishte teprica në perime, mbi nevojat e veta, dhe Isuf Koçi, kishte hapur pika shitje tepricash, në qytet.

* * *

Ja përgjigja e një plaku, dhënë sekretarit të Parë, kur e kishte mik në shtëpi të vet: Pse fasulet duhen dorëzuar edhe nga kooperativa, pyeste Sekretari Parë? Dhe përgjigjej po vetë: – Se me to, ushqehet ushtria, çdo mëngjes. Pa ngrënë, mbrohet Atdheu?! – Dakort o sekretar, i përgjigjet plaku. Ja, Unë jam zot në këtë shtëpi. Po nuk u dhashë groshë nipave të mi, a mund të bëhen për ushtri?

SHOKET E MIRE TE ISUF KOÇIT

Instituti Kamzës kishte kapacitete shkencore. Studentët me rezultate të larta, ata, i mbanin shumë afër. I aktivizonin në kërkime modeste shkencore. Që student, Isuf Koçi do ishte një ndër ta. Porosia ndaj studentëve të dalluar, ishte: – Shkolla të hap vetëm një dritare. Jeta, është “fusha e luftës”që provon cilësitë e secilit. Po u ndave nga libri me mendësinë se mbaruam shkollën, keni vdekur. Bujqësia, është si miniera, që kërkon punime kërkimore, nëse tenton mineralin.
Tregonte Isuf Koçi: Ditën që mora emërimin për Bulqizë, pedagogu që kisha për zemër, më thotë: – Isuf! Ashtu siç nuk ka të mira absolute, nuk ka as të këqia absotute. Ti, ke shansin se, për zonën e Bulqizës, nuk ka studime. Me mendësinë se Bulqiza është e vështirë dhe studimet janë pa leverdi ka mbetur fushë e pashkelur. Nuk ka asnjë studim të thelluar për të, me përjashtim të studimit të tharjes së fushës së Vajkalit. Të bësh punë të dobishme për Bulqizën, në fushën e bujqësisë, do të thotë të kërkosh mundësi zgjidhje edhe në kushtet e saj. Bulqiza, e studjuar në aspektin shkencor të mundësive, mund të jetë rast i veçantë. Dhe në kushte ekstremisht të vështira, kur gjen një zgjidhje të ndërmjetme, suksesi është dy here më i madh. Pra përpiqu të bëhesh pjesë e kësaj përpjekje. Ani se në dukje modeste por, do mbetesh në kujtesë, nëse do të lësh gjurmë. Se njerzit, mbajnë mend vetëm të veçantat dhe ndryshimet që sjell, jo punët që i bëjnë të gjithë, me instiktet e përvojës rutinë. Mbas kësaj bisede, pedagogu, i kishte garantuar: Laboratorët e Institutit do t’i keshë në dispozicion. Por dhe të insitututeve, ku kam miqtë dhe bashkëpunërorët do i kesh krah. Por ti, ke rolin kyç në Bulqizën si rast i vaçantë. Absolutisht rast i veçantë por ideale për studime komlekse. Se ti je aty ku lind problemi. I prek gjithçka me dorë. I sheh me sy. I eksperimenton, po ti. Kjo, ka shumë rëndësi! Ndaj, të lutem: Po bëre këtë, suksesin do e kesh të garantuar, edhe në Bulqizën shumë të vështirë.

ISUF KOÇI DHE SKËNDER KETA NË KINEMA PËR VAJKALORËT?!  

Bulqiza, kishte një revoltë të ” lexueshme” ndaj çdo ekipi që vinte nga lart, kur bëhej fjalë për kushte pune, ushqimi, shkollimi, transporti. Ishin kushtet e rënda që kishin vrarë frikën, edhe se një qime floku ndante “gjuhën e Ezopit” nga “agjitacion – propaganda”. Pse bulqizakët gjithmonë guxuan? Se nuk kishin ku shkonin më keq se në Bulqizën e tyre aq të ftohtë. Aq sa, sapo koloje “Gurrën e Kuqe”, në dimër, pika e shiut kthehej në curril akulli. Pastaj, shkrihej akulli dhe kthehej në pika loti, prej avullit të frymës së vet. Ishin disa bulqizakë që kishin mbetur në borë (Bala, Bodurri), tek shkonin e vinin në punë. Shto këtu minierën “zgafellë vdekje”, dhe bulqizakët mallkonin në heshtje: – Mos e gëzofshi një pikë djerse nga djersa ime që kullon gjak! Në ka Zot, ti që më bën keq mua, as në varr mos të zënçin kockat rehat!
* * * Qeveritë e kohës, nuk mund të qëndronin krejt indiferent ndaj kërkesave të punëtorëve, ashti si edhe për kërkesat e djemëve të Vajkalit që nxirrnin krom. Isuf Koçi, mori shumë ndihma falas nga miniera e Bulqizës, falë këmbënguljes së tij dhe marrdhënieve njerzore që dinte të krijojë me gjithë drejtuesit e nderuar të këtij gjigandi ekonomik të kohës. Bulqizakët pranojnë: Isuf Koçi bëri maksimumin e mundshëm të tërheqjes së ndihmave nga miniera, sidomos, në mjeteve themelore dhe investime. Në minierë, kushtet përmirësoheshin për banorët jabanxhinj me banim në qytet, ndërsa vendasit, ende me banim në fshat trajtoheshin në qytet si kooperativistë. Kjo fillonte, që nga mohimim i të drejtës për të mos lejuar fëmijët e vajkalorëve në gjimnazin e qytetit, deri tek mos lejimi i fjetjes në dhomat e punëtorëve, pamundësia për të marrë në furrë të qytetit një bukë gruri, etj.
Ja një padrejtësi që u denoncua hapur në kinema nga një komunist vajkalor, Skënder Keta, në një takim me Adil Carçanin: – Pse fëmijët e vajkalorëve, me shtëpi afër qytetit, shtëpia më e largët 10 minuta, nuk lejohen në gjimnazin e Qytetit? A nuk është qyteti në tokat tona? Si një mirditorë, gollobordas, minatorë si unë, ka gruan në punë në qytet, merr bukë gruri në qytet, e vajkalori jo? Pa kërkuar shtëpi në qytet, as hotel, as autobus, pra kosto zero, pse na mohohet shkolla e fëmijve në qytet dhe buka në furrë, edhe se me paratë tona?
A nuk nxjerr dhe unë krom? Pse gruaja ime të marrë 5 lekë në kooerativë e jo 120 lekë si marrin gratë e të gjithë familjarëve jo bulqizakëve, që janë këtu në sallë. Nëse kooperativisti nuk lejohet të punësohet, pse nuk krojoni fermë? Po del keq ferma, pse mos e kompensojë miniera me djesën tonë që tejkalojmë planet? A e rrej një llaf or burra? Dhe e mbylli: Unë jam komunist, shoku Adil dhe, nuk ja kam me të keq partisë! Po, as njësoj me të ardhurit, të mos jemi, si këtu në kinema? Të gjithë, për këtë minierë po punojmë. Jam sekretar tek Ofiçina e Pusit. Rroftë Partia!
U krijua një klasë për fëmijët e vajkalorëve dhe, Dhurata Boba ( Keta), që sot shet byreqe në një lokal kur shkon për qytetin e ri, ishte një nga nxënëset e para që u pranua në gjimnazin e qytetit. Ky problem, sot, nuk ekziston, fatmirësisht.

* * *

Ja një nga historitë, e nxitur dhe nga Isuf Koçi, që shkoi deri në vesh të Mehmet Shehut. (Kjo, e provuar dhe nga burime arkivore). Ndërsa po kthehej Manush Myftiu nga Dibra për Tiranë, organizohet diku tek “Ura e Laçit” ndalesa e tre autobuzave me punëtorë nga fshatrat e Bulqizës. Ata, po shkonin për turnin e dytë. Aty, minatorët, të instruktuar dhe nga Isuf Koçi e të tjerë, kishin hapur trastat e bukës dhe hanin si lypsarë bukë misri me gjizë, qepë e ndonjë domate turshi. Rreziku ishte në “tef të thikës” nëse do zbulohej bllokimi i qëllimshëm i rrugës, organizatorët dhe efektet që synoheshin.
Manush Myftiu kishte kundërshtuar në Peshkopi krijimin e një sektori ferme në Bulqizë, me argumentin: Nuk na keni bindur që do jetë rentabël! Skenari i bllokimit të rrugës, ishte llogaritur deri në detaje. Veprohej pa fjalë, vetëm me xheste. Dolën anë rruge dhe improvizuan të hanin bukë misri, gjizë, pak turshi e ndonjë pras, disa minatorë. Ndërhyn Manushi, duke ju marrë pak goja dhe picërruar sytë si elektrodë saldimi e skaduar në riparimin e një vagoni kromi: Pse nuk hani bukë në mensë? Ju duken shtrejntë çmimet?
Një nga minatorët më të vjetër, me qetësi deri në përulje, i kthehet butë: Qenkemi moshatarë: Nxirret krom me bukë misri e gjizë?! Duam fermë,shoku Manush, se ferma, paguan më shumë se kooperativa. Pse gratë tona, jo njësoj me gratë e jabanxhijve? Se jemi në fshat? Lopa i ka bërë ato? Po është arsye pse nuk jemi me banim në qytet, na merrni dhe ne në qytet. Gjëndja jonë është: “Shih e shkruaj!

* * *

Siç del nga arkivat e kohës, Qeveria, shkroi : “Projekt Vendim: Ministria e Bujqësisë, derguar Këshillit të Ministrave dhe disa minstrive “mbi kalimin e 150 ha tokë arë nga Kooperativa Bujqësore Bulqizë, në përdorim të NB-së Dibër(AQSH, fondi 498, viti 1977, dosja 97, araka 135, dixh. 147). Ishin këto arsye të kishim befasinë tjetër të radhës: Në Bulqizën e vështirë do kishim sektor ferme, kur fermat, në shkallë Republike numëroheshin me gishtat e dorës! Kudo këmbëngulja e Isuf Koçit dhe një fjalë e mbajtur prej Mehmet Shehut për punësimin e 100 grave të minatorëve në fermë! Dhe kaq mjaftoi që ferma të krijohej, edhe pse ishin gjithë dikasteret kundër! Por, Buqliza fitoi. Isuf Koçi, fitoi!

S'KA KOMENTE