Nomeklatura e kohës: Me Isuf Koçin, shpëtuam, ne dhe Bulqiza!

Arkivat flasin në favor të veprimtarisë kërkimore shkencore të Isuf Koçit. Kjo veprimtari, në dukje modeste, ndoshta meriton studim të thelluar nga organe të specializuara

240

KRYEÇUDIA E KOHËS : SI MBIJETOI ISUF KOÇI KAQ GJATË?

Si, gjithnjë po ai, në nivelet më të larta lokale të drejtimit, kur njihej lufta e “bërrylave”? I vlerësuar në inteligjencë, marrdhënie me njerëzit dhe aftësinë për të punuar në grup! Edhe mes njerzve të vetë, ai diti të gjejë ekuilibrat midis detyrës dhe marrdhënieve njerëzore, duke dhënë modelin e mirëkuptimit brënda Bulqizës. Kush si ai, inkurajoi ngritjen në detyrë të kuadrove vendali? Ku e kishte atë magji komunikimi dhe mirëkuptimi me njerzit e gjithë niveleve e krahinave? Si nuk kishte njeri që mos i dëgjonte fjalën, edhe se nuk bërtiti kurrë? Në një ekonomi me shumë pak tokë buke dhe tregues prodhimtarie natyrore mizerabël, ai mori maksimumin e mundshëm prej aq sa mundej. Për aq sa ishin mundësitë dhe kushtet, ai, bëri kryeçudinë: dha modelin si mund të prodhohet dhe në zona ku vështirësitë janë ekstremisht të vështira.

BEFASITË E FILLIMIT TË ISUF KOÇIT, QË PLEQTË I KUJTOJNË ME HUMOR   

Njerëzit do shqyenin sytë, llafi mori dhenë, administrata do bënte çudi. Djali i Hamit Koçit, ditën e parë që paska ardhë në punë, para se të kërkonte një karrike për t’u ulur, i paska kërkuar Kryetarit: Dua një raft për librat dhe një aneks, për mostrat e provave laboratorike! Kryetari kooperativës, njeri shumë i mirë, por jo profesionist, i kishte kthyer kryagronomit të ri, ende pa shkuar brisk në faqe, këtë përgjigje miqësore: ” O djalë i Hamitit! Ulu një herë, pastaj, shohim për raft librash. Partia, të ka prurë në kooperativë, për punë, jo për libra. Akoma nuk mbarove punë me to? Unë t’i pashë notat. Kishe rezultate të larta. Bravo! Nuk e kishe turpëruar Hamit Koçin. Tani, vëri mend punës, jo librave! Ato që ke mësuar në shkollë, m’i mëso mua të parit. Pastaj, me rradhë, të kalosh në çdo brigade ku punohet.
Të shkosh mes grave kur prashisin, burrave që ngasin qetë, barinjëve që ruajnë delet. Të udhëzosh, korrigjosh. Kooperativa, nuk është punë librash. Më kuptove? Pastaj, kryetari babaxhan, e kishte marrë me të mirë: “Hajt, se do mësoshesh dhe ti! Je dhëndër i ri. Dyzet ditë, të lejohen lajthitjet”. Të gjithë ja kishin plasë gazit. Vetëm Isufi, jo! I skuqur, i kishte kujtuar kryetarit, me qetësi plaku: – Mua, seksioni i Bujqësisë në rreth, më dha këshilla të tjera. “Ministria e Bujqësisë, kërkon prej nesh, pra dhe nga kooperativa jonë “aksion për studimin e tokave bujqësore dhe të nxjerrim detyra ( AQSH, f 498, d152, v 1973, arka 121, Dxh 283-284). Unë të bëj analiza, njëllojë si ata të laboratorit të minierës, nëse duam të dimë: Toka, është e varfër apo e pasur dhe ç’punë mund të bëjmë për ta pasuruar?
Se, ashtu si kromi i varfër pasurohet me shërbime shtesë: seleksionim, pasurim, edhe toka jep më shumë prodhim nëse ka studim për kullim, shkripërim, qarkullim bujqësor, seleksionim fare, vazhdimësi shërbimesh, etj. Kjo është detyra ime, kryetar! Ndaj mua, po më hoqe librin dhe laboratoritin, është njëllojë, si t’i heqësh mjekut aparatin e vizitës!

NOMEKLATURA E KOHËS: ME ATË DJALË, SHPËTUAM, NE DHE BULQIZA!

Sa herë bëheshin analiza për plotësim kuadrosh, “tabelë qitje” do ishte dhe Bulqiza. Specialistët, kuadrot e të gjitha niveleve, do i shmangeshin emërimit në Bulqizë, jo vetëm për kushte izolimi por edhe dështimi. Sa herë bëheshin diskutime se kush do të merrej me studime të zones së Buqizës: llojshmëri mbjelljesh, farërash, teknologji të përparuar, vetëm Bulqiza nuk raportonte. Arsyeja? Nuk kishte një agronom që të kishte dhe sensin e kërkimit shkencor, ambicie pune. Për të mbushur këtë boshllek, askush me dëshirë, nuk pranonte emërimin në Bulqizën e vështirë. Se, qarkullonte thashethemnaja: Po i dëshiron tjetrit dështimin, çoje në Bulqizë! As Isuf Koçi, nuk e priti emërimin në Bulqizë, si sihariq. Përkundrazi. Por kjo, ende jo arsye që ai, mos shpaloste ambiciet profesionale, sipas orientimeve që i kishin dhënë pedagogët, qysh në fillim. Madje, duke shkuar më tej: Po të ishte pjesë e studimeve të thelluara, me ambicien e kualifikimit të ardhshëm shkencor, ai, do rikërkohej përsëri prej tyre, për të qenë pedagog në Universitet apo punonjës në Insitutet kërkimore shkencore. Arkivat flasin në favor të veprimtarisë kërkimore shkencore të Isuf Koçit. Gjithë studimet për bujqësi, blegtori, ujra, pyje, që janë kryer për zonën e Bulqizës, përgjithësisht, do kishin dhe dorën e tij. Ndaj, edhe pse kjo veprimtari, në dukje është modeste, ndoshta, meriton studim të thelluar nga organe të specializuara.
* * *
Tregojnë bashkëpunëtorët: Në analizat, shoqëruar me propozimet që ofronte Isufi, e veçanta ishte: Argumentet, ai i bazonte ose në referencë shkencore ose në përvojë jetësore të testuar prej tij. Gjithnjë, argumentet që ai ofronte, do ishiin në kushtet konkrete të Buqizës, shoqëruar me analiza dhe prova në sipërfaqe eksperimetale. Me një gjuhë tepër të kuptueshme edhe për nivelin e mesëm, ai do shfaqte ide të guximshme. E kishe të vështirë t’a kundërshtoje. Kjo do ishte mundësia e vetme, që ai, do ishte i besueshëm dhe i pranueshëm në propozimet që ofronte. Imponohej me logjikë. Populli i besoi dhe e mbështeti fuqishëm. Sa herë dikush nga rrethi tentonte ta kritikonte, pleqtë, do i kërtileshin të deleguarit: – Mos na e nga djalin e Hamitit! Provoje ti karriken e tij dhe ta shohim sa të vlen lëkura. Punën e këtij djali, nuk e ka bërë asnjë në Buqlizë! Në rrafsh lokal, ai do të kishte një karrierë brilante që do e kishin zili të gjithë. Ish pedagogët e tij, bashkëpuntorët shkencorë që bashkëpunonin me të, që ja njhnin aftësitë, ishin promovuesit e vlerave të tij në publik. Sa herë ata do të vinin në Dibër, do të flisnin me superlativa për dijet e Isuf Koçit dhe aftësinë e tij menaxhuese. Ai do bëhej i njohur në çdo dikaster, si njeri i punës dhe jo i llafeve. Si talent në mënyrën e zgjidhjes së problemeve nga më komlekset, me sa më pak pasoja. Njihej si njeri me ambicie që shkonte deri në ç’menduri. Të tilla vlerësoheshin investimet kapitale që ai realizoi dhe krijimi i fermës në Bulqizën e vështirë.

KOLEGËT QË PUNUAN ME TË, TREGOJNË:

Fillimisht, të gjithë qeshinin me zhurmë, duke quajtur lapsus, lajthitje të një riu, kur ai do fliste me aq seriozitet për studim tokash, sikur të ishte në fushë Myzeqeje e jo në rrëpira Bulqizë. Kjo ishte pjesa e gallatës së asaj kohe kur ishe i detyruar të shfaqeshe i kënaqur në publik, edhe kur kishte budallallëqe me okë.. Dhe Isufi, dinte të ruhej mjeshtërisht prej kësaj! Por skuqeshim kur Isuf Koçi, me saktësi profesionale e dashamirësi njerzore na mbushte mëndjen për propozimet që ofronte. Aty ku ka vështirësi, këmbëngulte ai, duhet të ketë sudime. Se vetëm kështu mund t’i minimizojmë këto vështirësi. Se bota prodhon dhe në zona të ftohta, si Bulqiza jonë, e neve duhet ta njohim këtë përvojë. Nuk mund të ketë analizë ekonomike, – këmbëngullte ai, pa studim toke. Ai, jepte arsye të besueshme, pse duhej bërë kjo. Mbas gjithë këtyre: ato, që ai propozonte, bëheshin objekt pune për të gjthë. Se bindja, ishte maksimale. Kryeargumenti i tij ekonomik, ishte: – Ne kemi afër, një konsumator të madh. Duhet të orientojmë prodhimin tek ata artikuj që konsumon miniera. Edhe se me humbje, diferenca e transportit, justifikon shpenzimet shtesë. Pa këto argumente, askush nuk do të na mbështesë. Ishte kjo logjikë e ftohtë e Isuf Koçit, që do zbuste dhe gurin. Të gjithë, pranonin idetë e tij. Bënte dhe analiza krahasuese, kur donte të mbronte diçka të rëndësishme.
Ja një argument që u mbështet nga kolegët, kur propozoi fermën në Buqlqizë: – Nëse kromi çohet deri në Burrel, që të zgjidhet një problem social punësimi, pse Bulqiza të mos shohë punësimin e grave të minatorëve që nxjerrin krom? Nëse punëtori do hajë më mirë, do prodhojë më shumë. Nëse domatja, do na kushtojë një lekë më shtrejtë, qumështi po ashtu, po minatori merr produkte të freskëta dhe në kohë, ku është humbja në shkallë shoqërie?! Diskutimet nga ky kënd, qetë dhe butë, pa marrë përsipër shpëtimtarin, e bënë Isufin njeri të besuar në mendimet që jepte. Nëse do tentonim sugjerim: Kush do ketë durim të lexoj në AQSH historikun se si u krijua ferma në Bulqizë, kur dhe Adil Carçani, e bllokojë proçesin, me synim mosaprovimi, pikërisht këtu dalin vlerat e Isuf Koçit. Ai bindi për të kundërtën (bashkë me shokë) nomeklaturën e kohës, deri tek i vështiri Mehmet Shehu, se Bulqiza meritonte përjashtim dhe përkujdesje të veçantë, pikërisht, se jepte kontribute të pallogaritëshme në nivel kombëtar, si rast i veçantë. Kur erdhi lajmi në Bulqizë se u krijua ferma, “urrrra”, gjëmoi Dhoksi!

PSE PRESONALITETI I ISUF KOÇIT MERITON STUDIM?

Se ai, edhe në Bulqizën ekstremisht të vështirë, bëri punë të mëdha në raport me kufizimet e kohës dhe mjedisit. Kur të gjithë kundërshtonin, ai mbronte idetë e veta me studime efektiviteti, sipas parimit “të keqes më të vogël”. Kjo, i vuri vulën përfundimit: Ferma ishte e nevojshme dhe e justifikueshme, ndonëse jo gjithnjë e për çdo artikull mund të ishte rentabël. Ishte pikërisht, shtrirja e treguesve të efektivitetit përtej kostos për njësi, që do realizonte përmbysjen për mirë. “Afërsia e konsumatorit minierë”, ishte çelësi magjik që bindi dhe më të pabindurit, që ferma, indirekt, të dilte përsëri efektive, në analizën komlekse” makro”. Ishte këmbëngulja e hekurt e Isufit me shokë, që e çoj natyrshëm tek zgjidhja në favor të bulqizakëve. Me laps, grupi punës do argumentonte: Nëse domatja do kushtojë një lek më shumë në shpenzime prodhimi në raport me Lushnjën, sa fitojmë nga diferenca e transportit të domateve nga Lushnja në Bulqizë? Po cilësia e prodhimit të freskët? Po mundësia e plotësimit të nevojave në çdo kohë? Duke qenë prodhimi afër minierës konsumatore, avantazhet ishin pa fund. Mbi të gjitha, mbyllej dhe një ankesë publike, e paqortueshme në përmbajtje, edhe se ankimet, sidomos në grup, ishin thellësisht të dënueshme për sistemin e kohës. Por, a mund të shpalleshin armiq tre autobuza me punëtorë? Ja pse, tani mbas 30 vjetëve, kemi arsye vlerësimi të disa lëvizjeve të zgjuara të bulqizakëve, në interes të komuntetit. Ashtu si, në vitet ‘ 50 të, kur ende miniera ndriçohej me motorë me naftë, Vajkali, në sajë të burrave: Kamber Duriçi dhe Mexhit Shehu, sensibilizuan qeverinë, që Vajkali, të kishte dritë elektike ndër fshtrat e para në Shqipëri. Dhe Bulqiza e meritone se nxirrte krom. Se në zabelet e Bulqizës, që bulqizakët i kishin si “arë buke” dhe shiteshin, bliheshin dhe trashëgoheshin si arë buke, sot, bulqizakët nuk i lënë as të mbledhin sterilet e kromit që i mbajtën 50 vjet mbi supe, në tokën e tyre! Se nuk ka burra që t’i dalin zot vendit të vet, siç kishim Isuf Koçin, që rastësia e bëri agronom; që edhe se punoi në Bulqizën e vështirë për kjamet, ai la në pavdeksi personalitetin e vet. Dhe në shpirt, minierë kromi!

Ç’MUND TË KËRKOHEJ MË TEPËR PREJ ISUF KOÇIT?

Ai, as nuk kishte fuqi të zbuste erën e Bulqizës që të shponte gjoksin, as të ndalonte lodrimin e reve që zinin diellin. As, të ulte kryt e maleve mbuluar me borë, që në tetor. As të ndalonte brymën që lëshonte lulet e kumbullave në tokë. Se Buqliza, historikisht, njohu vetëm kumbullën e egër të vendit dhe rrushin xheleg. Ishin të vetmet pemë produktive që njihte tradicionalisht Bulqiza. Ky realitet i frikshëm, ishte argument kundër propozimeve të Isuf Koçit, se Bulqiza të mund të kishte mundësi të reja zhvillimi edhe në frutikulturë. U përpoq dhe në këtë fushë të bënte diçka Isuf Koçi. Mbolli fidane arre, por populli e sabotoj këtë proces, jo për inat të Isufit, por të Sekretarit të Parë. Historia e dështimit ishte sa për arsye banale aq dhe njerëzore. Partia e asaj kohe, donte të bënte plantacion pemësh gjithë zonën nga qafa e Buallit deri tek “Hani i Ajazit’. Kjo, u prit mirë nga populli. U premtua mbështetje maksimale. Veçse me ditë pune, do hapeshin gropa dhe me kontribut vullnetar. Por, kjo nuk ndodhi. Me udhër të Sekretarit të Parë, aksioni filloi nga shkulja e varreve shekullorë. Populli e kundërshtoi këtë vendim makabër por traktori bëri punën e vet. U rrafshua varri i Ostrenit që mbase ishte histori e Torviollit! Mbi kocka njerëzish, u mbollën arra. Varri u shkel! Populli, nga pakënaqësia me sistemin, ditën i mbillte arrat, natën i shkulte! Dhe ato që shkulte, nuk i mbolli as në tokë tjetër. Se ishin arra të shkuluara mbi kocka varresh! Ndaj ne sot, në Buqlqizë, nuk trashëguam një “Pyll Grope” me arra. Por jo për faj të Isuf Koçit!. Gjithsesi, Isuf Koçi, bëri të pabesueshmen! E kaloi këtë skenë në heshtje. Se kishte besimin, në radhë të parë tek shkenca. Por besonte dhe tek vetja. Tek maja e lapsit. Tek puna në grup. Tek udhëheqja nëpërmjet shembullit: Hajde, ta bëjmë së bashku! Kjo arsye do të mbahet mend gjatë. Isuf Koçi, si i barabartë mes të barabartëve, por gjithnjë një hap para të tjerëve, në mendim dhe veprim. Në kujtesën popullore e kanë përjetësuar toponimet që mbajnë emrin e kohës të tij: Këto, janë bërë në kohë të Isuf Koçit. Kaq mjafton që ai të jetë i pavdekshëm. Se krijoi modelin, se ç’mund të bësh për vendin tënd, edhe në Bulqizën e vështirë, me vetëm një “bakore” tokë buke, ku era të flak si bisht furke!
* * *
Sot nuk e kemi më Isuf Koçin. Ai ka marrë rrugën për në parajsë. Por, nëse do perifrazonim Naim Frashërin, bektashi, ku dhe Isufi besoi, këtu mund të gjenim arsyen për pak qetësi: “Ndoshta, Zoti e deshi afër vetes këtë Njeri”.

S'KA KOMENTE