Nektari i të folurit të Bulqizës

Agim Demiri, përfundoi librin e tij të dytë pas një volumi me studime psikologjike

190

Studiuesi i kulturës dhe gjuhës shqipe,  etnolog dhe regjisor, Agim Demiri  nga Bulqiza dhe me banim në Terne Itali, përfundoi librin e tij të dytë pas një volumi me studime psikologjike të përkthyer nga gjuha italiane. Libri i përgatitur për botim “Nektari i të folurit të Bulqizës”që pritet të dalë së shpejti, ka të bëjë me një vështrim psiko-gjuhësor të të folurit të trevës së Bulqizës, duke u fokusuar në përshkrimin e fjalëve që emërtojnë objekte të ndryshme dhe procese etnografike. Kjo sipërmarrje e mundimshme e autorit e ka bazën te pasioni i thellë dhe përkushtimin ndaj shkencës dhe vizioni intelektual i Agim Demirit. Përvoja e tij si mësues dhe drejtues në procese të edukimit, talenti në fushën e kulturës dhe kredoja e tij permanente për t’u marrë me punë studimore ka bërë që Agimi të arkivojë dhe të hulumtojë lëndë nga etnografia e zonës së Bulqizës dhe të na i paraqesë me mjaft finesë dhe përkujdesje. Kur lexon studimin e Agimit të del përpara Bulqiza madhështore me malin e saj që e rrethojnë si kurorë që në gjirin e saj bart mineralet e çmuara që vezullojnë nga drita e diellit në reflekse shumëngjyrëshe si margaritarë. Bulqiza të del përpara befasuese si govatë rrethuar nga faqet e kromuara të maleve që zbresin ëmbël duke krijuar një mozaik natyror si një amfiteatër gjigant ku luhen drama njerëzore. Po. Një amfiteatër ku shfaqet çdo ditë beteja e punës heroike që bëjnë njërëzit e këtij qyteti, një betejë e vërtetë, punime me kilometra nëntokë, në bark të malit, duke kërkuar mineralin e dobishëm. Dhe ky mineral që buron nga vendlindja e tij Bulqiza, do të shkojë atje, në Perëndim për të kromuar sendet dhe mjetet e luksit europian. Shkëlqimi i metaltë i qyteteve mund të ketë edhe lëndë nga gurët e vendlindjes sime, mediton autori. Kopetë e bagëtive mrizojnë kodrinave dhe fushës që hapet drejt Fushë-Bulqizës, për të kullotur; kullat madhështore që ngrihen përballë njëra tjetrës, me rrugët e gjëra që i përshkojnë, me zallin dhe zajet që sikur fshihen midis shelgjishteve që varin degët si thekët e një marameje të bukur; me njerëzit trima, të zgjuar dhe punëtorë që jetojnë me dinjitet. Kush nuk e pa këtë terren të thyer dhe të mrekullueshëm dhe nuk është befasuar nga ndjenja e të bukurës që të josh dhe të mahnit. Kush i dëgjoi trimëritë, luftërat dhe përpjekjet e atdhetarëve dhe patriotëve të shquar të Bulqizës dhe nuk u impresionua, kush mori pjesë në dasmat e bulqizakëve dhe nuk u gëzua nga këngët, vallet, kostumet, ritet… Agimi, i arsimuar në degën gjuhë shqipe dhe letërsi, një aktor dhe regjizor i talentuar nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj kësaj pasurie të pashfrytëzuar folklorike dhe etniografike, ndaj këngëve dhe legjendave, ndaj përrallave dhe tregimeve alegorike, ndaj shembëlltyrave dhe transmentimit të filozofisë popullore. Përshkrimi i fjalës i ngjan një procesi krijues të një piktori që bën një pikturë, ku përpara ka një objekt a pamje dhe me penelata shumëngjyrëshe pikturon në telajo. Autori shpjegon terma dhe pikturon me fjalë peisazhin si një psikanalist i shquar. Agimi njeh në detaj veçoritë psiko-morale të krahinës së Bulqizës. Këtë nuhatje prej artisti, natyrisht autorit ia ka dhënë arsimimi në shkollën e mesme artistike dhe përvoja në institucionet kulturore.  Thellimi i studimeve tregon se te Agim Demiri jeton një zjarr i pashuar për të shtelluar tema dhe çështje të rëndësishme me karakter filologjik. Agimi nuk ra pre e jetës së një emigranti që vegjeton dhe harron gjithshka dalngadalë. Agimi është me të njejtin pasion dhe zjarr rinor ashtu si student i dikurshëm, i shkëlqyer ku diskutonte plot energji dhe këmbëngulje deri në sakrificë për kauzën që mbronte. Libri i Agim Demirit është konceptuar si një “fjalor enciklopedik” për Bulqizën. Ku ndeshemi me mjaft fjalë të zonës, ku autori bën shpjegimet përkatëse.
Ky leksikograf i përkushtuar nga malli dhe dashuria për gjuhën shqipe dhe për vendlindjen e tij, Bulqizën, e bën librin që të lexohet me një frymë dhe të ngjallë kënaqësi estetike. Frazeologjizmat dhe fjalët e urta janë një thesar i kësaj treve dhe një kontribut në visaret e kombit shqiptar. Fryt i një pune të palodhur dhjetë vjeçare thotë Agimi, më përngjan me punën e palodhur të nënës, Selvie Demiri, kur mblidhte kokrra dëllënjash në mal për t’i shitur. Me një durim të paepur ajo shkonte dëllënjë më dëllënjë duke mbledhur kokërr për kokërr dhe i fuste në thes me gjithë gjëmbat që e kishin përgjakur nga duart. Ndoshta kjo shembëlltyrë më fali durimin për të qëmtuar fjalë-fjalë për dhjetë vjetë. Nga kjo pikëpamje autori Agim Demiri duket se ka përvetësuar dhe udhëhiqet nga idetë e filozofit gjerman, Heidegger (1889-1978), i cili thotë se gjuha është shtëpia e madhe “ku jeton njeriu” dhe mendimtari e poeti janë hysmeqarët e kësaj shtëpie dhe kjo bashkë me të  dhe i njerëzve që jetojnë në këtë shtëpi. Nisur nga kjo, autori ka bërë përpjekje që të sjellë në faqet e librit Bulqizën, këtë vend që i ka falë Zoti bukuri të rralla natyrore, njerëz të mirë që presin vizitorë të ndryshëm, të huaj dhe vendas dhe që duhet të informohen sa më shumë për të. Një gjë të tillë e ka realizuar autori, ku në misionin për ta përshkruar me realizëm dhe vërtetësi këtë zonë, niset edhe nga mësimet e filozofit anglez Bekon (1561-1626), i cili thotë se që një njeri ( studiues) të jetë “mbret” i tezës së tij, duhet të bëjë atë punë që bën bleta, që për të bërë mjaltin ( një lloj guzhine cilësie për të pasurit) , ka dhe i zhvillohen dy aftësi të lindura dhe që i aftësohen gjatë kohës: e para mbledh nektarin duke u endur lule më lule; e dyta, e bie dhe bën mjaltë në koshere. Për të dyja këto, bleta vepron si një specialist i veçantë që nuk mund ta bëjë çdokush. Edhe specialist, mbledhëse edhe përpunuese. Kështu edhe Agim Demiri për një punë të pandarë dhjetëvjeçare së bashku me nxënësit e tij, mblodhi në zonë pasurinë folklorike dhe gjuhësore si visare të rralla dhe të pastudiuara. Në libër shpjegohen një sasi e madhe fjalësh dhe shprehjesh të të folmes dialektore të zonës, çka përbën një vlerë sociolinguistike në pasurimin e shqipes me koloritin gjuhësor lokal. Në libër gjejmë një fond të konsiderueshëm temash dhe shprehjesh nga fusha etnografike, frazeologjizma, gjëegjëza, fjalë të urta që kanë nevojë për një shtjellim shkencor etimologjik dhe shjellim semantik. Shkas për këtë studim të zgjeruar është bërë pasioni i pashuar i autorit që në mënyrë permanente ka ruajtur në shpirt dashurinë për gjuhën tonë letrare kombëtare shqipe dhe dashuria e pakufishme e vëndlindjes për të cilën ai ka energji pozitive, si nacionalist. Nga ana tjetër largimi me punë në Itali vitet e fundit,  ka dhënë mundësi autorit që të bëjë krahasim vlerash stilistike,  gjuhësore dhe strukturore.
Përvetësimi në shkallë të lartë të gjuhës italiane  si përkthyes i talentuar, çka e dëshmon me përkthimin nga italishtja në shqip të një teksti psikologjie me vlera bashkëkohore, i ka dhënë mundësi autorit të bëjë përqasje dhe të thellojë njohjen në rrafshin krahasues duke ballafaquar kuptimësi dhe larmi stilistike.  Autori vëren se ende në gjuhën shqipe kemi mangësi shpjegimesh kuptimore duke patur parasysh përdorimin dhe efektin stilistik të fjalës në kontekstin lokal, ngjyrimin emocional që përfiton termi apo shprehja gjuhësore në kontekstin e përdorimit dialektor. Duke shfrytëzuar këto përvoja autori e ka parë materialin dhe në mënyrë të veçantë fjalën si të ishte një gurrë që jo vetëm te burimi që ka brenda vetes bukurinë e madhështinë e gojës së shkëmbit nga buron, por edhe kthjelltësinë e gjyrikut të burimit, të gjelbërimit dhe të mjedisit përreth, duke krijuar kështu një tabllo të gjërë me penelata që sajojnë dritëhije duke e bërë komunikimin  fin dhe elitar. Kur shqiptarët takohen përshëndeten me fjalën tundatjeta ( T’u zgjattë  jeta! )  kjo shprehje në italisht përdoret në kontekste të rralla p.sh. në rast ditëlindjesh, kurse ne e kemi në çdo takim.
Ja çfarë perlash kemi ne, pasuri që i përdorim në mënyrë shabllone pa ditur se ç’po themi dhe në mjaft raste edhe midis shqiptarësh i zëvendësojme me të huaja që nuk e kanë këtë lloj vlere, e që i çudit dhe të huajt. A ka gjë më të bukur që një shqiptar thotë duke uruar: “T’u zgjatë jeta!”. Ose tregon se p.sh ka bërë një provë të tillë; La marrë fjalën e urtë të Bulqizës. “Bëj nga një shtëpi në çdo katund!” dhe ia ka dhënë në formë porosie djalit që si e kuptonte ai dhe ka marrë përgjigjen që është porosi e pazbatueshme sepse “në çdo katund duhej blerë toka dhe ku do të gjendeshin gjithë ato para”, por bulqizaku ” e bën këtë” dhe autori e shpjegon në libër duke dhënë kuptimin e saj që bëhet nga një shtëpi në çdo katund (për të buajtur për mikpritje) duke zënë(bërë) nga një mik për çdo katund. A ka gjë më të bukur, porosi më të vlefshme dhe vlerësim më të madh që bën në këtë rast bulqizaku? Të tilla si kjo autori ka të shumta ” Fjala e fëmijës, sa shkëmbi i Peladhisë”. Të vlerësosh se si është një katund shihi si ka mullirin, urën dhe rrugët “Krajli e ka dorën e gjatë” etj, që janë të shpjeguara, u japin lexuesve edhe dituri edhe kënaqen me këto rregulla jetësore të hershme si shprehje psikomentale e krahinës e zgjuarsisë dhe urtësisë që vjen nga përvoja e largët dhe urtësia shekullore.
Librave të shkruara për Bulqizën do u shtohet dhe një tjetër, që as për autorin as për të tjerët mos qoftë i fundit për faktin se kjo trevë e bukur e Veriut të Shqipërisë, siç e kemi thënë, mbart mbi vete pasuri të mëdha që presin “punëtorët” e letrave për t’u gërmuar më thellë dhe më gjerë për të nxjerrë në pah vlera të reja të saj. Mendojmë se autori këtë libër e ka shkruar me një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme duke u përpjekur në radhë të pare, të përshkruajë gati shterueshëm fjalët, por pa zmadhime e teprime. Materiali i paraqitur është i mbledhur në zonë dhe autori është kujdesur që të mos bëhet i besdisshëm me paraqitje se ku i ka marrë duke e renduar librin, pra e ka parë pa nevojë një gjë të tillë, por duke u trajtuar si një pasuri e zonës. Metodika që ka përdorur është e tillë që materiali është i zonës, por edhe i zonave të tjera që mund ta kenë krejt ashtu, apo në një trajtë disi më ndryshe, sepse Bulqiza nuk është zonë e veçuar, por e ndërlidhur me gjithë zonat e tjera. Autori ka parë atë që ka shkruar të krahasueshme me të përgjithshmen kombëtare me përpjekjen që të shpjegojë pikë-takimet dhe largimet e kësaj zone nga veçoria kombëtare dhe sidomos e Veriut ku bën pjesë kjo trevë shumë e bukur e interesante nga ana etnografike dhe gjuhësore. E parë në këtë drejtim autori jep mendime në formë shënimesh edhe për veçoritë fonetike dhe morfologjike të nëndialektit si invariant i gegërishtes, të cilat mund të thellohen nga vetë autori apo të tjerë, sidomos në kuadrin e nevojës së dalë tani për probleme të ndryshme studimi të Shqipërisë së Veriut.
Shpresojmë se ky libër do t’i shërbejë zonës së Bulqizës për ta njohur më mirë vetë Bulqizën, sidomos nga të rinjtë por dhe si bazë për t’u njohur në të ardhmen; do t’u shërbejë bulqizakëve të larguar nga Bulqiza për t’i ruajtur dhe përdorur këto “thesare ” kudo që ndodhen në përshtatje me kushtet dhe për të edukuar të rinjtë me to; do t’iu shërbejë jo-bulqizakëve dhe të tjerëve që dëshirojnë të njohin Bulqizën për ta njohur më mirë. Duke e përfunduar këtë shkrim, me respektin më të madh për autorin e këtij libri nuk mund të lëmë pa thënë edhe një porosi të Afrim Demirit, që çdo emigrant duhet që të kontribuojë sadopak për Bulqizën. Dikujt i jepet mundësia të shkruajë siç po veproj unë,- thotë Agimi, porse “vepra” nuk mund të jenë vetëm librat. Vepra janë edhe një copë rrugë që dikush shtron, një çezmë, një ndërtesë e bukur deri edhe një urë apo një pemë që mbjell.
Vepra janë dhe investimet e Edmond Isakut që “i ka le në zemër” të përballojë shpenzimet e gazetës “Bulqiza”, dhe kur mora vesh këtë gjë ndoshta edhe i përmalluar nga emigracioni, mu duk sikur më ushqeu dhe më afroi më shumë me Bulqizën time, dhe e quajta një shembull të bukur ashtu si çdo njeri që lë diçka tek  “Vendi i shenjtë”. Bulqiza është një mrekulli, një Zvicër e vogël, si e tillë atë e ka bërë vetë zoti por edhe puna e bulqizakëve sidomos e emigrantëve, kush të ketë mundësi të paguajë një helikopter dhe le të fluturojë një herë mbi Bulqizën për t’u mahnitur nga bukuritë përrallore malore. Në liqenet që nga mali i Duriçit, liqenet e Fushës së Lopës, Tërnovës. Jo vetëm malet e lëndinat, pyjet aq të rralla e piktoreske, ujëvarat e burimet Kristal por edhe vetë tokat pjellore me blegtorinë dhe shtëpitë e reja kudo me pemët me bahçet përbëjnë peisazhin e kësaj zone.
Kjo është bukuria e Bulqizës me nëntokën dhe mbitokën e saj. Me njerëzit e mirë punëtorë dhe bujarë. Redaksia e gazetës “Bulqiza”, i uron Agimit krjimtari të mbarë, shkencore e kulturore në dobi të vendit të tij, të komunitetit dhe kombit tonë !

S'KA KOMENTE