Rënia e qytetit…!

130

Kur mendova të filloj një shkrim për fenomenin e azilkërkimit, u mendova shumë gjatë për titullin e tij. Më kalonin shumë fraza nëpër mend, por një që të bënte të mendoje se kisha goditur, nuk e kisha gjetur. Shumë kush mund të thotë, po ç’lidhje mund të kenë fenomeni i azilkërkimit me rënien e qytetit?! Kur nis të shkruaj për fenomenin e azilkërkimit, nuk mund të ndalem tek ai kombëtar, se do të duhej një studim i tërë, por, po ndalem tek qyteti im i lindjes.

Diku, 9 vite më parë kam lexuar një libër të autorit, Viktor Canosinaj, i titulluar “Ata kërkonin lumturinë”, libër ky, që edhe pse kanë kalur kaq shumë vite, pothuajse e kujtoj çdo pjesë të tij. Me pak fjalë, ishte historia e tre fëmijëve, që bënin përpjekjet maksimale për t’u larguar nga Shqipëria, për në drejtim të Italisë, pasi u ishte ngulitur në mendje se në Itali ishte kaq mirë, sa “coca-cola”, ishte aq e mjaftueshme sa mund të laje edhe këmbët me të, kishte me bollëk.

Për shtetasit Shqiptarë, të cilët çdo ditë po largohen kisha dëgjuar, por që vendlindja ime të prekej nga një fenomen i tillë, nuk kisha dëgjuar, veçse në ndonjë rast sporadik.

Kohët e fundit çdo ditë e më shumë dëgjoja që shumë të rinj, po largoheshin në masë, por jo vetëm të rinj, por edhe familjarë, thuajse të gjithë në pjesën dërrmuese në drejtim të Gjermanisë.

Legjendat urbane, se në Gjermani mund të shkoje dhe të kërkoje azil, se e kishe të sigurt se do të pranonin, kishin marrë dhenë, si ajo stuhia që nis me një furi, që nuk di të ndalet.

Për pak ditë, thuajse ky qytet ka marrë trajtën e një qyteti i cili është kapluar nga heshtja, heshtje e cila çdo ditë edhe më shumë sa vjen edhe merr trajtën e një rënie të plotë.

Ato furgonat 8+1, por që në të vërtet mbusheshin me 17 ose edhe më shumë me të rinj për në drejtim të galerive, thuajse pakësoheshin çdo ditë edhe më shumë, dhe dëgjoje se X person ishte larguar, të nesërmen një tjetër e kështu çdo ditë dhe më shumë. Po si mund t’u humbiste ky rast kompanive turistike (le t’i quajm kështu), për të kapur edhe ata ndonjë gjë, në këtë “Pazar për Gjermani” të krijuar, tamam si ai qeni që vërtitet rreth kasapit për të përfituar ndonjë lëkurë!? Nuk bëhej fjalë më për largime sporadike, por tani ishin të organizuara, për këtë kishin paguar shuma që do t’u duheshin muaj punë për t’u mbledhur, vetëm që të largoheshin.

Ajo rinia që endej rrugëve sa lart e poshtë, pa një pikë drejtimi, me sa duket kishte vendosur që drejtimi i duhur, në këtë rast jo politik, ishte një vend i zonës shengen, Gjermania. Ndoshta mendojnë dhe shpresojnë se me punë dhe dinjitet, mund të ecin më shpejt drejt një jete më të mirë, që Shqipëria nuk j’ua ofron dot.

Këta, të rinjtë, kanë të drejtë se nuk ju ka ngelur ndonjë rrugë tjetër për të ndjekur. Të vazhdojnë dhe të rropaten për një copë buk, në galeritë gjakatare të Bulqizës. Të vazhdojnë dhe të sorollaten sa lartë e poshtë, pa as edhe një shpresë se një ditë vërtet gjërat mund të bëhen më mire!?

Të vazhdojnë të enden dhe të lëvizin sa në njërën Bar&Kafe në tjetrën, apo sa në një bilardo tek tjetra!? Rinia, gjendet ashtu si ajo kanaçja në rrugë që e hedhim sa në një cep në tjetrën, për të kalur kohën e lirë. Por në kohë fushate e përdorur edhe si mbajtëse flamujsh, me premtimin se nesër, mund të ketë edhe ndonjë thërmi, nga kjo buka e pushtetit edhe për ta.

Një mik i imi pak ditë më parë, në një shkrim përmendi politikat sociale si e vetmja mundësi për t’i sjellë shpresën këtij qyteti dhe për t’ua bërë jetën më të mirë këtyre banorëve. Miku im shumë dakord jam edhe unë me idenë tënde, po ky qytet nuk ka parë deri më sot një grup njerëzish që me të vërtet të mendoj se si mund t’ua bëjë jetën më të mirë, por vetëm një grup “pashallarësh”. “Pashallarë”, se këtë e dimë shumë mirë të gjithë.

Ishin një grup “pashallarësh” të cilët u ngopën, tamam si ato “shushujzat” që pijnë nga gjaku i njeriut dhe janë zëvëndësuar nga disa “shushujza” të tjera, që duan dhe vazhdojnë të thithin gjak, por në fasad të ndryshme, në brendësi të njëjta.

Ky qytet, me të vërtet është për “pashallarët”, banorët e këtij qyteti janë kaqë të qetë sa qoftë një herë të vetme nuk e kanë ngritur zërin fuqishëm në një protestë qytetare, ku të kërkohet llogari për një mijë e një problem që e shqetësojnë. Por, ama, po të bie fjala për mitingjet e partive, për këtë nuk të falim, çirremi nga zëri që ta kënaqim sa më shumë “Pashain” që kemi, por këtë nuk është se e shpikëm ne, kështu ndodh në të gjithë Shqipërinë.

Sa e çuditshme, nëse me Turqinë jemi ndarë që më 1912, ne vazhdojmë ta trashëgojmë këtë lloj forme të drejtimit të një krahine, ligjërisht jo ama, por në thelb dhe në nënvetëdijen tonë thuajse e pranojmë të gjithë!

U ndala tek rinia, por s’mund të lë pa trajtuar edhe familjet që po largohen. Pak ditë më parë po punoja për përgatitjen e një shkrimi, dhe të takoja familjarë të cilët qëndronin në radhë për të marrë pasaportat tek zyrat e “Aleat”, në Peshkopi. Teksa i dëgjoje të flisnin kuptoje se këta njerëz, i kanë humbur shpresat se vërtet gjërat mund të përmisoheshin në këtë vend.

E shprehnin hapur se pasaportat i donin për t’u larguar në drejtim të Gjermanisë, dhe se për këtë kishin shitur gjithçka me vlerë që mund të kishin bagëti, toka, sende me vlerë vetëm e vetëm, që të mund të largoheshin, nuk mund ta shikonin më të ardhmen e fëmijëve të tyre në këtë vend.

Por këtu ndodhemi përballë një situate edhe më të rëndë, po nëse këta familjarë do të kthehen nesër, si pasojë e mos pranimit të azilit nga vendet që janë drejtuar!? Problemet dhe hallet e këtyre njerëzve do të jenë edhe më të mëdha, se jo vetëm do të përballen me humbjen e të gjitha atyre të ardhurave që kishin paguar për t’u larguar, por tani do gjendeshin në një situatë edhe më të vështirë, nëse do të ktheheshin.

Punonjësi që merrej me shpërndarjen e pasaportave, po më tregonte se kishte raste që duhej ta ndërpriste procesin, se fëmijët nuk pushonin së qari, pasi mendonin se ndodheshin në një spital, situata më besoni ishte me të vërtete e nderë.

Por, me të drejtë edhe ata familjarë u shprehën se fëmijët e tyre nuk kanë të ardhme, se pas disa vitesh i friksohen faktit se mund të kenë edhe ata fatin e tyre.

Në fillim përmenda librin e Viktor Canosinaj, “Ata kërkonin lumturinë”, të munduar dhe të vrarë prej halleve dhe problemeve, këta banorë diçka të tillë po mundohen të gjejnë, ashtu si ata personazhet e librit, edhe pse 25 vite në demokraci, akoma s’po e gjejmë.

Por, qyteti tani po bie, një rënie pasojat e të cilës do t’i ndjejmë, një rënie që do të jetë shumë e rëndë, do të humbasim kapitalin human, çelësi kyç për zhvillimin e sektorëve të tjerë.

S'KA KOMENTE