Spahiu: Një projekt zhvillimor rajonal për Bulqizën

Deputeti i zonës shpreh bindjen se në janar do të nisin punimet për segmentin kryesor të Rrugës së Arbërit

271

I angazhuar maksimalisht për zgjidhjen e problemeve emergjente dhe të perspektivës, deputeti i zonës së Bulqizës, Përparim Spahiu shprehet për domosdoshmërinë e një projekti zhvillimor për gjithë rajonin e Bulqizës. Në këtë intervistë ekskluzive për gazetën “BULQIZA”, zoti Spahiu veçon si problematikë prioritare punësimin. Duke konkluduar për ekzistencën e mundësive për zhvillimin e sektorit të bujqësisë, agrokulturës, blegtorisë, etj., deputeti besonqë “me pak investime, sidomos në strukturat vaditëse dhe rrugë gjithashtu, e në të njejtën kohë me një plan pak më “agresiv” me subvencione mund të ringjallim traditat në këto sektorë”.

 

Si një nga përfaqësuesit më dinjitozë në legjislativin e sotëm shqiptar, z.Spahiu është fokusuar edhe te Rruga e Arbërit që hap një perspektivë të re për të gjithë zonën, por që sipas tij, për Bulqizën ka rëndësi të veçantë pasi realizon lidhje direkte me Tiranën, e po ashtu si zonë lidhëse edhe me një pjesë të madhe qytetesh të Maqedonisë me kryeqytetin shqiptar.

 

 

-Drejtimi i bashkisë së re të Bulqizës, pas zgjedhjeve vendore të 21 qershorit i përket LSI-së që ju e përfaqësoni edhe në Kuvend. Ç’farë risish sjell ky realitet i ri për Bulqizën?

 

Drejtimi i bashkisë së re të Bulqizës, pas zgjdhjeve të 21 Qershorit, i përket koalicionit tëAleancës për Shqipërinë Europiane dhe si i tillë do tëjetë vazhdimësi e projekteve të nisura që në 2013! E reja që vjen pas këtyre zgjedhjeve është situata pas reformës së re administtrative. Tashmë me Bulqizë nuk kuptojmë vetëm qytetin, por të gjithë rajonin, e mbi këtë bazë duhet tëfokusohemi në një projekt zhvillimor për të gjithën. Baza e ndarjes ka qenë ajo e zonave funksionale që nënkupton Bulqizën (qytetin) si qendrën e bashkisë, e në këtë kontekst e gjithë zona duhet të lidhet me të në të gjitha kuptimet, ku kryesore është infrastruktura rrugore.

 

-Problematikat më evidente në Bulqizë, në fokusin tuaj dhe rrugëzgjidhjet?

 

Punësimi mbetet çështje prioritare. Mbase mendoni që miniera e zbut këtë problem, por them që kjo ka sjellë një efekt negativ në prioritetet zhvillimore të zonës. Ka mjaft mundësi zhvillimi sektori i bujqësisë, agrokultura, blegtoria e me radhë. Besoj që me pak investime, sidomos në strukturat vaditëse dhe rrugë gjithashtu, e në të njejtën kohë me njëplan pak më “agresiv” me subvencione, mund të ringjallim traditat në këto sektorë.

Doja të vija theksin dhe në një problematikë tjetër. Mbase këto momente krize nuk e mendojmë dhe aq por problemi i rilindjes së sportit në këto zona është jetik. Prej 20 vitesh, sidomos në Bulqizë, po rritet një brez ku pothuajse mungon gjithçka në këtë drejtim. Duke filluar nga infrastruktura, nuk gjen asnjë terren sportiv. Them që bashkia e re duhet të ketë drejtorinë përkatëse për sportet (shumë keq nëse një e tillë ekziston!).

 

-Ndër projektet më madhore nga i cili përfitojnë Bulqiza dhe krejt Dibra është Rruga e Arbërit. Cila është gjendja dhe ku konsiston angazhimi juaj në funksion të realizimit të këtij projekti.

 

Rruga e Arbërit hap një perspektivë të re për të gjithë zonën, por për Bulqizën ka rëndësi të veçantë, pasi realizon lidhje direkte me Tiranën, e po ashtu si zonë lidhëse edhe për një pjesë të madhe qytetesh të Maqedonisë me kryeqytetin. Kjo bën që jo vetem pushteti lokal por dhe vetë bizneset të orientojnë investimet e tyre në ofrimin e shërbimeve që do tëketë pas përfundimit të rrugës. Dibra është mjaft atraktive e besoj që numuri i vizitorëve pas përfundimit të saj do jetë shumëfish.

Nuk besoj që pyetja juaj adresohej nëse kjo rrugë do mbarojë apo jo. Kjo çështje tashmëështë e mbyllur dhe në Janar pritet të fillojnë punimet nga kompania kineze.

Intervistoi: Halil Rama

S'KA KOMENTE