Prof.Dr.Nazmi Koçi – Kur nderohet biri i një familjeje “Katedër”

Prof. As. Dr. NAZMI KOÇI rikonfirmon: “TY O DIBËR, TË QOFSHA FALË, TË KAM NANË E MË KE DJALË!”

173

Më 14 Korrik 2015 në një nga sallat e “Hotel Tiranës” u zhvillua ceremonia e dhënies së titullit “Qytetar Nderi” i Bashkisë Peshkopi, Prof. i Asocuar Dr. Nazmi Koçit. Morën pjesë ish – Kryetari dhe Sekretari i Bashkisë Peshkopi z. Ilir Krosi e z.Gani Hoxha, familjarë, kolegë, miq dhe të ftuar të z.Nazmi dhe disa personalitete të fushës së mjeksisë.

Fillimisht u shfaq një film i shkurtër kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Prof. As Nazmi Koçit. Pastaj disa nga kolegët dhe bashkëpunëtorët e tij si: prof. Foto Toti, pedagoge, Marjana Sina, Dr. Nikoll Bushi dhe Agron Dhëmba sollën disa kujtime dhe bënë disa vlerësime shumë të goditura.

Kolegu dhe një ndër shokët më të ngushtë të Nazmiut, Dr. Nikoll Bushi e përqendroi ligjëratën e tij rreth jetës dhe veprimtarisë së Nazmiut. Ai që në fillim theksoi: “E ndjej shpirtërisht të falenderoj Këshillin Bashkiak Peshkopi për vendimin e marrë për t’i dhënë titullin Qytetar Nderi mjekut dhe shokut tim të dashur Nazmi Koçi. Ky vendim nderon Këshillin Bashkiak, i cili vlerëson një nga figurat më të spikatura në rrethin e Dibrës dhe më gjerë.

Unë me Nazmiun kam kaluar një jetë të tërë, mandej pjesën më të mirë, jo pak, por gati gjysëm shekulli. Jam dëshmitar okular në shumë momente të jetës së tij në aspektin profesional dhe jetësor.

Nazmiu vjen nga një familje e spikatur në jetën shoqërore. Meritojnë të jenë qytetar Nderi edhe pjesëtarë të familjes Koçi si gjysh Ferhati, që ka dhënë një kontribut të veçantë si ndërtues jo vetëm në Dibër, por edhe në shumë familje matjane. Edhe sot përmendet emri i tij si njeri punëtorë, duarartë dhe besnik. Po kështu i ati Selman Koçi, si mësimdhënës që ndikoi në edukimin arsimor të brezave. Këtë vlerësim meritonte edhe Seferi, vëllai i Nazmiut.

Me Nazmiun filluam jetën e përbashkët në vitin 1964, me qenë i sinqert me rekomandimin të një shoku të tij të shkollës së mesme, Haxhi Mamicës, me të cilin ka 50 vitë që punoj. Gjatë kohës në fakultet qe një student me vullnet të çeliktë, qe një student që nuk mendonte vetëm për vete, por edhe për shokët. Me përpjekjet maksimale gjatë gjithë viteve të fakultetit arriti rezultate të larta duke qenë një nga studentët më të mirë të Dibrës.

Studentët e sotëm nuk e besojnë, por unë dhe Nazmiu dhe studentët e asaj kohe kemi dhënë një kontribut jo të vogël në aksione në shkallë kombëtare si në Deshnicë, Pogradec, hekurudha etj, ku Nazmiu ka qenë komandant.

Pas studimeve u emrua në Shupenzë të Dibrës. Klinika stomatologjike ku punoi Nazmiu u bë një shembull i gjallë për të gjithë stomatologet e atij rrethi. Më vonë u emërua shef i Shëndetësisë në rreth ku dha një kontribut të spikatur. Nazmiu kurdoherë është karakterizuar nga qëndrimi i drejtë, konsekuent dhe i lartë deri dhe të kohës, të cilat i ka përçuar kurdoherë me korrektësi.

Një herë e pyes, pse pranove të bëhesh shef i shëndetësisë?

Për derisa më besuan për një detyrë të tillë unë e pranova, por kam marrë me vetveten një vendim: kur Kryetari i Komitetit do të anullojë ndonjë vendim timin unë do jap menjëherë dorëheqjen.

Puna dhe përkushtimi i tij profesional si drejtues bënë që Nazmiu të dallohej jo vetëm në Dibër, por edhe më gjerë. Për këtë Ministria e Shëndetësisë e emëroi inspektor të përgjithshëm stamotologjik dhe në vijim e mbylli karrierën e tij Drejtor i Klinikës Universitare.

Më tërë bindjet e mia dhe të opinjonit shoqëror them se me aftësitë e tij intelektuale, organizative e profesionale Nazmiu mund të ishte fare mirë edhe Ministër i Shëndetsisë.

Nazmiu ndjek me shumë vëmëndje zhvillimet e ndryshme shoqërore dhe ai ka realizuar një projekt si një specialist largpamës. Klinika e tij herë pas here ka ardhur duke u profeksionuar dhe them me plot gojën se është një ndër klinikat më të mira të vendit tonë si në anën atdhetare ashtu edhe të cilësisë së shërbimit.

Është interesante se edhe shoqëria u trashëgoka! Vjazat tona mbajnë një shoqëri të ngushtë duke na nderuar në fakultetet respektive e duke zënë dhe mbajtur një shoqëri të ngushtë po si unë dhe Nazmiu. Falë përpjekjeve të Idës dhe Ervinit, sot Nazmiu po shijon frytet e tij të punës së përditëshme. Nazmiu ka një përvojë të madhe teorike dhe praktike në fushën e stomatologjisë të asimiliuar gjatë jetës, studimit dhe shfrytëzimit të litaraturës bashkohore, pasi është një zotërues i shumë gjuhëve të huaja, që pa frikë mund ta quajmë një poliglot. Ky shërbim ka arritur rritje cilësore nga viti në vit dhe sot gradualisht kryen të gjitha shërbimet e kësaj fushe.

Nazmiu ka qenë gjithmonë prezent në të gjitha evenimentet shkencore edhe pse kanë qenë me karakter ndërkombëtar, duke dhënë kontributin e tij me referate, kumtesa, botime periodike, deri dhe tekste shkollore, që u kanë ardhur në ndihmë studentëve dhe mjekëve stomatologë.

Baza e shoqërisë është familja. Pra këto arritje e vlerësime kanë pasur edhe bazën e familjes. Si unë dhe Nazmiu kemi qenë miq në shtëpi; rolin kryesor e kanë luajtuar dy bashkëshortet tona, Vjollca dhe Dranja.

Ai e mbylli ligjëratën e tij me katër vargje popullore nga ku dilte në pah intuita dhe aftësia e dibranit për të siguruar punë e të ardhura, duke theksuar se edhe “Nazmi Koçi është një i tillë që edhe nga rrasa i nxjerrë parat, por mbi të gjitha e rëndësishme është se ai i ka shërbyer dhe i shërben jo vetëm dibranëve, por çdo pacienti me gatishmëri e cilësi të lartë shërbimi”.

Urime dhe suksese. Ta gëzosh titullin e lartë “Qytetar Nderi” i Bashkisë Peshkopi, shoku dhe miku im i nderuar Nazmi Koçi!

Midis të tjerave, Prof. Foto Toti – 25 vjet drejtues i katedrës Stomatologjike, fakulteti i Mjeksisë, tha: “Unë po flas në emër të pedagogëve të Nazmiut. Të gjithë pedagogët e tij që janë sot të pranishëm dhe ata që për arsye pune nuk janë këtu, do të vlerësonin Nazmiun edhe një herë siç e kanë vlerësuar atëhere duke i dhënë notën maksimale.

Unë e kam njohur Nazmiun gjatë kohës që mbrojti dezertacionin dhe kam pasur edhe fatin të jem drejtues i temës së mbrojtjes të këtij dezertacioni. E kam njohur gjatë kohës që ka shërbyer në Ministri, në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” dhe e njoh familjarisht.

Është një familje “Katedër”, të gjithë me arsim të lartë, ose siç i themi nga anët tonë “i hahet buka dhe i pihet kafeja”.

Unë nuk e kam njohur Nazmiun gjatë kohës që ka punuar në Peshkopi, por e njoha sot nëpërmjet vlerësimit e nderimit që i bëri Bashkia Peshkopi. Të jesh nderi i qytetit është vërtetë nder, por të jesh nder i një qyteti të nderuar si Peshkopia, është dy herë nder.

I uroj suksese Nazmiut! Peshkopisë iu shtofshin bijtë e bijat si Nazmiu, se me bijë të tillë si Nazmi Koçi edhe Dibra nderohet…”

Znj.Marjana Sina, pedagoge, ndër të tjera tha: “Për Dr. Nazmiun mund të flasim gjatë. Ndoshta kjo pasdite nuk do të mjaftonte për të listuar vlerat dhe cilësitë e tij. Dr. Nazmiu është një mik i mirë. Në jetën dhe punën e tij ka ndërtuar marrëdhënie tepër miqësore duke i dhënë vlera punës së tij. Ai është një koleg i mirë, që vlerëson dhe nderon punën e kolegëve më të cilët ka punuar. Doktori është një mjek i mirë. Nga eksperienca dhe përvoja e tij kanë përfituar dhe janë aftësuar jo vetëm studentët, por edhe personeli shëndetsor.

Doktori është një drejtues i aftë. Me punën dhe shërbimin e tij ortopedit të rrethit të Tiranës, Dr. Nazmiu krijoi një bërthamë shkencore me vlera si dje dhe sot. Me një punë të pasur studimore duke e vënë këtë shërbim në baza shkencore bashkëkohore. Kolegët ndjejnë krenari për titullin që iu dha…”

Shoku i tij nga shkolla e mesme dhe në fakultet Dr. Agron Dhëmba nga Korça ndër të tjera tha: “Unë po eci thellë ndër vite. Ishte shtatori i viti 1960. Një grusht nxënësish të ndrojtur, të heshtur dhe të çuditur, ndoshta nuk kishin qenë asnjëherë në Tiranë, erdhën në politeknikum, midis tyre dhe Nazmiu. Ai ishte i thjeshtë, i qeshur, i përmbajtur dhe që në fillim ka treguar respekt e dashuri për shokët. Kur filloi studimet, tek Nazmiu u pa një vullnet dhe një ambicje pozitive, që çoi në rrijtjen e vlerave të tij derisa përfundoi shkollën e mesme. Në shtatorin e vitit 1964 fillova studimet e larta. Nazmiu filloi pak më vonë. Ai e meritonte të studionte. Gjatë asaj periudhe, nga viti në vit, shpalosi aftësitë e tij. Me inteligjencë të paparë dhe këmbëngulës .Veç lëndëve profesionale bënim edhe matematikë e fizikë. Ai pa u lodhur, me shumë pasion dilte në dërrasë të zezë dhe shpjegonte sikur të ishte një pedagog i vërtetë, duke na i ngulitur mirë në kokë. Apo jo Nazmi? Nazmiu kishte një aftësi të veçantë në filozofi, dhe them me plot bindje se do të ishte bërë një profesor shumë i mirë i filozofisë. Këtë ia kam thënë disa herë. Nazmiu shërbeu me sinqeritet dhe me shumë pasion e dashuri, cilësi që kohët e fundit janë zbehur shumë. Unë kam qenë në Peshkopi dhe më kanë folur shumë mirë për Nazmiun. Detyrat shtetërore që ka pasur i ka realizuar me sukses. Nazmiu është treguar vazhdimisht i zgjuar, por shumë e zgjuar është treguar Bashkia Peshkopi që e ka bërë “Qytetar Nderi” dhe ai e meriton këtë titull.

Është nder shumë i madh, por ky titull është edhe nder për dibranët, të cilët kanë një vlerë si Nazmiu. Ndër vite u qartësuam dhe u ëmbëlsuam duke krijuar një shoqëri të mirë dhe shumë të ngushtë…”

Moderatori Dëfrim Methasani vlerësoi kontributin e Nazmi Koçit në Klinikën bashkëkohore “Evident” ku ai së bashku me bashkëshorten dhe tri vajzat e tij, janë prej 20 vjetësh pacientë.

Vjaza e tij Suada, në emër të gjyshit, duke përshëndetur dhe theksoi: “Si qytetare e Dibrës, si mbesa e Shuaipit e vajza e Dëfrimit, gjysh im ka qenë dhe është mik i ngushtë i Nazmiut dhe si mike e familjes Koçi, ndihem shumë e gëzuar. Jam shumë e privilegjuar që jam paciente e doktorit të mrekullueshëm.

Kam marë pjesë në shumë veprimtari që më kanë dhënë shumë emocione, por këtë të sotmen e kam pritur me shumë kënaqësi, sepse ky titull i lartë i jepet një njeriu të mrekullueshëm, një njeriu të jashtëzakonshëm që e kthen frikën e një dentisti në buzëqeshjen e lumturisë së begatë.

Dihet që mirënjohja është virtyt i njerëzve të lartë, prandaj një falenderim i veçantë shkon për (ish) Kryetarin e Bashkisë Ilir Krosin, që organizoi këtë ceremoni dhe vlerësoi një njeri të mençur. Dëshiroj që ky aktivitet të mbetet gjatë në librin e jetës sonë…”

  1. Dëfrim Methahasani: -Erdhi momenti i artë. Njeriu mund të mbajë shumë tituj, shumë grada, shumë vlerësime, por a ka gjë më mirë se kur të vlerëson shtëpia jote, vendlindja jote? Jo!

Mendoj se kurora e artë e gjithë jetës tënde Nazmi, është pikërisht kjo ditë, në prag të Bajramit, që vlerëson njeriun e mirë, humanistin, Doktor Nazmiun.
Në fjalën përshëndetëse Dr. Nazmiu theksoi: “Mendoj se jo vetëm unë, por edhe dy fëmijët e mi Ervini e Brunilda, punën e nisur nuk do ta lënë në mes, do ta çojnë përpara.

Më mbetet të marrë parasyshë një thënie të Hygoit: “Prapa titujve lindin vepra, në mos daçi t’ju vënë nofka.” Unë do ta kemë udhërrëfyes këtë mesazh. Ndërsa një dijetar i lashtësisë thoshte: “Ngado që t’ju hedh era nëpër detra e oqeane, ruajuni erës, kthejeni në favor dhe mos harroni portin.” Dhe porti për mua dhe fëmijët e mi do të jetë atje, do të jetë Dibra. Fëmijët e mi do ta kenë parasyshë këtë.

Do ta marr në konsideratë një thënie të Aishtanit, i cili thoshte: “I falenderoj në jetë të gjitha ata që më thanë jo. Në saje të tyre unë luftova shumë, që të bëhem më i mirë.” Me në fund dua t’ju kujtoj edhe një thënie të një rilindasi të pavarësisë “Çdo intelektual duhet të mos harrojë se duhet të jetë një shërbëtor dhe ambasadorë i vendit të tij.”

Si unë dhe çdo intelektualë duhet të mbetet i tillë. Duke marr shkas nga një ndodhi me dy ustallarë dibranë në Shkodër perifrazoi dhe konfirmoj: “Ty Dibër të qofsha falë, të kam nënë, më ke djalë.”

Ju falenderoj të gjithëve për pjesëmarrjen dhe do t’ju uroj ashtu siç dijë unë. Një mjek nuk duhet të thotë jua paça borxhë, sepse kjo do të thotë që ju të sëmuri e unë t’ju shërbejë. Borxhi për malsorin është shumë i rëndë.

Unë nuk dua që ju të sëmuri e unë të lajë borxhë, por u mbeça borxhë dhe ju qofshi shëndoshë e mirë në shtëpitë tuaj dhe sa më të lumtur!”

Nën tingujt e bukur të këngës së Dritan Jasharit, me një koktej të bollshëm, midis shkrepjve të aparateve fotografikë e shumë urimeve u mbyll kjo ceremoni nderuese për Prof. e Asocuar, Dr. Nazmi Koçin. Urime dhe suksese!

S'KA KOMENTE