HAZIZ XHEKA, SIMBOL QENDRESE DHE TRIMERIE

285

Figura e Haziz Xhekës meriton vëmëndje nga studiuesit dhe nga pushtetarët, pasi përbën një simbol trimërie dhe krenarie

 

 

  • Rëfimi i Xheladin Manjanit, pjesëmarrës në betejën e vitit 1909 kundër turqve: “Atë natë, të gjithë ne, luftëtarët kemi fjetë në Gjoricë. Kur gdhini dita e nesërme shkuam në Gjurrë të Mazhicës, ku u mblodh kuvendi i Nandë Maleve të Dibrës. Këtu u vendos me vazhdue luftën kundër turqve dhe i madh e i vogël me u bashkue kur të jepej sinjali i luftës”

 

Gjorica është e gdhendur në memorien kombëtare dhe në atë të dibranëve me luftën kundër forcave turke të komanduara nga Hajredin Pasha në Fushën e Gjoricës, apo në Fushën e Thatë sic i thonë edhe sot banorët gjoricarë dhe ku lartësohet një lapidar buzë lumit të Drinit të Zi që përjetëson betejën e famshme të korrikut të vitit 1844.

Edhe pas shpalljes së hyrjetit (lirisë), kushtetutës turke të xhonturqve me 24 korrik 1908, malësorët dibranë vazhdonin të mos bindeshin dhe të vetqeveriseshin sipas kodit të nandë maleve. Gazeta Liria, Selanik, 14 mars 1909 shkruan se Malësia e Dibrës qenka mbledhur në Mazhicë për të kundërshtuar qeverinë turke. Thuhet se në krye të malësorëve është Haziz Xheka.

Vëllai i Hazizit , Sinan Xheka, në korrik të vitit 1908, kërkohet nga xhonturqit gjatë shërbimit të tij në Vernicë dhe për 50 deri në 60 lira turke peng, që Hazizi është gati ti paguajë, pasi Sinani vdiq pas nji jave, qeveria turke dërgon 400 ushtarë dhe dy topa dhe i prishi kullën. (Gazeta Liria, Selanik, 4 prill 1909, Nr 36, faqe 3)

Haziz Xheka del kacak dhe ushtria turke e kërkon me e zanë.

Akoma është e freskët në kujtesën e dibranëve edhe beteja e Mikoreshit, lagje e Gjoricës, në anë të zallit, me 26 prill 1909, kur forcat turke kësaj here me topa të rinj goditën kullën e Azis Xhekës, një prej simboleve të trimërisë dibrane.

Në prill të vitit 1909 u bë një betejë e ashpër në mes të xhonturqve dhe maleve të Dibrës. Haziz Xheka nga Gjorica, një muaj më parë ishte përpjekur me turqit në Dibër të Madhe, betejë ku turqit patën shumë të vrarë.

Në kundërpërgjigje të kësaj beteje, forcat turke të përforcuara me forca dhe mjete me 10 prill 1909 u nisën në drejtim të Grykës së Vogël dhe Gjoricës, me qëllim që të digjnin kullat e Haziz Xhekës. Artileria turke ishte vendosur në të dy anët e Drinit, në kodrat e Cerenecit dhe të Kojnares.

Hazizi kishte dalë herët për të bërë dru. Dy djemtë e tij që e vëzhgojnë ushtrinë turke nga larg njoftojnë të jatin dhe kthehen në shtëpi. Hazizi përgatitet për qëndresë. Në mëngjez herët pa zbardhur mirë drita, artileria turke filloi të qëllojë shtëpinë e Hazizit. Predhat e ranë mbi çati dhe çatia mori flakë. Ndërhyhet për të shuajtur flakën dhe e shuajnë. Haziz Xheka nuk ishhte tut. Në luftë kishte bërtitur. Ata që u ndodhën aty rrëmbyen armët dhe ja nisën betejës. Lufta vazhdon pa pushim. U dha kushtrimi për njoftimin e nandë maleve. Në malin e Dethit mbi Zogje të Dibrës u shtinë dhjetë pushkë. Malsorët e krahinave përreth, Grykë e Madhe, Grykë e Vogël, Luzni, Muhurr, Reç, Dardhë etj erdhën menjiherë në ndihmë sapo dëgjuan krismat e topave dhe u sulën forcave turke të cilat i shpartalluan. Topi krisi në Mikoresh, u dëgjua krisma në Hotesh dhe në Miresh. Po përsëritej beteja e korrikut të vitit 1844. Nandë malet e Dibrës nuk durojnë ma turq mbi krye.

Lajmi u përhap në të gjithë Dibrën dhe të nandë malet u gjendën në Shupenzë në ndihmë të Azis Xhekës. Muhurri, Reçi e Dardha vunë të parë Kurt Hoxhën, Gryka e Vogël Kurt Demën. Të nandë malet u bashkuan menjëherë. Sulmi i malsorëve qe i furishëm. Thirrja e tyre A besë a besë ! i tmerroi turqit të cilët u zmbrapsën matanë Drinit ku pati shumë të mbytur. Në këtë luftë u vranë 52 ushtarë turq dhe 67 u zunë robër. Robërve u morën armët dhe i lanë të lirë. U plagos edhe komandanti i batalionit turk Can Aliu. Malësorët u pajisën me armë të reja dhe me municion. Haziz Xheka pas kësaj fitoreje shtroi një darkë për luftëtarët malësorë.

Për këtë ngjarje populli ngriti këngën:

Nat’ Shupenzë këndohet mevludi

Në Gjuricë digjet baruti

Krisi topi në Migoresh

I shkoi krisma në Homesh

Nat’ Homesh ke Kurt Dema

Atij bimbashit i ngriu zemra

Thotë bimbashi “Kush asht nat’ kullë ?”

Haziz Xheka me gjithë cullë

Të dy djemtë që m’kanë mbet’ jashtë

Cili vritet s’merret vesht

Me do cullë, me do djem të ri

E ban gjakun në Zall e në Dri….

U dindën malet Rec e Dardhë

At Kurt Hoxhën e vunë të parë

Hazis Xheka, trim dai

E ban gjakun në Zall e në Dri….

Kurt Hoxha paska thanë

Ke Ura e Spiles vend do të zamë

Nji ushtar në kamë se lamë

Ban gajret Hazis Xheka i zi

Se taborri u mbyt në Dri!

Xheladin Manjani, pjesëmarrës në këtë betejë, vite më parë ka treguar:

Atë natë, të gjithë ne, luftëtarët kemi fjetë në Gjoricë. Kur gdhini dita e nesërme shkuam në Gjurrë të Mazhicës, ku u mblodh kuvendi i Nandë maleve të Dibrës. Këtu u vendos me vazhdue luftën kundër turqve dhe i madh e i vogël me u bashkue kur të jepej sinjali i luftës .

Një muaj më vonë në maj të vitit 1909 krerët e Dibrës së Epër bashkë me krerë e malsorë të Grykës së Madhe, të Grykës së Vogël e Bulqizës mblidhen në Kuvend tek Gropat e Ujkut midis Vlashajt dhe Bllacës ku u vendos që dymijë vetë të komanduar nga Mersin Dema nga Homeshi e Zenel Hoxha nga Gjurasi të shkonin në ndihmë të Dibrës së Poshtme e të Kukësit në luftë kundër turqve.

Në maj të vitit1910 , me vendim të përfaqësuesve të Grykës së Vogël, Grykës së Madhe dhe të Bulqzës, nën drejtimin e Mersin Demës 2000 dibranë shkuan në ndihmë të Kosovës. Nën kryesinë e Mersin Demës, Zenel Hoxhës nga Gjurasi, Isuf Lekës, Liman Markes, Liman Lleshit nga Zogje, Zenel Kajës, Hazis Xhekës, Maliq Kazanit, Destan Tolës e Ali Camit nga Gjorica, Islam Krosit nga Bllaca, Sulë Dacit nga Kodër Zogje, Islam Murrës nga Shupenza, Sheh Sulës nga Zerqani dhe Elez Isufit, 2000 dibranët marshuan në ndihmë të vëllezërve të tyre kosovarë*.

*Materiale referuese:

  1. (H.Stërmilli, Dibra në rrjedhën e shekujve , faqe 55, 56)
  2. (H.Ndreu, Dibra në rrjedhën e historisë, faqe 190, 191, 192)
  3. (M.Murra, Mersim Dema, mbreti i maleve, faqe37, 40)

Në qershor të vitit 1910 Turgut Pasha hyri në Dibër të Madhe dhe thirri në besë krerët kryengritës të Dibrës. Jusuf Bej Karasani dhe Mersim Dema qëndruan në male. Haziz Xheka dhe Sulë Alija shkuan tek Turgut Pasha dhe ai pa gjyq i vari tek Sheshi i Vzhenit në Dibër të Madhe. Shefqet Turgut Pasha bëri terror në Dibër. Ai internoi në Manastir 128 kryengritës dhe organizatorë.

Kështu u mbyll jeta e këtij njeriu, simbol qëndrese dhe heroizmi për Gjoricën dhe mbarë Dibrën.

Figura e Haziz Xhekës meriton vëmëndje nga studiuesit dhe nga pushtetarët, pasi përbën një simbol trimërie dhe krenarie.

S'KA KOMENTE