Si e shpëtuam Dibrën nga lufta civile dhe vëllavrasëse në korrikun e vitit 1944

Nga intervista e fundit e Haxhi Lleshit dhënë gazetarit Apostol Duka në korrik të vitit 2004

111

Kam qenë kurdoherë kundër terrorit dhe egërsisë. Të vrasësh, është gjëja më e lehtë në botë, të falësh është virtyt. Kur erdhi Mehmet Shehu me Brigadën e Parë në Dibër, më tha si pa të keq se, të tremijë pasuesit e Cen Elezit, që morën pjesë në luftimet kundër nesh në Dibër të Madhe, duheshin shkuar në plumb si tradhëtarë. Dale, i thashë, ne nuk i zgjidhim kështu këto punë dhe nuk na pëlqen vëllavrasja. Dibra s’e ka të tëpërt gjakun e bijvë të saj dhe nuk t’i fal kurrë punë të tilla të mbrapshta. Që nga ai çast, Mehmeti më pati halë në sy dhe nuk ma fali kurrë përgjigjen time.

 

Ta nisim me rishikimin dhe ridimensionimin e historisë. Tani po dëgjojmë të flitet ndryshe edhe për parinë e dikurshme të Dibrës. Juve vetë, nën dritën e fakteve dhe argumenteve të reja që po jepen, po edhe me logjikën e kohës së sotme, a do të dëshironit të ndryshonit ose të koregjonit diçka në mendimet tuaja për këtë pari, që ishte nga më të njohurat në Shqipëri?

Nuk do t’iu hiqja asnjë presje atyre që kam thënë e shkruar. E para e të parave, fakte e argumente të reja s’ka.As nuk ka patur dhe as që ka për të patur; të vërtetat janë të njohura dhe të qarta si drita e diellit. Ndërsa sot, ka vetëm shtrembërime dhe interpretime të njëanshme, madje ka përpjekje të hapura e të fshehta për fshehjen e të vërtetave, si për të na thënë e për të na mbushur mendjen se djalli nuk na qenkej aq i zi sa dukej në atë kohë… Po paria e Dibrës ishte njëlloj reaksionare dhe armike e popullit, si shumica e pjesëtarëve të Ballit e të Legalitetit. Atë e përbënin njerëz të tipit të Fiqiri Dines, Hysni Demës, Myftar Kaloshit e Cen Elezit, të cilët kanë pasur poste të rëndësishme që në kohën e Zogut dhe i kanë shërbyer me një besnikëri prej qeni çdo armiku të Shqipërisë, sidomos fashizmit. Fiqiri Dine, u bë kryeministër i një qeverie kuislinge në prag të çlirimit të vendit, ndërsa Hysni Dema komandant i përgjithshën i xhandarmërisë. Tradhëtia e tyre u provua edhe më shumë kur u lidhën shumë ngushtë me krerët e Ballit Kombëtar e të Legalitetit, sidomos me Abaz Kupin, fill pasi ai braktisi Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe u bashkua me ta, pra pas Mukjes. Por populli i Dibrës, u bashkua që në fillim me Lëvizjen tonë dhe dha kointributin e tij të paçmuar për fitoren e madhe.

Duke i vënë përsëri të gjithë në një rrafsh, a nuk vazhdohet të shihen gjërat bardhë e zi? A nuk kishte Cen Elezi, për shembull, mjaft pasues?

Po, kishte.Madje me mijëra.Veçse dibranët e thjeshtë, që e pranuan për të parë Cen Elezin, nuk shkuan thjesht pas tij, po pas një imazhi heroik e historik.Njëlloj si kolonjarët me Safet Butkën.Ata i besuan shumë traditës dhe kanunit. Ata i besuan jo komandant Cenit, por të birit të komandantit dhe luftëtarit të madh popullor Elez Isufi. Tjetër punë se i biri doli një kopje e keqe e të jatit, tjetër gjë se ata që e ndoqën pas u zhgënjyen shumë keq.Që nga kohërat biblike, historia njeh plot përjashtime të tilla nga rregulli, plot bij të tillë plëngprishës. Edhe Mit’hat Frashëri ishte djali i Abdylit tonë të madh, por nuk u bë, veçse një politikan i dështuar dhe mjeran, një lake i bindur i të huajve, edhe Safeti ishte i biri i Saliut të madh të Butkajve, por…

A nuk jemi kështu para një paradoksi?!Mos nuk kemi të bëjmë me një përjashtim nga rregulli, por me vetë rregullin, pra me një argument më shumë në favor të Ballit Kombëtar, që kishte në radhët e veta edhe bij të tillë baballarësh të shquar?

Aspak! Abdyl Frashëri prishi gjithë pasurinë, që të bëhej Shqipëria; Elez Isufi dhe Sali Butka sakrifikuan gjithçka për kombin dhe trojet shqiptare, ata nuk u shitën kurrë tek i huaji, ndaj edhe mbetën të paharruar dhe të lavdishëm.

Mbetën në këngë dhe në histori. Po për këta “bij baballarësh të shquar”, ku janë këngët, çfarë historie bënë ata, duke u vënë kokë e këmbë në shërbim të pushtuesve të vendikt tonë?!…
Mos u habisni nga ky përfundim. A nuk po ngjet kështu edhe sot? Cilët u vunë në ballë të shkatërrimeve, në fillimet e lëvizjes demokratike, cilët janë sot “partizanët” më të flaktë të mohimit të luftës dhe historisë sonë, kush po i sulmon më egërsisht veteranët tanë të nderuar, duke kaluar deri në një përbuzje e mohim total? Në të shumtën e rasteve, bijtë dhe bijat e ish-luftëtarëve dhe komunistëve të djeshëm.

Paralelizmi këtu është i qartë: bij plangprishës do të ketë, sa të ketë jetë mbi dhe.

A keni pushkatuar ndonjerin gjatë luftës? Fjala vjen, ndonjë pasues të Cen Elezit ose Myftar Kaloshit…

Absolutisht asnjë! Shumica e këtyre pasuesve, ishin njerëz të thjeshtë të popullit, që iu shkonin pas krerëve vetëm për besë e burrëri e ndoshta edhe për forcë zakoni. Ndërsa me ata që e kishin bërë hak plumbin, dibranët preferonin përherë fushën e betejës, ndeshjen ballëpërballë, ku burrin o e vret, o të vret…

Po ndonjë partizan që ka shkelur rregullat e rrepta të luftës dhe të moralit të atëhershëm, a është pushkatuar në formacionet ku keni komanduar juve gjatë luftës?

Asnjë.Kam qenë kurdoherë kundër terrorit dhe egërsisë.Të vrasësh, është gjëja më e lehtë në botë, të falësh është virtyt. Kur erdhi Mehmet Shehu me Brigadën e Parë në Dibër, më tha si pa të keq se, të tremijë pasuesit e Cen Elezit, që morën pjesë në luftimet kundër nesh në Dibër të Madhe, duheshin shkuar në plumb si tradhëtarë. Dale, i thashë, ne nuk i zgjidhim kështu këto punë dhe nuk na pëlqen vëllavrasja. Dibra s’e ka të tëpërt gjakun e bijvë të saj dhe nuk t’i fal kurrë punë të tilla të mbrapshta.Që nga ai çast, Mehmeti më pati halë në sy dhe nuk ma fali kurrë përgjigjen time. Dhe, që nga ai çast e deri në fund, kur ai vrau veten, ne të dy kemi komunikuar me njeri – tjetrin vetëm zyrtarisht, në kuptimin më të plotë të kësaj fjale dhe në mënyrën më protokollare që mund të bëhej. Më tej për këtë temë, nuk dua të zgjatem…

Edhe një fakt tjetër: Në luftimet në Dibër të Madhe, zumë robër shumë italianë. S’prekëm asnjerin. Përkundrazi, i mblodhëm e iu folëm, i këshilluam ta braktisnin luftën e të mos zinin më armë me dorë. Po luftuat prapë kundër nesh, iu thamë, atëhere medoemos që do t’iu vrasim, sepse për neve armiq janë ata që kemi ballëpërballë në fushën e betejës, se Duçia e Hitleri janë larg, s’kemi ku t’i gjejmë…

Pak më lart, po edhe më parë, keni folur me shumë simpati për Myslim Pezën.                          

Kur e keni njohur për herë të parë?   Që në vitin 1930, kur Myslimi u arratis në Jugosllavi, pasi vrau Osman Balin, një esadist e zogist i njohur.Në Jugosllavi e arrestuan dhe e burgosën, por   Aqif Lleshi e liroi, duke paguar nën dorë.Që nga ajo kohë dhe deri në korrikun e vitit 1939, Myslim Peza qendroi në shtëpinë tonë, së bashku me shumë atdhetarë e të përndjekur të tjerë.   Ndër ta edhe Kajo Karafili e Mustafa Gjinishi.

E keni njohur nga afër Mustafa Gjinishin?

Po si jo. Për një kohë të gjatë, e pata mbajtur në shtëpi, madje i kisha liruar edhe dhomën e krevatin tim. E respektoja shumë jo vetëm si mik, por edhe sepse më dukej si një djalë i shkathët, i zgjuar e me kulturë. Por e doja edhe si një veprimtar të flaktë komunist. Veç kësaj, na bashkonte edhe fakti i hidhur se, të dyve, Ahmet Zogu na kishte vrarë me tradhëti baballarët. Babai i Mustafait, Adem Gjinishi nga Peqini, ishte një atdhetar i njohur, njeri prej deputetëve përparimtarë të kohës, i lidhur ngushtë me Aqif Pashën dhe figura të tjera të shquara demokratike të kohës.

Sipas asaj shprehjes së njohur popullore “Dardha bie nën dardhë”, kisha besim se Mustafai do të bënte mjaft punë të mira në dobi të qendresës antifashiste. Vetëm se nuk më pëlqenin një farë mendjemadhësie, disa qendrime nënvleftësuese e mospërfillëse ndaj mendimeve të të tjerëve.Edhe disa nga mendimet e tij, më dukeshin të diskutueshme, për të mos thënë të dyshimta.Nuk më pëlqente, për shembull, kur thoshte se Shqipërinë nuk mund ta shpëtonim ne dhe se këtë punë mund ta bënin vetëm anglezët.Nuk më vinte mirë as për rezervat që shfaqte ai për lidhjet e mia të ngushta me Myslim Pezën. Nuk e kuptoj, më thoshte disa herë si rastësisht, ç’iu lidh juve të dyve. Ai është thjesht një kaçak, një fshatar i pashkollë.Ku ti e ku Myslim Peza. Unë i shpjegoja me durim se Baba ishte një atdhetar i vendosur dhe një shpresë për luftën tonë antifashiste, se me të më lidhte ideali kombëtar, se Myslim Peza nuk mund të quhej kaçak dhe ai më miratonte, por mua më mbeti deri në fund një shije e hidhur nga këto biseda. Megjithatë, Mustafa Gjinishi ishte një njeri i vlefshëm dhe i bëri shumë shërbime luftës dhe partisë. Mund të them se ai nuk e meritonte fundin që pati…

Kush u krijua më parë, çeta partizane e Pezës, apo ajo e Dibrës?

Çeta e Pezës, dihet, sepse Peza ishte më pranë teatrit të luftimeve dhe se kështu patëm vendosur qysh kur Myslimi ishte ende në shtëpinë time.Më vjen mirë të them se një nga partizanët e parë të kësaj çete ishte pikërisht Kajo Karafili, të cilin, pas kërkesës së Babës, unë e nisa me shoqërues të sigurtë nga Dibra e Madhe për në malësinë e Tiranës.

…Tani të bëjmë një retrospektivë e të kthehemi edhe njëherë te Lufta e Dytë Botërore. Gjatë Luftës ju njiheshit edhe me shumë nacionalistë, me të cilët kishit lidhje të ndryshme, por edhe miqësi të trashëguara nga të parët.A mund të përmendni ndonjerin prej tyre?

Dua të them që në fillim, se gjatë këtyre muajve shpesh më del në ëndrra periudha e Luftës së Dytë Botërore. Sepse veprimtaria ime kryesore u zhvillua në atë periudhë. Ndërsa, për pyetjen tuaj po përmend menjëherë Abaz Kupin.Duhet thënë se, fill pas 7 prillit 1939, shumë nacionalistë u detyruan të arratiseshin nga Shqipëria për në Jugosllavi, për shkak të rezistencës që i kishin bërë pushtimit. Mes tyre, ishte edhe Abaz Kupi, ose Bazi i Canes, siç quhej, të cilin unë dhe Ymer Lleshi e pritëm vëllazërisht në postën e Bllatës. Ai ishte së bashku me të shoqen, djemtë dhe vajzat. Njera vajzë, e martuar te Petrelët, ishte së bashku me burrin dhe fëmijët. Vajzën e vogël, që çalonte, Bazi e donte më shumë se i kishte vënë emrin e nënës së vet.Ndër djemtë, më kujtohen Ceni e Bardhi.Me gjithë nipin e Bazit, Hamit Kupin dhe familjen e tij, bëheshin rreth pesëmbëdhjetë veta, që ndenjën në shtëpinë tonë rreth gjashtë javë.

Bazi kishte me vete edhe Murat Bashën, Sali Llanin, Xhemal Herrin, major Dile Selcenin, vëllanë e Abdurrahman Krosit me nipërit e tij dhe oficerë të tjerë.

Për Abaz Kupin, kisha dëgjuar të flitej prej kohësh. Edhe me Myslim Pezën kishim biseduar për të.Ishte njeri me influencë në Krujë, në fshatrat e Tiranës e në Mat, por njihej si besnik i Zogut dhe, ç’ishte më e keqja, kishte qenë gjithmonë kundër çdo lëvizjeje demokratike e popullore. Gjatë Lëvizjes së Marsit, ku populli i Krujës kishte marrë pjesë përkrah dibranëve, Bazi ishte vënë në shërbim të Ahmet Zogut dhe ishte ndër të parët që e lajmëroi atë se kryengritësit dibranë po marshonin drejt Tiranës. Pas pushtimit italian, u fol sikur më 7 prill, Bazi kishte luftuar në Durrës, kundër pushtuesve italianë, por emigrantët, pjesëmarrës në këto luftime tregonin se Bazi as që ishte dukur në këto luftime. Madje, edhe për të ikur kishte qenë në hall, se nuk mund të ecte në këmbë, nga pesha e rëndë e trupit.

Megjithatë, në ato çaste ne përpiqeshim ta tërhiqnim edhe Abaz Kupin në qëndresën antifashiste, siç bënim edhe me Shaqir Demën, Murat Kaloshin, Myftar e Dan Kaloshin, Tafë Kaziun, Mehmet Ali Bajraktarin e shumë të tjerë nga radhët e parisë, që patën ardhur në Jugosllavi. Në atë kohë, me neve ishte edhe Myslim Peza, që shumë shpejt, aty nga korriku i vitit 1939, u kthye në Shqipëri.

Po juve vetë, kur u kthyet në Shqipëri nga emigracioni?

Shumë më vonë, në prill të vitit 1941, fill pas pushtimit të Jugosllavisë nga italo-gjermanët. Para kësaj, m’u desh të kaloja një kalvar të gjatë vuajtjesh e internimesh.Aty nga fundi i vitit 1939, më internuan në Stari Beçaj, diku në kufi me Hungarinë, pastaj në Vranjë e në Shkup.Gjatë sulmit fashist për pushtimin e Jugosllavisë, shqiptarët ishin në radhët e para të rezistencës.Luftimet e para kundër italianëve, u zhvilluan pikërisht më 6 prill 1941, kur unë dhe qindra burra hymë në Shqipëri nga Dibra e Madhe. Luftimet me italianët, në kushtet kur të gjitha forcat ushtarake na kishin braktisur në panik, ishin të përgjakshme. 6 prilli mund të quhet për këtë arsye edhe data e saktë e krijimit të çetës partizane të Dibrës, që pati qysh atë ditë dëshmorët e saj të parë.

A bënë përpjekje italianët dhe pasuesit e tyre t’iu bënin për vete pas kthimit në Shqipëri, sidomos pas krijimit të çetës së Dibrës?

Patjetër. I pari që erdhi të na takonte ishte Qazim Mulleti, në atë kohë prefekt në Peshkopi. Ai na ftoi hapur të dorëzoheshim e të bashkëpunonim me italianët, të cilët paskëshin përmbysur e shporrur Zogun, duke na çliruar prej tij dhe “e kishin bërë Shqipërinë e Madhe”, por unë dhe Aqif Lleshi, mixha im, i dhamë përgjigjen që meritonte një kolaboracionist. Pas tij, na dërguan Osman Memën, një ish bashkëluftëtar me babanë tim në Lëvizjen e Marsit, por më këmbëngulësi nga të gjithë u tregua Irfan Ohri, një zogist i thekur, që hiqej si antizogist dhe si një specialist për të bërë për vete të arratisurit.

Veç Myslimit dhe partizanëve të tij, a kishte ato ditë në Pezë shokë të tjerë?

Po si s’kishte! Sapo mbërrita aty, u takova me Qemal Stafën, Mustafa Gjinishin, Vasil Shanton, Mihal Durin e të tjerë, ndërsa më foli për herë të parë për Enver Hoxhën. Më tha se ai vinte shpesh në Pezë dhe se e kishte lajmëruar për ardhjen time, pasi ai kishte shprehur dëshirën që të më takonte.Ai erdhi në darkë dhe unë, Myslimi e shokë të tjerë dolëm ta prisnim.Ishte një takim i paharruar, që do të ndikonte shumë në punët e mia të ardhshme. Në fund të bisedës, që zgjati shumë, Enveri më tha se, së shpejti, në Pezë do të organizohej një mbledhje e gjerë me karakter kombëtar, qëllimi i së cilës do të ishte bashkimi i popullit shqiptar në luftë kundër fashizmit. A do të vish edhe ti në këtë mbledhje?-më pyeti Enveri. Po si jo, iu përgjigja në çast, por mendoj se duhet të jem së bashku me Myslimin dhe Baba Faja Martaneshin. Unë nuk e njoh, por kam dëgjuar fjalë shumë të mira për të dhe mendoj se pjesëmarrja e tij në mbledhje nuk do të kishte vetëm karakter simbolik… Babën këtu e kemi, ma ktheu Enveri, ndërsa Baba Fajën duhet ta ftosh ti.Bëji të fala edhe nga ana ime.Pastaj Enveri më pyeti në se e pranoja programin e PKSH dhe, kur unë pohova, më tha se, “Këtej e tutje, çeta e Dibrës do të quhej nacionalçlirimtare dhe aty do të dërgojmë edhe një komisar.Është nga Kosova. Qazim Prishtina e quajnë…”
Pasi qëndruam në Pezë disa ditë, m’u desh të kthehesha përsëri në Dibër, duke kaluar përmes Martaneshit.

Atje e takuat për herë të parë Baba Faja Martaneshin?

 

Po. Por i kisha dërguar fjalë qysh më parë për takimin dhe ai dërgoi në Ballenjë njerëz që të na prisnin. Takimi me të ishte befasues.Nuk kam njohur në jetë njëri më gazmor se Baba Faja.Ai edhe bisedat më serioze i bënte me buzën në gaz, kalonte me lehtësi nga një temë në tjetrën. Fjalëve të mia se, unë dhe Myslim Peza kishim besim, se ai do të ishte me ne, babai iu përgjigj se, “Besa pa armë nuk jepet” dhe, pasi ngriti një lëkurë dashi pranë vetes, nxorri një maliher grek flakë të ri. Së bashku me Babain, dervishët e teqesë, komisar Qazimin dhe partizanët e mi nga Dibra, atë natë e kaluam me dolli e me këngë, se Mustafa Xhani s’të linte të pushoje për asnjë çast.

S'KA KOMENTE