Kryengritja e gushtit 1920, dibranët dëbuan serbët përtej kufirit politik të vitit 1913

425

95 vjet më parë dibranët luftuan që të detyrohej Jugosllavia të tërhiqej në kufijtë e 1913-tës

 

  • Në agun e 15 gushtit 1920, kryengritësit e Bulqizës dhe ata të Steblevës, u bashkuan me rreth 250 ushtarë të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, në krye të të cilave ishin atdhetarët dibranë Shefki Shatku dhe Hysni Dema.Vija tokësore Bulqizë-Zerqan, e cila ishte fortifikuar prej trupave serbe, në orën 8-të të mëngjezit ishte pothuaj në duart e kryengritësve. Ata nën thirjen karakteristike “besë a besë”, ndoqën këmba-këmbës armikun duke i hequr atij mundësinë për t’u organizuar

 

Nëntëdhjetëepesë vjet më parë, pikërisht në fillim gushtin e vitit 1920 ushtria serbe organizoi mësymje të përgjithshme për të pushtuar Dibrën. Por forcat serbe hasën, madje u thyen keqas përballë rezistencës së malësorëve dibranë…

Meqëllim që ushtria jugosllave të zotëronte krejt Dibrën, javën e parë të gushtit 1920 u organizuan totalisht aksione të njëpasnjëshme. Por përgatitjet e dibranëve për të mposhtur synimet e pushtuesve kishin nisur kohë më parë.

Në korrik 1920, kur ishte duke vazhduar lufta e Vlorës, nënkolonel Ramiz Dibra, senatori i Dibrës, Ramiz Daci dhe Jashar Erebara shkojnë nga Tirana në Dibër. Bëhej një mbledhje në fshatin Arras, ku morën pjesë të gjithë krerët e arratisur e jo të arratisur: Ramiz Dibra, Elez Isufi, Dine e Izet Maqellara, Ramiz Daci, Shaqir e Dine Dema, Dine Hoxha, Selim Noka, Murat Kaloshi, Dervish Lusha, etj., në të cilën bisedohet çështja e një aksioni kundër Jugosllavisë, pa u këshilluar me Qeverinë.

Qëllimi i këtij aksioni, ishte të detyrohej Jugosllavia të tërhiqej në kufijtë e 1913 dhe, përveç kësaj, të lirohej edhe Dibra thjesht shqiptare, përndryshe dibranët do të luftonin për këtë qëllim, njëlloj siç luftonin vlonjatët për Vlorën, mbasi për Dibrën nuk mendonte as Qeveria, as edhe viset e tjera të Shqipërisë. U bisedua mbi koordinimin e forcave në një shtab të përbashkët dhe u caktua Elez Isufi si Komandant i Përgjithshëm. U vendos data e kryengritjes dhe u caktuan sektorët e vendosjes së forcave. Dine Hoxha lajmëroi komandantin jugosllav që ta lironte Dibrën shqiptare, por ai iu përgjigj: “Kjo i është lënë Jugosllavisë dhe nuk e lirojmë. Në rast se sulmoni, dijeni mirë se do t’ju presim me armë. Ushtria ime përbëhet prej 13000 vetave”.

“Jo 13 000 veta, por edhe 13 milionë ushtarë po të keni, ne e kemi da mendjen me ba pushkë, se me duar në brez nuk do të rrimë!”. Përgjigjja flakë për flakë e Dine Hoxhës e hutoi për një çast komandantin jugosllav.

Por nuk vonoi shumë dhe serbët, që nga Lisi i Trenës bombarduan me top kullën e Dine Hoxhës në Muhurr dhe postën shqiptare të xhandarmërisë në Luzni. Forca ushtarake serbe kaluan Drinin dhe hynë në Luzni.

Historiani Bajram Xhafa shkruan në librin e tij “Lufta e Dibrës, 1920”, se “Pas pushtimit të Luznisë nga serbët, qeverisë së Arrasit i dilte për detyrë pastrimi në mënyrë totale i këtij fshati nga forcat armike. Kështu, vetëm dy ditë para kryengritjes së përgjithshme, më 13 gusht 1920, u zhvilluan luftime të ashpra mes ushtrisë serbe dhe forcave vullnetare. Aksioni luftarak u zhvillua në Rrafshin e Myrtajve dhe në të gjithë teritorin e Luznisë. Aksioni i Luznisë ishte edhe si ogur i mirë për kryengritjen e madhe që do të niste më 15 gusht 1920. Për të organizuar sulmin mbi Rrafshin e Myrtajve dhe spastrimin e Luznisë nga serbët, si dhe për të shkuar në ndihmë të Postës së Xhandarmërisë, u caktua Dine Hoxha. Pasi u njoh mirë me terrenin dhe venndodhjen e forcave armike, së bashku me Liman Xhanin nga Muhurri, Hysen Manin nga Shqathi dhe Llan Destanin (Ndregjoni) nga Lukani, major Dinja hyri fshehurazi në bisedime për sulmin e ardhshëm mbi serbët, me pjestarët e postërojes serbe që ndodhej në Majën e Arapeve, e cila përbëhej nga luznakë e katërgrykas”.

 

Kuvendi historik i Arrasit

 

Vetëm dy ditë na ndanin nga data 15 Gusht 1920, kur tek vendi i quajtur Ferra e Pashës u mbajt Kuvendi i Arrasit, një kuvend i madh burrash që nuk ishte mbajtur herë tjetër. Në të nuk merrte pjesë vetëm paria e Dibrës, por dhe 700-800 burra të tjerë.

Banorët e zonës, kuvende të tilla kishin dëgjuar vetëm në legjenda.

Në Kuvend merrnin pjesë burrat e Dibrës (“Tigrat” e Dibrës – i quajti E.Durham): Ramiz Bej Dibra, Dine Bej Maqellara, Izet Bej Maqellara (bejlerët e Maqellarës), Ramiz Daci, Jashar Erebara, Ismail Strazimiri, Dine Hoxha (Hajredin Aga-Muhurri), Selman Alia (Fushë Alie), Selë Bajraktari (Arras), Selim Noka, Haxhi Noka (Grykë Nokë), Murat Kaloshi, Avdi Kaloshi, Sali e Selim Kaloshi (Sinë), Dan Cami, Selman e Hakik Mena (Bajraktari i Lurës), Llan Destani (Lukan), Kurt e Dik Spata (Grykë Nokë), Ali Tahiri (Pira-Muhurr) e shumë burra të tjerë me zë nga të gjitha trevat e Dibrës. Kishte përfaqësues nga Daci i Kalisit e Lita i Ploshtanit, por dhe nga paria e Matit. Kuvendi bashkoi malësorët luftëtarë dhe i dërgoi mesazhin gjeneralit serb. “Do të lini kokën në trojet tona!”. (“Ballafaqime Politike”, faqe 159 – S.Vllamasi)

Në Kuvendin historik të Arrasit, veë të tjerave, u vendos që:

  • Të zgjidhet një komiteti luftarak

  2- Organizimi dhe bashkërendimi mes fshatrave e krahinave për veprime të përbashkëta,të njëkohshme, të kryengritësve popullorë kundër garnizoneve serbe të përqendruar në tërë trevën e Dibrës.

 3- Vënia e të gjithë kryengritësve dhe udhëheqësve në një komandë unike.

 4- Hyrja në lidhje me përfaqësuesit e Kosovës për t’i dhënë masivitet kryengritjes ndërkrahinore, po kështu dhe me qarqet politike maqedonase që kërkonin mëvetësinë e Maqedonisë.

 5- Furnizimi me ushqim i forcave kryengritëse nga vetë fshatrat

 6- Shtabi luftarak i udhëheqësve popullorë, brenda 2-3 ditëve zgjidhi një sërë detyrash me karakter ushtarak, politik dhe ekonomik”.(“Dibra dhe etnokultura e saj”, Vëllimi parë, 1995, faqe 340 ).

 

Përballja e armatosur

Erdhi përballja e armatosur. Sipas burimeve serbe, numri i përgjithshëm i kryengritësve shqiptarë që kryen mësymjen mbi trupat jugosllave e mercenare më 13-15 gusht 1920, arrinte në 4000 vetë dhe ishin nën komandën e Ramiz Beut, Elez Isufit, Dine Hoxhës dhe Dine Beut (Maqellarë), kurse fshatarët vendas, të cilët ngriheshin në kryengritje me afrimin e kolonave kryengritëse, komandoheshin nga paria e tyre: Murat Kaloshi, Selim Noka, Musatafa Kurtishi, Serdar Feta Beu, etj. (AM, Skopje, Pov.br.730, 24.08.1920, Debar).

Sipas të dhënave burimore, kryengritja dibrane filloi në mëngjezin e datës 15 gusht 1920. Sic shkruan Eugen Shehu, në gazetën “DIELLI”, “ Vetëm 24 orë përpara sulmit, shtabi kryengritës dibran, pati dërguar lajm në komandën ushtarake  të forcave serbe në vendin e quajtur Llasen, ku e njoftonin atë komandë se brenda 24 orëve duhej me doemos të linte pozicionet dhe së bashku me trupat, të kalonte matanë kufijve të Shqipërisë së vitit 1913. Komanda serbe, ndonëse kishte dijeni rreth përgatitjes së një lëvizjeje popullore, nuk parashihte rreziqe, duke menduar se reparti i forcave të saj me ato shqiptare, ishte gati 4 me 1. Përballë këtij raparti, ekspertët e komandës ushtarake serbe në Llasen, parapanë si mjet më me avantazh për ta, fillimin  e betejës. Nga ana e vet, komanda ushtarake e kryengritësve dibranë duke llogaritur me gjakftohtësi të gjitha rrethanat, mundi të organizojë disa luftime model ku ndërthureshin elementët e Luftës Popullore me trimërinë tradicionale dibrane. Ata në mënyrë prefekte planifikuan të parin sulm në garnizonin e Shumbatit ku ishin përqendruar forcat kryesore serbe dhe ku pozicioni gjeografik i favorizonte së tepërmi ata. Duke vendosur përballë garnizonit të Shumbatit, kryngritësit më të armatosur, të komanduar prej Sufë Xhelilit, shtabi dibran kërkonte goditjen e fuqishme dhe të menjëhershme. Në këtë mënyrë rrugëkalimet e mundshme të forcave serbe të ushtrisë së rregullt kontrolloheshin rreptësisht prej kryengritësve të tjerë. Ndër masat e marra prej kryengritësve ishte edhe largimi i banorëve të fshatrave Shumbat, Kala e Dodës, Maranicë, Llasen dhe Okshtun, të cilët përbëheshin më së shumti prej grave dhe fëmijëve që nuk mund të bënin rezistencë të armatosur. Kur në agun e 15 gushtit u dha kushtrimi “O burra mbi shkja !”, kryengritësit dibranë, nga 15 – 70 vjeç, u derdhën në sulm të paparë ndaj hordhive të Beogradit. Stuhia dibrane, e mpleksur me shiun dhe mjegullën e maleve, i gjeti në befasi trupat serbe që gjithsesi nuk besonin të sulmoheshin në front dhe nga të gjitha krahët. Por mençuria e luftëtarëve dibranë kish bërë të veten. Ata ishin të bindur se vetëm kështu, në kohë të keqe, në mënyrë të beftë dhe në sulm nga të katër anët, mund të shporrnin prej trojeve të tyre, armikun shekullorë. Ndaj dhe u nisën të paepur drejt sakrificës sublime, në emër të lirisë së shenjtë të trojeve atërore. Kryengritësit e fshatit Çidhën, me të dëgjuar të shtënën e parë të pushkës (ashtu ka qenë dhënë porosia nga komanda dibrane) u hodhën përmes tymit e armëve dhe mjegullës, nëpër valët e lumit Drin. Kjo manovër e guximshme, bëri që trupat serbe anës Drinit të lënë menjëherë pozicionet e tyre dhe të largohen për në Fushë-Çidhën. Por edhe aty, brenda 3-4 orëve, mbërriti stuhia e kryengritësve dibranë. Nën thirrjet që ngrohnin gjokset, luftëtarët dibranë të fshatit Çidhën, rreth 70-80 vetë, mundën të zbrapsin dy kompani të ushtrisë së rregullt serbe të armatosur më së miri dhe të ndihmuar edhe nga topat e artilerisë së lehtë. Më tej, këta trima vihen nën komandën e Sufë Xhelilit dhe mësyjnë pozicionet e reja të serbëve në vijën : Kodra e Ostushit – Selbanter”.

Po në agun e 15 gushtit, u sulmua në mënyrë të menjëhershme vendkomanda e trupave të ushtrisë serbe, në vendin e quajtur Llasen. Disa qindra kryengritës të fshatrave të Melanit, Dohoshishtit, Dovolanit, Grevës  etj, iu afruan vendkomandës serbe në 200- 300 metra dhe duke përfituar nga shiu dhe terreni, mundën të organizojnë një sulm rrufe. Kaq është dashur që një pjesë e kryengritësve të zënë pozicionet e fortifikuara të trupave serbe, për të vijuar më tej përleshjen deri në orët e vona të asaj nate. Shtabi serb, ndonëse dispononte të gjitha armët dhe mjetet, nuk mundi t’i bëjë ballë kryengritësve dibranë. Duke patur në dispozicion trupa dhe mjete speciale në natën e 15-16 gushtit, ai mundi të organizonte një koridor tërheqjeje duke lënë mbrapa dhjetra të vrarë e të plagosur, si edhe një sasi të konsiderueshme të municionit luftarak. Ndërkaq, në agun e 15 gushtit 1920, kryengritësit e Bulqizës dhe ata të Streblevës, u bashkuan me rreth 250 ushtarë të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, në krye të të cilave ishin atdhetarët dibranë Shevki Shatku dhe Hysni Dema.Vija tokësore Bulqizë-Zerqan, e cila ishte fortifikuar prej trupave serbe, në orën 8-të të mëngjezit ishte pothuaj në duart e kryengritësve. Ata nën thirjen karakteristike “”besë a besë, ndoqën këmba-këmbës armikun duke i hequr atij mundësinë për t’u organizuar.Të nesërmen,”forcat serbe të detyruara u tërhoqën prej kufirit politik të vitit 1913”(Gazeta “Zëri i Ri” Tiranë,9 shtatorë 1920).

Më 16 gusht, në mëngjes, filloi kryengritja në Lugjapravë-Shumbat prej Sufë Xhelilit: tek Ura e Lushës, prej Dervish Lushës e Murat Kaloshit; në Cap të Brezhdanit, prej Dine Hoxhës; në Grykë të Vogël, prej Demajve e Dan Camit”.

Në këto luftime do të shkëlqente edhe një herë trimëria dhe mençuria e legjendës së Maleve të Dibrës, “gjeneralit me shajak”, Elez Isufi. Ky vetë, në krye të 300 kryengritësve do të ndiqte hipur në kalë krejt luftimet. U jepte zemër luftëtarëve të lirisë, jo me fjalë por duke u dalë përparra serbëve me trupat e veta dhe duke luftuar si rrallëkush në ato vise.

Në mesnatën e datës 16-17 gusht 1920, trupat serbe ishin larguar pothuaj plotësisht prej kufijve të shtetit amë duke lënë pas disa qindra ushtarë të vrarë dhe të plagosur. Nuk munguan edhe 70 -80 robër serb, të rënë në duart e kryengritësve, por falë dinjitetit të kryengritësve dibranë, ata u trajtuan konform ligjeve të luftës moderne. Pjesa më e madhe e ushtrisë serbe, e cila u largua nëpërmjet Grykës së Radikës, u ndoq prej Elez Isufit me trimat e vet deri në afërsi të Mavrovës i ndihmuar në këtë rast edhe prej banorëve shqiptarë të Maqedonisë.

Gazeta “Zani i Ri”, 2 shtator 1920 shkruante se “Dine Hoxha, Dan Leka e Murat Kaloshi rrethuan Brezhdanin, Peshkopinë e Llasenin. Ky i mbrami u plagos”. Ndërkohë, sipas Prof.Isuf Luzhaj (SHBA) “Qendra e ballinës drejtohej vetë nga njeriu i hekurt. Osman Lita sulmoi në Kala të Dodës, kurse Dine Hoxha drejt Peshkopisë”.

Kryengritja dibrane e 1920-tës kundër serbëve gjen pasyrim real edhe në kujtimet e Ismail Strazimirit (“Kujtime historike në Qarkun e Dibrës”), i cili shkruan: “Burime të besueshme theksojnë se serbët dispononin 100 topa të mëdhenj e të vegjël, regjimentet 12, 17, 18, 19, 25, 27, 28, përvec forcave tjera ardhur nga Prizreni…..Forcat shqiptare shkonin deri në 700 veta, një top e disa mitraloza, por heroizmi i tyre ishte i madh. Në jug të Lan Lurës, pranë Sharrës së Zagollit ishte vendosur Kurt Kodra me një fuqi të përbërë prej matjanësh. Poshtë Sharrës së Zagollit e ngjit me Qafën e Murrës ishte vendosur Dine Hoxha me një fuqi dibrane, kryesisht muhurrakë. Në Pllajë kishte zënë pritë Murat Kaloshi me dibranë e cidhnakë, që dhanë prova të guximit e trimërisë së pashoqe”.

Është e natyrshme që në këtë betejë të lavdishme 48 orëshe të luftëtarëve dibranë, te kishte edhe humbje nga ana e kryengritësve shqiptarë. Dibranët që flijuan jetën për mbrojtjen e trojeve të veta ishin: Osman Paci, Halil Gjoci, Adem Hoxha (nga Fushë – Çidhna), Halil Losha, Mevlude Murraku, Shaban Doda, Dali Koka, Abaz Daloshi (nga Kalja e Dodës), Tahir e Adem Duriçi (nga Vajkali-Bulqizë), Halil Hyseni, Abdylla Cara, Murat Hyseni(nga Reçi), Demir e Bajram Lleshi (nga Kastrioti), Majune Noka (nga Grykë-Noka), Xhemail Kanxha e Vehbi Bala (nga Trebishti), Osman Met’hasani dhe Sherig Bali (nga Sohodalli), Allaman Zeneli (nga Kovashica), Ismail Bodurri (nga Okshatina), Alush Bunguri (nga Greva), Allaman Salkurti (nga Rashnopoja), Rushit Spata (nga Blliçja), Shaban Cami (nga Viçishta), Ali Topa (nga Bllicet).

S'KA KOMENTE