Nga krijimtaria poetike e Hajri Mandrit

254

Reja e bardhë

 

Le t’i thyej këmbët nga nxitimi

Vrapoj tek ti, kohë e bukur

Jemi vonë tepër vonë të flemë

Duke u ndjerë të lumtur.

 

Mos ma terr imazhin para syve

E shoh qartë sot qiellin e kaltër

Reja e bardhë mbi majat alpine

Davaritet si shtëllungë, e pastër.

 

Astrologu

 

Astrologu stërmundohej

Të vëzhgojë yllin

më të largët,

Pa ditur se do rrëzohej

Në gropën më të afërt.

 

 

 

Ti u vonove

 

Të pritëm,

Si rrënja e bimës ujin në thatësirë

Si lulja që çel fluturimin e bletës

Si rruga hapat e udhëtarit

Si buza e etur burimin e freskët

Si pisha flokët e borës

Si kromi i fjetur krismat e minës…

Ti u vonove gjysëm shekulli

Tani u besoj gjithë thinjave të pleqëve.

 

 

 

Bulqiza

Mbushet dita me copëra bisedash

Të njerëzve punëtorë, të njerëzve të mirë.

Flirt diplomatësh, krem politikanësh,

Ka dhe në qytetin tim të ngrirë

 

Dikush rri ngrohtë në zyrën komode

Pastaj zbret e pi një kafe me pak

Që nga ministria flasin për nëntokën

Galeritë e kromit, spërkatur me gjak

 

Këto plagë dite në trupin e kohës

I dhembin zjarrmëtarit që fitilin ndez

Se nuk është njëlloj si në galeri,

Si në një banket ku flet për biznes.

 

 

 

Peisazh dimri

 

Bie dëbora flokë-flokë

Zbardh mbi çati,

Zbardh mbi tokë.

Kollonat e puseve ngjajnë

Si memorialë të bardhë.

Djali minator me vajzën që do

Te stogu i kromit rrinë

Mbi supet e tyre pa rënë akoma

Dëbora shkrinë.

 

Ti më prêt…

 

Mos më ndal sonte në rrugë

Eshtë e shtunë, ajo më prêt

Vijëzon në ballë një rrudhë

Dhe nga sytë , loti i shket

 

Nuk ka forcë që më ndal sonte

Ti ditëlindjen ke në fshat

Po t’mos vijë ai merak nëne,

Të shqetëson, s’të lë rehat !

 

Ti ma njeh gjërësinë e shpirtit

Zog me fletë bëhem, për besë,

Dhe s’e lë atë zemër nëne,

Këtë natë të më presë…!

 

Porosi

M’u zggjuan ca fjalë të kycura në zemër

M’i tha babai që nuk është më sot,

M’i tha e iku pa m’i ngopur sytë

Duke më lënë një detë me mall të ngrohtë.

 

Dëgjo biro, më tha me zë të dridhur,

Kam dëgjuar nga të urtët një fjalë,

Të largohesh nga vendlindja, do të thotë:

Të humbasësh dalngadalë…

 

Kaq më tha ai kur mbylli sytë

Unë s’i kuptoja, isha ende fëmijë

Më mbeti në mendje ajo ditë

Shpesh më kujtohet fjalë e tij.

 

Mars ‘97

Udhëtoj me makinën e punës

Sipër meje fluturon një “Apash”

Vendi im –qilim i Penelopës,

Qep një pëllëmbë –shqep një pash !

 

 

Lirike

 

I rashë hënës me një grusht

Hëna shkau dhe ra n’humnerë

Atë natë ishte gusht

Binte shi dhe frynte erë.

 

Desha, që veç unë e ti

Ta sundojmë tërë errësirën

Qënia jote qe magji,

Luminishonte natyrën.

 

Kroi i Verës

 

Mos ma prishni Kroin e Verës

Kroi i Verës pikon mjaltë

Tek ai krua , ajo hije

Mrizon ëndërra prej fëmije

Vijnë kujtimet më mbajnë gjallë,

Kroi – leitmotiv i rrallë

Mos ma prishni Kroin e Verës

Musht e mjaltë në buzë e kam.

 

Kthim i emigrantit

 

Fry moj erë e detit, fry moj erë

Drejt Shqipërisë time, ti më shpjerë…

Hapi krahët avion,fluturo

Si kalë i baladës përmbi re,

Sa ta shoh të bukurën, sa ta shoh

Midis malesh,

Ajo prêt, atje…

S'KA KOMENTE