DUKE RILEXUAR STËRMILLIN E PËRJETSHËM

123
  • Stërmilli, ai që shkruante për botën e njeriut…
  • Natyra artistike e Stërmillit…
  • Kur lexoj meditimet me dashuri e sentimentalizëm…
  • Drithërimat e qelizave të shpirtit të shkrimtarit….
  • Kur dëgjoj psherëtimat e shkrimtarit tim….
  • Bota e shkruar e Stërmillit dhëmb…

 

Lufta për liri e dibranëve dhe për tokën amtare, kanë gjetur shprehjen e tyre në veprat e shkrimtarit të mirënjohur patriot, demokratit përparimtar dhe luftëtarit të lirisë, Haki Stërmilli. Ato trajtojnë tema patriotike të frymëzuara nga jeta e popullit dibran dhe godasin ashpër normat e moralit mbi femrën në familje.

Subjektet e veprave i gjejmë të shprehura në qëndresën kundër turqëve dhe shovinistëve serbë.

Kur fuqitë e mëdha dhe ato serbe u munduan t’i venë kufinjtë në Qafë-Murrë dhe në Qafë të Buallit, dibranët vendosën: “këtij serbit jam tue i dalë/ Faqe për faqe e ballë për ballë”.

Me këto ngjarje janë ushqyer dramat e shkrimtarit: “Dibranja e mjerueshme”(1923); “Dashuni e besnikri”(1923); “Burgu” (1935). Betimi gjen mishërim në drama se: “Nuk do t’i përulemi me ngjallje atij armiku që do të zgjasë dorën e thatë e të zezë me na rrëmbye tokat tona”. Ky është betimi i gjithë dibranëve, që shkrimtari ua kishte lexuar mirë shpirtin. Sido ndjehet fati tragjik i dibranit për liri….

 

“Sikur t’isha djalë”

 

Subjekti i romanit është kompozuar në formën e ditarit, ku Dija i nënshtrohet jetës së një familjeje qytetare, e izoluar brenda mureve të shtëpisë. Këtu autori zbulon mjerimin e jetës patriarkale shqiptare. Lexuesi përjeton botën shpirtërore të Dijes, jetën e saj të ndrydhur sipas dëshirës dhe moralit patriarkal.. Aty nuk njihen ndjenjat e Dijes, dinjiteti, dashuria e liria. Ajo arrin të shfaqë kundërshtimin.. Don të shkojë në shkollë. Kërkon të mos mbulojë fytyrën me ferexhen e zezë.

Kulmi arrin kur njihet me Shpendin. Kjo krijon tragjedinë. Dija izolohet. Fyhet nga njerka dhe babai. Dija sëmuret. E martojnë me forcë dhe vdes.

Shpendi nuk arrin ta shpëtojë me rrëmbim….

Romani tronditi oponionin publik shqiptar. Bota e vjetër etikomorale u dënua. Sido, autori nuk përzgjodhi asnjë rrugëdalje për shpëtimin e Dijes dhe Shpendin për t’u arratisur.

Dija e gdhendur me botë të bukur shpirtërore dhe natyrë dibrane tërheqëse i zbukuronte skenat e subjektit dhe e tërhiqte lexuesin. Veçanërisht ajo i kundërvihet moralit patriarkal dhe e demaskon.

Romani përshkohet nga ndjenja e dhimbjes me vuajtje e dashuri, por shkrimtari i madh nuk mundi t’i fshijë nga bota e tij moralizuese e sentimentale.

“Në këtë vlerë arti, Stërmilli madhështor “vë gishtin”në plagën më të dhimbshme sociale shqiptare, tragjizmin e jetës së femrës, një apoteozë e fuqishme artistike..”, – konkludon kritiku e shkrimtari Xhezair Abazi.

 

Tema historike, e gërshetuar me motivet e dashurisë

 

Tema historike është gërshetuar me motivet e dashurisë. Në veprat e para, duke mos përjashtuar edhe “Kalorësin e Skënderbeut”, fabulat historike, të papritura, rastësitë dhe nganjëherë skemat me nota sentimentale janë të ndieshme. Në mjaft skena të dramave, Stërmilli, në formën episodike ka ditur të gërshetojë faktet historike me elementët artistikë, duke dramatizuar përpjekjet skllavëruese të armikut, tiraninë e tij nga njëra anë dhe vuajtjet çnjerëzore të popullsisë, nga ana tjetër. Autori e ka treguar armikun antinjerëzor në dialogjet rrënqethëse të masakrave të tmerrshme “ku trishtimi” kishte arritur “në shkallën e fundit” se “serbët sa mundnin po djegin shtëpitë, po vrasin e po presin njerëz të pafajshëm”.

Por dibranët nën udhëheqjen e Elez Isufit me shokë, organizohen se ata preferojnë: “ma e ambël vdekja, se sa rrojtja nën zgjedhë të këtij barbari”. “Ky ligj lirie asht në grykë të pushkës dhe se duhet me u mbështetë në fuqitë e kombit të vet” shprehet një hero i veprës, kur është fjala për të mos e zgjidhur problemin e kufirit me anën e Evropës sepse shtetet e mëdha kishin interesat e tyre dhe nuk “dëgjonin lutje, pasi Shqipëria ishte e ngratë pa miq”. Njëherësh shkrimtari ka goditur Fuqitë e Mëdha për mohimin që u bënin të drejtave shqiptare dhe hedh poshtë pretendimet demagogjike të tyre se gjoja ata “luftonin për të drejtat e popujve të vegjël”; se po të kishte pas një të drejtë diplomacia Europiane kurrë nuk kish me u vu një kufi si ky që na kanë shënue sot në mes të fushës dhe tue ia lanë gjithë majat e nalta Serbisë”, -shprehet heroi.

Ideja e qëndresës së fshatarësisë ndaj armikut të lirisë, ruajtja e njësisë tokësore, ka bërë që Stërmilli duke qenë i lidhur me Dibrën ka derdhur në veprat e tij shpirtin e popullit dibran. Heronjtë e Stërmillit janë fshatarët e lidhur ngusht me truallin e trashëguar. Është dibrani që nuk mund të jetojë pa pushkën e pa punën, gjithmonë në luftë me armiqtë, i papërkulur, i panënshtruar. Prandaj dhe Stërmillin e kanë rrëmbyer figurat e fshatarëve të thjeshtë e të lirë, figurat e trimave udhëheqës si Sheh Mustafa, Elez Isufi, Hoxhë Vokrri, Sheh Fejza, Sufë Xhelili, Ramiz Daci, etj.

Veprat e tij nuk janë thjesht kronika historike, por vepra artistike, deri në një farë shkalle edhe përgjithësuese. Të bën përshtypje mënyra e pasqyrimit të jetës së personazheve, lidhur ngusht me rrethanat historike, në situata reale, siç është Aliu, Tushja, Lam Druni, Dem Bujari, etj. Këto i ka krijuar për të realizuar një ide më konkrete: dashurinë ndaj Atdheut, ndaj jetës dhe shqetësimeve që sjell ajo, kur me armikun në vatër bëhet e padurueshme, dashurinë intime dhe forcën e karakterit të dibranit. “Zogjtë e shqipes së lirë nuk e dëshirojnë jetën, kur çerdhja e tyre pushtohet prej të huajit” -thotë një personazh.

Dashuria përshkohet nga një sentimentalizëm i ndjeshëm

 

Në një plan jo pa rëndësi, në subjektin e veprave autori ka vendosur dashurinë në mes heroit patriot e trim me një dibrane të bukur. Dashuria për Stërmillin shpesh është një histori sentimentale e me të papritura, por nuk është e shkëputur nga historia, nga jeta politike e shoqërore. Megjithëse dashuria përshkohet nga një sentimentalizëm i ndjeshëm, ajo i shtynë heronjtë të luftojnë kundër armiqve e të realizojnë ëndrat për liri. Ata venë Atdheun mbi dashurinë, prandaj janë dhe luftëtarë të vendosur. Krahas ekzaltimit politik të heronjve, gjejmë dhe dhëmshurinë që i karakterizon ato, tek vështrojnë si shkatërrohen e digjen fshatrat, si vdesin njerëzit prej bajonetave serbe, si mërgojnë dibranët prej vendlindjes, si vriten në mënyrë tragjike gra e fëmijë nga veprimet shtazarake të armiqvet.

Te krijimtaria e Stërmillit gjejmë fragmente luftrash, përpjekjesh të dibranëve në shekullin XV. Në romanin “Kalorësi i Skënderbeut”(1968), përmes një subjekti interesant për epokën “zulmëmadhe” njihemi me fakte historike të kohës së Skënderbeut.

Duke vështruar epokën përmes historisë e gojëdhënave, ka zbuluar botën e disa heronj të panjohur. Ai përmes dashurisë së Mark Spanit e Mira Mireshit, është marrë edhe me dashuritë dhe intrigat deri tek tradhëtia e Moisi Golemit.

Me ngrohtësi është dhënë lufta masive popullore. “Atëherë kur dibranët kishin nisë me zbritë maleve, duke e shqye errësirën me sy shqiponje dhe tue ndriçue rrugën me pisha të ndezura, në Sfetigrad, Kalorësi i Bukur e Hila luftojshin kundërr turmave të jeniçerëve”. Dibranët janë vizatuar të zgjuar, ata mbajnë qëndrim të lartë, duke e dënuar me ashpërsi e urrejtje tradhëtinë e Moisi Golemit. Pra autori bën dallimin midis masave popullore dhe renegatëve. Dibranët nuk duan të dinë mbi famën që kishte pasur Moisiu, ata lidhen me Skënderbeun e tyre, sepse Moisiu “Këto kohët e fundit ka nisë me i përqeshë petkat e veta. Duket se i ka ngel syri në një palë petka të tjera ari…” – shprehet Farno Litari, ndërsë Frrok Kepi pohon: “… Jemi të besatuem me e mbajtë Atdheun me gjak. Kjo është gjoja dhe zemra e popullit tonë”. Prandaj dibranët u vunë “nën urdhën të prijësit të madh e me iu kushtue altarit të lirisë”.

Sido, Stërmilli ka vlerat e veta të njohjes së botës, të historisë dibrane, por ai ka arritur të pastrojë gjuhën e shterruar sentimentaliste.

Si shkrimtar patriot ai përqafoi idetë atdhetare, veshi rrobat partizane e me pushkë e penë pasqyroi me dinjitet artistik heroizmin popullor. Në mal hodhi në letër ditarin “Shtigjet e Lirisë” dhe shkroi veprën e pabotuar “Afsh dhe hove zemrash”.

Vizatimi artistik i heronjve, qofshin këto partizanë të thjeshtë ose me përgjegjësi, paraqiten me realizëm, pa idealizime. Lufta partizane nuk përshkruhet e ashpër dhe e vështirë vetëm në proçesin e zhvillimit, por dhe jashtë saj. Autori tregon sakrificat, vetmohimin, vuajtjet, ku disa s’kanë as opinga … por kanë zemër të fortë që duron gjakosjen e këmbëve të zbathura dhe ushqimin me mish mushkash”.

Por shkrimtari nuk e vajton gjendjen. Nga kjo merr shkas për të shtuar besimin ndaj Luftës Çlirimtare dhe urrejtjen ndaj armiqve sepse “Këtë popull … s’ka asnjë fuqi që të mundet me e përkulë dhe me e robnue”.

Unë i dëgjoj psherëtimat e medituara të shkrimtarit tim të paharruar…

S'KA KOMENTE