Të rinjtë janë e ardhmja dhe meritojnë shumë më shumë se kaq!

188

Sot jetojmë në një mjedis dinamik, ku çdo rrethanë  dhe fenomen ndryshon në mënyrë marramendese, por që këto ndryshime te marrin trajtën dhe formën e duhur ilaçi më i mirë i rekomanduar do të ishte absolutisht stimulimi dhe nxitja e ideve kreative tek ato, që jo më kot cilësohen si “motori i ndryshimit” pra, e kam fjalën per gjeneratën e re, për të rinjtë e këtij vendi.

-Shumë  nga shtetet e civilizuara të  botës më  konkretisht ato te “Komunitetit Evropian”, organizëm ky ku ne synojme  aq shume te aderojmë, duket se e ka gjetur mënyrën për të  pasur  një  “zhvillim të qëndrueshëm”. Jo duke hulumtuar me politika të shtrenjta, por duke stimuluar “forcat rinore” nëpërmjet hartimit dhe më pas implementimit të programeve  riskuese afatgjata, duke i bërë të rinjtë pjesë aktive e vendimarrjes në jetën publike të përditshme. Ky realitet  Evropian nuk është  arritur duke hartuar projekte pafund, të përkthyera  në dokumenta dhe letra pavlerë siç ndodh rëndom në shqipëri. Sot, në çdo shtet të Evropës dhe më pas në çdo qytet të tyre, funksionojnë “qendrat rinore” me programe formuese trajnimi te çdo fushe të jeës publike.

Për të hequr një paralele midis “realitetit perëndimor” dhe atij shqiptar dua të shtroj një pyetje për të parë sesa larg jemi në aspektin e trajtimit dhe ndihmës për të rinjtë.

-A mund të themi ne sot se rinia shqipëtare në tërësi dhe ajo bulqizake në veçanti, po stimulohet me politika sociale që në të nesërmen e afërt ky “grup” te jetë i gatshëm të marrë ne dorë fatet e këtij vendi për ta qeverisur në rang qendror dhe lokal?

Si një ndër përjetuesit e realitetit të përditshëm të Bulqizës,mund t’i jap përgjigje pyetjes së mësipërme me përgjegjësi të plotë pa qenë nevoja të marr në referim studime apo shifra të nxjerra nga strukturat dhe agjensitë shtetërore, dhe jo vetem.  Kam jetuar me vite ne Bulqizë dhe ajo që më së miri kam kuptuar në përditshmërinë t’ime, ështe fakti që aty ndodhet një brez i ri solidar dhe mjaft energjik. Nuk kam asnjë dyshim  që brezi i ri i Bulqizës është i aftë që të nesërmen të jetë “lokomotiva drejtuese” e këtij qyteti të varfër në aspektin infrastrukturor si pasojë e keq-menaxhimit, por me pasuri të pallogaritshme nën dhe sipërfaqësore, pasuri minerare dhe humane.

Ky brez, dhe kjo rini duhet të nxiten për t’i bërë pjesë e vendimarrjes, por si mund te realizohet kjo? Ky proçes implementohet në komunitet nëpërmjet ngritjes dhe vënies në funksion të “qendrave rinore” dhe zyrave publike, të pajisura me stafe të kualifikuara dhe jo me “administratë të fryer e të panevojshme” siç ndodh rëndomtë. Për këto qendra sociale duhet të hartohet një buxhet i veçantë nga ministria dhe strukturat e linjës, duke i pajisur pastaj edhe me programe trajnuese për të nxitur idetë inovatore, dhe për t’u dhënë mundësinë të rinjve që këto ide edhe t’i jetesojnë në të ardhmen. Pushteti lokal, konkretisht bashkia e Bulqizes, duke konstatuar nevojën për vitalizimin e një sërë sektorësh në rreth, duhet të  kontraktojë me instancat përkatëse për organizimin e këtyre plan-projekteve.

Bashkëpunimi, me një sërë aktorësh, nuk duhet të lërë jashtë vëmendjes edhe bizneset private, duke ditur nevojën e theksuar që kanë këto të fundit për të rinj të kualifikuar dhe me ide. Një zgjidhje tjetër shumë frytëdhënëse do të ishte edhe hartimi i buxheteve të veçanta nga pushteti vendor, për të ndihmuar të gjithë ato të rinj për të hapur një biznes privat. Kjo ndihmë dhe ky stimul financiar, duhet të shoqërohet edhe me dhënien e informacionit te nevojshëm mbi risqet që ka hapja dhe organizimi i një biznesi. Për dhënien e këtij informacioni, bashkia duhet te vërë në jetë një “zyrë konsultative” për t’i pajisur të rinjtë me informacionin e nevojshëm. Këtë rol mund ta luajë edhe “zyra e punës” që deri më tani siç duket jo vetëm që nuk po e kryen këtë rol, por po i shton koston shtetit me një administratë të panevojshme.

Kjo është ajo që duhet bërë në të ardhmen, por çfarë është bërë deri më sot nga pushteti lokal dhe qendror për rininë në Bulqizë?

Fakti që është i lehtë të evidentohet në gjithë këto vite tranzicion është, që të gjithë ose një pjesë e mirë e atyre që kanë qeverisur Shqipërinë dhe Bulqizën në rang qendror dhe lokal, e vetmja gjë që më së miri kanë ditur të bëjnë për rininë është duke e përdorur atë si kryefjalë të tyre, për synime specifike vetëm e vetëm për të arritur qëllimet e tyre personale dhe grupore, por kurrë kolektive të komunitetit! Në Bulqizë, sot realiteti është i tillë! Një pjesë e madhe e të rinjve që mbarojnë  “arsimin e detyrueshëm”  i drejtohen sektorit minerar, pra galerive si e vetmja mundësi punësimi dhe jetese për të evituar sadopak atë vorbullen e madhe të skamjes ekonomike ku fatkeqësisht shumë persona nuk kanë arritur ta shmangin. Një pjesë tjetër e vogël pas mbarimit te gjimnazit dhe me sakrificen e pashembullt të familjeve të tyre, drejtohen drejt insitucioneve te Arsimit të lartë publik, duke shpresur që t’i shpëtojne sadopak fenomenit që pa asnjë dyshim sot në Bulqizë quhet “skllavërimi modern” i cili po u merr këtyre të rinjve të vetmen gjë me vlere që mesa duket u ka ngelur, po u merr rininë për të vazhduar më pas edhe me jetën e tyre!

Ky realitet i hidhur, që karakterizon sot rininë e mrekullushme të Bulqizës më hidhëron dhe rebelon njëkohësisht, rebelim i cili shoqerohet me një thirrje mllefi dhe inati për t’u thënë drejtuesve të pushtetit lokal, jo që të vazhdojnë përpjekjet e tyre, por të punojnë me kapacitet të plotë human për të bërë atë që nuk e bënë kurrë për të rinjtë e Bulqizës, sepse një gjë është e sigurt, “Të rinjtë janë e ardhmja dhe meritojnë shumë më shumë se kaq!

S'KA KOMENTE