Votëbesimi i zgjedhësve, përgjegjësi dhe vlerësim

67

Pasi fitoi garën për kreun e bashkisë Bulqizë, Melaim Damzi, bëri dhe betimin para Këshillit Bashkiak. Ai vjen në këtë funksion të rëndësishëm si përfaqësues i Koalicionit Për Shqipërinë Europiane. 47-vjecari Damzi premton të “zbardhë” Bulqizën. Ai ka kryer shkollën 8-vjeçare dhe të mesme në qytet. Është diplomuar për mjekësi të përgjithshme dhe në vitin 1991 ka filluar punë për herë të parë në Bulqizë. Më pas, pas specializimit për kirurgji të përgjithshme, ka qenë mjek në spitalin rajonal të Peshkopisë, deri drejtor i këtij spitali. Deri para se të hynte në garën për kreun e bashkisë Bulqizë ai ishte Prefekt i qarkut Dibër. Ka qenë kryetar i PS-së për Dibrën, por u shkëput prej saj në vitin 2011, duke kaluar tek LSI.

Melaim Damzi ka lidhje të veçantë me rrethin e Bulqizës që në rininë e tij të hershme. Ka qenë banori i këtij qyteti, ku prej kohësh punon dhe banonin vëllezërit e tij më të mëdhenj. Njohjet dhe lidhjet e tij me banorët e qytetit të minatorëve janë të vjetra e të shumëllojta, me të gjitha zonat dhe shtresat sociale. Aty më vonë ka filluar edhe profesionin e mjekut ku ka lënë mbresa të veçanta dhe ka kultivuar ndjenjë të fortë mirësie dhe respekti për të gjithë qytetarët. Si kirurg në spitalin e Bulqizës ka shërbyer dhe ka punuar parreshtur, në përmirësimin e Shërbimit të Urgjencës së Kirurgjisë.

Votëbesimin që i dhanë zgjedhësit për Kryetar të Bashkisë Bulqizë ai e konsideron sa përgjegjësi, aq edhe vlerësim.

“Unë kam jetuar dhe punuar në qytetin e Bulqizës, duke filluar që nga punëtorë në Minierën e Kromit deri në kirurg në Spitalin e Bulqizës.

Kam aq shumë miq e shokë në këtë qytet dhe rreth, saqë e them me bindje që janë më të shumtë në Bulqizë se sa në Peshkopi. Nuk mbaj mend të ketë pasur ndonjë rast që të kem kaluar në Bulqizë dhe të mos jem detyruar të ndalem për shkak të këmbënguljes së miqve dhe shokëve”,-shrehet kryebashkiaku Damzi.

Për kreun e ri të bashkisë, Bulqiza është një, është e të gjithëve, qoftë e atyre që kanë origjinë nga Bulqiza por edhe e atyre që kanë ardhur nga të gjitha fshatrat e Dibrës dhe Bulqizës dhe kanë ndërtuar aty jetën. Ata janë nga të gjitha anët, që nga Reçi, Dardha, Luznia, Selishta e deri në Maqellarë. Ata tashmë janë bulqizakë dhe janë të lidhur me Bulqizën si me vendlindjet e tyre.

Tashmë që ka bërë betimin dhe iu është përveshur punëve, kryebashkiaku Damzi mendon se “një ndarje në bulqizakë dhe jobulqizakë nuk ekziston përderisa të gjithë jemi pjesë e së tërës”.

S'KA KOMENTE